E ceku Albo ne nje artikull me lart qe pritet deshmia e Mediut para prokurorise dhe ajo ka ndodhur. Per me shume lexoni artikullin me posht!
Mediu: Fajin e ka MEICO
Ish-ministri i Mbrojtjes dëshmon në Prokurori. Gjykata lë në burg Delijorgjin & Co
Në fshehtësi të plotë, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka dhënë deklarime para grupit hetimor, duke hedhur sadopak dritë mbi tragjedinë e Gërdecit. Rreth orës 08:00 të ditës së djeshme, ministri i dorëhequr është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, duke pranuar ftesën publike të një dite më parë të kryer nga kryeprokurorja Ina Rama. Burime nga grupi hetimor deklarojnë se gjatë marrjes në pyetje Mediu ka deklaruar se ka urdhëruar firmën "Meico" për të kryer kontrolle të imtësishme. Urdhri i ministrit të Mbrojtjes është nxjerrë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilit është ngarkuar "Meico" që të bëjë monitorimin dhe kontrollimin e procesin e demontimit të armëve. Ky urdhër i është dorëzuar grupit hetimor nga vetë ministri. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se: Në kuadër të hetimeve për ngjarjen e Gërdecit prokurorët e grupit hetimor në këtë çështje morën në pyetje ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Prokurorët morën fillimisht deklarimet e ish-ministrit Mediu dhe realizuan në vazhdim procesin e pyetjes së tij në cilësinë e deklaruesit që ka dijeni për rrethanat e çështjes.
130 dëshmi
Krahas ish-ministrit Mediu, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit ka marrë rreth 130 dëshmi, të cilat i janë bashkangjitur dosjeve dhe shkresave të marra nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas burimeve, deri më tani janë marrë në pyetje persona të Ministrisë së Mbrojtjes, të Shtabit të Përgjithshëm, si dhe punëtorëve në fabrikë që kanë dijeni për ngjarjen. Nga prokurorët e çështjes është sekuestruar i gjithë dokumentacioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe po punohet për të kërkuar akte të tjera në shërbim të hetimit. Ndërkohë, procesverbalet e marrjes në pyetje të të ndaluarve po verifikohen nga hetuesit e çështjes. Paraprakisht janë konstatuar disa pasaktësi në dëshminë e tyre. Drejtuesit e firmave mohuan kategorikisht para hetuesve që punëtorët që punonin në "fabrikën e vdekjes" të ishin të patrajnuar. Ata kanë hedhur poshtë deklaratat e të mbijetuarve, sipas të cilëve, në fabrikë lejoheshin edhe fëmijë për të punuar me transportin e arkave e barutit të gëzhojave. Sipas drejtuesve të firmave nënkontraktore të gjithë punëtorët kanë qenë të siguruar e të trajnuar për disa javë. Por në procesverbalet e prokurorëve janë shënuar dhjetëra dëshmi të të mbijetuarve, të cilët deklaronin se në firmë kanë punuar edhe persona të patrajnuar si dhe fëmijë. Gjithsesi, hetuesit e çështjes thanë se dëshmitë e drejtuesve të firmave janë ballafaquar me dëshmitë e punëtorëve. Një tjetër provë e organit të akuzës janë pamjet filmike të transmetuara në televizione, ku duken qartë se në fabrikë punonin fëmijë. Pamjet po analizohen dhe do të përdoren gjatë hetimeve të mëtejshme ndaj tre të arrestuarve, Mihal Delijorgji, kunati i tij, Dritan Minxholi, me detyrë drejtor ekzekutiv i kompanisë "Albademil" dhe drejtori i firmës "Meico", Ylli Pinari. Ndërsa në orët e pasdites së djeshme, prokuroria tha se ka bllokuar disa llogari bankare të Mihal Delijorgjit.
Firma qipriote
Armët, Henri Tomei në raportet e "Amnesty Internacional"
Henri Tomei (Heinrich Thomet) që në skenën shqiptare është paraqitur si përfaqësues i firmës EVDIN LTD në bisedat e publikuara mes biznesmenit Kosta Trebicka dhe presidentit të firmës "AEY Inc", është në fakt një personazh mjaft i njohur. I përmendur për tregtinë e dyshimtë edhe nga raportet ndërkombëtare. Ai është përfaqësues i firmës zvicerane "Brugger & Thomet", si dhe firmës AG BG Internacional. EVDIN LTD në Qipro duket fantazmë vetëm për të rritur dyfish çmimin e armatimit veç tregtisë ndërmjet shtetit shqiptar dhe firmës amerikane, ndërmjetësi qipriot EVDIN LTD (përfaqësues i të cilës është prezantuar edhe Delijorgji në takimin me Devirolin) futet në këtë kontratë për të rritur dyfish çmimin e fishekëve. Në një raport të gjendur në internet të "Amnesty Internacional" mbi trafikun e armëve përmendet zoti Thomet në një tregti të tillë nëpërmjet Izraelit së bashku me ish-atasheun ushtarak të Izraelit në Zvicër, i cili tashmë është nën hetim në Izrael. Kësaj radhe armët vinin nga Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia. Vetë Parlamenti Zviceran ka zhvilluar një seancë hetimore në lidhje me këtë çështje, ku emri i Thomet përmendet në raport.
