Nga Express më 07.10.2009 në ora 17:10
Prof. Asoc. Dr. Myslim Pasha, i cili është mjeshtër kërkimesh dhe Kolonel në rezervë i Forcave të Armatosura, në një analizë të tij shkencore për paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndalet te njëra prej pikave të skandalit. Ai thotë në analizën e vet se marrëveshja që pret të kalojë pas pak ditësh për ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë e ka trajtuar gjirin e Sarandës, si një bregdet i thjeshtë, dhe si një harrim gjeografik të pafalshëm. Duke shpjeguar hartën bashkangjitur, autori i studimit thotë se me indiferencë dhe cinizëm teknik është shpërfillur dhe shmangur e drejta jonë historike, sepse vija ku ka filluar matja për përcaktimin e vijës së mesme (median line) është në muret historike të qytetit, duke cenuar mëvetësinë e Gjirit si Det Shtetëror dhe duke duke humbur 15 km2.
1.Gjri i Sarandës
Një fillim i tillë, për apologjetët e marrëveshjes do të ishte një hiperbolë nxitëse nacionaliste, se në të vërtetë, gjiri i Sarandës është në vend të vet, askush nuk e ka dhënë e nuk e ka falur. Ajo çfarë u kumtua në media për një kohë, as që u kap dhe u trajtua nga apologjetët teknikë, as që u trajtua për qartësim dhe shpjegim. Vetëm se, shkaraz u bë një përqasje me gjiret e futur e të thellë që plotësojnë kushtin e (?r2 : 2).
Nuk e dimë nëse ata, vijojnë ende, ta mbrojnë këtë argument, apo mund t'u ketë shkuar ndërmend, se ka dhe një shpëtim për të mos e dhënë për ndarje gjirin e Sarandës. Nëse, kjo varkë me vela nuk kthehet në detin e mendjes së tyre, do të thotë që ajo as që është nisur. Gjiri i Sarandës, ka qënë pa zot. Kështu ka mbetur në këtë Marrëveshje dhe historia, më shumë se çdo argument tjetër, që është parashtruar, do të brejë ndërgjegjen shkarravitësve të hartografisë dhe të ligjvënësëve shqiptarë të shekullit të XXI.
Kur themi " i humbur" kjo është metaforë, e harresës, se Gjiri i Sarandës, nuk ka marrë emërin e vet, statusin kombëtar si dhe pozicionin e tij gjeohistorik.
2. Askush nga pala shqiptare nuk është mbështetur në UNCLOS për të ruajtur Sarandën
Në një syth të studimit, kemi trajtuar në mënyrë teorike dhe gjeometrike, veçoritë që jep UNCLOS ( United Nations Convent of Law of Sea) , për gjiret dhe ujrat e brendshme të shtetit. Është e drejta e një shteti që me ligj të veçantë të përcaktojë ujërat e brendshme, të cilat janë në mënyrë tërësore nën sovranitetin e tij.
Përcaktimi i vijave bazore normale dhe e vijëdrejtave bazore, shënon kufizimin e këtyre ujërave brenda tyre dhe në drejtim të Dheut Kontinental.
Gjiret bëjnë pjesë në Ujërat e Brendshme. Prej vijave bazore të tyre fillon Deti Shtetëror. Gjiri i Sarandës i përket vetëm shtetit shqiptar. Ai është një shkallëzim i dukshëm dhe i identifikuar, me prirje në drejtim të Dheut Kontinental, që përkon me drejtimin gjeografik lindor në një kënd prej 450 e matur nga këndi i drejtë që përmbyll drejtimin veri-jug. Forma e gjirit është trikëndore, me thyerje të shumta sapo fillon prej kepit të Qefalit, deri në Sarandë. Penetrimi në thellësi nismon dukshëm që në pikën e fillimit të kësaj thyerjeje, në Kepin e Qefalit ku, ndodhet edhe fanari bregor orientues detar.
