http://koha.net/?page=1,15,135757
Athinë, 20 shkurt - I njohur për veprimtarinë e tij për drejtat e Vorio Epirit, bashkëpunëtori i kryeministrit grek, Failos Kranidiotis shprehet në intervistë se marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të shkojnë paralel me respektimin e minoritetit grek dhe kërcënon Shqipërinë, duke nënkuptuar ligjin e luftës. “Në rast se shovinistët shqiptarë kërcënojnë sigurinë e Vorio Epirit, detyrat e Republikës së Greqisë do të jenë të qarta. Duke parë ligjin dhe historinë, ne i njohim mjaft mirë ato relieve, ku kanë jetuar të parët tanë”, deklaron Kranidiotis.
Politikani i djathtë, kandidat për deputet në zgjedhjet e kaluara, shprehet gjithashtu se nuk duhet të mendohet që kriza në Greqi iu jep mundësi politikanëve shqiptarë të lobojnë kundër saj. “Ekspansionistët turq dhe fashistët islamikë, kanë një ndikim tek shovinistët shqiptarë, madje kanë nxitur dëshirën për aventura tek forcat politike shqiptare. Le ta provojë Berisha dhe fashistët e Aleancës Kuqezi. Shqipëria me ne ka një kufi dhe ka jetuar me ndihmat tona. Nga përkeqësimi i marrëdhënieve me Greqinë, për shkak të shovinizmit të tyre qesharak, i vetmi humbës do të jetë vendi i tyre dhe unë nuk do të jem i vetmi që do të bllokojë rrugën e tyre evropiane”, kërcënon ai.
Lidhur me faktin nëse Shqipëria i respekton të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në rastin e minoritetit grek, ai shprehet se Tirana ka një rrugë mjaft të gjatë për t’u bërë një demokraci evropiane. Ne duhet të ushtrojmë më shumë presion për këtë dhe duhet të jemi konstant.
Lidhur me pasojat e krizës që po bien mbi minoritarët grekë në Shqipëri, Kranidiotis thotë se “prerja e pensioneve të tyre duhet të anulohet. “Është e pakonceptueshme që ata të largohen nga vendi i tyre. Ky është një problem mjaft serioz që duhet zgjidhur urgjentisht. Greqia duhet të ndërmarrë hapa ekonomikë që t’iu krijojë kushte atyre të jetojnë atje. Të gjitha së bashku, mbështetja dhe edukimi grek në fshatrat dhe qytetet e Vorio Epirit, zhvillimi ekonomik, vigjilenca e Greqisë e kujdesi ndaj tyre, janë kushte të domosdoshme për mbijetesën dhe prosperitetin e vëllezërve tanë të Vorio Epirit”, deklaron ai.
Failos Kranidiotis punon me Antonis Samaras vazhdimisht që nga viti 1993.
Krijoni Kontakt