Close
Faqja 2 prej 63 FillimFillim 12341252 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 626
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    “Çmontim me normë, merrnim fëmijët për ndihmë”

    “Makinat me municione mbërrinin natën në repart. Zakonisht ishin 40 dhe secila transportonte mesatarisht 150 deri në 180 arka me predha”.

    Fatos Mahmutaj

    Agim Dova, Nikolin Hazizi dhe Elton Hasa, nga vende të ndryshme në spital pohuan dje të njëjtën gjë. Ishin punëtorë të ngarkim-shkarkimit në repartin e tragjedisë në Gërdec, punë, të cilën e kishin bërë prej muajsh, ndërsa tani kuronin plagët e shumta që kishin marrë dhe të afërmit e zhdukur nën rrënojat e repartit. Dova vetë kishte shpëtuar paq, por nga shpërthimi kishin humbur disa të afërm të tij dhe disa të tjerë ishin plagosur, përfshi edhe mbesën 5-vjeçare, e cila ndodhej në shtëpi rreth një kilometër pranë fabrikës së tmerrit. Vajza 5-vjeçare, Denisa kishte marrë plagë të shumta në kokë dhe trup, ndërsa e ëma, Adile Zguri i rrinte te koka e saj gjithë kohës në repartin e traumave neuropsikiatrike në Spitalin Ushtarak. Zguri tregon se, në momentin e shpërthimit sapo kishte nisur pushimi 30 minutësh i drekës dhe se ajo do shkonte në shtëpi për të ngrënë drekë dhe për të parë fëmijët e mitur. “Kur dola te dera kryesore pashë që aty kishte rënë zjarr, i cili po avanconte nëpër barut drejt pirgut me predha, ndaj të gjithë, instinktivisht shkuam drejt portës dytësore në drejtim të fshatit Gërdec. Aty na kapi edhe shpërthimi, ndërsa vazhduam të ngjiteshim drejt kodrës sipër”, tha ajo duke pohuar se, tashmë nga fisi i saj mungojnë katër persona: Zilie Leti, Zilie Kaca, dhe bashkëshortët Shefki dhe Bukurie Cani, që mendohet se ndodhen të groposur poshtë rrënojave. Vëllai i saj Agimi, ishte një nga punëtorët më të vjetër të fabrikës. Ndërsa Nikolini dhe Eltoni ndodheshin në të njëjtën dhomë në spitalin e djegieve, ku kuronin plagët e shumta që kishin marrë ndërsa i kishte zënë brenda fabrikës vala e shpërthimeve dhe flakët.

    Zoti Elton, kur keni nisur punë në fabrikën e çmontimit të municioneve dhe cila ishte puna jote aty?

    Kam filluar të punoj aty që nga qershori i vitit të kaluar kur çmontoheshin fishekë. Diku nga muaji nëntor përfundoi ky proces dhe pas kësaj bëmë afërsisht tre muaj pushim, derisa në janar filluam me predhat. Gjatë gjithë kohës kam punuar në shkarkimin e makinave me municione, isha pjesëtar i njërit prej tre grupeve me nga katër persona që bënin këtë punë. Ndërkohë punoja kryesisht natën, pasi gjatë kësaj kohe vinin aty mjetet. Por kam bërë edhe punë të tjera aty, thuajse të gjitha punët.

    Çfarë sasi municionesh kishte mbërritur në repart deri ditën e tragjedisë?

    Çdo natë aty mbërrinin 30-40 kamionë ushtarakë tip “Man” ose “ZIL”, që sillnin predha nga e gjithë Shqipëria. Në fakt nuk na interesonte shumë origjina e tyre se sa sasia. Për çdo mjet që shkarkonin merrnim 12 mijë lekë (të vjetra) si grup. Secila prej makinave që shkarkonim transportonte 150–180 arka predhash, varet nëse ishin teke ose dopjo, pra nëpër kuti ndodhej një apo dy predha. Këto predha ishin të kalibrit 37, 100, 122 dhe 152 mm. Pasi përfundonin procesin në repart gëzhojat e tyre largoheshin sërish jashtë, ku me sa di përfundonin për skrap.

    Mund të na tregosh procesin që kalonin predhat derisa nxirreshin sërish nga reparti-fabrikë?

    Pasi i shkarkonim predhat, i vendosnim në fushë të hapur pranë fabrikës. Aty në mëngjes i merrnin punëtorët dhe fillonin çmontimin. Punohej në grupe me nga katër persona, që thuajse në të gjithë rastet ishin anëtarë të së njëjtës familje. Burrat e çdo grupi hapnin arkat dhe kur ishin predha të zakonshme hiqnin djegoret, të cilat i largonin tutje. Pastaj me radhë nxirrnin gëzhojën që gratë e kthenin përmbys për t’i derdhur barutin në një thes. Mesatarisht çdo predhë e madhe mbante 7 kilogramë barut. Ndërsa pjesën tjetër të saj, të cilës i ishte hequr djegorja e hidhnim në një shesh, ku sapo bëhej një sasi e caktuar ngarkonim kovën e fadromës që e nxirrte në anë të repartit, diku pranë hyrjes. Gëzhojat pastaj transportoheshin në fabrikë ku gratë me thika gërryenin grason dhe pastaj këto ngarkoheshin sërish nëpër kamionë për të shkuar në shkrirje. Ndërsa në rastin kur predhat ishin blindëshpuese, procesi ishte disi më i vështirë. Këto ishin të montuara dhe burrat pasi i nxirrnin i futnin mbrapsh në disa vrima në beton derisa hynte tërësisht gëzhoja. Ndërsa nga ana e predhës futnin një tub, që e lëviznin lart–poshtë dhe anash derisa predha lëvizte nga vendi dhe pastaj ndiqeshin të njëjtat procedura, si në rastin e predhave të çmontuara.

    Po me barutin, predhat dhe djegoret ç’ndodhte?

