Integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, por e pengojnë pikërisht arsyet, të cilat na shtynë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme që na la ky regjim i korruptuar, për të shtruar për zgjidhje, njëherë e mirë, një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara.
Historia na ka mësuar se nga cenimi i zgjedhjeve fillon cenimi i të gjitha lirive e të drejtave të tjera. E përditshmja jonë na tregon, se po nuk e bëmë votën tonë të paprekshme nga pushteti, pushteti do të na prekë në çdo liri e të drejtë tonën.
Ky problem njëzetvjeçar, që në 28 qershor u shfaq në një formë thuajse mafioze, ku shteti u bë njësh me pushtetin, krimi u vu në shërbim të shtetit dhe paraja e zezë u derdh lumë për riciklimin e pushtetit, është një problem që nuk zgjidhet duke e mbuluar sa herë ka zgjedhje me fjalinë, "këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat po prapë s'ishin aq të mira sa duhet për t'u quajtur me standarde".
Ky problem nuk zgjidhet as duke hyrë ne këtë herë pa kushte në parlament dhe duke e kthyer opozitën e vendit në një dekor demokratik brenda Kuvendit të dalë me vota "të numëruara keq ose shumë keq në një të tretën e tyre".
Futja e opozitës në parlament në këto kushte të rënda të demokracisë dhe pa asnjë kusht për pakicën në pushtet, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të rishfaqet në një formë edhe më mafioze në zgjedhjet e ardhshme. Transparenca dhe vetëm transparenca për atë që ka ndodhur, ndalon përsëritjen e asaj që ndodhi.
Miqtë tanë ndërkombëtarë kërkojnë me plot të drejtë që opozita të jetë në parlament. Edhe ne duam të jemi në parlament. Por jo për t'i vënë kapak një historie të shëmtuar manipulimesh dhe për t'i hapur rrugë përsëritjes së saj në zgjedhjet e ardhshme. Po ta bënim këtë do të bëheshim thjesht bashkëfajtorë për të djeshmen e të nesërmen e zgjedhjeve në Shqipëri dhe do të pranonim se parlamenti është vendi ku bëhen ligje që nuk zbatohen.
Protesta jonë është në thelbin e saj një protestë për të vendosur forcën e ligjit mbi ligjin e forcës. Kutitë e mbyllura të votimit nuk janë i vetmi problem i zgjedhjeve të shkuara. Ato janë simboli i protestës sonë dhe shëmbëlltyra e pushtetit të vjedhur që ka dalë prej tyre. Kutitë e votimit janë mbyllur me forcë në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe mbahen mbyllur forcërisht për interesat e pushtetarëve.
Ne duam që ato të hapen me forcën e ligjit dhe jemi gati të hyjmë në parlament për t'i hapur ato. Me ligj jo me forcë. Por ne s'kemi çfarë bëjmë në një parlament të ngritur mbi kutitë e mbyllura, ku shumica na thotë që nuk ka fuqi ligjore për t'i hapur ato kuti, të cilat në fakt janë pronë e publikut jo sekret shtetëror.
Asgjë e ligjshme nuk i pengon, madje të gjitha rrethanat i detyrojnë përfaqësuesit e popullit t'i hapin në sytë e publikut kutitë e 28 qershorit.
Të cilat nuk hapen vetëm për arsyet e paligjshme të pushtetit të Sali Berishës, që urdhëroi shkeljen e ligjit për hapjen e kutive nga KQZ-ja, nënshtroi me presion gjykatën zgjedhore, për të mos u hapur kutitë, dhe forcërisht ndalon sot miratimin e një ligji për hetimin e zgjedhjeve duke filluar nga kutitë. Në këto kushte ne jo vetëm nuk hyjmë në parlament, por do të përshkallëzojmë protestën tonë, që nuk do të mbarojë as sot as nesër.
Sali Berishës duhet t'i vijë turp, jo vetëm që i friket të vërtetës së atyre kutive si çdo vjedhacak i rëndomtë që trembet nga hija e tij, por duhet t'i vijë turp që po turpëron parlamentin e qeverinë e Shqipërisë, duke mos bërë as aq sa u bë edhe në Afganistanin kaotik, ku ne jemi pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s.
