Sot, Monday, 24 March 2008
Tenderi dhe pazari vrasës i Gërdecit janë bërë në zyrën e Mediut, me dijeninë e Berishës
Edhe pse, (ish)ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është (vet)”asgjësuar” prej këtij posti nga predhat e Gërdecit, ai nuk po rresht së përpjekuri për të justifikuar dhe publikuar pafajësinë e tij në këtë tragjedi të rëndë, që tronditi shtetin Shqiptar dhe sensibilizoi gjithë botën. Ky është një skandal i plotë, që demaskon pozicionin publik të ushtrisë shqiptare, për më tepër, që bëhet nga krerët e ushtrisë.
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim, që tenderi është afer e pastër e cila ka nisur që në kohën e drejtimit të ushtrisë, prej Pandeli Majkos dhe u la trashëgim prej tij, për pasardhësin Fatmir Mediu.E gjithë kjo aferë, me përmasa të mëdha financiare e shtetërore është përgatitur enkas, për të përfituar miliarda prej këtij biznesi të fuqishëm dhe prej trafikut të armëve. Mediu e vazhdoi këtë aferë korruptive që solli shkatërrime dhe vrasje njerëzish të pafajshëm, nën bekimin e plotë të kryeministrit Berisha, i cili edhe pse fillimisht u mohua prej tij dhe u “derdhën lotë dhimbjeje për viktimat”, rezultoi se pjesë e këtij biznesi të pisët ishin edhe familjarë e të afërm të tij.
Mediu kërkon të shpëtoj me deklarata shfajësuese, duke patur “ortak” kryeministrin
Që ditën e parë, kur doli tymi dhe flaka, në fshatin që u shkul nga shpërthimi i fabrikës së asgjësimit të municioneve, ministri Mediu doli me një deklaratë mohuese, nëpërmjet të cilës, deklaroi se “nuk dinte asgjë për ekzistencën e kësaj fabrike në Gërdec”. Pas tij, po me të njëjtën “gjuhë”, u foli shqiptarëve edhe kryeministri Sali Berisha, i cili i gjendur mes krizës së pushtetit të tij të tronditur për së dyti pas ngjarjeve të vitit 1997, deklaroi se “nuk dinte asgjë për Gërdecin”. Madje, në mënyrë absurde, ai shkoi edhe më tej se ministri i tij, duke deklaruar, se “po e dëgjonte për herë të parë emrin e fshatit Gërdec”. Kjo ishte skandal për kreun e qeverisë, mbasi e dinë të gjithë, që kryeministri ka qënë katër herë në këtë fshat: dy herë në zgjedhjet përgjithëshme të vitit 2005, kur shoqërohej nga deputeti i zonës Astrit Patozi dhe dy herë në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007, kur shoqërohej edhe nga deputeti i zonës, edhe nga kryetari i bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili.
Mirëpo, këto edhe pse i ka harruar Berisha dhe aleati i tij Mediu, nuk i harrojnë shqiptarët, të cilët dinë gjithashtu, se shkaktarët kryesorë të kësaj tragjedie, janë Berisha, Mediu dhe kompania e tyre e trafiqeve të pista, të bërë me skrapin e municioneve. Sado shfajësime të ketë për këtë tragjedi, sado që shteti dhe pushteti, qeveria dhe ministri i vetëlarguar, pikërisht për këtë ngjarje dhe aferë, të mundohen të fshehin të vërtetën dhe të spostojnë përgjegjësinë nga vetja, kjo tashmë ka “vulën” dhe “damkën” e tyre.
Së fundi, duke mos qënë më i besueshëm, ish-ministri hodhi në veprim këshilltaren e tij juridike e cila deklaroi, se “ministri nuk ka asnjë lidhje as me skandalin e municioneve dhe as me tragjedinë e Gërdecit. Ajo (ai Mediu), deklaroi gjithashtu, se përgjegjësinë dhe përgatitjen e gjithçkaje që ka emrin Gërdec e ka “gatuar” shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë”.
Po kështu edhe Berisha, nuk po del më vet në ekrane, për të bërë shfajësimet dhe mashtrimet e rastit, por po nxjerr zvendësin e tij Oketa, me të cilin zvendësoi Mediun, duke e caktuar, si vazhdues dhe mbulues të skandalere të tij, jo vetëm për Gërdecin.