    Baruti, i cili ishte edhe shkaktari i tragjedisë së mëvonshme futej nëpër thasë të mëdhenj, që stivoheshin në fushë të hapur. Kur bëhej një sasi e caktuar baruti magazinohej nëpër 12 kontenierët që ndodheshin të vendosur në qendër të repartit. Katër prej tyre ishin bosh, tre plot dhe tre të mbushur përgjysmë. Thuhej që këto do dërgoheshin në një fabrikë që prodhonte fishekë gjuetie. Ndërsa predhat e çelikta pa djegore stivoheshin në hyrje të repartit dhe në një pikë tjetër midis fabrikës dhe kontenierëve të barutit. Po kështu edhe djegoret ishin grumbulluar në një pikë sipër repartit.

    Kush ju kishte punësuar juve, sa paguheshit dhe i merrnit në kohë pagat?

    Unë dëgjova se kishte vende pune në fabrikë dhe u paraqita aty. Fola me një person që quhej Tani. (Edhe Nikolin Hazizi thotë se ka folur me këtë person. Ndërsa Agimi tha se, personi që e kishte punësuar quhej Vangjel, por që nuk ia dinin mbiemrin. shën.red). (Të njëjtës pyetje Agim Dova iu përgjigj: “U paraqita te fabrika bashkë me gruan dhe dy motrat e mia. Vangjeli na tha për kushtet e punës dhe pagesën. Kështu që ramë dakord të paguheshim nga 10 mijë lekë të vjetra dita. Unë më pas kalova te ngarkim-shkarkimi i mjeteve ku kishim pagesa të tjera, pak më të mira. Rrogat paguheshin në kohë, çdo datë një ose 2 të muajit ne merrnim paratë në dorë për ditët e punës. Edhe leje nëse kërkoje të jepnin, ndërkohë ne nuk kishim asnjë kontratë pune me shkrim”.

    Sa ishte norma e punës?

    Tek çmontimi çdo grup duhet të dorëzonte në përfundim të punës 1050 gëzhoja, ndërsa te heqja e grasos nuk kishte normë. Aty çdo punonjës, kryesisht punon gra, duhet të pastronin aq sa të mundnin. Aty përflitej se kontrata e firmës me ministrinë përfundonte më 31 mars, ndaj duheshin çmontuar sa më shumë predha.

    Mendoni se kishte ende vende pune bosh aty?

    Aty nuk ishte kthyer askush pas që kërkonte punë. Mjaftonte të paraqiteshe grup me katër persona dhe nëse u mbushej mendja të merrnin menjëherë në punë. Vumë re që kohët e fundit përflitej se brenda muajit mars duhej të përfundohej gjithçka, kjo bëri që të shtoheshin ritmet e punës, çka solli edhe uljen e zbatimit të rregullave të sigurisë. Por edhe pas kësaj, nuk mund të them se siguria në punë nuk respektohej fare, pasi çdokujt i dhimbej jeta dhe se pasojat merreshin me mend.

    Panorama

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    “Delijorgji, jo probleme konkurrence”

    TIRANE – Mihal Delijorgji dhe kompania në pronësi të tij “Alba Demil” nuk kanë pasur probleme me konkurrentët gjatë aktivitetit të tyre për çmontimin e predhave në Gërdec. Kështu janë shprehur burimet zyrtare nga hetimi i tragjedisë, të cilat thanë se biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji e ka mohuar të ketë pasur probleme me konkurrentë që operojnë në fushën e tij. Edhe verifikimet e organit të akuzës nuk kanë gjetur ndonjë provë për të besuar se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga konkurrentët e firmës “Alba Demil”, me qëllimin për t’i prishur punë asaj në fitimet e mëdha që arrinte me çmontimin dhe shitjen e predhave për metal brenda e jashtë vendit.

    Hetimi: Në fabrikë municione më shumë se sasia e deklaruar

    TIRANE – Edhe gjatë ditës së djeshme, Prokuroria është përpjekur të administrojë dokumente e informacione rreth sasisë së municioneve që ndodheshin në fabrikë në momentin që ndodhi shpërthimi. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në zyrat e firmës “Alba Demil” e regjistruar në gjykatë në dhjetor 2006, nuk janë gjetur dokumente apo të dhëna për sasinë e saktë të municioneve dhe barutit që ndodhej në fabrikë në momentin kur ndodhi tragjedia. Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, gjithsesi ka dyshime dhe informacione operative, se në fabrikë në mënyrë të vazhdueshme kanë hyrë më tepër sasi municionesh e predhash sesa shuma e deklaruar. Kjo dyshohet se është bërë me qëllim rritjen e volumit të punës, pasi edhe norma ditore e caktuar për punëtorët ka qenë mjaft e lartë. Një normë e tillë për numrin e predhave të çmontuara në ditë, kishte detyruar shumë punëtorë të fabrikës të merrnin me vete edhe fëmijët e tyre të mitur për t’i ndihmuar në çmontimin e sa më shumë predhave, me qëllim realizimin e normës së vendosur nga drejtuesit e kompanisë së çmontimit. Hetuesit gjithsesi nuk e parashikuan të vështirë procesin e llogaritjes së sasisë së municionit që ndodhej në fabrikë më 15 mars. Të paktën imazhet filmike të shpërthimeve dhe pasojat e tragjedisë, tregojnë se sasia e predhave dhe e barutit ka qenë e lartë. t.s

    Panorama

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    “Predhat, Delijorgji pa licencë”

    Prokuroria, e cila prej pesë ditësh po heton tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec, nuk ka gjetur ende asnjë dokument që tregon se firma shqiptare “Alba Demil”, me pronar Mihal Delijorgjin, ka pasur licencë për çmontimin e pre-dhave ushtarake.

