Prishtinë, 17 mars – Fatmir Limaj është përballur të mërkurën me akuza të rënda të një prokurori italian. Jo për korrupsion e krim të organizuar, por për krime lufte që supozohet të jenë kryer 12 vjet më parë.
Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën e luftës “Çeliku” i gjykuar dhe i liruar si i pafajshëm nga Tribunali i Hagës për krime luftë në kampin e Llapushnikut, u është dorëzuar autoriteteve të EULEX-it rreth orës 22:00. Ndaj tij është zhvilluar një procedurë dëgjimore, mirëpo gjyqtari i procedurës paraprake nuk i ka caktuar asnjë masë ndalimi. I shoqëruar nga avokati i tij Tomë Gashi, ai është liruar nga një kamp i EULEX-it në Fushë-Kosovë rreth orës 23 e 30 minuta. Ai nuk ka dashur të flasë rreth akuzave për krime lufte.
“Kjo është punë e organeve të drejtësisë. Do të jem në dispozicion të plotë të organeve të drejtësisë”, ka thënë ai për t’u larguar.
Ish-komandant Çeliku dyshohet se ka urdhëruar dhe marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë e shqiptarë të paraburgosur në një kamp në fshatin Kleçkë në komunën e Lipjanit.
Limaj ka qenë njëri 12 nga të ndaluarit e EULEX-it gjatë së mërkurës.
Prokurori i special, Maurizio Salustro, ka ngritur kallëzim penal kundër Hajdar Hoxhës nga Rahoveci, Ukë Gegajt nga Suhareka, Shaban Shalës nga Kleçka e Lipjanit, Fatmir Limajt nga Banja e Malishevës, Naser Krasniqit nga Rahoveci, Besim Shurdhajt, Arben Krasniqit nga Caralluka e Malishevës, Behlul Limajt nga Banja e Malishevës, Nexhmi Krasniqit nga Tërpeza e Drenasit, Naser Shalës nga Banja e Malishevës, Sabit Shalës nga Kleçka dhe Refki Mazrekut nga Malisheva. Gjashtë të arrestuarve gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Ferdinando de Monguot ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim, ndërsa tre të tjerëve masën e arrestit shtëpiak.
Për ta realizuar një fletarrest për 12 ish-pjesëtarë të UÇK-së, EULEX-i ka arrestuar të mërkurën në një aksion të nisur në orët e para të mëngjesit në disa lokalitete të Malishevës dhe Lipjanit 10 nga 12 të dyshuar.
Në prangat e kolegëve të tij të EULEX-it ka rënë drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi. Fillimisht ai është mbrojtur nga kolegët e tij, të cilët nuk kanë lejuar policët e EULEX-it që të futën në stacionin policor të Prizrenit për ta arrestuar. Tek më vonë Krasniqi u është dorëzuar autoriteteve ndërkombëtare në Prishtinë.
Të arrestuarit janë dërguar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nën masa të rrepta të sigurisë, disa orë pas arrestimit të tyre në lokalitete të ndryshme.
Besim Shurdhajt e Behlul Limajt gjyqtari u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, ndërsa Shaban Shalës i ka caktuar masën e paraqitjes tri herë në javë në stacion policor.
Burime brenda Prokurorisë Speciale kanë thënë se arrestimet janë bërë si rezultat i ofrimit të dëshmive nga një ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili ka fituar edhe statusin e dëshmitarit të mbrojtur të koduar si dëshmitari “X”
Misioni i Bashkimit Evropian ka qenë i rezervuar në dhënien e detajeve. Ky mision nëpërmjet një komunikate ka konfirmuar arrestimit e nëntë personave, tetë në Kosovë dhe një në Zvicër.
“Sot Policia Ekzekutive e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kontekst të një hetimi për krime të luftës. Po ashtu, janë kryer edhe disa bastisje. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka bërë sigurinë e gjithëmbarshme të operacioneve. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj”, ka thënë ky mision nëpërmjet një komunikate.
Sipas kësaj komunikate, arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, bazuar në dyshimet e bazuara për vrasje, torturime dhe vepra të tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999.
Fatmir Limaj dyshohet se ka kryer veprën penale të krimeve kundër të burgosurve të luftës në bashkëpunim me të dyshuarit e tjerë. Duke përfshirë Limajn, këta të pandehur, dyshohen se kanë përdhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të qytetarëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë të mbajtur në qendrën e paraburgimit në Kleçkë dhe kjo nga fillimi i vitit 1999 deri në mes të qershorit të vitit 1999. Vepra e dytë penale që dyshohet ta ketë kryer Limaj, ka të bëjë me krime lufte kundër të burgosurve.
“Limaj në cilësinë e komandantit të UÇK-së dyshohet se ka torturuar një të burgosur ushtarak serb, të mbajtur në qendrën e paraburgimit në Kleçkë, mbetjet mortore të të cilit janë gjetur në një varrezë masive afër Kleçkës, duke e grushtuar dhe shkelmuar atë gjatë marrjes në pyetje”, thuhet më tej.
