Close
Faqja 2 prej 12 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 116
  1. #11
    4.1 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)



    Vepra e njohur përgjithësisht me emrin Meshari nga Gjon Buzuku është libri i parë në gjuhën shqipe e njëherazi një nga frytet më interesante në historinë e letërsisë shqiptare, të paktën nga pikëpamja gjuhësore e kulturore.
    Për shkak se ballina dhe gjashtëmbëdhjetë faqet e para të kopjes së vetme të njohur të kësaj vepre historike mungojnë, për titullin origjinal dhe vendin e botimit vetëm mund të hamendësohet. Është vërtetë një mrekulli që ky monument i madh i letrave shqiptare ka ardhur deri në ditët tona. Për autorin e Mesharit shqiptar dihet pak. Nga tiparet dialektore të gegërishtes veriperëndimore të tekstit, mund të gjykohet se familja e Gjon Buzukut duhet të jetë diku nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndoshta afër Shestanit, tani në territorin e Malit të Zi. Ato të dhëna të pakta që kemi për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit, të cilën Buzuku e shkroi me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur ç'përmasa historike do të merrte kjo punë e tij:

    "U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s'anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë s~ i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot'ynë atyne qi t'a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi m~ shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t'inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot'ynë të ketë mishërier ënb§ jã, e ata qi u monduonë dierje tash, m~ mos u mondonjënë. E ju t'ini të zgjiedhunitë e t'inë Zot, e për-herrë Zot'ynë k~ me klenë me jã, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue b~m, Zot'ynë ka(a) me shtuom ëndër jã, se të korëtë t'aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u m~ duo të ënbaronj vepërënë t'eme, t'inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. një-zet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë m~ i ditëshim se u, ata faj e lus t'a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë m~ e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t'anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj 'ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dí anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t'enë Zonë ende për muo."(1)

    Është thënë në mënyrë bindëse se Buzuku nuk ka jetuar brenda Shqipërisë, por diku në Adriatikun verior në Republikën e Shën Markut, ka të ngjarë në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479(2). Në Venedik Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi se në Shqipëri për shkollimin e nevojshëm letrar e për specializimin si prift. Mendimi i përgjithshëm është se Meshari i Buzukut ka qenë botuar në Venedik, ndonëse po njëlloj mund të mendohet edhe për qendra botuese të bregdetit dalmat. Me sa duket, vepra nuk ka pasur ndonjë përhapje të gjerë, prandaj dhe ka mbetur vetëm me një kopje të ardhur deri në ditët tona.

    Rallësia e saj pa dyshim është rrjedhojë e politikës së lëkundur kishtare gjatë Koncilit të Trentit (1545-1563) e më pas. Ka shumë të ngjarë që, në atmosferën e Reformës, kisha të ketë dhënë në fillim autorizimin për këtë përkthim, por më vonë, në shenjë ripohimi të doktrinës katolike tradicionale të Kundërreformës dhe në atmosferën e përgjithshme të frikësimit që mbretëronte gjatë Inkuizicionit, të jetë orvatur të mos lejojë vepra në gjuhën vendëse. Dihet se shumë vepra fetare e liturgjike kanë qenë ndaluar apo hequr nga qarkullimi
    për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nga 1568 deri 1598, dhe është plotësisht e mundshme që Meshari i Buzukut të ketë qenë ndër to. Kjo do të shpjegonte si numrin e vogël të kopjeve të veprës ashtu dhe mungesën e qarkullimit të saj.
    Autorët e mëvonëshëm të letërsisë së hershme shqiptare, si Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622) dhe Frang Bardhi (1606-1643) duket se nuk e kanë njohur Mesharin, ndonëse eruditi Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), në një raport për Propaganda Fiden më 1665, duke cekur çështjen e mungesës së librave në gjuhën shqipe dhe, duke renditur botimet për të cilat kishte dëgjuar, përmend një 'Euangelii in Albanese' (Ungjill në shqip)(3). Është krejtësisht e mundshme që ta ketë pasur fjalën për Mesharin e Buzukut dhe se ka shënuar titullin origjinal të veprës.

