Vetëvendosje shfrytëzon mungesën e Lushtakut në Drenicë
Vetëvendosje shfrytëzon mungesën e Lushtakut në Drenicë
Nga Express | 22 Korrik 2013 18:32
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për gjithë këto vite të ekzistimit pothuajse nuk kanë realizuar asnjë aktivitet të rëndësishëm në Skenderaj, komunën që është bastion kryesor i Partisë Demokratike të Kosovës.
Edhe në ato pak performaca që kanë zhvilluar atje, kanë hasur në rezistencë të mbështetësve të PDK’së.
Por, duket se gjerat po ndryshojnë në Drenicë.
Tash pasi që kreu i komunës dhe njeriu më influencë të madhe në zonë, Sami Lushtaku ndodhet prapa grilave, aktivistë dhe deputetë të Vetëvendosjes po zhvillojnë aktivitet në fshatrat e Drenicës.
Burime të Gazetës Express thonë se drejtues i aktiviteteve të Lëvizjes Vetëvendosje për Drenicë është Rexhep Selimi, një prej komandantëve të njohur të luftës dhe aktualisht deputet i partisë së Albin Kurtit.
Një zyrtar i Vetëvendosjes që ka folur në kushte anonimiteti për Express, ka thënë se rritja e Lëvizjes në këtë zonë të Kosovës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të përçonte një mesazh të rëndësishëm për këtë subjekt politik.
“Ne besojmë se rezultati i Vetëvendosjes në zgjedhjet e sivjetshme në zonën e Drenicës do të jetë dukshëm më pozitiv se në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ky zyrtar i Vetëvendosjes, që foli për gazetën në kushte anonimiteti.
Rexhep Selimi, ndërkaq, ka thënë se aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenicë janë të zakonshme, derisa ka mohuar se po shfrytëzohet mungesa e Sami Lushtakut për ta rritur influencën politike në zonë.
“Jo në kalendarin tonë nuk ka aktivitet më të madh, kjo nuk qëndron. Kemi tubime por shumë tubime dhe takime me qytetarët kemi pasur më herët sesa tani dhe kjo aspak nuk ndërlidhet me mungesën e Kryetarit të Komunës së Skenderajt”, deklaroi Selimi për Express, të hënën.
“Pra aktivitetet tona janë të lidhura me politikën tonë që e kemi në të gjitha komunat. Pra nuk qëndron fakti që ne e kemi rritur apo zvogëluar dinamikën e aktiviteteve tona as në Skenderaj, apo rajonin e Drenicës e askund tjetër”.
Ai shtoi se “normalisht që ne tani kemi aktivitete rreth përgatitjeve më të mëdha për zgjedhjet që vijnë në zgjedhjet lokale por nuk kemi tubime më shumë në Drenicë se sa më herët”.
Sipas tij, aktualisht Vetëvendosje po synon të shtrijë ndikimin e saj në gjithë vendin dhe se nuk është e fokusuar në zona të veçanta.
“Normalisht që Vetëvendosja ka synim të fuqizohet në të gjuha zonat dhe do të arrijë që të jetë më e fuqishme shumë në të gjitha zonat dhe gjitha komunat por nuk është e përqendruar në një zonë të veçantë apo më shumë në një se sa në tjerat dhe aktivitete tona nuk ndikohen as me prezencën e as mungesën e kryetarit eventual të ndonjë komunë aq më pak në Skenderaj. Unë personalisht kam një detyre, jam deputete i Kosovës dhe do të kryejë këtë detyre që kam marrë nga votuesit e mi”, ka thënë ai.
Ndryshe, megjithëse ende nuk dihet se si do të shkojë procesi gjyqësor ndaj Kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut, mendohet se mungesa e tij fizike mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor të PDK’së në Drenicë.
Krijoni Kontakt