Shtabi i Përgjithshëm: Ministri Mediu nxorri urdhër privat, nuk na pranoi as në bisedime me firmën
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë deklaroi se "nuk ka qenë palë në vendimmarrjen që përcaktonte ndërtimin e një fabrike për çmontimin e armëve, në Gërdec". Përmes deklaratës për shtyp, SHP informon se "specialistët e këtij shtabi nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë SAC me një laptop në paradhomën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk ka informacion për faktin se cili institucion dhe me cilin tagër i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare". "Në qoftë se Ministri ka autorizuar një strukturë ose një person për ta bërë këtë, kjo nuk është përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm", thuhet në deklaratën për shtyp.
Duke argumentuar kundërshtimin e ngritjes së një qendre të tillë në Bërzhitë, Shtabi i Përgjithshëm i FA citon letrën që i ka dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, ku thuhet se "qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar si për depozitim ashtu dhe për asgjësim municioni". “Ky rajon ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe nuk merret përsipër sigurimi i energjisë... Për municionet me moshë mbi 25-30 vjeçare që kalojnë në proces demontimi, në praktikën tone, baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë", thuhet në letrën e Shtabit të Përgjithshëm të FA. "Ky pozicionim tregon se SHP nuk ka qenë palë në tratativat për realizimin e këtij projekti, madje ai është anashkaluar me paramendim pasi ka refuzuar implementimin e tij në rastin e Bërzhitës.
Pas refuzimit të Bërzhitës zhvillimet kanë qenë më tepër të natyrës administrative dhe asnjë strukturë civile e ushtarake nuk ka paraqitur në Shtab ndonjë mendim në lidhje me vendin e ndërtimit të fabrikës", thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas kësaj deklarate, "vendosja e fabrikës në Gërdec ka qenë një vendim që ka anashkaluar autoritetin ligjor të Shtabit dhe kjo duket dhe në urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes që cakton vendin e ndërtimit të fabrikës". Duke theksuar se Shtabi nuk ka qenë palë në këtë vendimmarrje, në deklaratën e SHP vihet në dukje se "ky vendim ka qenë vendimtar për vazhdimin e procesit deri në ndodhjen e aksidentit, pasi përcaktoi vendin e ndërtimit të kësaj fabrike".
"Kërkojmë të sqarojmë se Urdhri Nr. 550 datë 25.04.2007 i MM në momentin e përgatitjes së tij nuk ka kaluar përmes SHP. Mendojmë se në këtë pikë duhet të ndalen organet e specializuara për t’i dhënë përgjigje pyetjes se përse MM ka shmangur SHP nga vendimmarrja për përgatitjen e urdhrit që përcaktoi vendin për ndërtimin e fabrikës. Përse ky urdhër ka kaluar vetëm përmes drejtorive të MM dhe jo të SHP", thuhet më tej në këtë deklaratë. Shtabi i Përgjithshëm sqaron se "vazhdimësia e procesit me kontratën e dytë ishte logjikisht vazhdim i punës në të njëjtin vend, për më tepër kur kjo praktikë i është drejtuar Shtabit me shënimin “Për Veprim” kuptimin e kësaj shprehje e njeh mirë çdo ushtarak në Forcat e Armatosura". "Gjithashtu duam të theksojmë se asnjë lloj vizite e kujtdo autoriteti ushtarak apo civil sado i lartë qoftë, nuk kupton dhënien e certifikimit të asnjë aktiviteti. Certifikimi bëhet me rregulla e autoritete të veçanta të përcaktuara po me ligj. Për të sqaruar më tej opinionin publik, SHP i kërkon në mënyrë publike ish- Ministrit të Mbrojtjes t’i përgjigjet kësaj pyetje: Përse ai miratoi Gërdecin pa mendimin e shprehur me shkrim nga SHP dhe pa kundërfirmat përkatëse në dokument? Ky është dhe guri i themelit të kësaj fatkeqësie, gur që rrokullisjen e tij e filloi kur nga zyra e Ministrit të Mbrojtjes iu dha përgjigje pozitive projektit të kompanisë SAC", përfundon deklarata për shtyp e Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Shqipëria “fle” mbi depo ushtarake shpërthyese