    Kopja e vetme e ardhur deri në ditët tona e Mesharit të Buzukut u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Ai e cilësoi këtë zbulim si "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i Seminarit shqiptar në Palermo. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri ka bërë pjesë në koleksionin e pasur
    të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit(4). Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga Monsinjor Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941),

    __________________________________________________ _________________

    1 Transkriptim fonetik nga Ressuli 1958, f. 379.

    2 kr. Zamputi 1988.

    3 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.

    4 Ai tani është kataloguar nën Ed. Prop. IV. 244.
    __________________________________________________ _________________


    peshkop e dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin është botuar vetëm pjesërisht(5). Më 1929 u bënë tri kopje të tjera për studiuesin françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili botoi fragmente të Mesharit një vit më pas në shtypshkronjën françeskane në Shkodër(6). Për herë të parë botimi i plotë u mor përsipër më 1958 nga Namik Ressuli (1908-1985), përfshirë një fotokopje e një transkriptim(7). Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari Eqrem Çabej (1908-1980) bëri botimin e tij kritik në dy vëllime në Tiranë(8). Vëllimi i parë i Mesharit të Çabejt përmban një studim hyrës me një transliterim të të gjithë tekstit; vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik, i cili përbën një ndihmë të madhe për të kuptuar drejtshkrimin e Buzukut, që është shpesh me gabime.

    Meshari në fillim përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh, nga të cilat kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Libri përmban jo vetëm një meshar (lutje e rite për gjithë vitin), por edhe shumë fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, psallmet dhe litanitë katolike. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së Vjetër e të Re, fakt ky që lehtëson mjaft interpretimin e tekstit, i cili nuk u është shmangur gabimeve të shtypit apo kapërcimeve. Të 188 faqet e tekstit përfshijnë 154,000 fjalë me një fjalor të përgjithshëm prej rreth 1500 leksemash(9).

    Meshari u botua në stilin gjysëmgotik të Italisë së veriut me shkronja latine, përfshirë edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike për tingujt që nuk gjenden në latinishte apo italishte. Për këtë arsye shtypshkronja e Buzukut duhet të ketë pasur kontakt me serbo-kroatishten, në veçanti me karakteret e shkrimit bukvica të përdorur në Bosnjë. Stili i shkronjave i ngjan atij të përdorur në Venedik më 1523 dhe 1537, ku kishin qenë botuar edhe mesharët në cirilikë për katolikët e Bosnjës. Mario Roku (Mario Roques, 1875-1961) vëren në studimin e tij për tekstet e lashta në gjuhën shqipe(10) se Buzuku u ishte borxhli sllavëve katolikë të Bosnjës, Dalmacisë dhe Serbisë jo vetëm për shkronjat cirilike e për tipografinë venedikase, por ndoshta edhe për vetë idenë që t'u jepte bashkëvendësve një meshar në gjuhën e tyre. Roku, gjithashtu, bën krahasime të përmbajtjes me një meshar boshnjak të botuar më 1512, dhe në veçanti disa elemente françeskane që na japin çelesa të tjerë të tërthortë për të njohur autorin dhe veprën e tij.

    Gjuha e Buzukut, sikundër u tha më sipër, paraqet tipare të gegërishtes veriperëndimore nga viset e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndonëse në të takohen edhe elemente të dialekteve të tjera. Kjo na shpie në përfundim që Buzuku është përpjekur të përdorë një gjuhë më gjerësisht të kuptueshme se dialekti i tij vendës ose, që mund të jetë edhe më e vërtetë, se ai ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë. Jo vetëm që gjuhës së Buzukut i mungon krejtësisht ai ndikim i fortë nga turqishtja i shqipes së mëvonëshme, por ajo edhe përmban shumë tipare çuditërisht arkaike të padokumentuara ndryshe, të cilat deri tani, falë kompleksitetit të sistemit shkrimor të përdorur prej tij, janë hetuar veçse pjesërisht. Për historianët e gjuhës Buzuku është

    __________________________________________________ _________________


    5 kr. Schirò & Petrotta 1932.

    6 kr. Rrota 1930.

    7 kr. Ressuli 1958.

    8 kr. Çabej (red.) 1968.

    9 Për leksikun e Buzukut, kr. K. Ashta, 1964-1966.

    10 kr. Roques 1932b.
    __________________________________________________ _________________


    minierë të dhënash. Gjon Buzuku nuk ishte një krijues i mirëfilltë i letërsisë. Meshari i tij, me përjashtim të pas-shënimit, është thjesht një konglomerat përkthimesh nga tekste fetare në gjuhën latine. Por si autor i librit të parë në shqip, mund të thuhet se është ai që e lindi shqipen letrare. Stili i rrjedhshëm i tij ka bërë që disa studiues të hamendësojnë për ekzistencën e njëfarë tradite letrare në Shqipërinë veriore të asaj kohe, por deri më sot nuk është zbuluar ndonjë vepër më e hershme.

  2. #12
    4.2 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)



    Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567-1619) ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Sicilisë. Ai ka lindur ose në Horën e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi, që në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos ose në Monreale, pinjoll i një familjeje arbëreshe që kishte emigruar në Sicili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e saktë e lindjes nuk dihet(11). Për pesë vjet, ka të ngjarë nga 1582 deri më 1587, ai studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më 1577, dhe pastaj u kthye në Sicilinë e tij të lindjes. Është përmendur në 'Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit Grek që nga themelimi e deri më 1640', ku shkurt thuhet: "Lekë Matrënga nga Monreale e Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine, pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj".

    Nga një dëshmi pagëzimi mësojmë se Matrënga u mor me detyra pastorale midis arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet në dhjetor 1601. Dëshmia thotë: "Unë, Don Lekë Matrënga, famullitar në këtë kishë të Shën Gjergjit, pagëzova një foshnjë mashkull më tridhjetë të nëntorit të kaluar, birin e Antoni dhe Venera Zalapit, dhe emri iu vu Andrea. Kumbar ishte Françesko i të nderuarve Josep dhe Beatriçe Guzeta, kurse kumbare ishte Domenika, e bija e të nderuarve Josep e Beatriçe Guzeta, e shoqja e Joan Muzakës nga kjo krahinë e Pianës(12)." Për jetën e Matrëngës nuk dihet gjë tjetër. Vdiq si kryeprift më 6 maj 1619.

    Lekë Matrënga ka mbetur si autor i një vepre të titulluar E mbsuame e krështerë(13), Romë 1592 (Doktrina e Krishterë), një katekizëm prej njëzetetetë faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht e priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja në dorëshkrim e përkthimit, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme(14), i pari nga të cilat është me sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Nga data e shënuar në variantin e parë, mësojmë se Matrënga e ka përfunduar përkthimin e tij më 20 mars 1592 në Piana dei Greci. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti (Guglielmo Facciotto) 'me lejen

    __________________________________________________ _________________

    11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme. Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572.

    12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr. 835, fletë 85.

    13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.

    14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më 1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
    __________________________________________________ _________________


    e eprorëve' dhe u zbulua nga Mario Roku (Mario Roques)(15). Ai është mbështetur në njërin prej varianteve të dorëshkrimit të redaktuar keq dhe përmban shumë gabime. Titulli i plotë i botimit është:

    "Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma"

    (Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti At Ledesma i Shoqatës së Jesuit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)

    Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmën, e cila është një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmës në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare.

    Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të fundit. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij(16) ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit.

    Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450
    fjalësh. Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një ide prekëse dhe titullohet thjesht 'Canzona spirituale' (Këngë e përshpirtshme):

    "Cghíthaeue u thaerés cúx dó ndaegliésae,
    Tae mírae tae chraextée búra e gráa,
    Mbae fiálaet tae tinaezót tae xíchi méxae,
    Sé síxtae gneríj néx cciae mcátae scáa,


    __________________________________________________ _________________
    15 kr. Roques 1932b, f. 19.

    16 kr. Ashta 1957, 1965.
    __________________________________________________ _________________


    Elúm cúx e cuitón sé cáa tae vdésae,
    E mentae báxcae mbae taenaezónae i cáa,
    Sé chríxti ndae parráisit i baen piésae,
    E baen paer bijr tae tij e paer vaeláa."



    (Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
    Të mirë të krështee burra e graa,
    Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
    Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
    E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
    E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
    Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
    E bën për bir të ti e për vëllaa.)

  3. #13
    4.3 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)



    Dy breza pas Gjon Buzukut vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë. Pjetër Budi(17) (1566-1622), autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër. Në moshën njëzetenjëvjeçare u dorëzua prift katolik dhe u dërgua menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkëvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si 'kapelan i kristianizmit në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.

    Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër Portës.
    Më 1599 Budi u emërua famullitar i përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, post që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Pozita e tij kishtare ishte nga shumë anë vetëm një mbulesë për aspiratat e tij politike.

    Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë. Më 1616 Pjetër Budi vajti në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikqyrur botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një pelegrinazh

    __________________________________________________ _________________
    17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj 1966, Riza 1979, Svane 1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli 1986.
    __________________________________________________ _________________


    tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e kurisë romake kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur. Më 20 korrik 1621 u bë peshkop i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), d.m.th. i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe më fort e natyrës politike se fetare. Një nga synimet e tij ishte që klerikët e huaj të zëvendësoheshin me shqiptarë vendës, veprimtari kjo që nuk duhet të ketë qenë pritur mirë nga disa eprorë të tij në Itali. Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta(18).
    Mjaft nga të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën Budi ia drejtonte kardinal Goxadinit (Gozzadini) në Romë, e në të cilën ai parashtron planet dhe strategjinë për një kryengritje në Ballkan. Në këtë letër ai theksonte edhe:

    "... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona."

    Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave fetare tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?
    Vepra e parë e Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe ruhet një kopje origjinale në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

    "Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."

    (Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i kishës së shenjtë Santa Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga Reverend Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e eprorëve.)

    E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte kardinal dhe jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i kishës më 1930, Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin. E ashtuquajtura Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër

    __________________________________________________ _________________
    18 kr. Zamputi 1958, 1985.
    __________________________________________________ _________________


    gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
    Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregacioni i Propaganda Fides në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
    Me interes më të madh letrar se katekizmi vetë janë pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

    Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:

    "Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv."

    (Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)

    Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
    Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe."

    Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
    Në shikim të parë Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është

    __________________________________________________ _________________

    19 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 246.

    1986.

    20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo 1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli
    __________________________________________________ _________________


    më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë
    të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22)
    .
    Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: "Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255):

    "Dies irae, dies illa
    Solvet saeclum in favilla,
    Teste David cum sibylla.

    Quantus tremor est futurus
    Quando judex est venturus,
    Cuncta stricte discussurus.

    Tuba mirum spargens sonum
    Per sepulcra regionum
    Coget omnes ante thronum..."

    "Ajo ditë me mënii
    Qi të vinjë ndë e vonë
    Këtë shekullë të zii
    Ta diegë e ta përvëlonjë,

    Si Profeta ban dëshmii
    Me sibilënë, po thonë,
    I madh gjyyq e mënii

    Të vinjë për mkate tonë.
    Saa dridhmë e cokëllimë
    Të jeenë përgjithanë,


    __________________________________________________ _________________

    21 kr. Riza 1979, f. 120.

    22 kr. Ashta 1966.
    __________________________________________________ _________________


    E n qiellshit shkepëtimë
    Nd'ajërit e madhe gjamë...
    (23)"

    Tërheqëse në poezinë e Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë. Një vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut. Ajo nis kështu:

    "O i paafati njerii,
    Gjithë ndë të keq harruom,
    I dhani ndë madhështii,
    Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

    Ndo plak jee, ndo j rii,
    Përse s'shtie të kuituom,
    I vobeg ndo zotënii,
    N ceije iee kriiiuom?

    Balte e dheu cë zii,
    E io ari cë kulluom,
    As engjiishi cë tii,
    Ndo guri cë paaçmuom;

    Kaha të vien n dore tyy,
    Mbë të madh me u levduom,
    Ndë sqime e ndë madhështii,
    Tinëzot me kundrështuom?

    Lavdinë tand të levduom,
    Ti pa vene ree vetë,
    Ame cote idhënuom,
    Kuur leve mbë këtë jetë,

    Aty s'prune begatii,
    As vistaar të levduom,
    As urtë a diekëqii,
    As gurë të paaçmuom;

    Aty s'prune madhështii,
    As dinje me ligjëruom,
    As vertyt as trimënii,
    As vetiu me ndimuom;

    Aty s'prune zotënii,
    Kual të bukur as të çpeitë,
    As dinje gjak e gjeni,
    As të mirëtë as të keqtë;



    __________________________________________________ _________________
    23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar.
    __________________________________________________ _________________


    Po leve gjithë mëndryem,
    Ame n cote idhënuom,
    Tue qaam mallënjyem,
    Me një zaa të helmuom
    (24)..."

