
Postuar më parë nga
puroshkodran
Mirë se vini në Tiranë, një rrugë për askund!
Nga Paul Ferguson
Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1982, kur Irlanda e Veriut luajti për herë të fundit, para miqësores së të mërkurës, në kryeqytetin e këtij vendi ballkanas, që mban emrin Tirana. Nëse asokohe rrugët ishin krejt të lira, me ndonjë motoçikletë apo biçikletë, që ecte sipër tyre; tek tuk edhe ndonjë makinë, pse jo, edhe ndonjë karrocë kuajsh, që shërbente për të transportuar ndonjë mall, papritmas Shqipëria na shfaqet ndryshe nga ç’e kishim menduar.
Të paktën në Tiranë, aq sa mundëm të shëtisnim për 3 ditë qëndrimi aty, kuptuam se thuajse çdo familje në këtë qytet e ka një makinë të sajën, apo diçka që i ngjan një makine. Për pasojë, kaosi automobilistik nëpër rrugë është absolut.
Nuk e kuptoj si kemi arritur të shkojmë nga aeroporti deri në hotel, pa bërë ndonjë aksident. Sepse trafiku në këtë segment rrugor është me të vërtetë një mister më vete. Më pas kuptojmë se rrugët e brendshme të Tiranës janë edhe më keq, të pushtuara gjatë tërë kohës nga një trafik i frikshëm. Që të triumfosh në këtë situatë, nuk të ndihmon dot as ajo miniunazë e kryeqytetit shqiptar, e cila mezi “mbushet me frymë” për vete.
E konsideruar si arteria kryesore e Tiranës, rruga që përshkon taksia jonë në mënyrë drejtvizore, që nga hyrja në qytet, deri tek stadiumi ku do të luhet ndeshja miqësore, është plot gropa dhe plasaritje. Dhe të mendosh se në Tiranë qarkullojnë rreth 300 mijë makina në ditë, stërmundimin e dikujt që shkel për herë të parë aty, kuptojeni vetë. Dritat e trafikut ekzistojnë, por injorohen shumë korsi, ndërsa rregullat e atyre që janë në timon, por edhe të kalimtarëve, nuk kanë asnjë rëndësi.
Tek tuk shikon edhe vijat e bardha, ku duhet të kalojnë ata që ecin në këmbë, por askush nuk denjon të kalojë në anën tjetër të rrugës, duke lëvizur vetëm brenda tyre. Kjo do të thotë se nuk ke asnjë shans t’i shpëtosh këtij kaosi automobilistik në Tiranë, zhurmës së pandërprerë të makinave të shumta, edhe nëse përpiqesh t’i biesh përbri këtij qyteti.
E megjithatë, ka edhe disa kulla disi të larta, stil Nju Jorku, të cilat janë evidente në qendër të qytetit. Mijëra njerëz lëvizin nëpër këtë qytet, shumica me kokën ulur, të cilët e kanë jetën në duart e tyre, kur bëhet fjalë për kalimin e rrugëve.
Sepse vetëm për rregulla qarkullimi nuk mund të flitet. Nuk do shumë kohë që kureshtja për të parë një vend, apo qytet, ku shkon për herë të parë, të të shuhet. Sepse Tirana nuk ka asgjë tërheqëse për ta parë. Eshtë një qytet i trishtuar dhe i shëmtuar, që bujtësve të vet do t’u marrë shumë vite, derisa të modernizohet. Burrat janë të zymtë, ndërsa gratë merren më shumë me punë shtëpiake.
Një qytet i zemëruar edhe me vetveten, i mbetur mbrapa në kohë, pas viteve të sundimit komunist dhe trazirave të vitit të mbrapshtë 1997, kur vendi u dogj dhe konsumoi thuajse një luftë civile. Infrastrukturën e qytetit e dominojnë zona të mëdha të ndërtimit, sepse Tirana është duke u zhvilluar, por me dhimbje të ngadaltë.
“Look” u i disa monumenteve duket si diçka e tmerrshme. Kjo është Tirana për të gjithë. Një qytet në tranzicion, mjaft i vuajtur, që shpreson si gjithë Shqipëria për t’u rindërtuar dhe lëvizur me ritmin e shekullit të 21 të. Një vend “i kalbur” nga diktatura për një kohë të gjatë, që përpiqet të fitojë kohën e humbur.
E megjithatë, për korrespondentin irlandezo verior të “BBC Sport”, John O’Neill, i cili nuk e ka për herë të parë vizitën në kryeqytetin shqiptar, Tirana ka pësuar ndryshime dramatike. Ai ishte pjesë e delegacionit të Irlandës së Veriut, që barazoi 0 0 me Shqipërinë, në Tiranë, 28 vjet më parë. “Kjo që shikoni sot është një Las Vegas, në krahasim me ç’kam parë unë, kur isha herën e fundit këtu. Asokohe mezi të kapnin sytë një makinë në kryeqytetin shqiptar.
Baret dhe restorantet ishin shumë të rralla. Ndryshimet janë të dukshme, edhe pse ka mjaft tregues të tjerë sinjifikativë, që tregojnë se Shqipëria, si një e tërë, ende vuan.”
Në baret e Tiranës mund të shijosh të gjitha pijet që kërkon. Nuk mungojnë. Birrat janë të shumëllojshme, të këndshme dhe të freskëta. Ju mund të provoni një “Bitburger”, “Zipfer”, por edhe një gotë kriko nga “Krombacher”.
Mjafton të paguash rreth 150 lekë të reja, monedha në Shqipëri, për të pirë një birrë vendase, ndërsa birrat që vijnë nga jashtë, me shishe, si “Heineken”, “Becks”, “Tuborg”, kap koston e 200 lekëve. Një vakt, duke përfshirë mishin dhe verën brenda, në një nga hotelet mesatare të këtij qyteti, kushton vetëm 3000 lekë.
Tetëdhjetë tifozë të pasionuar irlandezo verior pritet të jenë të pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa”, në përkrahje të kombëtares së tyre, falë një gjesti dashamirës të Federatës së Futbollit të Irlandës së Veriut, që ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit për këta mbështetës besnikë.
Sa i takon futbollit, konkretisht kombëtares së Shqipërisë, Tirana është bërë e njohur si një transfertë mjaft e vështirë për të siguruar fitoren. Suedia dhe Danimarka, për eliminatoret në grupe të Botërorit 2010, janë dy kombëtare të rëndësishme europiane, të cilat e kanë provuar këtë gjë. Gjithsesi, ndeshja miqësore mund të rezultojë më e lehtë se kthimi për në aeroport, ku të gjithë bashkë jemi të detyruar të ndërmarrim një tjetër udhëtim, përmes trafikut të ethshëm të Tiranës. Më besoni, kjo është sfida më e madhe në këtë qytet!
s.shqiptar
Krijoni Kontakt