Kuvendi i Rinisë Serbe në Rashkë ishte parashikuar që të ishte një takim mes beqarve
serbë të asaj ane dhe vajzave nga Shqipëria. Megjithatë, shumë beqarë serbë që aterruan
aty, mbeten duarthatë. Martesat shqiptaro – serbe janë bërë të zakonshme në
Rashkë. 60 çifte të tilla kanë filluar jetën e përbashkët. Dhe, pajtohen shumë mirë.
Rashkë, Javor, qershor —
Oh, Javor, plagë e imja e thellë, ty të lash shumë herët”, kumbonte prej shumë zërave të hënën në malin historik Javor, ku u mbajt Kuvendi i Rinisë Serbe, grumbullim i disa mijëra njerëzve nga të gjitha anët e Serbisë dhe diasporës. U ringjall ceremonia e vjetër popullore, dikur e mbajtur këtu në lëndinë mes tre kufijve të komunave Ivanjica, Nova Varos dhe Sjenica, në vendin e kufirit të dikurshëm rreth të cilit në të kaluarën u zhvilluan shumë beteja për lirinë e Serbisë, gjë për të cilën dëshmon përmendorja për heronjtë e rënë.
Kuvendin e organizoi organizata humanitare ‘Rashka e Vjetër’ nga Beogradi, në bashkëpunim me komunat e këtij territori, me dëshirë që të ringjallë tërë këtë anë malore, nga e cila, siç e thotë edhe kënga, shumicën e banorëve rruga i dërgoi larg nga vendlindja. Përmbajtja kryesore e tubimit ndodh rreth përmendores së luftëtarëve të rënë në Javor dhe Kalipolj, gjatë luftërave për pavarësinë e Serbisë (1876-1878). Këtu u mbajt përkujtimi për këta heronj dhe të tjerët që vdiqën këtu
gjatë luftërave çlirimtare, që e shërbeu Popi Hrizostom dhe u shenjtërua themeli i kishës së ardhshme - Përkujtimore katakomb që do të ndërtohet afër përmendores.
Për rëndësinë e luftës së Javorit foli dr. Zivota Markovic. Afër këtij vendi u krye edhe shenjtërimi i themelit të shtëpisë së Rashkës së Vjetër, objekt ky ndërtimi i
të cilit do të vijojë, ndërsa i dedikohet zhvillimit të turizmit në këtë anë. U mbajt edhe një orë historie, ndërsa për argëtim u kujdesën interpretuesit dhe këngëtarët me muzikë burimore dhe moderne. Natyrisht, Kuvendi nuk kaloi pa
kafene, qingje në hell dhe tenxhere plot lakër martesore, plot gjëra të tjera ushqimore dhe xhingla të ndryshme për shitje. Duke iu drejtuar të mbledhurve,
Vojin Vucicevic, kryetar i organizatës ‘Rashka e Vjetër’ veçoi rëndësinë e ripërtëritjes së Kuvendit dhe afrimit të njerëzve të kësaj ane, si dhe lidhjen mes të rinjve që të krijojnë familje dhe të ringjallin
fshatin.
“Që të ketë më shumë martesa dhe fëmijë, që të rritet shkalla e natalitetit dhe të forcohet lufta kundër ‘mortajës së bardhë’”, veçoi ai.
Edhe pse në prag të Kuvendit u dëgjua tregimi që në kuadër të martesave gjithnjë
më të shpeshta mes beqarëve serbë në fshatrat malore dhe vajzave të reja nga Shqipëria që vijnë këtu për të jetuar dhe për këtë rast erdhi një numër i madh i shqiptarëve, mesitëve potencialë, Vucic shpjegoi se pse kjo, megjithatë nuk ndodhi.
“Pati disa dezinformata që i kanë parandaluar, ndërsa mbizotëroi fakti se atje është shprehi që meshkujt të shkojnë te familjet për t’ua kërkuar dorën, e jo vajzat ta bëjnë këtë”.
Megjithatë, shumë beqarë që ‘aterruan’ nga anët e ndryshme, të hënën, në Javor me dëshirë që t’i shohin edhe mesitët serbë edhe ata shqiptarë, mbetën duarthatë. Në vend të vajzave, nga Shqipëria erdhën vetëm mesitët. Grupin prej Shkodrës e udhëhoqi Pavle Brajovic, i cili si kryetar i shoqatës së atjeshme të serbëve dhe malazezëve u ofrua që të jetë lidhja mes beqarëve nga Serbia dhe mesitëve nga Shqipëria veriore.
“Ne bashkëpunojmë me ‘Rashkën e Vjetër’ në këto lidhje, qëllimi ynë është që të krijojmë atje një sistem institucional për të arritur t’i njohim njerëzit e rinj dhe
të zhvillojmë lidhje”, shpjegon Brajovic.
“Vajzat nuk kanë ardhur në numër të paralajmëruar, tek ata zakon është që ne mesitët të shkojmë personalisht. Atje ato zakonisht janë të mira dhe punojnë, janë të gatshme që të jetojnë edhe në fshat dhe të martohen në Serbi”.
Për tregimin e Pavles menjëherë u interesuan disa beqarë, duke parë rastin që vetmisë së tyre t’i vijë fundi. Fqinjët nga fshatrat e Arandjelovacit, Garas dhe Jelovikut, 47-vjeçari Rajko Prodanovic dhe 10 vjet më i vjetër se ai, Dragomir Plecevic janë pronarë të disa hektarëve tokë, shtëpive të mira dhe mekanizmave, por të pamartuar. Të dy interesoheshin për vajzat nga Shqipëria.
“Nuk është lehtë të jesh vetëm, gruaja nevojitet, s’ka lidhje se nga është, shqiptare apo ndonjë tjetër, njëjtë”, thotë Plecevic përderisa Prodanovic përmend se vajzat serbe nuk e duan fshatin aspak.
Ndërsa, martesat e djemve nga fshatrat serbe dhe vajzave nga Shqipëria, që kryesisht janë të fesë katolike, tashmë janë bërë të zakonshme për territorin e Rashkës. Thuhet se rreth 60 çifte të tilla kanë filluar jetën e përbashkët dhe pajtohen shumë mirë. Në Kuvendin e Javorit, të hënën takuam bashkëshortët e ardhshëm, Zlatko Munic nga Sjenica dhe shqiptaren Vera Gjeneshi nga Shkodra, të cilët në Sjenicë jetojnë tashmë një vit. Së shpejti do të martohen në kishë. Biondina e buzëqeshur, e cila flet shumë mirë serbisht, thotë se këtu ndjehet mirë, në Serbi është më mirë se në Shqipëri, ku, siç tha, nuk ka gjithmonë rrymë. Me dhëndrin e tij, Zlatkon është i kënaqur edhe vëllau i saj, Gega që ishte ulur afër motrës dhe dhëndrit në këtë ceremoni.
Branko Pejovic, Politika
Marrë nga gazetaexpress.com
Krijoni Kontakt