  4. #14
    4.4 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)



    Frang Bardhi (1606-1643) është i katërti në radhën e shkrimtarëve të hershëm shqiptarë me emër. Ai është autor i fjalorit të parë shqiptar, të botuar në Romë më 30 maj 1635, që njëherazi përbën në gjuhën shqipe veprën e parë pa brendi fetare të drejtpërdrejtë. Frang Bardhi, i njohur edhe si Frano Bardhi apo Frangu i Bardhë, kurse në latinishte si Franciscus Blancus apo Blanchus, lindi në Nënshat ose Kallmet (në veri të Lezhës) në krahinën e Zadrimës të Shqipërisë veriore në një familje me tradita në dërgimin e djemve të saj për peshkopë kishe apo për ushtarë a nëpunës të Republikës së Venedikut. Ungji i tij qe peshkop i Sapës e i Sardës. Bardhi u dërgua në Itali ku studioi për teologji, ashtu si Pjetër Budi, në Kolegjin Ilirian të Loretos, afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Më 30 mars 1636, pa dyshim nën ndikimin e familjes, ai u emërua peshkop i Sapës e i Sardës, duke zëvendësuar të ungjin, i cili u bë kryepeshkop i Tivarit (Antivari). Para nisjes për në Shqipëri më 8 prill të atij viti, ai mori 'imprimatur'-in e domosdoshëm për botimin e dytë të Doktrinës së Kërshtenë të Budit, që mban emrin e tij:

    "Nos Franciscus Blancus Dei, & Apostolicae Sedis gratiae electus Episcopus Sappatensis, & Sardanensis... vidimus ac studiose considerauimus versionem Doctrinae christianae in Epiroticum idioma olim impressam ac publicatam..."

    (Ne Frang Bardhi, në emër të Zotit e të Selisë Apostolike, i zgjedhur peshkop i Sapës dhe i Sardës... kemi parë dhe shqyrtuar me imtësi variantin e Doktrinës së Krishterë në gjuhën epirote të shtypur e të botuar dikur...)

    Që nga viti 1637, Bardhi vazhdoi t'i dërgojë nga Shqipëria Kongregacionit të Propaganda Fides raporte(25) italisht e latinisht, që përmbanin një minierë të tërë të dhënash për dioqezën e tij, për ngjarjet politike, zakonet shqiptare dhe për strukturën e vendin që zinte kisha. Nëntëmbëdhjetë nga këto letra dhe raporte ruhen në arkivin e Propaganda Fides. Më 1641, dy vjet para vdekjes, dihet se ka ardhur në Romë për të dorëzuar një raport me dorën e vet. Pas një jete të shkurtër por të dendur si shkrimtar e si figurë kishtare, Frang Bardhi vdiq më 9 qershor 1643 në moshën tridhjeteshtatëvjeçare.

    Viti i fundit në Kolegjin e Propaganda Fides qe ai kur Frang Bardhi njëzetënëntëvjeçar botoi fjalorin 238-faqesh latinisht-shqip, për të cilin ka mbetur në histori(26). Kjo vepër që mban

    __________________________________________________ _________________

    24 Transkriptimi i përshtatur nga Ismajli 1986, f. 64-67.

    25 kr. Zamputi 1956, 1963b/1965b.

    26 Gjenden dy botime të fjalorit, duke përfshirë të dy kopjet fotostatike të origjinalit: Roques 1932a, dhe Sedaj 1983. Për studime të mëtejshme kr. K. Kamsi 1956, Ashta 1962, 1971-74, Geci 1965, Daka 1983, dhe Demiraj 1986.
    __________________________________________________ _________________


    titullin Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht me disa shprehje të përditshme), përmban 5640 zëra latinisht të përkthyer shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë. Në parathënien e tij shqip të titulluar "Githë atyne tarbenesceve ghi ta marrene mee zghiedhune e mee zan", Bardhi shpjegon synimet e tij:

