Në KQZ janë paraqitur 105 subjekte politike
Prishtinë, 5 shtator - 11:39 - (E plotësuar) Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, deri mbrëmë në mesnatë, kur ishte afati i fundit, janë paraqitur 105 subjekte politike, përfshirë 33 parti politike, dy koalicione, 53 inciativa qytetare dhe 15 kandidatë të pavarur.
Nga këto, sipas “Danas” të Beogradit, 28 janë subjekte ose individë serbë.
Prej subjekteve serbe, është paraqitur lista e përbashkët me emrin “Iniciativa Qytetare Serbija”, në të cilën janë të përfshirë kandidatët për kryetarë të 24 komunave në pjesën jugore dhe veriore të Kosovës, pastaj lista “Serbia, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq”, Iniciative demokratike dhe iniciativat qytetare nga Leposaviqi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Miradije Marviqi, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës së KQZ-së për regjistrimin e partive.
Megjithqë Beogradi i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës më 3 nëntor, në pjesën veriore ka të atillë që edhe më tutje e kundërshtojnë daljen në zgjedhje.
Raportohet se në pjesën veriore të Kosovës janë paraqitur mbishkrime në të cilat shkruan "JO zgedhjeve".
Serbët aplikuan me listë unike qytetare “Serbija”
Prishtinë, 5 shtator - 08:49 - Serbët aplikuan në KQZ ashtu siç iu kishte kërkuar Beogradi – me listë të përbashkët “Serbija”. Atë e dorëzoi mbrëmë brenda afatit ligjor kryetari i të ashtuquajturit qark i Kosovës, Vlladeta Kostiq. Lista qytetare unike serbe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit,
do të përfaqësojë serbët në 24 komuna të Kosovës.
Pas aplikimit të serbëve, tani në KQZ numri i subjekteve që kanë aplikuar për të garuar në këto zgjedhje ka arritur në 102, nga të cilat 18 janë serbe, 33 parti politike, 2 koalicione, 53 nisma qytetare dhe 15 kandidatë të pavarur.
Nuk ka konfirmime në KQZ nëse të gjithë do të certifikohen.
Zyra për regjistrimin e partive politike ka 15 ditë afat për kontrollimin e dokumentacionit, ndërsa më 19 shtator hedhet shorti për renditjen e subjekteve në fletëvotim.
http://www.koha.net/?page=1,13,157721
Krijoni Kontakt