Këshilli i Europës: S'ka liberalizim vizash
Keshilli i Europes njofton liberalizimin e vizave per Serbine, Malin e zi dhe Maqedonine por jo per Shqiperine. Progresi i Shqiperise ka qene i pakte dhe i pamjaftueshem per te perfituar levizje te lire ne BE per qytetaret e saj.
TIRANË - Shqipëria duket ende larg përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave. Teksa sot pritet që Komisioni Europian të dorëzojë tek 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian raportet përkatëse për procesin e liberalizimit të vizave me Ballkanin, një dokument konfidencial tregon se vendi ynë është ende larg. Sipas tij, Shqipëria nuk ka përmbushur të gjitha kriteret për hedhjen e këtij hapi.
Ky dokument është hartuar në zyrat e Këshillit të Europës dhe tregon qëndrimin e BE-së për ecurinë e reformave dhe plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë, në kuadër të Stabilizim Asociimit. Liberalizimi i vizave është cilësuar si një nga çështjet më të ndjeshme për shqiptarët dhe po përdoret nga qeveria aktuale si kali i betejës në këtë fushatë zgjedhore. Por, ndryshe nga ato që pretendon dhe deklaron qeveria, KE-ja mendon se ka progres, por jo aq sa duhet për "të kaluar klasën". Raporti paraqet në mënyrë të detajuar edhe fushat ku Shqipëria ka ende punë për të bërë që të arrijë standardet e kërkuara.
"Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet një farë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane. BE-ja thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin, si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit", - thuhet në dokument. Ai vlerëson shumë nga reformat e qeverisë, por pohon se "korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz".
Bashkimi Evropian vlerëson progres të limituar në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe pohon se ky fenomen "mbetet problem serioz, që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri". Më tej, në të thuhet: "Përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve, si dhe nga mangësitë në politikat afatgjata. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë që të reduktojnë efikasitetin hetimor".
Në raport cilësohet si problem trafiku i drogës dhe ai i njerëzve. Teksa për të parin ka hapa përpara, në dokumentin konfidencial Shqipëria konsiderohet ende si "vend i rëndësishëm origjine për trafikun e qenieve njerëzore, si për shfrytëzimin seksual të grave e vajzave dhe për punën e detyruar të lypësve. Trafiku i brendshëm i grave e fëmijëve është në rritje". Në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, raporti tregon se BE-ja është njohur me masat e marra nga qeveria, por ka shprehur shqetësimin për shpejtësinë e shpërndarjes së kartave të identitetit.
Vlerësimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Ballkanin do të diskutohet nga vendet anëtare më 25 maj. Për shtetet ballkanike që kanë përmbushur më mirë kriteret e kërkuara, komisioni pritet t'i propozojë Këshillit Evropian rekomandimin e tij për heqjen e regjimit të vizave në fund të muajit qershor. Deri më tani, burime diplomatike njoftojnë se vendet më të favorizuara janë Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të vlerësohen në një kohë tjetër, kur të përmbushin kushtet për liberalizimin e vizave.
Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt