RRETH ‘VEHABIVE’ NË STILIN 1001 NETËNje shkrim qe ndoshta lidhet me kete temë:
Nga Halil IBRAHIMI, Prishtinë
May 21, 2007, 13:58
Shehrezadet moderne dhe myslimanët (‘vehabitë’)
Shehrezadja, heroina e përrallave të njohura të Lindjes ‘1001 net’ është bërë e famshme edhe në Perëndim me imagjinatën e saj të bujshme të përrallave me dragonj, qilima fluturues e me llamba magjike që zgjati për 1001 net të tëra dhe krejt kjo për ti shpëtuar vrasjes së sigurt nga mbreti. Një numër i konsideruar i mediave moderne, një sërë gazetarësh apo edhe autorësh individualë, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, natyrisht pa i përjashtuar në asnjë mënyrë qarqet shqiptare e kosovare, e kanë perfeksionuar deri në detaje lojën ‘shehrezadiane’ të të mbeturit gjallë nëpërmjet fantazive dhe imagjinatave të cilat jo vetëm që shpesh herë e kalojnë kufirin e rezonit të pastër por edhe prekin në të drejtat dhe liritë e segmenteve të caktuara individuale dhe sociale.
Loja dhe përfolja e ‘terrorizmit islamik’ dhe e ‘vehabive’ është më e preferuara viteve të fundit të cilës për shkak të fushatës së egër të shpëlarjes së trurit me apo pa dashje i jemi nënshtruar të gjithë dhe nuk i ka shpëtuar as shkrimi ‘A janë vehabitë kanceri i fesë islame’ të autorit Nafi Baxhaku edhe pse qëllimi primar nuk do të ketë qenë ky medoemos (mbase!).
Pikë së pari shkrimit dhe autorit prapa tij i mungojnë njohuritë themelore rreth religjionit, zhvillimeve fetare e sociale përfshirë ato rreth Islamit apo ‘vehabizmit’, pa përmendur këtu se lëngon nga gafa trashanike të pafalshme për analizimin e një teme të tillë. Z. N. Baxhaku në shkrimin e tij ma ka parë për të madhe analogjinë që e kam bërë midis reformave fetare të Muhamed ibn Abdul Vehabit dhe Martin Luterit duke e ngatërruar këtë të fundit me Martin Luter King Jr., aktivistin zezak për të drejtat e njeriut të shekullit XX, përderisa unë kam folur për reformat fetare të liderit protestant gjerman. Dy të përmendurit nuk kanë gjë të përbashkët përveç përkatësisë kristiane; i pari gjerman i dyti afro-amerikan, i pari i bardhë i dyti zezak, i pari i njohur si themelues i lëvizjes Protestante në Krishterim i dyti si aktivist për të drejtat e zezakëve në SHBA, pa përmendur këtu hapësirën prej më shumë se 500 viteve kohë midis periudhës kur jetuan të dy personat.