Hapen kutitë në Afganistan për rinumërim votash, sepse e kërkon opozita, dhe nuk hapen kutitë e votave në Shqipëri ku opozita kërkon jo rinumërim për efekt mandatesh, po transparencë për të garantuar njëherë e mirë rendin zgjedhor në këtë vend. Turp! Nuk ka më turp!
Por këtë turp le ta mbajë ai, Sali Berisha, i cili e ka urdhëruar e orkestruar turpin e grabitjes së zgjedhjeve, turpin e manipulimit të procesverbaleve e të listave të votuesve në ditën e votimit, turpin e korruptimit të komisionerëve përmes parasë së zezë dhe të nxjerrjes së vrasësve e të trafikantëve nga burgjet për të dekurajuar daljen në votim të njerëzve të opozitës, turpin e kthimit me pahir në kope mitingjesh të nxënësve e mësuesve edhe në ditë pushimi, turpin e përdorimit të ndihmës ekonomike si ndihmë skllavëruese për varfanjakët e detyruar të votojnë pushtetin, turpin e zbrazjes së arkës së shtetit e të zhytjes në borxh të të gjithë shqiptarëve për të përballuar shpenzimet elektorale të familjes në pushtet, turpin e hapjes së gënjeshtërt të tunelit të Rrugës së Kombit për të fituar zgjedhjet duke u faturuar shqiptarëve disa qindra miliona euro shtesë nga shembja e tunelit për shkak të marrëzisë së inaugurimit jashtë çdo logjike teknike dhe jashtë çdo leje nga vetë ekspertët.
Ne jetojmë në mes të Evropës dhe duam që të jetojmë si në Evropë, ku asnjë qeveri nuk do të guxonte të parafytyronte turpe të tilla dhe asnjë qytetar nuk do të rrinte duarkryq përpara një pushteti të tillë. Më pyesin shpesh njerëzit pse miqtë e partnerët tanë evropianë i tolerojnë këto gjëra që kurrë nuk do t'i pranonin në vendet e tyre?
Miqtë e partnerët tanë evropianë nuk kanë për detyrë të zgjidhin problemet tona, nuk janë këtu as për të qeverisur Shqipërinë as për t'i bërë opozitë qeverisë. Ata e kanë ndihmuar e do ta ndihmojnë Shqipërinë pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush në opozitë.
Por ne kurrë s'do të kemi një Shqipëri Evropiane këtu, në atdheun tonë, në rrugët, shkollat, spitalet e vendit tonë, në gjykatat e në institucionet tona, në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, në qoftë se nuk e ndërtojmë vetë këtë Shqipëri që duam.
Ne nuk do të kemi kurrë po ashtu zgjedhje të lira e të ndershme si një vend evropian, në qoftë se nuk luftojmë vetë për lirinë e ndershmërinë e tyre.
Dhe ne do të luftojmë me të gjithë forcën e zemrës, mendjes e trupit tonë, duke u frymëzuar nga shembujt e lavdishëm të betejave për zgjedhje të lira e të ndershme në Evropën ku sot, miqtë e partnerët tanë, jetojnë pa ankthin e manipulimit të zgjedhjeve dhe pa barrën e pushteteve të vjedhura, pikërisht se ato beteja i kanë zhvilluar e fituar me kohë.
Kutitë e votimit nuk na i mbajnë mbyllur miqtë tanë evropianë dhe as nuk do të na i hapin ata. Kutitë e mbyllura të 28 qershorit i mban mbyllur Sali Berisha dhe duhet t'i hapë Sali Berisha.
Thirrja jonë për Sali Berishën, thirrja e të gjithë popullit opozitar dhe e çdo qytetari demokrat që nuk druhet nga e vërteta, nga transparenca, nga hetimi ligjor parlamentar, është:
Mos u fshih as pas integrimit, as pas ndërkombëtarëve, as pas atij mikut të huaj që të del në ëndërr dhe të thotë, "Sali mos hap kutitë se të ndalon ligji!", po hapi kutitë përpara sesa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë!