Ngjarja e djeshme e ndodhur në Gërdec, nuk është një rastësi, por qëndrim i vijueshëm i shtetit dhe i qeverisë shqiptare, në lidhje me sigurinë e jetës së qytetarëve. Shpërthimi i municioneve në këtë zonë, përbën një ngjarje të rëndë e cila si asnjëherë tjetër është shoqëruar dhe po vazhdon të shoqërohet me pasoja për jetën e shumë banorëve, ku depot e armatim-municionit janë pjesë e komunitetit. Kjo “bashkëjetesë” e municionit me banorët është krejt anormale. Qeveria shqiptare nuk ka përmbushur asnjë detyrim në lidhje me evadimin e këtyre depove ushtarake, të cilat në fakt janë tunele që prodhojnë vetëm tragjedi, si kjo që ndodhi dje dhe që ende nuk është mbyllur. Të tilla ngjarje kanë ndodhur shpesh këto 17 vitet e fundit, ku si më tragjiket, mund të përmendet shpërthimi i depove të municionit në Komësi të Burrelit në datën 29 prill 1997. Shpërthim ka patur dy vjet më parë në Dhemblan të Tepelenës, ka patur në Gramsh etj. Të gjithë këto shpërthime kanë krijuar viktima. Por nuk kanë tërhequr vëmendjen e askujt në qeveri. Në rastin konkret, duhet thënë, se tragjedia e madhe që pllakosi banorët e zonës së Vorës, manifeston qartë dhe totalisht shkeljen e ligjit në lidhje me sigurinë dhe administrimin e municioneve prej ushtrisë.
Flet gjeneral Dilaver Goxhaj: “Ushtria shqiptare, po funksion pa ligje dhe pa rregulla...”
Ne ushtarakët shqiptarë jemi gjendur përballë tragjedisë më të madhe, të ndodhur në në bazat ushtarake në rajon e në Europë, që tashmë njihet në të gjtihë botën, si “skandali dhe tragjedia e çmontim-asgjësimit të municioneve në Gërdec të Vorës”. Kjo është një ngjarje që cënon dinjitetin e ushtrisë shqiptare dhe aktivitetin e saj, në rrugën për integrimin në NATO. Shpërthimi i madh dhe me pasoja katastrofike, për banorët e një zone, nuk ka lidhje me “një gabim njerëzor”, siç shprehet kryeministri Berisha, por me një krim njerëzor, i lejuar me koshinecë të plotë nga ministria e Mbrojtjes dhe për më tepër, nga qeveria Shqiptare, nga kreu i shtetit dhe nga gjithë institucionet që mbikëqyrin drejtimin e këtij vendi, sidomos në sektorin ushtarak. Ngjarja e rëndë e ndodhur në Vorë është tregues i qartë i neglizhencave për shkak të aferave korruptive, në lidhje me tregun abuziv të skrapit, të nxjerrë prej predhave dhe municioneve, “industri” kjo, që ka prodhuar prej 17 vjetësh miliona dollarë për pushtetarët e këtij vendi dhe qindra viktima të pafajëshme.
Po pse ndodhi kjo?
Sepse ushtria jonë po funksionon pa rregulla. Në ushtri nuk veprohet pa rregulla, të cilat janë, por që nuk zbatohen. Për më tepër, kjo është e detyrueshme në administrim, trajtim dhe asgjësimin e armatimeve dhe municioneve. Sepse, nëse nuk respektohet ky kujdes dhe ky detyrim, ka ngjarje të tilla të rënda, të cilat shkatërrojnë zona të banuara. Gërdeci dëshmoi qartë dhe përfundmisht, se ushtria shqiptare ka dalë jashtë kontrollit, ka dalë jashtë funksionit. Kjo edhe për shkak se janë spastruar nga ushtria specialistët, të cilët kanë aftësinë të drejtojnë operacione të tilla, që kërkojnë disiplinë të hekurt dhe profesionalizëm të lartë. Duhet thënë, se përgjegjësia qëndron tek drejtimi tekniko-ushtarak i ushtrisë. Dorëheqja e ministrit ishte një akt. Qëllimi është që ushtria të heq dorë nga qëndrime të tilla, të cilat shkojnë deri tek korrupsioni me metalin e predhave, korrupsion ky, që tashmë është evident.
Krijoni Kontakt