Mirëpo kjo pikë meriton një çikë më shumë vëmendje duke qenë se N. Baxhaku ka shtruar pyetjen se pse shqiptarët myslimanë nuk kanë një figurë islame e cila me autoritet përparimtar do të luante rol pozitiv sikurse psh M. Luteri te zezakët në Amerikë (autori ka qenë dashur të thotë Martin Luter King Jr., sepse Martin Luteri nuk kishte të bënte gjë me zezakët). Të përkujtojmë se Martin Luter King Jr. luftoi që zezakët të kenë të njëjtat të drejta në SHBA sikur edhe të bardhët; që të kenë të drejtë të shkojnë në shkollë, të hipin në autobus dhe të shërohen në njëjtat spitale me të bardhët pa marrë parasysh ngjyrën e zezë të lëkurës së tyre. Vetëm pse autori nuk njeh aktivistë të tillë midis myslimanëve shqiptarë nuk do të thotë se ata nuk ekzistojnë. Ka me bollëk aktivistë myslimanë shqiptarë në Kosovë të cilët kërkojnë për bashkëfatarët dhe bashkëkombësit e tyre të drejtat e garantuara me kushtetutë; kërkojnë që femrat myslimane të lejohen të shkojnë në shkolla me veshjen që ua përcakton atyre Kur’ani bashkë me vajzat gjysëmlakuriqe, apo kërkojnë që të mos cenohen të drejtat e tyre nga fobitë e medias, shtetit dhe shoqërisë civile. Arsyet se pse të tillët nuk janë të njohur nga aparatura laike e shoqërisë është sepse si me urdhër të hekurt nga lartë këta i janë të nënshtruar censurës dhe injorimit total nga të gjitha mediat pa përjashtim. Dhe në fund të fundit të kërkosh të drejta për myslimanët kosovarë shqiptarë (ashtu si kërkoi Martin Luter King Jr., të drejta për bashkëkombësit e vet) do të thotë të kërkosh të drejtën për të ndërtuar xhami në një mjedis 90 % musliman, në Prishtinë bie fjala, në mënyrë që të mos marrësh të kallur të mushkërive nga të qëndruarit jashtë xhamive në borë e në shi si rezultat i mungesës së hapësirës, në kohën kur të tjerëve u ofrohet ndërtimi i tempujve fetarë pa çka se ata ekzistuesit nuk mbushen plot as për festat më të mëdha të tyre fetare. E po e kërkove këtë, apo po kërkove të drejta të vajzat shqiptare të shkojnë në shkollë të veshura ashtu si ato preferojnë, jo vetëm që do të injorohesh nga të gjitha institucionet dhe mediat e shkruara dhe vizive në Kosovë por në rastin më të mirë do ta kesh të vështirë të shpëtosh nga të etiketuarit si ‘terrorist’ apo ‘fundamentalist’. E kam shijuar këtë direkt disa herë kur Forumi Musliman i Kosovës, një organizatë joqeveritare që angazhohet për të drejtat e myslimanëve kosovare shqiptarë në një mori rastesh ka ngritur zërin për cenimin e të drejtave të myslimanëve kosovarë dhe secilën herë media e ka injoruar tërësisht (me ndonjë përjashtim të gazetave Java dhe Besa) në kohën kur nëpër gazeta, televizione e radio janë dhënë lajme nga më të parëndësishmet dhe më palidhjet që kanë ndodhur në Zanzibar, Honollullu apo Burkina Faso. Ja pse myslimanëve kosovarë u është e ndaluar të luajnë me kartën e Martin Luter King Jr.
Përderisa z. N. Baxhaku ka akuzuar Arabinë Saudite si mbështetëse të ideologjisë (në imagjinatën e tij) ‘vehabiste’, bashkë me shkrimin e tij është dhënë një fotografi ku demantohet sa gjerë gjatë kjo teori amatore. Në fotografi shihen sheikët dhe udhëheqësit arabosauditë me pak ose aspak mjekër, ose një të tillë në stilin Evropian dhe asnjëri nuk e ka mjekrën e gjatë dhe joestetike (sipas tij) për çka ai i akuzon ‘vehabitë’ shqiptarë. Vetëm për informim të përmendim se Arabia Saudite (aleatja e aleatit tonë SHBA) jo vetëm që nuk mund të konsiderohet si preferuese e linjës selefite të Islamit, por në raste të shumta ajo ka burgosur dhe ka linçuar dijetarë të njohur myslimanë selefi.