    "Tve passune dite, e perdite (te dascunite e mij mbassi hina nde College) cuituem me ghisc zoppe Libre chesce me ndimuem mbe gna ane ghiuhene tane, ghi po bdarete, e po bastastardhohete saa maa pare te vè; e maa fort me ndimuem gith e atyne ghi iane ndurdhenite tine zot, e te Scintesse Kisce Cattoliche, e sdijne ghiuhene Latine, paa te ssijet as cusc smune scerbegne si duhete, paa te madh error, e fai, hesaapete, zaconete, e Ceremoniate e Scintesse Kiscesse Romesse. Me ndy io pach mire me marre, e me nchethyem nghiuhet ze Letine mbe ghiuhet Tarbenesce gna Ditionaar, ghi tietre sascte vecesse gna Libre, ghi kaa nde uetehe saa fiale, e saa emena iane, e gingene nde chete piesse Seculi: possi cuur me thanë, te Nienezet, e te Stasseuet, & Vienauet, e te Maleuet, e te Fuscavet, e te saa tiera cafsceue, ghi gindene ndene kielt, ende mbi kielt, possi cuur te tine zot, te Engiet, e te Scintenet &c. I silli Libre me pelghiei, e mu duch se chiste me u chiene per ndoogna ndime, ndoonesse te pache..."

    (Pasi vrava mendjen për ca kohë (të dashurit e mij, pasi hyra në kolegj) se me ç'lloj libri do të mundja nga njëra anë të ndihmoja gjuhën tonë që përherë e më tepër po bdaret e po bastardhohet dhe, nga ana tjetër, të ndihmoja të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit e të Kishës së Shenjtë Katolike e që nuk e dijnë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk mund t'u shërbejë ideve, zakoneve dhe ceremonive të Kishës së Shenjtë të Romës ashtu sikundër duhet, pa bërë gabime të mëdha, mendova se do të ishte ide e mirë të hartoja e të përktheja një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe, që nuk është tjetër veçse një libër me fjalë dhe emra të ndeshur në këtë pjesë të botës. Pra, emra njerëzish, kafshësh, ujrash, malesh, fushash dhe gjëra të tjera që gjenden në qiell e në tokë, si dhe zoti, engjëjt dhe shenjtorët etj.. Ky libër më pëlqen mua dhe shpresoj se do t'u ndihmojë sadopak të tjerëve.)

    Siç shihet, dy synimet e këtij fjalori ishin të shpëtonin gjuhën shqipe nga 'bastardhimi' e të ndihmonin klerin shqiptar të mësonte latinishten. Synimi i parë mund të vështrohet në kuadrin e atij ndikimi të fortë që turqishtja po ushtronte mbi gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Si do të çmonte një prift katolik shprehjen 'Allah, Allah!', që Bardhi e jep si shprehje admirimi? Synimi i dytë del qartë në letrat dhe raportet e Bardhit dërguar Romës, në të cilat ai ankohet për nivelin e klerit shqiptar. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kisha katolike në Shqipërinë veriore ishte në gjendje shthurjeje të shpejtë. Shumica e peshkopatave qenë të paplotësuara me klerikë, ndërkaq shumë prej tyre qenë pa shkollë. Pjesa më e madhe e shërbyesve shqiptarë në kisha me sa duket kishin njohuri të cekëta për doktrinën e kishës, kurse shumë syresh, për të mos mbetur prapa kolegëve ortodoksë, qenë të martuar. Synimi i Bardhit ishte t'i ndihmonte për të mësuar latinishten si për të ngritur nivelin ashtu edhe për të kapërcyer nevojën për një kler të huaj shpesh pa emër të mirë brenda këtij vendi, kler ky që, nga ana e vet, e dinte pak ose aspak gjuhën shqipe. Në një rast raportohej me keqardhje se grave shqiptare u duhej të rrëfeheshin nëpërmjet përkthyesit. Në njërin nga raportet e tij, të datuar 8 shkurt 1637, Bardhi shton se kishte përkthyer vepra të tjera kishtare(27) në gjuhën shqipe, çka dëshmon se

