
Postuar më parë nga
Anesti_55
Pazari i prishur
Frrok Çupi
Fshatari që kishte zbritur në Shkodër për pazar, mbërriti në fshat pas jehonës që kishte shkaktuar ky vetë në “mexhlis”. Kishte prishur pazarin e Shkodrës. Se nga ishte ky njeri, ekzaktësisht askush nuk e di. Dibranët e tregojnë si dibran, kuksianët si kuksian, mirditorët si mirditor; secili me detaje krahinore. Me sa duket është një fenomen negativ i kudondodhur që prish pazarin në shehër.
Si e prishi pazarin fshatari i ardhur nga ku ta dish se ku?
Kalonte para pulave, mes specave të kuq, para sardeleve të thara, rrëzë një muri të ftohtë, mes burrave të rëndë me qostekë sahati sermi; dhe, askush s’e vuri re. Atëherë nxori koburen dhe ia dha me tre të shtëna. Derrkucët tërbuan, pulat nuk dinin nga të dilnin, burrat lanë kutitë e duhanit... vetëm caragat nuk u ndjenë. Ky futi koburen në brez dhe doli nga ana e malit e pazarit. Nja një javë qëndroi nëpër kulla miqsh, ku dëgjonte se një “i marrë” kishte prishur pazarin e Shkodrës, por nuk i dukej më se kishte qenë ky vetë. Kur mbërriti në fshatin e tij, atje kuptoi se ishte marrë vesh me emër se kush e kishte prishur pazarin. Në fshat e pritën me kërshëri se “kushedi çfarë fitove! Ku e ke sahatin e argjendtë?”.
“Jo, tha burri, gjë nuk fitova, por pazarin e prisha!”
Sa shpejt kthehet rrota e ngjarjeve; herë ashtu siç ndodhin, herë në alegorinë e tyre! Ngjarja me Shkodrën mund të ketë jo më shumë se shtatëdhjetë vjet, por ja ku jemi. Sa shumë njerëz zbresin në “shehër” vetëm për të prishur pazarin; dhe, kthehen. Dje, delegatët e opozitës sapo u kthyen nga Orikumi ku kishin ndezur një zjarr të vogël revolucioni feudal, por meqë nuk iu eci, thanë se me kaq ishte mjaft. Gjatë periudhës së komunizmit, kur opozita e sotme kishte të gjitha pushtetet në dorë, këtu kishte ndodhur një shkëndijë e përplasjes mes llojit me komunistët sovjetikë, që fatmirësisht mbaroi paqtë... Në një gropë në qendër të Tiranës nisi një tjetër akt për prishjen e pazarit; por edhe ky u fashit. Rreth një muaj më parë, u ngrit një furi e tërë me fabul “tradhti kombëtare në ujërat territoriale”, por edhe ky nuk solli fitim. “Patriotët” e shekullit 18 u kthyen në fshat edhe pa sahat sermi. Partia Socialiste, në opozitë, është instaluar në bojkotin parlamentar. Parlamenti ka mbetur pa punë, ose le të themi pa punët kryesore që i përkasin shtetit, si ligjet e rëndësishme, reformat për afrimin me Europën dhe për liberalizimin e vizave pas një shekulli izolim. Shkak për bojkotin është gjetur rihapja e kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit; gjë që nuk mund të behët dhe as ka arsye të bëhet. Vetë krerët socialistë kanë deklaruar se hapjen e kutive e duan “ashtu për inat”, sepse nuk presin dhe as duan ndryshim të rezultatit...
Të gjithë po presin që “fshatari” që qëlloi me pistolë në mes të pazarit të Shkodrës, të largohet në shtegun që të çon drejt maleve të veriut dhe ta lirojë fushën. Ai do të mund të mblidhet me veten dhe të shprehet i kënaqur se “pazarin e prisha, edhe pse gjë nuk fitova”. Republika e Shqipërisë ndodhet në një treg të madh botëror, ku vihen në pyetje vlerat e mëdha të qytetërimit, të kahjes së vendit, të zhvillimit të ekonomisë dhe të të drejtave, të lirisë së individit. Momenti është aq i rëndësishëm sa mund të thuash se peshorja e pazarit mund të anohet negativisht, aq lehtësisht sa bëhet edhe nga budallai i fshatit. Perëndimi kërkon besim, kërkon vullnet pozitiv, kërkon risi dhe dobi. Në qoftë se do të ndodhë që me këtë rast, opozita komuniste (e djeshme) të realizojë qëllimin e keq të prishjes së pazarit, indikacioni shkon te secili individ; por shpagimi jo. Kush do të mund ta gjejë nesër fajtorin që prishi pazarin? Ai nuk është më, sepse do të futet mes tufës dhe do të ankohet përsëri si patriot: “Kush e prishi punën? Na lanë jashtë!?”.
Ky fat i keq politik është vërtitur shpesh herë në atmosferën e vendit tonë.
Kongresi i Lushnjes i vitit 1921, që konsiderohet institucioni i parë i shtetit të pavarur pas epidemisë së rëndë të qeverisë së vitit 1912, gati dështoi për shkak të “pazarit”. Disa patriotë tribalë iu vunë pushkën dhe iu zunë rrugën delegatëve nga Veriu dhe Shqipëria e Mesme, pse “kishin gjak për të larë”. Kongresi u mblodh tre javë pas datës së caktuar, por në atë kohë lajmet e Evropit nuk kishin aq shumë interes. Që nga morsi i Ismail Qemalit, evopinanët nuk kishin marrë më lajme nga ky vend, por edhe lajmi i vonuar u quajt sikur nuk ishte. “Black hole” ose gropë e zezë e konsideruan shumë studiues e politikanë. Edhe Lufta e parë Botërore në rajonin ballkanik ka marrë shkas nga një individ shqiptar që u gjet i vrarë në kufi, por që u përdor si një sebep për të “prishur pazarin” në Balllkan. Më thellë, shumë më thellë në histori, “rasti’ e la këtë komb 300 e ca vjet pas Krishtit që të rreshtohet me Perandorinë e Bizantit dhe jo të Romës.
Ndoshta ka njerëz që mendojnë se “hajt, t’i bien shtetit”; ose që mendojnë akoma më lehtë se “një ditë pazari” nuk e prish motin. Por ja që kështu na ka ndodhur. Edhe e vërteta pse malësorët e Veriut kanë gjetur Shkodrën, si Pazar të prishur, por nuk kanë specifikuar malësorin që prishi pazarin, dëshmon filozofinë e përhapjes së rrezikut kudo, në mënyrë të barasrrezikshme.
Krijoni Kontakt