Shkruan : Miranda HAXHIA
Në rutinën e leximit të gazetave, fotografia e gruas së diktatorit Hoxha shfaqet në një faqe interneti anash intervistës së Edi Ramës.Po ashtu, diku më tej shfaqet festa e 20-vjetorit të fitores mbi diktaturën. Kanë apo nuk kanë lidhje ngjarjet me njëra-tjetrën, këtë gjykim e bën vetë lexuesi i mençur dhe i kulturuar, por në respekt të gjithë atyre që nuk flasin dot, pasi nga varret e humbura zërin nuk ua dëgjon dot njeri; në kujtesë të ëndrrës së mijëra shqiptarëve që besuan në shtetin demokratik; në respekt të amanetit të pashkruar të mijëra të vrarëve, ish-të burgosurve të ndërgjegjjes, të të përndjekurve të sistemit diktatorial të Enver Hoxhës, duhet më shumë se kurrë të mos heshtim.
Nuk ka asgjë të keqe që zonja Hoxha del dhe ligjëron në media; nuk ka asgjë të keqe që bashkëpunëtorja e ish-diktatorit Hoxha qëmton në kujtesën e saj dhe nxjerr disa të dhëna që ajo i mban si të jenë kujtesë historike. Është e drejta e saj të flasë, të etiketojë, të paragjykojë dhe të sjellë sipas mënyrës së saj ngjarjet, njerëzit dhe mënyrën se si ka qenë e lidhur nëpërmjet të shoqit. Është privilegji i saj i madh të ketë vendin e parë në faqet e gazetave, privilegj që i ka rrënjët qysh në atë sistem, të cilit i thur lavde ende sot, privilegj qenë përfitimet që ka në kurriz të jetës dhe mundit të gjithë shqiptarëve. Ai fill sinqeriteti, të cilin ajo e lëshon me fjalinë: “Neve dinim edhe mizat që fluturonin lart, ose nuk hynte dot njeri atje dhe të mos dish që diçka po ndodhte atje dhe të mos e dinte Enver Hoxha? Unë isha në korrent dhe dija çdo gjë që i thuhej atij dhe do e merrja vesh sidomos një gjë të tillë që ishte dhe publike, nuk ishte një gjë tepër sekrete”, është thelbi i asaj se çfarë ishte diktatura komuniste dhe si funksiononte ajo.Është e drejta e çdokujt të prezantojë fushën e tij të shtrembërimit të realitetit, si bën zonja Hoxha, vazhdimisht, me këmbëngulje, por detyrë e çdo qytetari të këtij vendi të tregojë se diktatura nuk ishte ajo që shikonte zonja Hoxha. Diktatura jonë ka qenë ndër më të egrat, sepse i ka dënuar njerëzit për shkak të mendimit ndryshe, se vlera e tyre morale ishte rrjedhojë e klasës të cilën po diktatura e shkatërroi, duke ua marrë pronën, duke e burgosur, vrarë; diktatura jonë përligji të keqen dhe u bë përçuese e saj për të mbajtur në këmbë pushtetin.Dhe siç ndodh në diktaturat model, roli i gruas së diktatorit është vetë “mishërimi i të keqes”. Në intervistën e saj, kjo grua fyen popullin që për pesëdhjetë vjet sistemi i të shoqit dhe ajo e përdorën si kavie të doktrinës që përqafuan.Vazhdon mizorisht të fyejë shumë njerëz, shumë shpirtra që ikën mes mundimesh, të përndjekurit politikë, të burgosurit e ndërgjegjes, të internuarit, të dëbuarit, të zhdukurit- pasi është kujdesur bashkë me kastën e vet, që të mos i shpëtonte njeri syresh për gjatë asaj periudhe të gjatë represioni, ashtu si vetë thekson se shikimit të saj nuk i shpëtonte as fluturimi i mizave. I fyen në përpjekje për t’i rivrarë.Askush nuk pret të përunjet dhe të kërkojë ndjesë as ajo, as të tjerë njerëz që diktaturën e patën idhull dhe ëndërrojnë sërish ta kenë modelin e saj.Do të ishte fyerje për gjakun e të zhdukurve prej sistemit të diktaturës; do të ishte fyerje për gjithë ata intelektualë që u vranë sapo erdhi në krye diktatori dhe zonja e tij; do të ishte fyerje për qindra të tjerë që vuajtën rrugëtimin e gjatë e të vështirë nëpër kampe internimi. Sepse diktatura nuk mund të mbijetonte pa zhdukur inteligjencën dhe njerëzit e kulturës.