‘Wahabitë’ dhe e drejta për të besuar
Kur e kam bërë shkrimin “Rreziku ‘vehabit’..” kam qenë thellësisht i indinjuar me shoqërinë civile kosovare e cila nuk ka pasur guxim që të mbrojë të drejtën e garantuar me ligj për të besuar dhe për tu dukur ashtu si preferon vetë individi për myslimanët (ose ‘vehabitë’) kosovarë, ndërsa unë do ta bëj të njëjtën e do ta kem për nder ta bëj jo vetëm në rastin e myslimanëve (apo ‘vehabive’) por edhe në ato raste kur do të cenohen të drejtat e të krishterëve, budistëve ose qoftë edhe të jobesimtarëve në Kosovë. Askush nuk pati guxim të ngrihej kundër raportit të importuar të Fatmir Rexhepit ku ‘vehabitë’ nuk quheshin ‘vehabi’ siç do të duhej të ishte në shqip por “Wahhabi” dhe ku nuk jepej asnjë argument apo e dhënë e faktuar për bëmat e këqija të myslimanëve selefi. Njësoj si raporti i Fatmir Rexhepit edhe mbrojtësi i tij i kësajradhe Nafi Baxhaku nuk jep asnjë fakt se pse na qenkan ‘vehabitë’ kosovarë shqiptarë një rrezik kaq i madh dhe kancer për fenë Islame, përderisa e vjell gjithë atë padije karshi tyre. E importuar është edhe dizinformata se Ismail Prentiç një ‘vehabi’ boshnjak nga Sanxhaku po sillet nëpër Kosovë. N. Baxhaku mund të mos i ketë bërë update lajmeve por ai u vra në Sanxhak. Insinuata me Prentiçin dhe vehabitë ishte lojë e kulluar serbofile për të njollosur shqiptarët kosovarë me llojlloj ‘izmash’. Dhe është hipokrizi të përdorësh arrestimet e kryera nga policia serbe ndaj një populli që kërkon më shumë të drejta kombëtare (boshnjakëve), si standard për terrorizëm sepse sipas të njëjtave standarde na quajnë neve jo vetëm terroristë por edhe kanibalë vetëm pse i luftuam ata për të pasur vetë vendin tonë Kosovën.
Arsyet qesharake se ‘vehabitë’ (do të duhej thënë myslimanët selefi) bartin veshje dhe mjekër joshqiptare janë më shumë rrjedhojë e fobisë ndaj tjetrit se sa ndonjë argumentim valid pse duhet ti linçojmë ata. Sa për kortezi, kravata dhe lëkura pa asnjë qime, e as minifundet dhjetë centimetërshe as nuk e bëjnë askënd shqiptar dhe as nuk janë zbulime apo copyright shqiptar. Është për tu mrekulluar se si djem të rinj, shumë nga ta hiç më shumë se 20 apo 30 vjetë, kanë zgjedhur që qoftë edhe nëpërmjet pamjes dhe të veshurit (që nuk është arab sepse nuk kam pare akoma ndonjë arab me xhinse të shkurtuara) të jetojnë një jetë të ndershme morale dhe ti thonë ‘jo’ modernizmit gjysmëlakuriq dhe të shthurur të importuar tevona tek ne. Është shumë e saktë se mjekra dhe pantallonat e shkurtuar nuk e bëjnë askënd musliman, njashtu sikur edhe kravata nuk të bën medoemos të civilizuar apo Europian, por meqë këta besimtarë kanë zgjedhur që ta neglizhojnë mjedisin e shthurur amoral qoftë edhe nëpërmjet veshjes, ne të tjerët, nuk kemi kurrfarë të drejte që në këtë ti shajmë apo ti ndjekim si shtrigat.