Mediu: Kontrata për shitjen e armëve, brenda ligjeve
Ministri i dorëhequr, Fatmir Mediu, ka sqaruar pozicionin e tij në akuzat publike për trafik armësh nga Ministria e Mbrojtjes. Në një konferencë për shtyp mbrëmjen e djeshme, ai ka deklaruar se është përpara publikut për transparencë dhe për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ndihma e tyre ka qenë dhe do të ngelet jetike për Shqipërinë. "Kosta Trebickën e kam takuar vetëm, fare shkurt, me kërkesë të dy miqve të mi të opozitës dhe në prani të tyre. Ai më është paraqitur si përfaqësues i ambasadës amerikane dhe se punonte në një kompani që kishte kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe kërkonte që të vlerësohej si përfaqësues i kompanisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes", ka deklaruar Mediu. Më pas ka deklaruar se takimi ka zgjatur fare pak. "I kam thënë shkurt se procesi do të vlerësohej në rrugë zyrtare. Menjëherë pas këtij takimi të shkurtër, kam kontaktuar në zyrën time për problemet e ngritura me përfaqësuesit më të lartë të ambasadës dhe u kam kërkuar atyre që të procedonim nëse kontrata që ne kishim me kompaninë amerikane ishte e rregullt dhe e vlefshme. Mbas dy ditësh, po në zyrën time, më është komunikuar nga ambasada amerikane zyrtarisht se kanë marrë konfirmimin nga burimet e tyre se kontrata që ne kishim me kompaninë amerikane ishte kontratë e vlefshme", tha ish-ministri i Mbrojtjes. Sipas tij, si ministër nuk ka shkelur asnjë kontratë apo ligj të shtetit shqiptar. "Unë kam tre dokumente. Dokumenti i parë është nga Departamenti i Mbrojtjes, nga zëvendësasistent sekretari për çështje që kanë të bëjnë me probleme të tilla, ku vërtetohet marrëdhënia me kompaninë amerikane. E dyta, është nga një kompani që kryente veprimet ligjore të kësaj kompanie. Dhe e treta, është mbas një shqetësimi të ardhur nga një gazetar i "Nju Jork Tajms" që kishte probleme. I është kërkuar zyrtarisht drejtuesit të firmës që të bëjë vlerësimin e tij për kontratën dhe është shprehur me shkrim se nuk ka pasur asnjë presion apo problem me Ministrinë e Mbrojtjes", përfundoi Mediu.
Mbeten në burg. Të pandehurit:
Po të donim kishim ikur jashtë
Florion Serjani
Shumë i qetë, i veshur me një kostum sportiv blu të markës "Reebok", një bluzë pambuku të kuqe poshtë kostumit dhe shapka në këmbë, administratori i firmës "Alba Demil", Mihal Delijorgji, është përballur dje me togat e zeza me një vetëbesim dhe eufori të tepruar. "Mund edhe të isha larguar jashtë, pasi unë kam një pasaportë greke", i ka thënë ai gjyqtarit të gatshëm, por nuk e ka ndier veten fajtor dhe ndaj nuk i ishte shmangur drejtësisë. Në ndryshim prej tij, të pandehurit e tjerë, 55-vjeçari Ylli Pinari, i veshur me një kostum të errët, por pa rrip mesi dhe lidhëse këpucësh, si dhe Dritan Minxolli janë shfaqur më të drobitur dhe me pamje të vrarë.
Dje, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka caktuar masën e sigurisë burg pa afat për të tre të pandehurit e dosjes "Gërdeci". Procesi është zhvilluar nën masa të forta sigurie si në ambientet rreth gjykatës, ashtu edhe brenda sallës së gjyqit, ku për çdo të pandehurit kishte të paktën 3 policë. Të parët që e kanë marrë fjalën në seancë kanë qenë prokurorët e çështjes Etien Kapo dhe Arben.
Prokurorët
"Ndërmarrja MeiCo, sipas një urdhri të ministrit të Mbrojtjes, të nxjerrë në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, është ngarkuar që të kontrollojë procesin e demontimit të municioneve luftarake, që kryhej në fabrikën e Gërdecit", ka deklaruar prokurori Etien Kapo. Sipas tij, drejtori i MEICO-s mban përgjegjësi për moszbatimin e këtij urdhri, çka e ngarkon atë me përgjegjësi penale sipas nenit 282/2 të Kodit Penal. Prokurori tha se Pinari, duke pasur një pasaportë shërbimi, për shkak të pozicionit të punës, ka rrezikshmëri largimi nga vendi, prandaj duhet mbajtur në burg deri në përfundimin e hetimeve. Ndërsa prokurori Dollapi, i cili kishte hetuar veprimtarinë e dy të pandehurve të tjerë, ka thënë se në fabrikën e Gërdecit "janë shkelur në mënyrë të dukshme rregullat e sigurisë teknike", si dhe është punësuar një personel i patrajnuar, madje deri edhe fëmijë. Ai deklaroi se deri në momentin e nisjes së dosjes për në gjykatë nga kjo ngjarje rezultonin 21 viktima, çka ngarkonte me përgjegjësi administratorin e firmës dhe drejtorin e saj, për të cilët kërkoi masën e sigurisë "burg pa afat". Materialet e dosjes së paraqitur nga akuza janë mbështetur kryesisht në këqyrjen e kufomave që ndodheshin në morg, si dhe në dëshmitë e personave që kanë mundur të mbijetojnë nga tragjedia.
