Abazi tentoi ta financonte kundërligjshëm FER'in, i kishte thënë Çohu Prokurorisë
GazetaExpress E enjte, 17 Prill 2014 17:38
Organizata “ÇOHU” që drejtohej nga Avni Zogiani, tash i posa-aderuar në Vetëvendosje, në vitin 2011 kishte deponuar në Prokuroi një kallëzim penal me të cilin shprehte dyshime se partia Fryma e Re (FER) e themeluar kryesisht nga njerëz të shoqërisë civile, ishte financuar kundërligjshëm nga disa OJQ’ve të tjera dhe me urdhër të Haki Abazit, përfaqësuesit të Rock Feller Brothers Fond në Kosovë.
Në këtë kallëzim penal pretendohet që FER’it, me urdhër të Haki Abazit, i janë dhënë fonde nga OJQ’ja FIQ, që atë kohë drejtohet nga një pjesëtare e shoqërisë civile me emrin Albulena Sadiku, që për një kohë e ka drejtuar edhe OJQ’në INPO, derisa pas kësaj është punësuar në BIRN’in e drejtuar nga Jeta Xharra, që po ashtu merr fonde nga Rock Feller Brothers Fond i Haki Abazit.
Sipas kallëzimit penal në fjalë, partia FER, që më vonë u shkri në partinë e Albin Kurtit - Lëvizjen Vetëvendosje, kishte marrë fonde edhe nga Instituti GAP (i drejtuar për një kohë nga Shpend Ahmeti, tash Kryetar i Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe Instituti KIPRED, i cili tash për të dytën herë drejtohet nga Ilir Deda, i cili po ashtu është pafolur që do t’i bashkëngjitet Vetëvendosjes.
Deda me Ahmetin kanë qenë bashkë-drejtuesit e partisë FER. Në këtë dokument pretendohet që në INPO nuk ishin pajtuar me faktin që Albulena Sadiku kishte bartur te partia FER fondet e INPO’së të marra nga Rock Feller Brothers Fond dhe e kishin shkarkuar atë. Kallëzimi penal pretendon që edhe punësimi i saj në BIRN’in e Xharrës është një sistemim i saj brenda organizatave që i financon Rock Feller Brothers Fond.
Në këtë denoncim “ÇOHU” pretendon që ka pasur korrupsion në krejt këtë punë.
‘Krejt kjo nënkupton se fondet e “Rock Feller Brothers Fond” janë ndarë disa organizatave joqeveritare me kusht që të kalojnë në llogari të partisë politike FER. Kjo përbënë një shkelje serioze të ligjit, korrupsion dhe transaksione të paligjshme”, thuhet në kallëzimin penal.
Ish-kryeprokurorja e EULEX, Izabela Arnal e kishte parë këtë kallëzim penal dhe qe përgjigjur se kjo mund të paraqes shkelje të Ligjit për Financimin e Partive Politike dhe mund të bie në kompetencën e Prokurorisë së Qarkut, tash gati ekuivalente me Prokurorinë e Apelit, që atë kohë, por edhe tash, drejtohet nga Aleksandër Lumezi.
Express ka pritur nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës që të marr përgjigje se cili ka qenë rezultati i këtij kallëzimi penal, por në këtë institucion askush nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.
Së fundi, Komuna e Drejtuar nga Shpend Ahmeti - Komuna e Prishtinës, ka hapur një zyrë për OJQ’të. Në këtë zyrë janë sistemuar kryesisht OJQ që lidhen në një formë a tjetër me fondet e Rock Feller Brothers Fond që kontrollohen nga Haki Abazi.
![]()
Krijoni Kontakt