Xhamia që do të ndërtohet në Mitrovicë
Turqia në mes
Serbët shqetësohen pse Turqia po ndërton në Mitrovicë xhaminë më të madhe në Kosovë. Thonë se këtë po e bën me qëllim që t’i ndjekë ata prej qytetit verior. Por, shqiptarët mirëpresin investimin turk, ndonëse ua kanë drojën përplasjeve të reja.
Përfshirja në rritje e Turqisë në Kosovë ka ngritur tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 2008, Turqia ka zhvilluar një politikë të jashtme më aktive ndaj vendit. Ajo ishte mes të parëve që njohu sovranitetin e Kosovës dhe ka punuar për njohjen e saj në vende të tjera myslimane. Që në kohën e Perandorisë Osmane, shqiptarët kanë pasur lidhje të forta kulturore me Turqinë. Megjithatë, serbët i shohin këto lidhje pikërisht si arsyen kryesore pse Turqia nuk duhet të përfshihet në politikën e Ballkanit.
Dragan Krstic, një gazetar nga Mitrovica veriore, e banuar me shumicë serbe, thotë se Turqia është tani armiku i Serbisë dhe ka qenë për shekuj e tillë.
“Ata mbështetën ndarjen e Serbisë dhe tani dëshirojnë të mbështesin politikanët e korruptuar në Prishtinë, nëpërmjet zhvillimit të autostradave dhe aeroporteve", thotë ai për SETimes.
Bajram Pasha, një qark në Stamboll, ka bashkuar përpjekjet me qytetin e Mitrovicës për të ndërtuar xhaminë më të madhe në Kosovë - një veprim i mirëpritur nga shqiptarët, por i kundërshtuar nga serbët.
"Xhamia e vjetër u shkatërrua gjatë luftës dhe një e re do të pritet ngrohtësisht", thotë Bajram Spahiu, një shqiptar nga Mitrovica e jugut.
Megjithatë, jo të gjithë banorët e Mitrovicës e pëlqejnë idenë e një xhamie të re. Sasha Nedjelkovic nga veriu thotë se osmanët erdhën këtu shekuj më parë duke ndërtuar xhami dhe tani dëshirojnë të ndërtojnë një të re për të hequr serbët nga Kosova dhe Mitrovica.
Tensionet janë rritur në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës. Vitin e kaluar përleshje shpërthyen mes serbëve dhe shqiptarëve pas mundjes së Turqisë nga ekipi kombëtar serb i basketbollit në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror.
Ekspertët besojnë se angazhimi i Turqisë në Kosovë vjen nga dëshira e saj për të vepruar si mbrojtëse e Kosovës, një rol i ngjashëm që ajo bën në Bosnjë dhe Hercegovinë.
"Angazhimi në Mitrovicë është strategjik për Turqinë. Herët a vonë Turqia do të përpiqet të rrisë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë, por do të luajë rolin e mbrojtësit për Kosovën siç ka bërë në raste të tjera", thotë Hysni Gashi, një kandidat për doktoraturë që studion politikën e jashtme të Turqisë ndaj Kosovës.
Krstic, megjithatë, mendon se angazhimi turk në Mitrovicë do të çojë në përplasje të ardhshme mes shqiptarëve dhe serbëve.
"Nëse Turqia merr një rol aktiv në Prishtinë, Mitrovica nuk do të gjejë kurrë paqe dhe do të kemi më shumë përleshje", thotë ai.
Krstic argumenton se investimet turke dhe shqiptare në Kosovë janë shpesh të motivuara politikisht dhe nuk u shërbejnë interesave të serbëve.
“Interesi i Serbisë në Mitrovicë është që t’ua bëjë jetën serbëve më të lehtë. Turqia, Shqipëria dhe çdo grup tjetër që mbështet shqiptarët nuk i shërbejnë këtij interesi duke investuar në qytet pa lejen e Beogradit".
Megjithatë, tani që Beogradi dhe Ankaraja kanë marrëdhënie të përmirësuara, Gashi e sheh qëndresën serbe ndaj politikës së Turqisë në Kosovë dhe rajon si jetëshkurtër. Kjo ndodh për shkak se serbët në Kosovë dhe Bosnjë kanë frikë për ekzistencën e tyre, në rast të ndërhyrjes turke.
Më tepër se çdo gjë, Gashi shqetësohet se ndërtimi, veçanërisht i një ndërtese fetare në Mitrovicë - i parë si i anshëm ose për shqiptarët ose për serbët mund të sjellë konflikt. "Për serbët e veriut, ndërtimi i një xhamie do të interpretohet se Turqia po financon shqiptarët që t’i marrin shtëpitë e serbëve”, thotë ai.
Xhamia në Mitrovicë, më e madhja dhe më modernja në Kosovë, do të ndërtohet në qendër të qytetit, në vendin ku tani ndodhet Xhamia “Isa Beg”, apo siç njihet nga qytetarët Xhamia e Zallit. Ajo do të ketë rreth 2.500 metra katrorë hapësirë të shfrytëzueshme dhe dy minare me lartësi 48 metra. Projekti është prezantuar para pak ditësh. Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar Qarkun e Bajram Pashës për ndihmën që ua ka ofruar qytetarëve të Mitrovicës. /express/
The_Capital
Krijoni Kontakt