Kartat, Prokuroria mbyll dosjet e PS
» Vendosur: 07/03/2010 - 13:19
•
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria ka mbyllur hetimin e tri padive të bëra nga Partia Socialiste për kartat e identitetit para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.Kallëzimet penale u dorëzuan në Prokurorinë e Tiranës me 4 qershor 2009 nga Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste Fatmir Xhafaj. Prokuroria i shqyrtoi ato dhe në shtator 2009, konfirmoi se kishte vendosur regjistrimin e procedimit penal në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë ditët e fundit, burime të prokurorisë, kanë pohuar jo zyrtarisht se hetimi për tri kallëzimet e Partisë Socialiste, për abuzime me prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit, është pushuar. Sipas këtyre burimeve, vendimi i organit të akuzës për regjistrimin e procedimit penal kishte ardhur pasi ishte vlerësuar se kallëzimet e Partisë Socialiste ishin të argumentuara dhe bënin fjalë për elementë të veprës penale që duheshin verifikuar. Mbi bazën e akuzave që bëheshin në tri kallëzimet që u bashkuan në një dosje të vetme, prokuroria filloi hetimin duke kërkuar dokumente dhe informacione edhe në Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë.
Mbyllja e hetimit
Prokuroria tha se mbyllja e hetimeve për dosjen e cila përmbante tri kallëzimet, është bërë për shkak të mungesës së provave. Pasi ka kaluar afati i parë hetimor prej tre muajsh, organi i akuzës e ka mbajtur dosjen në hetim edhe për një tremujor të dytë me qëllim kryerjen e verifikimeve të nevojshme në përfundim të të cilave është arritur të vlerësohet se nuk kishte prova për kryerjen e veprës penale në faktet objekt i padive. Nga tri paditë, vetëm njëra prej tyre, sipas prokurorisë, kishte të bënte me mundësinë e falsifikimit të dokumentit elektronik. Padia tjetër lidhej me pretendimet e Partisë Socialiste se një zyrtar lokal i Partisë Demokratike kishte shpërndarë kuponët e pajisjes me karta (që duhej të bliheshin nga qytetarët), kundrejt premtimit për vota në 28 qershor. Padia e tretë e Partisë Socialiste kishte të bënte me letërkëmbimin e Ministrisë së Brendshme me zyrtarët e PS-së, të cilët kërkuan në mënyrë periodike para zgjedhjeve, informacione për ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Partia Socialiste akuzoi në kallëzimin e saj se Ministria kishte falsifikuar informacionet e dërguara me anë të kompaktdisqeve (CD) pasi ato nuk pasqyronin realitetin.
Falsifikimi
Nga tri kallëzimet penale që u bënë në Prokurorinë e Tiranës në datën 4 qershor 2009, vetëm njëra prej tyre kishte të bënte me falsifikimin e mundshëm të kartës së identitetit. Personi në fjalë ishte banues në Korçë dhe sipas hetimit, kishte deklaruar se kishte humbur kartën e parë të identitetit duke u paraqitur për tërheqjen e një dokumenti të dytë. Edhe në këtë rast, sipas prokurorisë nuk janë gjetur prova për falsifikim ndaj dosja penale është vendosur të pushohet për mungesë faktesh. Hetimi i këtij rasti verifikoi se personi nuk zotëronte dy karta identiteti pasi policia e kishte verifikuar këtë rast dhe kishte marrë masat për të mos lejuar dublimin e dokumentit.
Hetimi
Prokuroria tha se gjatë hetimit, një pjesë e provave u paraqitën nga vetë Ministria e Brendshme me vullnetin e saj duke i dorëzuar ato tek grupi i hetimit. Pjesë e dokumenteve që u sekuestruan nga organi i akuzës, ishin listat e personave me dhe pa kartë identiteti, pasi Partia Socialiste kishte pretenduar për pasaktësi pikërisht në evidencën e personave që nuk ishin pajisur me karta. Organi i akuzës e filloi verifikimin nga kallëzimi për falsifikimin e të dhënave nga qytetari gjatë pajisjes me kartë identiteti, më pas u hetuan pretendimet për shpërndarjen e kuponëve falas për qytetarët dhe në fund, ajo që ka kërkuar më tepër kohë ka qenë procedura e verifikimit të listave të personave të pajisur me letërnjoftim dhe atyre që nuk ishin pajisur me një dokument të tillë.
Platforma
Kallëzimi i parë
Një person në qytetin e Korçës kishte përdorur të dhëna të rreme për falsifikimin e një karte identiteti. PS e denoncoi këtë fakt ndërsa hetimi zbuloi se qytetari e kishte humbur dokumentin e parë, kishte aplikuar për dokumentin e dytë dhe i pari ishte fshirë nga sistemi.
Kallëzimi i dytë
Padia e dytë e bërë nga Partia Socialiste e cila pretendonte se një pushtetar lokal i Partisë Demokratike po shpërndante falas kuponët e nevojshëm për aplikimin e pajisjes me karta identiteti. Kuponë të tillë ishin në shitje në zyrat e aplikimit
Kallëzimi i tretë
Partia Socialiste e akuzoi Ministrinë e Brendshme për falsifikime në listën e zgjedhësve si dhe në tabelën emërore të personave me dhe pa pasaportë, Prokuroria thotë se nuk janë gjetur prova për ndërhyrje në sistem
panorama
Krijoni Kontakt