    Trazhgim Sokolaj

    Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat thanë se pavarësisht numrit të madh të dokumenteve të sekuestruara dhe veprimeve hetimore të bëra, ende nuk është gjetur ndonjë licencë e firmës “Alba Demil” për çmontimin e predhave. Mungesa e një dokumenti të tillë, sipas hetuesve, bën përgjegjëse jo vetëm firmën në pronësi të Mihal Delijorgjit, por edhe ndërmarrjen shtetërore “Meico”, e cila ka nënshkruar kontratë me një subjekt pa licencë për çmontimin dhe përpunimin e predhave luftarake të artilerisë së rëndë. Zotërimi i licencës nënkupton se firma ka specialistët dhe pajisjet e nevojshme për të kryer çmontimin e municioneve brenda kushteve të sigurisë pa shkaktuar rrezik për shtetasit dhe punëtorët. Ndërmarrja “Meico” me drejtor Ylli Pinarin, tashmë i ndaluar në polici, e cila ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, duket se është përgjegjëse edhe në një tjetër moment. Nga verifikimet e Prokurorisë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe nga pyetja e dëshmitarëve, nuk provohet në asnjë moment që “Meico”, e cila kishte nënshkruar kontratën për çmontimin e predhave, të ketë ushtruar ndonjë kontroll apo monitorim për mënyrën dhe kushtet në të cilat bëhej përpunimi i predhave luftarake. Ligji dhe kontrata, në fakt, bënin përgjegjëse ndërmarrjen “Meico” për mbikëqyrjen dhe kontrollin e procesit të çmontimit të predhave, me qëllim zbatimin e kushteve të sigurisë dhe shmangien e rrezikut. Këto duket se kanë qenë shkeljet që shkaktuan ndalimin e drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari, në polici me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

    Abuzimet
    Veprimet hetimore të Prokurorisë së Tiranës kanë zbuluar deri dje elemente që tregojnë se puna në fabrikën e çmontimit të armatimeve në Gërdec, nuk i nënshtrohej rregullave strikte të parashikuara për një veprimtari të tillë. Sipas dëshmive të dhëna nga punëtorët për grupin e hetimit, lëvizja e predhave, barutit, djegoreve dhe gëzhojave bëhej në mënyrë të çrregullt. Prokuroria ka administruar dje në dosjen penale të tragjedisë së ndodhur pas shpërthimit të 15 marsit në Gërdec, katër kontrata për çmontimin e predhave. Dy prej këtyre kontratave janë nënshkruar mes ndërmarrjes “Meico” dhe kompanisë amerikane SAC, ndërsa dy kontrata të tjera janë firmosur mes firmës amerikane dhe “Alba Demil” në pronësi të Mihal Delijorgjit. Kontrata e dytë e nënshkruar mes ndërmarrjes “Meico” dhe firmës amerikane është dërguar për ekspertizë, pasi firma e hedhur nga përfaqësuesi amerikan është e ndryshme nga firma e hedhur prej tij në kontratën e parë, ndërsa asaj i mungon edhe vula e firmës amerikane. Mëngjesin e djeshëm, Prokuroria ka vendosur lirimin e Agim Vranjës, administrator i kompanisë së sigurimit fizik që ruante fabrikën e çmontimit të predhave. Ai ka thënë se përfaqësuesit e firmës “Alba Demil” i kishin kërkuar atij të angazhonte vetëm dy policë në ruajtjen e fabrikës dhe ai kishte zbatuar kërkesën e klientit të tij, duke qenë i gatshëm të angazhonte më tepër policë privatë nëse i kërkohej një gjë e tillë. Prokuroria ka vendosur të mbajë në gjendje arresti Ylli Pinarin, drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Meico” dhe dy të ndaluarit e tjerë, Mihal Delijorgji, president i firmës “Alba Demil” dhe Dritan Minxholi, drejtor teknik i fabrikës së çmontimit. Ata akuzohen për veprën penale të “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

    Shpërthimi
    Hetimet e Prokurorisë kanë mundur të mbledhin dëshmi dhe informacione edhe rreth mekanizmit të shpërthimit. Sipas hetuesve, dy shpërthimet e mëdha duhet të jenë shkaktuar prej ndonjë predhe të aktivizuar, e cila ka goditur katër kontejnerë që ishin mbushur me barutin e nxjerrë për disa ditë nga predhat që ishte grumbulluar në hyrje të fabrikës. “Kontejnerët ku ishte grumbulluar baruti ishin prej metali, ndërsa në pjesën e brendshme të tyre kanë qenë të veshur me një gomë plastike. Djegia e barutit që ndodhej në to është shkaktuar nga ndonjë predhë, e cila duhet të ketë goditur kontejnerët duke depërtuar shtresën metalike të tyre”, thanë më tej hetuesit. Ata thanë se gjithashtu po verifikohet edhe vendimmarrja që ka përcaktuar fshatin e Gërdecit si vendin ku do të bëhej çmontimi i predhave luftarake dhe depozitimi i tyre, në afërsi të zonës së banuar nga dhjetëra qytetarë të mbërritur aty vitet e fundit, kryesisht nga zona e Martaneshit.

    Fëmijët
    Verifikimi i listave të punonjësve të firmës së çmontimit të predhave në Gërdec, ka provuar se të paktën 18 persona që ndodhen në listë nuk gjenden në regjistrat e zgjedhësve të procesit të fundit zgjedhor. Kjo tregon se ata janë nën moshën 18 vjeç. Më shumë se 18 punëtorë të pyetur nga Prokuroria janë shprehur se detyroheshin të merrnin edhe fëmijët e tyre në punë gjatë çmontimit të municioneve ,me qëllim arritjen e normës ditore për numrin e predhave luftarake të çmontuara. Një fakt i tillë është pohuar nga dhjetëra dëshmitarë.

    Specialistët
    Hetimet e Prokurorisë së Tiranës kanë zbuluar se firma “Alba Demil” kishte angazhuar dy ushtarakë në rezervë për të mbikëqyrur procesin e çmontimit të predhave në fabrikën e Gërdecit. Të dy këta oficerë mësohet se janë ndodhur brenda fabrikës në momentin e shpërthimeve të mëdha dhe për pasojë ata kanë humbur jetën. Gjithsesi, sipas hetuesve, numri prej dy ushtarakësh që verifikonin procesin e çmontimit nga punëtorët e patrajnuar për këtë proces është i ulët, pasi ata nuk mund të verifikonin dhe të kontrollonin njëkohësisht gjithë procesin e çmontimit.