Radikalizmi i segmenteve të caktuara të myslimanëve në botë nuk është apriori i lidhur medoemos me Muhamed bin Abdul Vehabin ose me lëvizjen e Islamit tradicional selefi, por është tipik për segmente të caktuara të umetit si rezultat i shtypjes dhe shtrydhjes së tij për një kohë të gjatë nga qeveritë lokale dhe rendi ndërkombëtar. Në shkrimet dhe mësimet e Vehabit as nuk ekziston ndonjë manual ‘terrorizmi’ e as nuk ka ndonjë udhëzues ‘radikalizmi’, por janë udhëzime thjeshtë fetare për kthim në traditën e Kur’anit dhe Sunetit. Kështu e kanë kuptuar myslimanët selefi këtë dhe ky është i vetmi dallim që i ndan ata me myslimanët e tjerë shqiptarë, dhe as nuk janë sektë e as nuk kanë xhami të ndara nga pjesa tjetër e bashkësisë islame të shqiptarëve në Kosovë. Një numër i caktuar i myslimanëve të tjerë kanë parë rrugë të tjera më të përshtatshme sipas tyre për të kooptuar me Kur’anin dhe me modernizmin dhe kjo është krejt në rregull dhe siç është thënë është ekskluzivitet i argumenteve të ndërsjella dhe diskutimit intern që nuk ka pse ti interesojë laikëve dhe dashakëqijve. Shpeshherë radikalizmi pozitiv i myslimanëve është keqpërdorur nga individë të caktuar për veprime johumane apo jashtë suazave të Islamit. Por kjo sërish nuk i jep të drejtë askujt që ta getoizojë dhe satanizojë tërë bashkësinë e myslimanëve (qofshin këta selefi apo jo) njësoj sikur nuk barazohen kurrë veprimet pedofile të priftërinjve katolikë me krejt Kishën Katolike apo me Krishterimin apo me rendin e veçantë të murgjve katolikë. As më pak as më shumë. Standardi i dyfishtë kundërmon. Sipas kësaj logjike na del se shqiptarëve duhet shtuar mbiemrin ‘prostituta’ vetëm pse në Perëndim veprojnë disa mijëra shqiptare me këtë ‘profesion’, apo edhe ‘terroristë’ vetëm pse në vitin 1999 ia kthyen pushkën policisë dhe ushtrisë të cilën e njihte bota për legale. Faktikisht këtë rezonim e përdor një pjesë e madhe e mediave në botë dhe ne përherë ngrihemi kundër kësaj mënyre të të arsyetuarit. Le ta bëjmë të njëjtën edhe me myslimanët shqiptarë që i njollosim si ‘vehabi’. Siç do të thoshte profeti ynë i madh Jezus Krishti a.s. “Mos gjykoni që të të mos ju gjykojnë”.
Përndryshe është dezinformatë se kushdoqoftë prej myslimanëve shqiptarë (selefi apo jo) i ka bërë presion dikujt për të mbajtur mjekër apo për tu dukur ndryshe nga zgjedhja personale ose për të besuar diçka ndryshe nga ajo që vetë individi dëshiron. Cilët ‘vehabi’ kosovarë e paskan bërë këtë, kur e paskan bërë, kujt ia paskan bërë? Në realitet është e kundërta; të tjerët si N. Baxhaku nuk reshtin së bëri presion për tu dukur kështu apo ashtu, ose për ta praktikuar këtë apo atë ‘version’ të ‘Islamit’ të tij. Dhe në fund krejt, për kuriozitet libri që N.B. e paska marrë nga Londra është i konsumuar për publikun shqiptar sepse ka më shumë se 10 vite që është i botuar në shqip sikur që është krejt jashtë kontekstit sjellja e analogjizmit të gabuar duke përmendur shiitët ose bektashianët ose duke tentuar tu imponohet atyre versioni “Nafi” i fesë. Muslimanët do të diskutojnë dhe do ti zgjedhin vetë çështjet e mospajtimeve doktrinare dhe këtë me fuqinë e burimeve dhe argumentimeve larg polemikave boshe dhe të pafrytshme. Përdorimi i luftës në Irak në këtë rrafsh është krejt pa sens dhe tregon mungesë të njohjes së rrënjëve të konfliktit të cilat gjithsesi nuk janë të fushës sunito-shiite, por shtrihen shumë më thellë në kthetrat e manipulimit global me të drejtat dhe ekonomitë e popujve të pambrojtur.
Le të shërbejë si standard i përgjithshëm kur flasim për grupe fetare pikë së pari mosgjeneralizimi i veprimeve individuale, të argumentuarit e qartë pse ky apo ai grup duhet të operohet kundër ‘kancerit’ duke dhënë shembuj konkretë, të dhëna e detaje në vend të kapjes pas emocioneve dhe thashethemeve mediatike apo bulevardeske.
Krijoni Kontakt