
Postuar më parë nga
ARIANI_TB
EULEX-i në shërbim të negociatave me Serbinë
Nga Express më 17 mars 2011 në ora 14:33
Pas arrestimit të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se veprimet e tanishme të EULEX-it e kanë shënjestruar UÇK-në dhe ky është një shërbim i shkëlqyer i radhës për Serbinë në negociata. “Nëpërmjet kësaj strategjie EULEX-i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t’i jep përparësi morale Serbisë”, thekson Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate shtypi.
Sipas Vetëvendosjes, në kohën kur Kosova po lëngon nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë, të cilët për ruajtjen e pushtetit po shkojnë në negociata me Serbinë për koncesione të reja, EULEX-i e zgjodhi persekutimin e UÇK-së.
“Gjithçka që ka bërë EULEX-i në raport me politikanët e Kosovës prej vitit të kaluar ka qenë në funksion të negociatave me Serbinë. Populli i Kosovës gjatë vitit 2010 pa vetëm bastisje spektakolare ministrish e vilash të shtrenjta, si dhe premtime për arrestime ‘peshqish të mëdhenj’, por krejt çka po shohim sot janë politikanët e korruptuar që po i binden negociatave me Serbinë, të sponsorizuara nga OKB-ja, e të ndërmjetësuara nga BE-ja. Në njërën anë i kemi politikanët e korruptuar, e në anën tjetër e kemi BE-në në Kosovë, si EULEX, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke qenë neutrale ndaj statusit. Është BE-ja ajo që qeveris me Kosovën dhe që i bastis këta politikanë pa ndonjë drejtësi pasuese, të cilët përfundojnë në negociata me Serbinë, e cila i nevojitet BE-së. Kësaj marrëdhënieje po i vjen era shantazh.
Veprimet e tanishme të EULEX-it e kanë shënjëstruar UÇK-në. Ky është një shërbim i shkëlqyer i radhës për Serbinë në negociata. Nëpërmjet kësaj strategjie EULEX-i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t’i jep përparësi morale Serbisë. Akuza e ngritur ndaj të arrestuarve përfshin edhe keqtrajtimin dhe vrasjen e oficerëve policorë e ushtarakë serbë. Për fëmijët e gratë shtatzëna shqiptare të vrarë e torturuar nga pushtuesit gjatë luftës në Kosovë kurrë nuk pati drejtësi, e tash po ngrihen raste për vrasjen e pushtuesve të vrarë gjatë luftës sonë çlirimtare”, thotë Lëvzja Vetëvendosje.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, së pari është i papranueshëm vetë EULEX-i si instancë e padrejtë dhe e panevojshme ekzekutive përmbi institucionet e Republikës së Kosovës, të cilave u mohohet ushtrimi i sovranitetit. Së dyti është e papranueshme akuza dhe fushata e EULEX-it kundër UÇK-së.
“EULEX-i nuk duhet të ketë të drejtë të merret madje as me rastet e korrupsionit. Politikanët e korruptuar duhet të hetohen dhe arrestohen nga institucionet e pavarura të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Me EULEX-in në krye, Kosova gjithnjë do të udhëhiqet prej politikanësh të korruptuar e servilë, në funksion të stabilitetit rajonal e evropian, duke i bërë lëshime Serbisë që po i duhet BE-së".
"Çarmatosja e UÇK-së, shuarja e TMK-së, flamuri shkombëtarizues dhe himni pa tekst, shpërfillja e historisë sonë kombëtare dhe e luftës së UÇK-së në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, bisedimet e vazhdueshme me Serbinë, kanë krijuar mjedis të përshtatshëm që ia mundësojnë dhe lehtësojnë policisë, prokurorisë e gjyqësisë ndërkombëtare këto ekspedita kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Me këto bisedime pa kushte me Serbinë, asaj po i falen krimet ndaj shqiptarëve dhe prandaj po i hapet dera Serbisë për akuza lidhur me kinse-krimet ndaj saj”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Krijoni Kontakt