Stefanoviq: SHBA ka "mirëkuptim" për planin e Tadiqit
20-01-2012 20:27 CET
Shtetet e Bashkuara “shprehin mirëkuptim” për katër pikat e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për Kosovën, ka deklaruar për mediat serbe shefi i delegacionit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq.
Komentet e tij vijnë pas takimit që ka zhvilluar me zëvendës-ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, në kryeqytetin serb.
“Në vija të trasha i kemi treguar përse është e rëndësishme zgjidhja e katër pikave. Kemi rënë dakord se ato kërkojnë një konsideratë më të madhe të të gjithë komunitetit ndërkombëtar dhe se bëhet fjalë për probleme që duhen zgjidhur patjetër”, ka thënë Stefanoviq.
Pesë pikat e planit për Kosovën të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, janë: "të sigurohet zgjidhje e qëndrueshme për veriun e Kosovës, mbrojtja e enklavave serbe në jug të Kosovës, të ruhet identiteti serb dhe trashëgimia fetare në tërë Kosovën, si dhe të sigurohet prona private".
Stefanoviq ka thënë se bisedimet me Reekerin kanë qenë konstruktive dhe se pos “planit Tadiq”, është biseduar edhe për përfaqësimin rajonal të Prishtinës zyrtare.
Kjo çështje, sikurse edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun me Kosovën, janë kushte për Serbinë që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zyrtari amerikan, Philip Reeker, para se të arrinte në Beograd, ka qëndruar në Prishtinë dhe Shkup. /rel/
http://www.zeri.info/artikulli/1/4/4...nin-e-tadiqit/
Krijoni Kontakt