    Dëmshpërblimi Prokuroria ka menduar edhe për dëmshpërblimin e personave të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit. Kështu janë shprehur dje burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kanë refuzuar të bëjnë komente të mëtejshme. Sipas tyre, ndryshimet e vitit të kaluar në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, parashikojnë veç personave përgjegjësi penale edhe ndaj personave juridikë, në këtë rast firma “Alba Demil”, e cila mund të gjobitet në një proces gjyqësor në vlerën e dëmit të shkaktuar të prekurve nga tragjedia.

    Pistat
    Të gjitha pistat e hetimit të deklaruara pak ditë më parë nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, mësohet se janë ende në verifikim nga grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, momentalisht nuk mund të përjashtohet asnjë prej versioneve hetimore të ngjarjes. Pak ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama renditi shkeljen e rregullave të sigurisë, konkurrencën apo një akt të qëllimshëm kriminal, si variante të mundshme të hetimit për tragjedinë e ndodhur në Gërdec pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të predhave.

    Panorama

  4. #14
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Jam kurioz te di se ke ka mare prokuroria ne cilesine e ekspertit per te arritur ne perfundimin e shpejte te arrestimit te atyre individeve, qe kuptohet, jane drejt-per-drejt te implikuar ne ate ngjarje aq te rende tragjike?

  5. #15
    i/e regjistruar Maska e OO7
    Anëtarësuar
    07-12-2004
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    3,823
    Citim Postuar më parë nga Duaje Siveten Lexo Postimin
    Jam kurioz te di se ke ka mare prokuroria ne cilesine e ekspertit per te arritur ne perfundimin e shpejte te arrestimit te atyre individeve, qe kuptohet, jane drejt-per-drejt te implikuar ne ate ngjarje aq te rende tragjike?
    Kë tjetër përvecse bashkëpuntorët qeveritarë. Mos shiko këta ti se këta janë koka turku. Do lirohen së shpejti dhe këta po hë.

  6. #16
    Zyra e shtypit të ambasadës së SHBA në Tiranë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë shqiptare për të kontribuar në hetimet që po kryhen për të zbardhur shkaktarët e tragjedisë.

    Prokuroria e Tiranes i kërkoi SHBA-ve bashkëpunim për të kryer një hetim të plotë ndaj kompanisë amerikane Southern Ammunition Company, (SAC) e cila nënshkroi vitin e kaluar me Ministrinë e Mbrojtjes, një kontrastë prej 2 milion 200 mijë dollarë për çmontimin dhe shkatërrimin e municioneve të vjetra , të grumbulluara në Gërdec të Vorës.

    Përmes një letre drejtuar ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, organi i akuzës kërkon ndihmë në dy drejtime: në angazhimin e hetuesve nga FBI si edhe në identifikimin e viktimave, të karbonizuara nga shpërthimi katastrofik i municioneve në mesditën e 15 Marsit.

    Zyra e shtypit të ambasadës së SHBA në Tiranë tha për DW se pranohet kërkesa e Prokurorisë për të kontribuar në hetimet që po kryhen për të zbardhur shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se citoj "SHBA-të do të procedojnë në mënyrën e duhur" dhe kompania amerikane në fjalë nuk ka kontaktuar asnjëherë me zyrtarët e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

    Hetimet ndaj kompanisë amerikane filluan dje kur mbi të ranë hije të forta dyshimi për përfshirje në afera korruptive për përfitime financiare të paligjshme.

    Grupi që po heton mbi tragjedinë e Gërdecit, ku deri tani rezultojnë 17 të vrarë, dhjetëra të humbur dhe një fshat i tërë i rrafshuar, gjeti në Regjistrin Kombëtar të Bizneseve se Drejtori i komppnisë amerikane, Patrik Henri, është bashkëpronar, me 25% të aksioneve në kompaninë shqiptare Alba Demil, e cila u nënkontraktua nga kompania shtetërore MEIKO për të realizuar kontratën që SAC nënshkroi në Prill të viti 2007 me Ministrinë e Mbrojtjes.

    Ndryshe nga deklarimi i përfaqësuesve të kompanisë amerikane se kontrata e saj me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë përfundoi në fund të vitit 2007, në Regjisttin Kombetar të Bizneseve ka një të vërtetë tjetër: kompania amerikane është bashkëpronare me ALB Demil, me afat të pacaktuar.

    Fakte të tjera si shfrytëzimi i punës së fëmijëve. i punës së zezë të të rriturve nga fshati Gërdec , ku ndodhi tragjedia , nga ana e kompanisë shqiptare Alba Demil shtojnë argumentat e dyshimeve për përfshirjen edhe të kompanisë amerikane në afera korruptive.



    Ani Ruci


    DW

  7. #17
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Perse ai salimandra uleret ne parlament se kryeministri e keshilli i ministrave nuk paskan dore e njohuri per reparte apo depo si ajo e Gerdecit.

    Sa me shume uleret ai, po e quaj njeri, aq me i fajshem eshte!

    Uleritjen e kryen per ti bere presion prokurorise qe te mos e therrase me cilesine e deshmitarit ...

    ke faj sali, ke faj, njesoj me ate qe vodhi lopen ...

  8. #18
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Baze: Tragjedia e Gërdecit, histori e pastër korrupsioni

    Flet gazetari i njohur: Investimi personal i Mediut


    Analisti Mero Baze ka treguar në një intervistë për "Shqip" detajet e hetimit që ai personalisht ka bërë mbi kompaninë e Delijorgjit. Baze e ka cilësuar tragjedinë e Gërdecit si një histori korrupsioni dhe një histori aksidenti. Analisti Baze, i njohur si njeri i afërt brenda Partisë Demokratike, ka deklaruar se "media ishte në anën e fatzinjve, ndërsa Berisha në anën e Fatmir Mediut". Ai kërkon që qeveria t‘i nënshtrohet votëbesimit

    në Kuvend, por thotë se një emër potent për të zëvendësuar Mediun është Sabri Godo. "Ekziston vetëm një shpresë e vakët që për mua lidhet me emrin e Sabri Godos. Nëse ai rikthehet në krye të partisë urgjentisht këto javë, ai mund të jetë një ministër i mirë i Mbrojtjes. Ai ka përvojën e duhur, qetësinë e duhur dhe kulturën e duhur shtetërore për ta bërë atë punë dhe për t‘i ridhënë jetë asaj që ju e quani Parti Republikane", tha Baze.

