Harun Aliu bashkohet me të pavdekshmit
Rreth tre mijë njerëz i kanë dhënë lamtumirën e fundit Harun Aliut, i njohur si komandant Kushtrimi, i cili është personi i katërt i vrarë nga policia maqedonase në aksionin e së mërkurës në afërsi të fshatit Radushë.
Në varrezat e fshatit Hasanbeg të Shkupit, ku edhe ka banuar Aliu, varrimi është bërë vetëm me nderime fetare, ndërsa pjesëmarrës kanë qenë bashkëluftëtarë dhe njohës të veprës së tij.
Gjatë luftës së vitit 2001, Aliu është njohur me nofkën komandant Kushtrimi, ndërsa ka qenë njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), si dhe njëri prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie. Pas vitit 2001 ai kishte themeluar partinë Alternativa Kombëtare duke qenë kryetar i saj, por nuk ka shënuar ndonjë triumf të theksuar në politikë.
Harun Aliu konsiderohej si organizator i grupit i cili në shenjë hakmarrjeje për aksionin policor në fshatin Brodec, më 3 janar të vitit 2008 sulmoi një xhip të policisë, gjatë të cilit u vra polici Zoran Markovski, ndërsa katër kolegë të tij u plagosën. Që nga ajo kohë, Aliu ishte në arrati dhe u dënua në mungesë me burg të përjetshëm. Në Kosovë dhe në Maqedoni flitet se Harun Aliu që nga ajo kohë po fshihej nëpër Kosovë, përkatësisht në rrethinën e Ferizajt.
Gjatë gjithë kësaj kohe, dyshohet se Aliu ishte ndër organizatorët kryesor të grupit që thirret në emër të UÇK-së në mbledhjen e të hollave tek mërgata shqiptare në Zvicër, për armatim.
Ende mbetet enigmë dhe e paqartë për shumë njerëz se si ka ndodhur vrasja e tij të mërkurën nga policia e Maqedonisë. Në furgonin që u sulmua rreth orës 03:00 të mëngjesit të së mërkurës janë vrarë katër persona në mesin e tyre edhe Xhafer Shala nga Prishtina, si dhe për dy shtetasit e Maqedonisë, Qemal Fejzullahun nga fshati Gërçec i Shkupit dhe Shaban Zenuni nga fshati Merovë i Tetovës. /lajm/
Krijoni Kontakt