Sulejman Vata, gjyshi i Aishes së masakruar, e ka mohuar kategorikisht mundësinë që Shaban Norja të ketë pasur lidhje me dy vajzat e tjera të familjes.
“…Nuk është absolutisht e vërtetë që ai ka abuzuar edhe me dy motrat e tjera të Aishes, të cilat janë të martuara dhe kanë familjet e tyre normale. Absolutisht nuk është e vërtetë as që vajza ka shkuar me dëshirë me atë njeri”, pohon gjyshi Sulejman në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Sipas tij, e vetmja gjë që ka dashur Shabani ka qenë ulja e vlerave morale të familjes Vata.
“Ai njeri gjithçka e ka bërë për hakmarrje, që të ulë dhe të hedhë poshtë vlerat e Muhamed Vatës dhe gjithë familjes tonë”, thotë ai.
Ai pohon se gjithë kjo tragjedi ka ndodhur pasi Aishes i kanë munguar këshillat e nënës dhe ka qenë e pambrojtur shpirtërisht.
“Ajo ishte tip i mbyllur. Po të kishte folur Aishja për këtë situatë, për shtatzëninë apo autorin e kësaj ngjarjeje, ajo sot do të ishte gjallë dhe ditën e hënë do të ishte në fakultet. Ne i kemi të gjitha dokumentet, diplomën dhe gjithçka e kishim bërë gati për ta regjistruar në shkollë. Kemi shkuar bashkë me Muhametin në Tiranë që ta regjistrojmë në Fakultetin e Infermierisë. Por Aishja nuk ka folur, pa dyshim që është kërcënuar që t’i ulej dinjiteti i familjes. Në shkollë ajo nuk mungonte kurrë. Ka qenë një nga nxënëset më të shkëlqyera”, rrëfen zoti Vata.
Ndërsa përsa përket ndonjë hakmarrje të mundshme, Sulejmani është shprehur se këtë gjë e kanë lënë në dorë të drejtësisë.
Ndërkaq rrëfimi i fundit i monstrës 80 vjeçar Shaban Norja, është shoqëruar me lot ngashërimi dhe pendese për atë që bëri.
Krijoni Kontakt