    Zoti Baze, ju ishit i pari që denoncuat në gazetë lobimin ndërmjet Mediut dhe kompanisë amerikane "Southern Amonition". Sipas jush, cila është pjesa e errët e kësaj marrëveshjeje?

    Është një histori e pastër korrupsioni në të cilën unë kam ndeshur rastësisht muaj më parë, kur mësova se kompania e zotit Delijorgji shiste produkte plumbi në disa fonderi të vogla në Shqipëri dhe kërkonte paret pa faturë. Kjo më shtyu të hetoj se ku e gjente ai plumbin dhe me se merrej. Duke gërmuar më doli përpara një histori e tërë tipike mafioze, të cilën isha bërë gati ta bëja publike paditur se do të ndodhte shpërthimi. Për të qenë i sinqertë, unë do të fokusohesha te historia e korrupsionit dhe jo te rreziku civil që ajo përbënte, se për të nuk isha vetë aq i ndërgjegjshëm. Madje jo vetëm unë, por dhe një koleg gazetar i gazetës "New Jork Times", me të cilin konsultova disa prej fakteve që kisha grumbulluar lidhur me kompaninë amerikane, nuk kishte parandjenjën se aty do të ndodhte ndonjë tragjedi siç ndodhi, por kishte thjesht idenë se kishim të bënim me një trafik të pastër në industrinë ushtarake të mbështetur nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pjesa më e errët e kësaj historie është investimi personal i Fatmir Mediut në këtë aferë. Tentimi i tij që prokurimi të bëhej direkt nga Këshilli i Ministrave është skandaloz dhe i mjaftueshëm që ai tashmë të arrestohet për tentim të kapjes së shtetit për interesa private. Në relacionin që ai ka dërguar e shpall SAC si një nga tri kompanitë më të specializuara në botë për këtë punë, sidomos për kalibra fishekësh të vegjël, ndërkohë që siç rezulton, ajo është thjesht një kompani spekulative dhe pa autoritet për të qenë partnere e një qeverie të besueshme. Skenari, sipas meje, ka qenë i thjeshtë. Delijorgji ka marrë siguri nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për këtë kontratë ka gjetur letrat e një kompanie amerikane jo serioze, u ka dhënë një përqindje të caktuar atyre dhe ka fituar një monopol fitimprurës që shkaktoi në finale një tragjedi të pashembullt. Problemi më i madh që unë shikoj nga pikëpamja politike është sikur të mos kishte ndodhur tragjedia. Sikur kjo të mos kish ndodhur dhe unë të botoja dokumentet, do të akuzohesha se mund të kem ndonjë interes personal, apo se mund t‘i kisha kërkuar ndonjë tender zotit Mediu dhe s`ma kishte dhënë. Kështu kanë vepruar deri më sot për gjithë akuzat që u janë bërë. Kjo histori është e rëndë edhe pa viktimat në mes. Është e rëndë se është histori e pastër e korrupsionin shtetëror. Është histori tipike mafioze, ku pleksen shumë fije që nisin nga zyrat e qeverisë. Me viktimat e shpërthimit, çmimi i saj bëhet i rëndë dhe i papërballueshëm për një qeveri të mbushur me njerëz mendjelehtë.


    Katastrofa e Gërdecit po komentohet me tone të kundërta nga të dyja palët. Sipas jush, cilat janë përmasat reale të kësaj tragjedie?

    Është apokaliptike për nga përmasat. Thelbi i saj qëndron tek arroganca e trafikantëve. Ata kanë qenë të sigurt se janë njerëz të lidhur me shtetin dhe nuk kanë pyetur për qytetarët. Ata kanë qenë arrogantë. Kanë pas lidhje diskete me ministrin dhe njerëz afër tij, kanë marrë siguri nga njerëz afër Kryeministrit se askush nuk i prek dhe janë sjellë me qytetarët si skllevër. Ata janë treguar barbarë se kanë vepruar në emër të një fuqie të panjohur për banorët e Gërdecit. Ata kanë zgjedhur vetë vendin, vetë kontratën, vetë çmimin, vetë punëtorët e pakualifikuar dhe vetë kompaninë amerikane. Kanë qenë realisht tutorë të këtij pushteti dhe kjo është e turpshme. Ky është thelbi i tragjedisë. Zjarri dhe katastrofa u shkaktuan se ata nuk guxonte askush t‘i urdhëronte të zbatonin rregullat. Ata ishin duke nxjerrë fitimet e tyre, pasi fitimet e shefave i kishin ndarë më parë, ndaj nuk guxonte t‘u fliste njeri. Kjo është përmasa më tragjike e asaj katastrofe. Në atë zjarr u shkrumbua dhe miti antikorrupsion i kësaj qeverie.

    Ju thoni se keni gërmuar muaj më parë në këtë histori. Pse e botuat ditën që ndodhi tragjedia?