Pika e tretë ndaj Limajt ka të bëjë me krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Në cilësinë e komandantit, Limaj dyshohet se në bashkëpunim Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën, Naser Krasniqin, Arben Krasniqin, Behlul Limajn dhe me dëshmitarin bashkëpunues “X”, ka vranë dy oficerë policie serbë që mbaheshin në Kleçkë, Nebojsha Gjuriçiqin dhe Veljko Markoviqin. Sipas kallëzimit, Limaj ka marrë pjesë duke e urdhëruar dëshmitarin “X” që të ekzekutojë të burgosurit. Kjo dyshohet të jetë kryer te vendi i njohur si Livadhi i Canit pranë Kleçkës në ose rreth datës 4 prill.
Bazuar në kërkesën e prokurorit, 12 personat dyshohen për përfshirje në torturime të civileve shqiptarë e serbë, por edhe të ushtarakëve serbë të zënë robë - disa prej të cilëve edhe janë vrarë. Sipas kësaj kërkese, Hajdar Hoxha, Ukë Gegaj si dhe Shaban Shala, dyshohen se në bashkëpunim edhe me disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, në prill të 1999-s, kanë keqtrajtuar në mënyrë brutale e më pas kanë vrarë katër ushtarakë serbë që ishin mbajtur në qendrën e paraburgimit në Kleçkë të Malishevës.
Besim Shurdhaj dyshohet për dy vepra penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Sipas kallëzimit, ai bashkë me personat e tjerë dyshohet se ka përdhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin e katër serbëve, eshtrat e të cilëve pas luftës në Kosovë ishin gjetur në varrezë masive.
Drejtori i Policisë për Prizrenin, Nexhmi Krasniqi, dyshohet se ka kryer shtatë vepra penale të torturimit të dhjetëra civilëve serbë e shqiptarë, duke marrë pjesë në torturimin dhe më pas vrasjen e katër serbëve.
Hajdar Hoxha, Ukë Gegaj, Shaban Shala dyshohen për veprën penale të krimeve të luftës kundër të burgosurve të luftës.
Sipas kërkesës, të burgosurit në qendrën e paraburgimit në Kleçkë janë mbajtur në mënyrë jonjerëzore duke përfshirë të burgosurit nën zinxhirë, ambiente të papërshtatshme, ftohtësi ekstreme, mungesë sanitare, ushqim i pamjaftueshëm, rrahje të shpeshta.
Krimet supozohen se janë kryer në Kleçkë rreth mesit të muajit prill të vitit 1999.
Naser Krasniqi i njohur si “Bashkim Fino” dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Ai dyshohet për keqtrajtim të një numri të papërcaktuar të të paraburgosurve ushtarak serb në qendrën në fshatin Kleçkë dhe kjo nga fillimi i 1999-s deri në mes të qershorit të këtij viti.
Vepra e dytë ndaj që rëndon mbi të është edhe për krime lufte kundër popullatës civile në bashkëkryerje me Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën dhe Refki Mazrekun, të cilët dyshohet se kanë vrarë Arben Avdylin, një shqiptar, i cili më parë ishte paraburgosur dhe më pas liruar për t’u vrarë në Kleqkë rreth ose në datën 4 prill 1999. Mbi të rëndojnë akuza edhe për katër persona që ishin serbë të paraburgosur: Bojan Cvetkoviq, Zarko Filipoviq, Todoroviq. Vepra e katërt, dyshohet se bashkë me Nexhmi Krasniqin, kanë reaguar dhe maltretuar një të burgosur, i cili më pas është vrarë në Kleçkë në prill të vitit 1999.
Vepra e pestë që ka të bëjë me krime lufte kundër të burgosurve të luftës, bashkë me disa të dyshuar të tjerë duke përfshirë edhe dëshmitarin “X”, dyshohen se janë të përfshirë në vrasjen e një të burgosuri ushtarak serb në Kleçkë në prill të 1999-s.
Nxehmi Krasniqi, ndërkaq, në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me Fatmir Limajn, Naser Krasniqin, Naser Shalën, Arben Krasniqin, Besim Shurdhajn, Sabit Shalën, dëshmitarin bashkëpunues “X”, Shaban Shalën dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së të paidentifikuar deri tani, dyshohen se përdhunuan integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të të burgosurve ushtarakë serbë, të mbajtur në qendrën e paraburgimit në fshatin Kleçkë, duke i mbajtur ata në kushte jonjerëzore (që përfshijnë të burgosurit nën zinxhirë, ambiente të papërshtatshme, ftohtësi ekstreme, mungesë sanitare, ushqim i pamjaftueshëm, rrahje të shpeshta.
Arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë shoqëruar edhe me tensione e reagime. Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë reaguar menjëherë pas nisjes së arrestimeve duke paralajmëruar masa në ditët në vijim.
Prokurori që ka nisur këtë hetim, Maorizio Salustro është ngarkuar thuajse me rastet më të rënda. Gjatë gjithë javës ai ka qenë aktiv, në rastit “Bllaca” kundër Fahredin Gashit, i akuzuar për krime lufte. Ai përfaqëson akuzën edhe kundër Sabit Gecit dhe Riza Alijajt, po ashtu, të akuzuar për krime lufte që supozohet të jenë kryer në Shqipëri.
http://www.koha.net/index.php?cid=1,7,52468
Krijoni Kontakt