Zonja Hoxha i quan të përndjekurit, ish-të burgosurit politikë hajdutë ordinerë. Nuk pret askush nga njerëzit normalë, nga familjarë të viktimave të terrorit komunist që gruaja e Hoxhës t’i dallojë si njerëz që i përndoqi sistemi, të cilin ajo e ngriti bashkë me të shoqin. Do të ishte absurde që ajo të mos mbronte sistemin dhe aparatin policor më të përgjakshëm që shkaktoi dhe udhëhoqi vrasjen me gjyq e pa gjyq të qindra e mijëra shqiptarëve; që eksperimentoi torturat më të egra, burgosjen, internimin, persekutimin në të gjitha format të mijëra e dhjetëra mijëra njerëzve. Dua të kujtoj një histori të cilën e kam lexuar në librin e Sami Repishtit “Nën hije të Rozafit”. Gjatë punës për ndërtimin e aerodromit të Kuçovës, të burgosurit ngarkonin e shkarkonin thasë me çimento, thyenin gurë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Një djalosh, student i burgosur, djalë i vetëm, i heshtur e fjalëpak, nuk e duronte dot atë stërmundim fizik. Vendosi të dilte jashtë portës, nën sytë e rojeve dhe të grykës së mitralozit nga kulla e vrojtimit. E lutëm të mos e bënte, por ai, i vendosur në zgjedhjen e tij, mori rrugën drejt daljes. Roja, një njeri pa shkollë, i ardhur nga fshati, e ndali duke e gjuajtur me hurin gjithë dhoga. Të gjuajturat i ndali kur djaloshi ra përmbys, pa ndjenja. Atëherë, merr një gur të madh, ia përplas në kokë disa herë. Pastaj ngrihet, rrëmben sërish hurin dhe u drejtohet atyre tetëdhjetë e kusur të burgosurve që kishin mbetur të heshtur e të shtangur para skenës së tmerrshme: Hë qena, e patë! Ja kështu do t’ua shtypim kokën! Kjo është diktatura e proletariatit…”. Edhe pse kam vite që e kam lexuar librin e zotit Repishti, ajo ngjarje më mbeti në kujtesë. Nëna e atij djali nuk e mori vesh kurrë si i vdiq i biri, por asnjë prej nesh nuk duhet të lejojë që ai gur, hunjtë e dhunës të mos përsëriten. Zonja Hoxha, që nuk lejonte as mizën të kalonte pa dijeninë e saj, a e ka ndjerë rënkimin e atij djali dhe të qindra e mijëra të tjerëve si ai? Por që ta ndiejë, duhet të ketë zemër, të ketë ndërgjegjje. Nuk besoj se janë privilegje për një natyrë antinjerëzore. Dhe zonja Hoxha është modeli i profilit antinjerëzor. Kjo grua është fytyra e vërtetë e një diktature. E asaj diktature që kishte kontrollin policor. Nën kontrollin e Sigurimit shqiptar jetët njerëzore mbaheshin në fije të perit; është fytyra e asaj diktature ku njeriu u detyrua në shumë raste të mos kishte besim as te shoku i afërm, as te fëmija, as burri te gruaja, as vëllai te vëllai, me frikën e dyshimin se ai mund të ishte i lidhur me Sigurimin e asaj diktature që u mbajt me frikë.Nëse zonja Hoxha kujton Amerikën, ne na duhet t’i kujtojmë se sa njerëz, intelektualë, të shkolluar, burra të denjë shteti u vranë, sa intelektualë shqiptarë u vranë, vetëm se nuk e donin komunizmin, vetëm se kishin studiuar në SHBA, apo vende të tjera perëndimore.Nëse zonja Hoxha i quan hajdutë lopësh, atëherë ç’emër t’i vëmë ish-diktatorit që krijoi një shtet mbi dhunën, mbi frikën, mbi gënjeshtrat, mbi hipokrizinë.Tani e kuptoj pse intervista e saj shkonte shumë në krah të fotografisë së Edi Ramës në një tjetër intervistë, ku shfaqet i qetë si murg, pasi ka fshehur mëkatin. Dhe kuptoj pse shqiptarët festojnë ende në shesh fitoren e parë. Që të mos harrojmë.
Krijoni Kontakt