    Isha i vendosur që do ta botoja, por isha i penguar nga mungesa e sensibilitetit që ekziston për korrupsionin kur shkruan në media. E përfytyroja se nuk do të kishte efektin real që duhet të kishte. Por ajo që më bëri përshtypje ishte sjellja e ish-ministrit Mediu, të cilin unë e njoh prej 20 vitesh. Sapo mori vesh që unë po gërmoja në këtë histori muaj më parë, ai nisi një fushatë të paprinciptë tavolinash, duke kapur çdo njeri që më njihte mua dhe i adresonte duke u bërë qesharakë. Më akuzonte mua se po përpiqesha të organizoja një "grup armiqësor" që do të rrëzonte nga pushteti Sali Berishën dhe se kisha kërkuar gjatë kohës së zgjedhjes së Presidentit të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Dukeshin qesharake për ata që i dëgjonin, por jo për mua që e dija nga se ishte i shqetësuar Mediu. U bë qesharak deri në fund me këtë histori, a thua se unë kisha nën komandë ndonjë celulë terroriste që do vriste Sali Berishën. Se ndryshe unë nuk kam si ta rrëzoj nga pushteti në të cilin e kam ndihmuar të ngjitet. Për ta rrëzuar atë, duhet të kesh vota, duhet të jesh deputet, ose ministër hajdut që ta diskreditosh. Unë s`kam asnjë votë, asnjë post dhe asnjë mekanizëm që ta bëj këtë. Është po ashtu e vërtet se në një emisionin televiziv, gjatë kohës së negociatave të Presidentit, kur doli direkt Mediu dhe Gjinushi dhe thanë të gëzuar se kishin një kandidat për President që ishte një oficer, kushëri i parë i kunatit të Fatmir Mediut, unë thashë nga studioja se tani ka më shumë se kurrë shanse Bamir Topi, ose në të kundërt vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Ky e kthen përmbys këtë fakt publik dhe thotë se kisha bërë gati njerëz që do të votonin kundër Topit, njerëz që zoti Topi e di kush janë dhe nuk i mban mëri Mediut. Aq banal u bë në këtë pikë, sa dhe çdo sulm që i bëhej në media ma adresonte mua. Kohë më parë një gazetë bulevardeske, që ende nuk e kam lexuar edhe sot dhe as që ja njoh botuesin, kishte botuar një histori rozë për të, dhe ai dërgoi njerëz natën në shtypshkronjë për ta bllokuar, duke alarmuar ndërkohë gjithë miqtë e mi se unë po i bija më qafë. Ngjante gati si një skizofreni e tij, vetëm pse kish kuptuar se unë kisha hyrë në zemër të një historie më të vërtet kriminale. Kjo më qetësoi dhe natyrisht më inkurajoi ta botoja atë i pari ditën e parë pas tragjedisë.

    Shpërthimi tronditi, siç pritej, qeverinë "Berisha", duke vënë në provë mazhorancën e djathtë. Sipas jush, dorëheqja e Mediut ishte në kohën e duhur dhe a është e mjaftueshme vetëm kjo për të kaluar krizën?

    Nuk më duket se qeveria po e kupton realisht përgjegjësinë e saj për këtë tragjedi. Thash që kjo është një histori korrupsioni dhe jo një histori aksidenti. Qeveria po përpiqet ta trajtojë atë si aksidentet në miniera. Në të vërtetë, sikur të mos kishte ndodhur shpërthimi, askush nuk do të kishte hetuar Mediun dhe Delijorgjin për këtë histori korrupsioni. Ata do t`ia kishin hedhur pa lagur, siç ka mundur t`ia hedhë i njëjti person për vite të tëra. Kjo na lë shije të hidhur dhe na bën të besojmë se histori të tjera të fjetura korrupsioni flenë në ndërgjegjen e vrarë të kësaj qeverie. Dhe ato nuk mund të zgjohen të gjitha me bomba. Duhet të zgjohen dhe të zbulohen normalisht nga shteti ligjor. Është kosto e madhe të largosh Fatmir Mediun, një fluturak mendjelehtë me lidhje tepër të dyshimta shoqërore dhe sociale, me një kosto të tillë. Kjo krizë nuk ka më lidhje me ikjen e Fatmir Mediut. Kjo krizë ka lidhje me faktin se korrupsioni po bën kërdinë dhe po trimëron gangsterët, të cilët tashmë kanë në dorë dhe jetën tonë.

    A do të jetë i lehtë zëvendësimi i ministrit të Mbrojtjes dhe sipas jush, a duhet ta ketë PD-ja këtë dikaster, apo ta marrë sërish Partia Republikane?

    Togfjalëshi "Partia Republikane" duhet riparë me kujdes. Kryetari i kësaj partie nuk mund të jetë më aleat i kësaj shumice. Është njeri i implikuar në një histori të thellë korrupsioni dhe njollos gjithë portretin e shumicës, e cila po përpiqet t‘i bëjë tualet vetes para zgjedhjeve. Ajo parti tashmë duhet të reflektojë vetë për banalitetin në të cilin është zhytur nën drejtimin e Fatmir Mediut. Ekziston vetëm një shpresë e vakët që për mua lidhet me emrin e Sabri Godos. Nëse ai rikthehet në krye të partisë urgjentisht këto javë, ai mund të jetë një ministër i mirë i Mbrojtjes. Ai ka përvojën e duhur, qetësinë e duhur dhe kulturën e duhur shtetërore për ta bërë atë punë dhe për t‘i ridhënë jetë asaj që ju e quani Parti Republikane, por që unë e njoh dhe e di që janë një tufë shokësh të Fatmir Mediut si ai dhe shpesh shumë më keq se ai. Nëse bëhet fjalë për atë parti, ajo duhet të nxirret jashtë koalicionit me vendim politik. Kush deputet do të qëndrojë me të, le të qëndrojë dhe të votëbesohet qeveria. Thashë, i vetmi shpëtim është emri i Sabri Godos dhe vullneti i tij për ta ndryshuar atë kënetë që ka prodhuar drejtimi i Fatmir Mediut.

    Zëra të veçantë në PD kanë kërkuar një analizë të thellë të situatës. Sipas jush, a duhet dhe a do të ketë një reflektim nga strukturat e selisë blu për situatën?

