Opozita shqiptare largohet nga salla e Parlamentit
Publikuar: Sot, më 25 shkurt 2010, Koha Net,Prishtine
Tiranë, 25 shkurt - Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, pasi paraqiti mekanizmin me të cilin ajo pretendon t'i japë zgjidhje krizës, doli nga salla e kuvendit duke mos ndjekur punimet e rendit të ditës.
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, deputeti Gramoz Ruçi është shprehur se opozita i lë të gjithë kohën e nevojshme mazhorancës për të shqyrtuar dy projektligjet e hartuara prej saj, aprovimi i të cilave do të çonte vendin drejt normalitetit.
Deri në momentin kur mazhoranca të japë një përgjigje zyrtare rreth propozimeve të socialisteve, grupi parlamentar do të qëndrojë jashtë sallës së parlamentit.
Ndërkohe, pak minuta më parë, kryeministri Sali Berisha garantoi bashkëpunim të ngushtë me opozitën, garantoi veton e saj në kuadrin elektoral, ndërkohë përsa i përket sfidës së Rucit për kutinë e Ruzhdies, kryeministri theksoi se bëhet fjalë vetëm për një qendër elektorale, komisionarët socialistë të së cilës u larguan që në orët e para te procesit bashkë me vulat.
"Kjo është një çështje me gjykatat dhe jo mes nesh", theksoi Berisha, duke refuzuar në këtë mënyrë ftesën e Ruçit.
Ndërkohë, para daljes nga salla e parlamentit, Ruçi i cilësoi fyerje dhe provokim deklaratat e kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ndërsa nga Berisha kërkoi maturi dhe qetësi në përgjigjen që ai duhet t'i japë opozitës lidhur me propozimet.
Zyrtarisht, nesër do të dorëzohen në kuvend dy projektligje, njëri për ngritjen e komisionit hetimor që përfshin hetimin e pakufizuar e te pakushtëzuar të zgjedhjeve dhe një projektligj i cili i jep të drejtën e hapjes se kutive çdo partie që kërkon hetim për zgjedhjet e përgjithshme apo lokale. Këto dy iniciativa socialistët i quajtën elemente thelbësore të standardeve evropiane që synojnë t'i japin fund traditës 20-vjeçare të zgjedhjeve të manipuluara.
Krijoni Kontakt