Berisha, Artan Hoxha dhe ish-informatorët e famëkeqit Sigurim
13 Qershor, 2012 | Postuar në: Opinion | Shkruar nga: TemA
Nga Eduard Zaloshnja
Një nga premtimet e bujshme që bënte Berisha para se të vinte për herë të parë në pushtet ishte ai hapjes së dosjeve të famëkeqit Sigurim të Shtetit. Një premtim i tillë ishte në rezonancë të plotë me frymën antikomuniste që mbizotëronte aso kohe në Shqipëri dhe në mbarë Europën Lindore, ku, duke filluar nga Gjermania, po bëheshin hapat e parë për hapjen e dosjeve të policive sekrete të regjimeve komuniste.
Por fill pasi erdhi në pushtet, “anti-komunisti” Berisha e harroi premtimin e tij të bujshëm. Për të justifikuar moshapjen e dosjeve të sigurimit, ai prodhoi sloganin e famshëm “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Ndërkohë, duke pasur në kontroll të plotë SHIK-un, Berisha kishte akses të pakufizuar në dosjet sekrete të Sigurimit, me të cilat kishte mundësi t’u bënte shantazh si kundërshtarëve, ashtu edhe vartësve.
I pari ndër vartësit që duket se u bë pre e shantazhit të Berishës ishte
Artan Hoxha, kandidati presidencial që mori 40 firma të hënën në mëngjes për t’u votuar si president dhe që u tërhoq disa orë më vonë.
Por në vitin e largët 1993, Hoxha nuk ishte kandidat presidencial, ishte thjesht një ministër i qeverisë Meksi. Dhe në fund të atij viti, ai dha dorëheqjen në mënyrë të papritur.
Shumë është spekuluar nën zë për atë dorëheqje, por deri dje, askush nuk kishte bërë ndonjë aludim publik.
Heshtjen e theu më së fundi Mustafa Nano në Top Channel, kur tha: “Berisha, në vitin 1993 a 1994, ka dashur ta shkarkojë [Artan Hoxhën] për lidhjet e tij me Sigurimin e Shtetit të Enver Hoxhës. Kjo është thënë kohë pas kohe. Kjo mund të jetë një gjepur, a shpifje,
por kandidati presidencial Hoxha duhet ta sqarojë këtë gjë. Dhe në këtë mes nuk më shqetëson fakti që Artani ka qenë spiun i Sigurimit; nuk kam qenë kurrë i interesuar për të tilla gjëra. Më shqetëson vetëm fakti që mund të kemi një President të shantazhueshëm.” Ndërsa Gazeta Shqiptare raportonte të martën se
Berisha ka deklaruar në mbledhjen grupit parlamentar të PD-së se “Kemi informacion që kur ka qenë 17-18 vjeç, ai [Artan Hoxha] ka shkëmbyer informacion me një punonjës të ish- Sigurimit të Shtetit.”
Rasti “Artan Hoxha” duket se është rasti më spektakolar i lojës berishiane me dosjet e informatorëve të famëkeqit Sigurim. Në vitin 1993, Hoxha mund të jetë shantazhuar nga Berisha për t’u larguar nga qeveria, sepse nuk po i shërbente atij, dhe në vitin 2012 mund të jetë shantazhuar për t’u futur në Presidencë, sepse po i shërbente Berishës.
Përveç rastit të Artan Hoxhës, me dhjetëra mund të jenë rastet (të përfolura e të papërfolura) e njerëzve publikë që mund të jenë shantazhuar nga Berisha me dosjet e Sigurimit të Shtetit. Dhe ai mund ta vazhdojë edhe për shumë kohë këtë lojë, në qoftë se dikush nuk ia rrit koston politike asaj.
FRD-ja, fill pas themelimit, publikoi një nismë për prezantimin në Kuvend të një projektligji për lustracionin, i cili, nëse aprovohet, do të krijojë një akses publik të dosjeve të Sigurimit, të ngjashëm me atë të dosjeve të STASI-t të Gjermanisë Lindore. Duke presupozuar se projektligji i propozuar nga FRD-ja është nëpërputhje me konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, mund të thuhet pa frikë se moskalimi i tij në Kuvend apo mosdekretimi nga presidenti i emëruar nga Berisha, do të përbënte një kosto jo të vogël politike për këtë të fundit. Sepse një pjesë e elektoratit të djathtë tradicional mund ta dënojë me votë PD-në për moshapjen e dosjeve të famëkeqit Sigurim…
Koha ka ardhur, për të mos thënë se ka kaluar, që për çdo figurë publike ta dimë nëse ka qenë informator i Sigurimit dhe nëse sa ka shkatërruar jetën e dikujt, duke e çuar në burg apo internim. Duhet të jetë në dorën e publikut që të bëjë gjykimin për figurat publike, jo në dorën e Berishës për t’i shantazhuar ata!
http://respublica.al/opinion/2012/6/...ekeqit-sigurim
Krijoni Kontakt