    Reflektimi duhet të ketë në qendër pikërisht raportet me histori të tilla të rënda korrupsioni. PD dhe qeveria duhet të heqin dorë dhe të distancohen publikisht nga teoria se ata që bëjnë akuza për korrupsion kanë interesa personale. Kjo teori i ka zhytur ata në korrupsion dhe i ka bërë krejt të pabesueshëm në opinion publik. Kjo histori e rëndë korrupsioni s`do të kish dalë në sipërfaqe me këtë qartësi sikur vendi të mos ish ndriçuar nga flakët e Gërdecit. Por kjo shoqëri nuk është e gatshme të paguajë këtë çmim për çdo histori të ngjashme korrupsioni. Qeveria dhe stafi i Kryeministrit është i mbushur me njerëz të fryrë si tullumbace nga arroganca e pushtetit, por është e dhimbshme që tullumbacet të shfryhen me predha, kur mund të shpohen me një gjemb të vogël, aq sa meritojnë.

    Ditët e fundit po shtohen gjithnjë e më shumë zërat e një, ta themi, "fërkimi" mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi për krizën, por edhe për emrin e ministrit të ri të Mbrojtjes. Sipas jush, çfarë zhvillimesh pritet të sjellë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare?

    Nuk jam në dijeni të fërkimeve të tilla, sidomos për emrin e ministrit. Por ka një qëndrim të ndryshëm të tyre në lidhje me krizën. Presidenti Topi është treguar më i matur dhe nuk ka hyrë në spiralen e justifikimit të situatës. Nuk ka bërë përpjekje të justifikojë strukturat e ushtrisë, megjithëse është Komandant i Përgjithshëm, nuk ka bërë përpjekje për të justifikuar punën e zezë, as kontraktorët fantazmë amerikanë. Kjo do të thotë se është i qetë dhe i distancuar nga kjo histori. Kryeministri, me sa di unë, nuk ka pas asnjë arsye të futej në këtë spirale dhe të merrte përsipër pa shkak minimalisht mendjelehtësinë e Fatmir Mediut, të cilën e njeh. Ai duhet të sillej si Kryeministër dhe t‘u tregonte vendin gjithë përgjegjësve të kësaj historie.

    Kryeministri ka fajësuar median për manipulim me ngjarjen. Si e komentoni ju këtë?

    Ishte një deklaratë nervoze, që shpresoj t`ia kenë dhënë këshilltarë të këqij, nga ata që e kanë zakon t‘i shtyjnë kryeministrat të hedhin një hap përpara, sa herë që janë buzë greminës. Dhe një hap përpara kur je buzë greminës është fundi. Media shqiptare ka bërë një mrekulli me tragjedinë e Gërdecit dhe për orë e ditë të tëra ka zëvendësuar shtetin që mungonte. Media ka mbledhur gjak për viktimat, ka sensibilizuar shqiptarët dhe të huajt për solidaritet, është futur mes zjarrit dhe ka nxjerrë viktimat dhe natyrisht ka diskretituar ata që duheshin diskretituar. Media ishte në anën e "Fatzinjve" që vdiqën dhe jo në anën e Fatmirit që i vdiq. Kryeministri është i lirë të zgjedhë të jetë me kë të dojë.

    Gazeta juaj, por edhe media të tjera, kanë sjellë fakte për aferën e tregtisë së armëve. Mendoni ju se Prokuroria do t‘i çojë hetimet deri në fund?

    Nuk duhet ta paragjykojmë punën e prokurorisë. Është mirë t‘i japim kohë dhe ta vëmë në provë Kryeprokuroren e re. Faktet janë të rënda dhe është e tmerrshme se ato mund të mos hetoheshin kurrë sikur të mos ndodhte katastrofa. Tashmë që e kemi paguar çmimin e heshtjes ndaj korrupsionit, së paku të ndëshkojmë korrupsionin. Historia e pistë e kontratës së çmontimit të armatimit në Gërdec ka të bëjë me fshehjen reale të sasive të skrapit dhe municioneve që shkonin për shitje. Është një histori tipike mafioze, që është zhvilluar në zemër të qeverisë shqiptare, të shumicës që ka ardhur në pushtet me premtimin e duarve të pastra. Tashmë duart janë përgjakur dhe askush nuk mund të na i fshijë ato në fytyrat tona për t‘i pastruar.


    Shqip

  9. #19
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Tragjedia- kreu i PS, Rama: Berisha te dorezoje imunitetin
    » Dërguar më: 20/03/2008 - 13:23

    “Media dhe opozita me fakte te dokumentuara, me pikepyetje te ngrituar mbi keto fakte e arsyetime, e detyruan kryeministrin te flase per gjera qe deri me dje ishte munduar t’i mbante larg vetes” tha lideri socialist

    Kryetari i Partise Socialiste Edi Rama i ben thirrje prokurores se pergjithshme te kerkoje imunitetin e kryeministrit Berisha dhe te nise hetimet ndaj tij per perfshirjen ne ngjarjen e Gerdecit. “Si nje i pandehur i zene ne gracken e opinionit publik, kryeministri yne ne nje perpjekje sinqerisht skandaloze per te fajesuar me nje gjuhe te denje per nje bos qarqesh ilegale ata qe e kane investiguar me kohe zullumin e tmerrshem dhe ata qe po e nxjerrin me kurajo ne driten e diellit, na e ktheu ne fakt cka mjafton per prokuroren e pergjithsme per te kerkuar imunitetin e tij dhe per ta kthyer Berishen ne nje te pandehur te prokurorise” tha lideri socialist duke shtuar se Berisha tregoi dje ne Kuvend se ishte ne dijeni te veprimtarise qe po kryhej ne fabriken e vdekjes.
    Duke akuzuar kreun e qeverise se “ka qene mbulesa politike e nje zullumi te hatashem”, Rama kerkoi edhe nje here prej tij te jape doreheqjen, si I vetmi veprim per te mos deshtuar ne procesin e anetaresimit ne NATO. ”Per te provuar pafajesine e tij te prezumuar gjate gjithe ketyre diteve permes justifikimesh qe nuk e shfajesojne, por e fajesojne perpara prokuroreve, duke u dhene atyre shpjegimet e nevojshme qofte per veten, qofte per djalin dhe per te ndjerin baxhanakun e tij qe humbi jeten nga shperthimi, I kerkojme kryeministrit te dorehiqet. Te dorehiqet edhe per keto dy jave qe e ndajne Shqiperine nga nje stacion historik qe te mos kthehen ne dy javet e nje deshtimi po aq historik per te gjithe ne, per Shqiperine e shqiptaret” tha Rama.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  10. #20
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Ina Rama i kerkon ndihme SHBA-ve