Sepse në qoftë se parlamenti s'ka forcë të bëjë një ligj për të hapur kutitë, atëherë s'ka as pse vetë parlamenti të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.
Në qoftë se qeveria s'ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve, duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore, që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s'ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.
Shkurt e troç: Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Me protesta të pandërprera, kudo, për çdo arsye që lidhet me çdo detyrë të qeverisë, ne do të kërkojmë që qeveria të largohet.
Sepse një qeveri që i mohon popullit lirinë e plotë për të zgjedhur me votën e tij, që u shkel qytetarëve të saj të drejtën e barazisë para ligjit të zgjedhjeve dhe që nuk u jep zgjedhësve lirinë e të drejtën, të shohin në dritën e diellit çfarë ka në kutitë e votave të tyre, është një qeveri që populli jo vetëm nuk ka detyrimin ta mbajë në kurriz, po çdo qytetar ka të drejtën ta luftojë për ta hequr nga kurrizi.
Demokracia është asgjë më shumë sesa forca e të vërtetave, të cilat konkurrojnë lirisht, për një pushtet që është gjithmonë i përkohshëm dhe që është pa pushim nën trysninë e konkurrencës së lirë.
Ndërsa regjimi i grabitjes së gjithçkaje përmes grabitjes së votës, i shkatërrimit të vlerave të lirisë dhe i poshtërimit të parimeve të demokracisë, që po instalohet fort në Shqipëria dita-ditës, nuk ka të bëjë asgjëkund me demokracinë dhe me qytetarët, por vetëm me kusarinë e me pushtetarët.
Këto regjime që s'duan të dëgjojnë, po vetëm të sundojnë, kanë vetëm një ilaç: Protestën popullore!
Për lirinë e munguar, të dalim në rrugën e protestës. Për dinjitetin e cenuar, të dalim të rrugën e protestës.
Për jetën e shtrenjtuar, të dalim në rrugën e protestës. Kjo protestë është më shumë sesa beteja politike e një pale, është shumë më shumë sesa interesi për pushtet i një partie apo një koalicioni partish, është shumë më shumë sesa e majta dhe e djathta. Kjo protestë është një e drejtë dhe detyrim që shkon përtej të majtës e të djathtës.
Ashtu siç është vetë Shqipëria përtej të majtës e të djathtës. Ashtu siç janë vetë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut përtej të majtës e të djathtës. Ashtu siç është shteti demokratik përtej të majtës e të djathtës.
Të protestojmë me force, të gjithë pa dallim, qytetarë dhe qytetare, sepse Shqipërinë Evropiane nuk mund ta bëjnë grabitësit e zgjedhjeve, nuk mund ta bëjnë grabitësit e pronave, nuk mund ta bëjnë grabitësit e arkës së shtetit.
Shqipërinë Evropiane mund ta bëjë vetëm liria e drejtësia, barazia e të gjithëve përpara ligjit dhe mundësia e barabartë për secilin në hapësirën e lirë të konkurrencës.
Nuk ka Shqipëri Evropiane pa lirinë e të gjitha lirive që është liria e votës dhe nuk ka drejtësi në Shqipëria pa të drejtën për të votuar lirisht dhe që vota të numërohet lirisht . Ja pse jemi sot këtu në këtë shesh! Ja pse do të jemi nesër këtu!
Ja pse e ardhmja fillon këtu, ashtu siç shkruhet në faqen e parë të Librit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Po vjen ora që populli të rimarrë në dorë fatin e tij. Mirënjohje të gjithëve ju. Mirënjohje çdo burri dhe gruaje që ka ardhur në këtë bulevard, që është i jashtëzakonshëm si asnjëherë.
Faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje që na ndjek e mbështet nga çdo skaj i Shqipërisë dhe nga jashtë kufijve të saj, aty ku jetojnë e punojnë 1 milion e gjysmë shqiptarë që mbajnë gjallë, qindra mijëra familje. Mirënjohje të gjithëve dhe faleminderit me gjithë zemër!
Krijoni Kontakt