Kufiri detar, në Greqi mendohet lufta
2011-09-30
Arben Llalla
Gazeta Shqip
Mediat e vendit fqinj nisin të analizojnë potencialin ushtarak dhe aleancat e dy vendeve
Marrëveshja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ende vazhdon të jetë një problem delikat i pazgjidhur në favor të Greqisë. Tashmë kjo marrëveshje i ka kaluar kufijtë e saj të diskutimeve midis Greqisë dhe Shqipërisë. Mediat e ndryshme greke po i kushtojnë vëmendje të madhe marrëveshjes në fjalë, duke arritur deri te llogaritja e fuqisë ushtarake të dy vendeve në rast lufte. Në Shqipëri kjo çështje quhet e mbyllur, pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi si të pavlefshme marrëveshjen e ujërave kufitare të nënshkruar midis dy qeverive në maj të 2009-s. Por, edhe pse kanë kaluar rreth dy vite, qeveria greke ende vazhdon të kërkojë që kjo marrëveshje të funksionojë, duke parë se politikanët shqiptarë janë “dorëlëshuar”. Në takimin e ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto, që u zhvillua në Nju Jork me kolegun e tij grek Stavros Lambrinidhis, për herë të parë Greqia nuk kishte më si prioritet të drejtat e minoritetit, por marrëveshjen e ujërave. Por përse kaq shqetësim dhe këmbëngulje e grekëve për kufirin detar në detin Jon? Çfarë fshihet pas firmës së kësaj marrëveshje? Mediat greke kanë publikuar këto ditë shkrime që u përgjigjen këtyre pyetjeve.
Luftë në detin Jon!
Revista greke e shtatorit 2011, “Bilanci ushtarak dhe gjeopolitika”, shkruan me shkronja të mëdha: “Luftë në Jon, operacioni ‘Skenderbeis’”. Autor i këtij shkrimi është Joani S. Theodhoratu, i cili shkruan për interesat strategjike në detin Jon dhe Adriatik, ku ka rezerva të mëdha gazi, nafte dhe kalimi i tubacioneve që do të furnizojë Europën për shumë vite. Revista i kushton 10 faqe marrëveshjes së kufirit ujor midis Shqipërisë dhe Greqisë. Autori thotë se interesat e Greqisë për këtë zonë po pengohen nga ana e turqve, që tashmë kanë një aleancë ushtarake afatgjatë me Shqipërinë.
Si pasojë e mosfunksionimit në detin Jon e marrëveshjes së Greqisë me EEZ për nxjerrjen e gazit dhe naftës mund të kalohet në një konflikt ushtarak midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse Greqia ka potencial ushtarak të fuqishëm ndaj Shqipërisë, grekët janë të bindur se Turqia do ta sulmonte Greqinë për interesat e saj në këtë rast. Autori ndër të tjera shkruan për stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë, duke shfaqur shqetësimet e Athinës, e cila prej 20 vitesh strehon mijëra shqiptarë emigrantë ekonomikë dhe është një nga investitorët kryesorë në Shqipëri.
Rezervat e naftës dhe gazit
Në studimin e tij, gjeologu dhe ekonomisti i energjetikës greke dr. Kostandinos A. Nikolas, ka shkruar se në detin Jon, Qipro dhe Kretë gjenden rezerva nafte dhe gazi natyror. Gazeta “Avriani” shkruante se Greqia mund të përfitojë afro 700 miliardë euro me nënshkrimin e marrëveshjes me EEZ. Nikolas kërkon të bëhen hetime në këto zona detare për burimet e hidrokarbureve. Shkencëtari në fjalë bën një pasqyrë historike të problemeve të Greqisë me kufirin detar që ka ndër vite të pazgjidhur me Shqipërinë, Turqinë, Libinë, Egjiptin, ndërsa me Italinë e ka zgjidhur në vitin 1978. Sipas tij, më 1994-n Shqipëria dhe Greqia ishin shumë afër për ta zgjidhur çështjen e kufirit detar, por autoritetet shqiptare nuk lëshuan pe, ishin më të ashpra dhe Greqia nënshkroi që blloku i zonës 5 Hamilton në detin Jon t’i takojë Shqipërisë. “Pas 15 vitesh Greqia mundi të nënshkruante një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare për zonën 5 afër ishullit të Korfuzit, por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë marrëveshje”, shkruan dr. Kostandinos sa i përket kufirit detar me Shqipërinë.
Krijoni Kontakt