    Kryreprokurorja Ina Rama i kerkon ndihme Shteteve te Bashkuara te Amerikes per te zbardhur shkaqet dhe pergjegjesit e tragjedise se shperthimit ne Gerdeci, ku jane gjetur te vdekur 17 persona dhe u plagosen 300 te tjere. Letra e firmosur nga kreu i organit qendror te akuzes i eshte derguar dje ambasades amerikane ne Tirane. Burime zyrtare nga ky institucion bene te ditur lajmin per gazeten "KJ" dhe thane se eshte kerkuar ndihma e Byrose Federale te Hetimit per analizat e ADN-se te viktimave dhe ekspertizes ne vendin e ngjarjes me aparatura bashkekohore. Po keshtu, nje tjeter kerkese eshte marrja e te dhenave per firmen kontraktore te cmontimit te municioneve, "Southern Ammunition Company inc". Menjehere pas letres se kryeprokurores, ambasada nepermjet nje deklarate beri te ditur se pas shperthimeve ne Gerdec mesoi per ekzistencen e nje kompanie amerikane nga karolina e Jugut. "Me sa kuptojme Prokuroria e Pergjithshme, si pjese e hetimeve te saj, do te hetoje edhe rolin e mundshem te SAC ne kete tragjedi. Ambasada e Sh.B.A. do te beje cdo gje brenda mundesive per te ndihmuar ne hetimin e Prokurores se Pergjithshme", mbyllet deklarata e dites se djeshme.

    Agjentet e FBI-se

    Por nevoja emergjente e prokurorise shqiptare mbetet eksperienca ne hetimin e kesaj ngjarje te rende qe tronditi mbare opinionin shqiptar dhe ate te huaj. Per kete qellim ne letren e derguar dje ne ambasade, nje prej kerkesave eshte edhe mberritja e specialisteve te Byrose Federale te Hetimit, FBI, ne Tirane. "Duke marre parasysh qe vendi yne nuk ka nje sektor te specializuar ne identifikimin e kufomave, Kryeprokurorja kerkon ndihem e aleateve te saj per te kryer kete proces te hetimit", tha nje zyrtar i organit qendror te akuzes. Agjentet e FBI-se do te jene edhe asistente te hetuesve shqiptare ne kryerjen e identifikimit te kufomave, si dhe per keqyrjen sa me te plote te vendit te ngjarjes. Mungesa e mjeteve te specializuara ne te tilla raste, si dhe prishja e vendit te ngjarjes, eshte arsyeja qe Rama kerkon dhe ndihmen e eksperteve te huaj. Pritet qe agjentet e FBI-se te kryejne nje studimin te plote kriminalistik ne fshatin Gerdec, ne fabriken ku edhe kryheshin cmontimet. Mesohet se ekspertiza e ADN-se do t'u kryhet jo vetem kufomave, por edhe pjeseve te trupit te gjetura ne afersi te vendit te ngjarjes, te cilat nuk dihet se kujt i perkasin. Burime nga organi i akuzes kane bere te ditur se laboratori, ne te cilin do te kryhet edhe analizat i perket SHBA-ve dhe eshte i specializuar. Nderkohe qe, agjentet e FBI-se pritet te mberrijne kete jave ne vendin tone, ku edhe do te nisin punen. Sipas burimeve zyrtare, keta te fundit do te sjellin edhe aparaturat per te kryer keto ekspertiza.

    Firma

    "Nepermjet kesaj letre, Kryeprokurorja i kerkon Shteteve te Bashkuara te Amerikes nje informacion te hollesishem ne lidhje me shoqerine "Southern Ammunition company inc", shoqeri kjo, e cila i ka zyrat e saj ne Karolina", thane dje zyrtare te organit te akuzes. Prokuroria kerkon te dije rreth aktivitetit te kompanise dhe themelimit te saj ne SHBA, duke perfshire edhe te dhena te tjera plotesuese. "Nepermjet ketyre informacioneve, organi qendror i akuzes kerkon te verifikoje lidhjet e tjera te kesaj kompanie me vendin tone, shtrirjen e saj gjeografike, si dhe specializimet ne lidhjet me llojet e armeve, te cilat merrte persiper te cmontonte", thuhet ne letren qe Rama i ka derguar ambasades.

    Prokuroria therret edhe Mediun

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, thirret per te dhene shpjegime ne lidhje me tragjedine e Gerdecit. Nepermjet nje flete-thirrjeje zyrtare, te firmosur diten e djeshme, Prokuroria e Tiranes i kerkon ish-ministrit qe te jape edhe shpjegime ne cilesine e personit qe ka dijeni per municionin qe ndodhej ne repart dhe procedurat e tjera per te cilat kishte kompetenca, deri ne kontraten e lidhur me firmen "Alba Demil". Prokuroria e Pergjithshme i ka deleguar te drejten akuzes se kryeqytetit per te mundesuar pyetjen e Mediut.


    K.J

Faqja 2 prej 63 FillimFillim 12341252 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Berisha të ikë, kryeministri i ri nga PD.
    Nga Dajti në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 143
    Postimi i Fundit: 21-12-2009, 03:38
  2. Balliu i "55" u pergjigjet akuzave per implikim ne aferat e Gerdecit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 76
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 12:23
  3. Shqiptari shmang tragjedine
    Nga AjSi në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 12-04-2009, 22:36
  4. Sot 1 vit nga tragjedia e Gërdecit
    Nga RaPSouL në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 24-03-2009, 19:53
  5. Moisiu: Nuk nënshkruaj shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku
    Nga Antimafia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 30-09-2007, 18:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •