
Postuar më parë nga
Edvin83
Spahiu, Berisha po përgatit skenarin për pavarësinë e "Vorioepirit"
Të pranishëm në takim edhe intelektualët e shoqatës të të ish- përndjekurve politikë.
Ministri Ksera ndërmjetësi mes qeverisë dhe klaneve më naziste dhe radikale greke.
Publikuar më 17.11.2012 | 16:58
KORÇË –Në takimin e organizuar në Korçë nga Aleanca Kuq e Zi, nën një pjesëmarrje mjaft të gjerë, ku nuk do të mungonin as intelektualët më të njohur të të përndjekurve politik, Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, u shpjegoi pjesëmarrësve se Berisha po përgatit skenarin për shitjen e Shqipërisë ose më konkretisht po përpiqet të shpallë pavarësinë e "Vorioepirit", kurse ministri Ksera po luan rolin e ndërmjetësit mes qeverisë dhe klaneve naziste greke. Për këtë arsye, largimin me votë të Sali Berishës, Spahiu e konsideroi si një nëntor i tretë për Shqipërinë. Sot në qeverinë e tij Berisha ka 3 grekë dhe 13 filogrekë.
“15 vjet më parë, tha Spahiu, Berisha e dogji Shqipërinë në bashkëpunim me klanet greke dhe sot po bën të njëjtin skenar duke e lënë Shqipërinë pa ujë, pa drita, duke shitur pasurinë kombëtare. Berisha ka hyrë në një bashkëpunim të hapur me forcat më naziste dhe më radikale greke. Ministri i tij, Ksera, thur skenarë me “Agimin e Artë”, me klanet politike greke për pavarësinë e "Vorioepirit". Ai është ura e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke, po thur plane për pavarësinë e "Voriepirit" dhe e bën këtë nën petkun “e miqësisë”, nën petkun e karriges greke, nën petkun e kolltukut të tij ministror, dhe nën mbrojtjen politike të shtetasit Berisha”.
“Ndaj ne kemi një kërkesë, vijoi Spahiu, që brenda një jave Ksera, Berisha dhe të tjerë të hetohen, procedohen dhe arrestohen për tradhti kombëtare. Ne gabuam, sepse lejuam që për 23 vite qeverinë shqiptare ta drejtojë ai. Ai është vetëm shtetasi Berisha, i cili duhet të ndëshkohet për të gjitha krimet dhe veprat penale që i ka shkaktuar kësaj shoqërie”
Ne edhe sot kemi po atë njeri që ashtu si 15 vite më parë, sërish ngriti sistemin piramidal dhe tashmë jo me xhepat dhe paratë e qytetarëve, por me institucionet shtetërore dhe me pasuritë kombëtare. Gjithçka e shndërroi në piramidë
Ndaj ne sot jemi më të copëtuar se kurrë, më të varfëruar se kurrë, më të poshtëruar se kurrë, më të mjeruar se kurrë, më të zhgënjyer se kurrë. Berisha po e çon përsëri Shqipërinë në flakë, po çon njerëzit në flake, sot ata po vetëflijohen, po digjen.
Ne sot ndihemi të turpëruar për zgjedhjen që kemi bërë. Nëse krahasojmë shtetasin Berisha me Ismail Bej Vlorën, Flamur Nokën me Luigj Gurakuqin, Frashërin me Panaritin, Libohovën me Majlinda Bregun e shumë të tjerë, kuptojmë se tashmë jemi 100 vite më pas
Ndaj në këtë nëntor të tretë, Sali Berishën disa synojnë ta quajnë “Dimri i fundit” i shtetasit Berisha, disa tentojnë ta quajnë “Dimri i vetmisë së madhe”, sepse tashmë ai është izoluar nga gjithë bota dhe Perëndimi, i cili fatkeqësisht po izolon edhe shqiptarë sepse, fatkeqësisht kemi bërë një zgjedhje të gabuar
Por nëse brenda kësaj javë, theksoi Spahiu nuk do të fillojnë hetimet ndaj Berishës Kserës dhe të tjerëve, atëherë ne kemi vetëm një zgjidhje: ta largojmë me votë, ky do të ishte Nëntori i Tretë për Shqipërinë dhe ne do ta bëjmë këtë”
/Shekulli Online/Vepror Hasani/
Krijoni Kontakt