Lashtësia na kumton se Onkezmi, Saranda e sotme, qysh nga Mijëvjeçari i dytë Para Krishtit ka qënë një gji për të pritur dhe ruajtur anijet nisur prej vendit të përshtatshëm dhe kushte të tjera të rrethinës. Onkezmi është vijim i gjeohapësirës epirote, që zë fill prej maleve Keraune, dhe kepit të Gjuhëzës, ku janë ndërtuar vendabnime si Dhërmi, Himarë (Cimera) Vuno, Qeparo, Borsh, Sarandë e deri në fushën e Vrinës, ku është dhe Buthroti i famshëm. Kjo ishte Kaonia. Në drejtim të dheut e në drejtim të vargoit kodrinor dhe bregdetit janë qendra të tjera të mëdha të lashtësisë si Foinike dhe më në jug Buthroti.
Sipas hartës, e cila ende nuk gjendet në Ministrinë e Mbrojtjes apo atë të Jashtme, por që një fragment të saj ne e kemi shkëputur prej gazetës "Standard", gjiri i Sarandës kridhet në një gjysëmerrësirë (që nuk mund të jetë me dashje) ne mundemi që të vëzhgojmë, ndonëse me vështirësi, se harku fundor i rrethit të hequr me pikën qëndrore, në vijën mesore të pranuar, del sa gati - gati ka prekur edhe simbolin e Portit. Kjo është gjeometria tragjike e gjirit të Sarandës.
Marrëveshja e fundit, iu shpërfaqet shqiptarëve me indiferencën, cinizmin teknik, shpërfilljen gjeohistorike, duke shmangur të drejtat tona historike. Ajo në kundërshtim me Konventën e cila sjell përjashtim, gjiri i Sarandës, është trajtuar si një bregdet i thjeshtë, pa penetrim, pa dukje, në një harrim gjeografik të pafalshëm. Vija bazë, ku ka filluar Deti Shtetëror, është marrë në Portin e saj të kahershëm, në muret e tij historikë. Gjiri i Sarandës ka ngelur "jetim". Vija bazë, ku ka filluar Deti Shtetëror, është marrë në Portin e saj të kahershëm, në muret e tij historikë. Afëria e brigjeve dhe të qënit kundruall, e bën këtë të drejtë, edhe më komplekse, për shumë shkaqe, ndër të cilët janë ata natyrorë, ekonomikë dhe historikë janë të dukshëm në krahun tonë.
Të drejtat historike të mohuara
Gjiret historike deklarohen nga vet shteti. Negociatorët tanë kanë shkuar të papërgatitur, pa bazën ligjore të duhur, pa njohje të UNCLOS. Të tilla deklarime janë të njohura në praktikën ndërkombëtare. Në përgjithësi një deklarim i tillë është real, i argumentuar dhe jo i sajuar. Ai vjen përmes një njohjeje dhe përvoje të gjatë kombëtare dhe ndërkombëtare, prej gjeohistorisë, zhvillimit ekonomik, strategjisë, turizmit, rëndësisë ushtarake. Shpesh ato konsiderohen edhe gjire juridikë, përbërësit e të cilit deklarohen nën sovranitet, për t'u pranuar nga shtetet fqinjë e për t'i marrë parasysh lidhur me UNCLOS. Sarandës sonë i është mohuar e Drejta Historike, e Ujrave Historikë.
"Parashikimet e mësipërme nuk zbatohen për të ashtuquajturat gjij "historikë " ose në çdo rast, kur është zbatuar sistemi i vijave bazë të drejta të parashikuara në nenin 7.( Nga Konventa)
Dhe ja një paragraf tjetër që lidhet me zabtimin e nenit 7 të Konventës ( për Vijëdrejtat bazore.):
"...Kur metoda e vijës së drejtë bazë është e zbatueshme sipas paragrafit 1, në përcaktimin e vijave bazë të veçanta, mbi bazën e interesave ekonomike të rajonit në fjalë, mund të merret në konsideratë realiteti dhe rëndësia të cilat janë të evidentuara qartë prej përdorimit të gjatë...".
"...Parashikimi i mësipërm nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme në rastet e ndonjë titulli historik ose rrethana të tjera të veçanta për kufizimin e detit territorial ndërmjet të dy shteteve sipas mënyrave të mësipërme."
"...The above provision does not apply, however, where it is necessary by reason of historic title or other special circumstances to delimit the territorial seas of the two States in a way which is at variance therewith..."
Të drejtat historike lidhen me:
(i) Ushtrim i autoriteit shtetëror për një periudhë të gjatë në përkim me titullin detar,
(ii) Emri dhe njohja në vijimësi e këtij autoriteti.
(iii) Reagimi, ndikimi, si mosnjohje nga ana e shtetit tjetër.
(iv) Ato mund të jenë të drejta historike, në pasurinë dhe trashëgiminë kulturore, në peshkim, në kalim, ekonomike, gjeostraegjike.
(v) Një titullim historik do të thotë, se asnjë shtet tjetër nuk mund të ketë forcë për të ushtruar të drejta ndaj kësaj gjeohapësire detare, që i referohet këtij titullimi.
(vi) Titujt historikë, shmangin qënësinë e ndonjë titulli tjetër.
Një ndijim gjeohapësinor shqiptar, dinjitoz e kombëtar, i kulturës dhe përkushtimit, i dashurisë dhe hulumtimit vjen e të krijon "gjirin tënd" në të cilin do të futen tërë hollësitë që kanë të bëjnë me të drejtën e shtetit, të Dheut dhe të Detit.
Një shtet me denjësi dhe histori shumëshekullore të njohur, në dëshmi që nuk ka se çfarë t'u bëjë dot asnjë lloj erozioni, konsultohet, sendërton në një ligj të tij, bën një deklarim, që nga Parlamenti e Qeveria e tij, për Gjirin e Sarandës. Ai duhej të shpallej si një gji historik. Ky deklarim, do të bëhej, pasi të ishin trajtuar me hollësi të gjithë kushtet gjeografike, historike, tokësore, detare, ekonomike, strategjike etj. Ky deklarim duhet ta shpallte gjirin si Ujëra të Brendshme të shtetit, duke e përfshirë atë, të ruajtur, brenda asaj vijëdrejte që bashkon dy kepet, ku përmbyllet drejtimi vijimor i Detit, ku mbështillet gjiri ynë intim kombëtar.
Ne e kemi shpërfillur përulësisht gjirin e Sarandës sonë. Sikur edhe kaq të kishte qënë në këtë marrëveshje, mjaftonte për të hedhur poshtë, një pakt të tillë në prerje të gjirit historik, të Onhezmit mitik të Eneas, Sarandës së 40 shenjtorëve.
Kolonel Myslim Pasha: Pakti detar me Greqinë, pret shpatullat tona ujore
LETËR E HAPUR:
1 - Akademisë së Shkencave të Shqipërisë 2 - Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës 3 - Qendrës së Studimeve Albanologjike 4 - Institutit të Historisë 5 - Institutit të Gjeoshkencave 6 - Institutit të Mjedisit 7 - Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë
Ka disa muaj, që në mjediset shqiptare, është folur edhe për një Marrëveshje të dyshimtë në ndarjen e Ujërave Detarë dhe të Shtratdetit Kontinental, midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në debatin e hapur, nëse keni vënë re, nga ana e gjithë mekanizmit të Shtetit ka një kornizë hermetike, një heshtje e shpejtësi për ta çuar gjer në fund këtë Marrëveshje, në ratifikimin e fundëm të saj.
Hapat, procedurat, baza ligjore, saktësia e jetësimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, janë kosideruar, të rregullt, e tejdukshëm, të saktë, kësilloj, përfundimisht të padiskutueshëm. Veç kësaj, për ata që e kanë ngritur këtë çështje, është thënë se janë" Antikombëtarë", "të shitur" dhe se s'kanë bërë gjë tjetër veçse "një trillim primitiv"
Është tragjike, në këtë heshtje, kur gjeohapësira të tëra, me firmën e Shtetit, me buzëqeshjen e tij komike, vendosin këtë kufi detar, duke prerë shpatullat ujore të shqiptarëve, duke cenuar mëvetësinë, duke shpërfillur historinë dhe gjeohistorinë, duke harruar interesat ekonomike të ardhmërisë së shfrytëzimeve të Shtratdetit Kontinental, duke nëpërkëmbur dinjitetin, me një përulësi të dukshme, dhe po kaq të turpshme.
Po ju drejtohem, sepse kjo nuk është vetëm një veprimtari e diplomacisë shtetërore, por kryefjala e mëvetësisë së Shqipërisë.
Studiesit e Institucioneve tuaja, duhet të kishin gjetur një instrument konsultimi, jo për të bërë "kryengritje" ndaj shtetit të tyre, por për të verifikuar me durim, me historianë, juristë të së Drejtës Ndërkombëtare, me hartografë, gjeologë dhe gjeografë, gjeodetë, dhe pas kësaj, t'i përcillnin Ligjvënësve kuvendarë, pikëpamjet shkencore, për të shtyrë në një kohë të mëtutjeshme, ratifikimin e mundshëm të kësaj Marrëveshjeje, sa të saktësohen më qartë dyshimet, për atë që është gatuar aq keq, sa të vjen turp ta kujtosh.
Kështu ne i bëjmë edhe më shumë shërbim klimës së mirëkuptimit e fqinjërisë me Republikën e Greqisë, duke qënë të bindur, se pala greke, nuk ka diktuar, por ajo veçse në tavolinën diplomatike, ka mbrojtur të Drejtën e saj, apo siç kanë deklaruar " interesat e tyre strategjike " ndërsa pala jonë, del tërësisht e humbur.
Ju nuk mund të heshtni për prerjen e një gjymtyre gjeohapësinore prej 354 km2, që nga Ngushtesa e Otrantos e deri në Kepin e Stillos.
Në mbijetesën tonë kombëtare, njihet tragjedia e ndarjes së kufijve nga Komissioni Ndërkombëtar (1913-1925), ndërkohë në vitin 2009, lehtësisht, shkëpusim prej vetvetes, gjeohapësira të tëra detare.
Kemi prerë Otranton, kemi izoluar Rrugët e Bardha, kemi matur ndarjen e Gjirit Historik të Sarandës që nga Muret e Lashtë të Onhezmit, kemi shpërfillur mesdetin në Ngushtesën e Korfuzit që është e Drejta Jonë Ndërkombëtare, kemi braktisur Shkëmbin Barketa, dhe së fundi, por që është një fillim, na është mbyllur shikimi në Kepin e Stillos.
Dhe thuhet se kemi zbatuar Konventën Ndërkombëtare, kur ajo nuk është zbatuar në asnjë nen të saj.
Të nderuar shkencëtarë!
Ka mbetur, ende, një kohë e shkurtër, gjer më datën 19 tetor. Po e mjaftë për t'u konsultuar, për të krijuar një bindje të përbashkët, dhe pa "demonstratë" për t'i dërguar një apel shkencor, Ligjvënësve, për të shtyrë në një kohë të mëvonshme, këtë ratifikim, sepse po u krye, kësillojshëm, i zhyt në turp, ratifikuesit, të cilët janë të zgjedhurit tanë, duke na kryeulur, të gjithëve. Shpresoj se Institucionet tuaja, do të kontribuojnë, për të mos e ratifikuar këtë Marrëveshje, për t'ia lënë një gjykimi më të thelluar në një kohë të mëvonshme. (Shekulli)F
Krijoni Kontakt