Gazeta Sot, Saturday, 22 March 2008
Poshtë nesh fajtorë, kurse poshtë tyre, ju bashkëvuajtësit !?
Nga Besi BEKTESHI
“Gërdecizmi” mund të konsiderohet termi i ri me të cilin politikanët e ardhshëm të vendit shumë të përmendur në këtë drejtim, do të praktikojnë për të mbijetuar në politikbërjen shqiptare.Pranimi i humbjes dhe tregimi deri diku i qartë i faktorëve së bashku me kalimin e fajit poshtë dhe pasojës akoma më poshtë, ky është edhe “Gërdecizmi” ose mënyra më e mirë e kalimit të situatës së rëndë dhe mbajtjes së pushtetit.
U desh ndërhyrja e Presidentit Bamir Topi që më në fund refrektariteti i qeverisjes të kthehej në “Gërdecizëm” dhe politikisht e djathta e Berishës të reagojë si një “lopë që ja ka futur shqelm kovës me qumësht, por që brenda saj qumësht nuk ka pasur kurrë”. Në fakt me këtë rast në një farë mënyre është pranuar poshtë faji kryesisht për të fshehur atë që “kjo lopë nuk ka prodhuar qumësht dhe vetëm i ka rënë shqelm kovës”.
Pse?
Po sepse në 3 korrik u premtua “shteti ligjor” dhe vendosja përpara ligjit të mafiozëve. U premtuan reforma dhe largim nga shteti “capture” dhe po ashtu riparimi i qeverisjes së socialistëve në drejtim të funksionimit të hallkave vertikale dhe horizontale të shtetit. Ok? Tani mbasi janë “kthjelluar” disi edhe mbas sigurisë se opozita e Edi Ramës nuk do ti trajtojë me ashpërsi, por do të proklamojë vetëm “disidencën” e saj ndaj pushtetit të Berishës, e gjithë kolona qeverisëse e pushtetit të sotëm të ashtuquajtur të djathtë po luan aktin e fundit të “kovës bosh që me demek e kanë derdhur”.
Presidenti Topi për herë të parë mbas justifikimeve dhe ditirambeve të qeveritarëve që nga Kryeministri e poshtë, deklaron: Si shpjegohet që askush nuk na kishte vënë në dijeni për këtë gjendje në terren. E kam fjalën për SHIU, SHISH, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e autorizuara fiskale, ato të punës dhe të autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak prej të cilit nuk ka pasur qoftë edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec.
Presidenti i Republikës Bamir Topi e mbyll këtë sintezë akuzuese të mirëfilltë me –“Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar dhe të autostradës kryesore të vendit”. Në takimin e tij të sigurisë, kur në të majtë të tij ishte Kryeministri dhe në djathtë Kryetarja e Parlamentit dhe në tavolina të gjithë ato për të cilët ai po fliste, akuza e kishte zor të dilte jashtë zyrës, sepse në fakt aty ishin pothuaj të gjithë ato që akuzoheshin.
Praktikisht Presidenti i Republikës “anatemoi” pjesën më të rëndësishme të sigurisë së vendit e cila praktikisht është e vendosur dhe kontrolluar nga Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ndonjë element kontrollohet nga Parlamenti i Shqipërisë dhe në kulmin e piramidës ishte ai vetë Presidenti i Shqipërisë.
Kush i kontrollon dhe kujt i binden shërbimet sekrete dhe të sigurisë, forcat e armatosura, policia e shtetit, tatim taksat dhe financierët, shërbimi i punës dhe shërbimi monitorues i shëndetit paraprak? Kujt përveç atyre të gjithëve që ishin në atë sallë e cila është “Salla e Sigurisë Kombëtare”?
Kur Presidenti i Republikës shqipton termin apo bashkëfjalëshin “është e pafalshme”, për kë e ka fjalën? E pafalshme për cilin? Për hekraxhiun e dikur dënuar që nisi punën për të nxjerrë fitime me lejen dhe me të “pafalshmen” të mos vënies në dijeni? Kush ka për ti dalë zot fjalës “e pafalshme”, Prokuroria e cila është vetë për tu mos falur, si hallkë e shtetit? Apo policia dhe SHISH......? Jo,edhe kësaj radhe faji dhe e pafalshmja ka për të rënë shumë poshtë, te ekzekutorët e vegjël të tragjedisë dhe si zakonisht aty poshtë tyre në sallë e qeveri.
Në fakt në atë mbledhje edhe pse nga kryesori i vendit i përcaktua fajësia dhe e pafalshmja , fajtorët do të jenë poshtë tyre dhe poshtë fajtorëve do të jenë bashkëvuajtësit e shkretë, që jemi ne. Menjëherë mbas kësaj nga zoti Berisha u kërkuan reforma dhe përsëri reforma dhe me sa duket këto reforma, Berisha na i kërkon ne “Bashkëvuajtësve” të cilët me sa duket e kanë fajin.
Se kush e ndaloi Berishën të kryejë reforma, këtë gjë as ai nuk e tha dhe as ne nuk e dimë, por se faji është se duhen bërë reforma, këtë tashmë e dimë edhe ne “vdekatarët” poshtë fajtorëve, që kanë sipër ato, që duhet të bëjnë reforma. Më kinezëri “lejfeniste” dhe fjali “trëndeline” se kjo, nuk mund të gjesh dhe të hasësh në asnjë vend normal të botës.
Këtë gjë nuk duhet ta lejojë Presidenti i Republikës i cili përderisa foli, duhet të mbajë edhe fjalën me të cilën arriti të artikulonte edhe problemin e vërtetë. Fakti është i qartë dhe në dritë të diellit, Shteti i ndërtuar dhe komanduar nga Sali Berisha nuk është një shtet perëndimor dhe me principe të tilla. Ai është një shtet i ndërtuar me parimin “bjeri fort të ligut” dhe i shoqëruar me një dredhi prej të pagdhenduri që në çdo moment kërkon vetëm t’ju ja hedhë të tjerëve. Më e bukura është se arrin të besojë se ju a hedh....
Presidenti Topi, me sa duket duke qenë pjesë e dalë nga ajo që sa po përmenda, i vjen keq dhe është i tronditur, por nuk ka asnjë mundësi që fajin ta shpallë aty në atë sallën e tij të sigurisë. Me ato që tha ai, praktikisht e ka demoluar shtetin e Berishës dhe kjo do të mjaftonte në një vend të botës që Kryeministri të largohej vetë i turpëruar ose të çohej në tavolinë dhe ti kërkonte ti kthente fjalët mbrapsht vetë njeriut numër një të shtetit.
Por kjo as që ka ndër mend të ndodhë me të tillë njerëz të dalë nga Ballkanizmi më i keq dhe nga varfëria qytetare, jo vetëm në origjinë e një pjese të grupimit në fjalë. Tani përkundrazi njeriu i parë i ndërtesës ku janë butonat e qeverisë kërkon reforma dhe vetëm reforma dhe me sa duket as që i bëhet vonë se me “reformat e tij të vazhdueshme” prodhohen tragjedi nga më të ndryshmet në këtë vend.
Ajo që është e sigurta e kësaj qeverisje në fakt perceptohet tashmë nga më shumë njerëz. E sigurta është se do të vazhdojmë ta hamë dhe ta pësojmë edhe pse “janë të pafalshëm” edhe pse “bëjmë reforma” dhe pse ... kushedi nesër se për çfarë.
Krijoni Kontakt