Rama, nga Skënderbe në Hamza
Edmond Arizaj
Sepse jo pak herë në shkrimet e mia kam theksuar se ti po luan “o gjithçka, o asgjë”, duke luajtur në këtë mënyrë me interesat e të majtës. Por në fakt ti as nuk e paske çuar ndonjëherë në mendje këtë. Ti je duke luajtur me tjetër logjikë; “o gjithçka, o vetëm Bashkinë e Tiranës”, duke luajtur në këtë rast me interesat e të gjithë atyre shqiptarëve që shpresojnë të ndahen njëherë e mirë nga kthetrat e Sali Berishës dhe zgjatimeve të tij. Moskandidimi juaj për deputet, siç e pranuat vërtet nuk ka të bëjë me frikën e moszgjedhjes, ky do të ishte budallallëk për këdo që e mendon. Por ekziston ndoshta tek ju një frikë shumë herë më e madhe; sepse pa kostumin e kryebashkiakut të Tiranës, ju do të dalloni nga shumica e ish-ve të para ’90 që keni rrotull, vetëm nga gjatësia. Sepse zoti Rama ju ndoshta nuk mund ta konceptoni dot veten pa mandatin e bashkisë së kryeqytetit, apo më larg akoma, nuk e konceptoni dot veten vetëm pa pushtet ekzekutiv, i cili gjithsesi sjell pas edhe pushtetin politik, ndërsa ju dukeni se nuk jeni ende gati për të anasjelltën.
Zoti Rama! Ju u shfaqët katër vjet më parë para socialistëve dhe shqiptarëve si një Skënderbe i ri, i cili do të çlironte vendin e do të sillte përparimin e realizimin e ëndrrave. Ky Skënderbe erdhi duke u zvogëluar deri sa u kthye në një Hamza, pikërisht në deklarimin e fundit se ju nuk do të kandidoni. Sepse ai Skënderbeu i dikurshëm nuk qëndroi në ballë të betejës vetëm kur s’kishte më fuqi të ngrihej, dhe pikërisht për këtë sheshi do të vazhdojë të mbajë emrin e tij.
Si do të mund të votojnë të majtët, kur vetë drejtuesi numër një nuk do të jetë në përballjen e madhe të mbiquajtur si lufta e të resë ndaj të vjetrës. Kur sipas monologjeve e dialogjeve në 28 qershor, na duhet të shkëputemi me të shkuarën për të parë drejt së ardhmes. Dhe ju, që jeni arkitekt i politikës së të ardhmes, inxhinieri i politikës së re, restauruesi i politikës përtej së majtës e të djathtës, nuk do të jeni në ballë të përplasjes, por thjesht vëzhgues dhe pritës. Shumë i keni ulur kokat e socialistëve me këtë vendim, zoti Rama.
Moskandidimi juaj për deputet nuk lidhet aspak me zbatimin e kontratës me qytetarët e Tiranës, siç mund të pretendojnë disa. Sepse kandidimi juaj do të ishte lidhja e kontratës me të gjithë qytetarët e Shqipërisë, me në krye Tiranën. Ju do të lidhnit kontratë edhe me socialistët e Kukësit, edhe me ata të Gjirokastrës, edhe me socialistët e Laçit dhe me ata të Tepelenës. Tek e fundit, ju keni aq eksperiencë sa të ndihmoni një pasardhës në krye të Bashkisë së Tiranës, qoftë edhe duke luajtur si Vladimir Putin. Por ju nuk e bëtë as këtë. Dhe padyshim që askush nuk mund t’u heqë të drejtën demokratëve të amplifikojnë akuzat se ju zoti Rama nuk doni të shkëputeni nga Bashkia e Tiranës për qindra arsye, ku e fundit është kontrata me qytetarët.
Ju zoti Rama, me gjithë vendimin tuaj për të mos kandiduar si deputet, jeni shprehur se do të jepni dorëheqjen nga kryetari i Partisë Socialiste nëse humbisni. Për cilën fitore flisni në këtë rast; atë kur ju merrni 71 vota, apo atë kur Partia Socialiste bën koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim? Sepse kjo është një pikë e paqartë zoti Rama. Nëse ju arrini të fitoni deputetë gati të barabartë me Berishën, atëherë ju personalisht nuk mund të flisni për fitore, kur mbi supe do të keni edhe moskandidimin për deputet.
Moskandidimi juaj zoti Rama është një thikë pas shpine për shumicën e socialistëve, dhe atyre që lëkundeshin mes abstenimit dhe votimit majtas. Mendimi i parë është dëshpërimi, se me këtë vendim të kryesocialistit situata nuk është rozë. Mendimi i dytë është se kryesocialisti kërkon të marrë të gjitha pushtetet me “krye”, duke rrezikuar instalimin e një diktature demokratike. Mendimi i tretë është se kryesocialisti nuk pranon të jetë i parë midis të barabartëve, siç edhe ka pohuar dikur, por vetëm i parë midis të përunjurve.
Moskandidimi juaj zoti Rama nuk do ta lërë Partinë Socialiste pa vota. Por ato nuk do të jenë vota për ju. Nuk do të jenë për ju votat e të moshuarve që dikur i keni quajtur pleq të rrjedhur. Nuk do të jenë për ju votat e veteranëve që luftën ua kthyet në luftë civile. Nuk do të jenë për ju votat e të rinjve, të cilët deri më sot kanë marrë vetëm tema hartimi. Nuk do të jenë për ju votat e të larguarve nga puna, e të lënduarve në punë, e të rrëgjuarve në punë. Këto do të jenë vota për Partinë Socialiste dhe për të majtën. Do të jenë votat e atyre që shpresojnë se PS-ja është ende ajo që mundi të kthehet nga komuniste në anëtare të Internacionales. Do të jenë votat e atyre që nuk durojnë më dot atë qeshje hienash që vjen nga pushteti aktual. Nuk do të jenë për ju zoti Rama, sepse ju nuk rrezikoni për këta njerëz. Patjetër ju mund të përfitoni prej votave të tyre. Por me moskandidimin tuaj vallë do të mjaftojnë votat që ju të bëheni kryedrejtues i këtij vendi?
http://www.panorama.com.al/index.php?id=28138
Krijoni Kontakt