    __________________________________________________ _________________

    27 Professione della fede (Dëshmia e fesë) dhe Ordine del Sinodo posto nel pontif. Romano (Rendi i sinodit të vendosur në pontifikatin roman). kr. Shuteriqi 1976, f. 73.
    __________________________________________________ _________________


    fjalori latinisht-shqip nuk qe e vetmja vepër e tij në shqipe. Nuk dihet nëse këto përkthime të tjera u botuan e u vunë ndonjëherë në qarkullim.
    Fjalori i Bardhit është vepra e parë në leksikografinë shqiptare dhe deri diku vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Me sa duket, ka pasur qarkullim të mirë. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë(28) gjendeshin rreth 360 kopje të këtij libri. Dictionarium latino-epiroticum nuk është as punim sistematik e as
    i hartuar në një mënyrë të lehtë për nevojat praktike të përdoruesit, por si vepër e parë e këtij lloji, autorit mund t'i falen mangësitë. Bardhi nuk e ka të vështirë të japë në shqipe terma konkretë, por gjuha e tij shpesh ngec e nuk ecën kur ndodhet para konceptesh më abstrakte: materia "aste gna cafsce, seayet te tierate bahene (një gjë nga e cila bëhen gjërat e tjera)", substantia "aste gna caffsce ghi mbaa giaal nierine (një gjë që mban gjallë njeriun)", patria "dheu cu aste leem nierye (dheu ku është lindur njeriu)".
    Me jo më pak interes se vetë fjalori është shtojca prej tridhjetë e tri faqesh, e ndarë në shtatë krerë (1. emra dhe numërorë, 2. tituj familjarë, 3. qytete dhe kështjella, 4. ndajfolje, 5. parafjalë, 6. pasthirrma, 7. proverba, fjalë të urta, dialogë dhe përshëndetje). Një pjesë e mirë e shtojcës është katërgjuhëshe (latinisht, italisht, shqip dhe turqisht).

    Duke renditur fjalorin e tij të shqipes sipas pjesëve të ligjëratës, Bardhi na jep skeletin e një gramatike të shqipes. Të 113 proverbat dhe fjalët e urta që ai përfshin në fjalor, e para përmbledhje e tillë, si dhe dialogët që vijnë më pas, janë me rëndësi parësore si për historianët e gjuhës ashtu edhe për folkloristët.
    Në frymën e shekullit të shtatëmbëdhjetë, para korpusit të fjalorit janë vënë katër vjersha të shkurtra panegjirike latinisht, të shkruara nga bashkëstudentët e Bardhit në Kolegj: Stefan Gaspari (Stephanus Gasparus) nga Durrësi, Françesk Azopardi (Franciscus Azzopardus) nga Malta dhe Mateu Dudesi (Matthaeus Dudesius) nga Dalmacia; vjershat lëvdojnë veprën e Bardhit dhe e krahasojnë me Ovidin dhe Homerin.

    Bardhi ka botuar gjithashtu një traktat shtatëdhjetë e gjashtë faqesh latinisht për Skënderbeun, të titulluar Georgius Castriottus Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum Princeps fortissimus ac invictissimus suis et Patriae restitutus, Venedik 1636, (Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbe, vetë Princi i fuqishëm e i pathyeshëm i Epirit, i kthehet popullit dhe vendit të tij), në të cilin ai hedh poshtë mëtimin e peshkopit boshnjak Tomeus Marnavitius se heroi kombëtar shqiptar ishte me prejardhje boshnjake. Ajo është një vepër erudite dhe me ndjenjë atdhetare, e ngjashme me polemikat që bëhen dhe çmohen edhe sot në Ballkan.

    Ndihmesa e Frang Bardhit për vetë letërsinë shqiptare, parathënia e tij gjashtë faqesh për fjalorin e parë shqiptar, është modeste. Por duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e shkrimit shqip në gjysmën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, vepra e tij nuk është pa rëndësi të madhe. Si humanist me përkushtim të fortë për përparimin e popullit të vet dhe si dijetar me horizont të gjerë kulturor, ai zë një vend kyç në zhvillimin e kulturës së hershme shqiptare.

