Rompuy: Së shpejti dialogu për viza me Kosovën
06-09-2011
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel, pas takimeve që zhvilloi me zyrtarë të lartë të BE-së, mes tyre Stefan Fule dhe baroneshën Catherine Ashton, para pak çastesh është takuar edhe me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy.
Ajo tha se e ka informuar në hollësi kryetarin e Këshillit Evropian Rompuy lidhur me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për rezultatet e dialogut.
Presidentja më tej e ka njoftuar kryetarin e KE-së me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për forcimin e ligjit dhe luftimin krimit të organizuar si dhe korrupsionit.
“Fakti që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk duhet të ndikojë që Kosova të mbetet jashtë agjendës së integrimeve evropiane duke përfshirë këtu edhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, ka thënë Jahjaga pas takimit me kryetarin Rompuy, raporton RTK.
Sipas saj, pavarësia e Kosovë ka dëshmuar se Kosova është shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. “Tendencat dhe propozimet për ndarjen e Kosovë apo këmbim territoresh janë të papranueshme dhe antihistorike”, tha presidentja Jahjaga në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy.
Ndërkaq, nga ana tij, kryetari i KE, tha se të 27 vendet e BE-së janë të përkushtuara për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit ballkanik.
“Inkurajoj presidenten e Kosovës që të vazhdojë me angazhimet e mëtutjeshme për afrimin e Kosovës drejt BE-së”, tha Rompuy, duke shtuar se shpreson se “së shpejti do të arrihet hapja e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian i jep rëndësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kërkon edhe më shumë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këtë drejtim, sipas tij, Kosova duhet të shfrytëzojë më shumë ndihmën e EULEX-it që është urë lidhëse midis Kosovës dhe BE-së.
“Po ritheksoj se të gjithë dëshirojmë të shohim Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim rezultatet e fundit janë inkurajuese. Për këtë mund të llogaritni në ndihmën e BE-së”, tha për fund Rompuy.
ZËRI
Krijoni Kontakt