Të pandehurit
Dy nga të pandehurit, Delijorgji dhe Pinari, e kanë mbështetur mbrojtjen e tyre në faktin se ata të dy kishin pasur mundësi për t‘u larguar nga vendi pas tragjedisë, por nuk e kishin bërë një gjë të tillë. Avokati i Pinarit deklaroi se në momentin e ngjarjes ky i fundit ndodhej me shërbim në Nuremberg të Gjermanisë dhe është kthyer menjëherë prej andej sapo ka mësuar për ngjarjen. Gjithashtu, sipas avokatit Pinari, ka një "Green Card" amerikane dhe nëse do të donte mund të kishte ikur, por e kishte ndier si detyrim moral të kthehej.
Delijorgji ka preferuar të flasë më shumë vetë, me gjithë prezencën e avokatit të tij. Ai ka deklaruar se ka qenë administrator i firmës së bashku me shtetasin amerikan Patrick Henry dhe të dy së bashku kanë caktuar një drejtor të përgjithshëm, i cili kishte të gjitha përgjegjësitë teknike dhe administrative. I pyetur nga gjyqtari i çështjes, nëse ai si administrator duhej të kontrollonte zbatimin e ligjit në fabrikë, Delijorgji u përgjigj se ai kishte vetëm përgjegjësi administrative dhe jo teknike.
I fundit që ka folur nga të pandehurit ka qenë drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli. 30-vjeçari ka deklaruar se ishte caktuar në këtë detyrë një vit më parë dhe që atëherë ai jetonte në ambientet e brendshme të fabrikës. Sipas tij, në fabrikë ka pasur një rregullore të sigurisë teknike në punë dhe ajo rregullore ishte zbatuar. Duke dashur të tregojë sigurinë që ekzistonte në fabrikë, Minxolli i është drejtuar gjykatësit me këto fjalë: "Përderisa unë jetoja në fabrikë do të thotë se nuk kishte rrezik. Unë nuk i kam mbushur 30 vjeç dhe nuk kisha ndonjë dëshirë të vdisja". Në përfundim të seancës gjykata ka dhënë vendimin e saj, duke i lënë në burg pa afat të tre të pandehurit.
Delijorgji: Në 15 mars kam ndihmuar në Gërdec
"Ditën e tragjedisë unë kam shkuar në Gërdec dhe në momentin e shpërthimit të madh kam qenë 300 metra larg fabrikës", mësohet të ketë thënë dje gjatë seancës gjyqësore Mihal Delijorgji, pronari i "Alba Demil". Ai ka pretenduar se gjatë shpërthimi madje i është dëmtuar edhe makina e tij tip fuoristradë dhe se ai kishte ndihmuar njerëzit e dëmtuar dhe banorët e zonës për t‘u larguar nga zona e rrezikshme. Por, Delijorgji ka theksuar se ka edhe disa kompani të tjera në pronësi. "Unë nuk kam frikë të rri në burg, por kam në pronësi edhe 4-5 kompani të tjera, në të cilat punojnë rreth 400 punëtorë. Nëse do të më lini në burg këta punëtorë mund të mbeten pa punë", ka thënë ai në gjyq.
Qetësia e Delijorgjit, del duke qeshur nga gjykata
Administratori i firmës "Alba Demil" nuk është dukur shumë i dëshpëruar nga ajo që ndodhi në fabrikën e tij ushtarake në fshatin Gërdec, ku mbetën të vdekur më shumë se 20 persona. Dje ai është shfaqur krejt i qetë në dyert e Gjykatës së Tiranës, e madje për çudinë e të gjithëve nuk ka ngurruar të dalë me buzëqeshje prej saj, pasi ishte njohur me masën e sigurisë. Nuk dihet nëse buzëqeshja e tij i dedikohej faktit se po dilte nga një proces, vendimin e të cilit e kishte marrë parasysh që përpara se të hynte, apo për t‘u treguar gazetarëve të shumtë që ishin të pranishëm, se nuk ishte shumë i shqetësuar për fatin e akuzave që ka ngritur drejtësia ndaj tij. Për Delijorgjin nuk është hera e parë që hyn si i pandehur në dyert e gjykatës, por, siç edhe deklaroi vetë dje përpara gjykatësit të gatshëm, ka dalë i pafajshëm prej andej. Dje nisjen e procesit të dytë ndaj tij, bosi i "Alba Demil" e kaloi me buzëqeshje, por mendohet se ky proces do të jetë më i gjatë se i pari.
Shqip
Krijoni Kontakt