  5. #15
    4.5 Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)



    Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), i njohur në italishte si Pietro Bogdano, është shkrimtari i fundit dhe dukshëm më origjinali i letërsisë së hershme në Shqipëri, autor i Cuneus
    __________________________________________________ _________________

    28 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 257.
    __________________________________________________ _________________


    prophetarum (Çeta e profetëve), vepra e parë e rëndësishme në prozë e shkruar drejtpërdrejt shqip (d.m.th. jo përkthim)(29). Lindur në Gur të Hasit afër Prizrenit rreth vitit 1630(30), Bogdani u edukua me traditat e kishës katolike, së cilës i kushtoi gjithë energjitë e veta. I ungji Ndre Bogdani (Andrea Bogdani, rreth 1600-1683) ishte argjipeshkëv i Shkupit dhe autor i një gramatike latinisht- shqip, tani e humbur. Për Bogdanin thuhet se shkollimin e parë e ka marrë nga françeskanët në Çiprovac të Bullgarisë veriperëndimore dhe pastaj ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës, sikundër edhe paraardhësit e tij Pjetër Budi dhe Frang Bardhi. Nga 1651 deri më 1654 ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në filozofi e teologji. Më 1656 u emërua Peshkop i Shkodrës, post që e mbajti për njëzet e një vjet, dhe u caktua administrator i Kryedioqezës së Tivarit deri më 1671. Gjatë viteve të turbullta të luftës turko-austriake, 1664-1669, u fsheh në fshatrat Barbullush e Rjoll të Shkodrës.

    Edhe sot e kësaj dite emrin e tij e mban një shpellë ku qe strehuar atëhere. Më 1677 pasoi të ungjin si kryepeshkop i Shkupit dhe administrator i Mbretërisë së Serbisë. Me zellin fetar dhe zjarrin atdhetar në zemër ai mbeti në konflikt me autoritetet turke dhe, në atmosferën e luftës e të rrëmujës që mbretëronte, u detyrua të ikë në Raguzë (Dubrovnik), nga ku vazhdoi rrugën për në Venedik dhe Padovë, me dorëshkrimet me vete. Në Padovë u prit me përzemërsi nga kardinal Gregorio Barbarigo (1622-1697), të cilit i kishte shërbyer në Romë. Kardinali Barbarigo, peshkop i Padovës, ishte ngarkuar për të ndjekur çështjet kishtare të Lindjes dhe kishte interes të madh për kulturën e Orientit, përfshirë Shqipërinë. Ai kishte ngritur edhe një shtypshkronjë në Padovë, Tipografia del Seminario(31), që shërbente për nevojat e gjuhëve orientale dhe kishte matrica për gjuhët hebraike, arabe e armene. Kështu që Bogdani, në punët me vlerë historike që po ndërmerrte, do të ndihmohej nga Barbarigo me dëshirën e mirë, gatishmërinë dhe aftësitë e tij.

    Pasi i vuri punët në vijë për botimin e Cuneus prophetarum, Bogdani u kthye në Ballkan në mars 1686 dhe i kaloi vitet e tjera duke mbështetur qëndresën kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, sidomos në Kosovë. Ai organizoi bashkimin e një force prej 6000 ushtarësh shqiptarë me ushtrinë austriake që kishte mbërritur në Prishtinë dhe e shoqëroi në marrjen e Prizrenit. Por atje, ai dhe pjesa më e madhe e ushtrisë së tij u ndeshën me një kundërshtar tjetër po aq të tmerrshëm, me sëmundjen e murtajës. Bogdani u kthye në Prishtinë, por sëmundja e vuri poshtë përfundimisht më 6 dhjetor 1689. I nipi, Gjergji, bënte të ditur më 1698 se eshtrat e të ungjit ishin shvarrosur më pas nga ushtarët turq e tartarë dhe u ishin hedhur qenve në mes të sheshit në Prishtinë. Kështu përfundoi një nga figurat më të mëdha të kulturës së hershme shqiptare, shkrimtari i përmendur shpesh si babai i prozës shqiptare.

    Cuneus prophetarum, traktati i tij i gjerë mbi teologjinë, u botua shqip e italisht pikërisht në Padovë më 1685, me ndihmën e kardinalit Barbarigo. Bogdani e kishte përfunduar variantin shqip dhjetë vjet më parë, por nuk i qe dhënë leja e botimit nga Propaganda Fide, e

    __________________________________________________ _________________

    29 Studimet më të plota për Bogdanin deri më sot janë kryer nga Sciambra 1965 dhe Rugova 1982. Shih edhe Weigand 1927, Zamputi 1954, 1963a, V. Kamsi 1962, Riza 1965a, Redzepagiƒ 1966, Xholi 1986a/1986b, Marlekaj 1989, Shuteriqi 1989, Marquet 1989, 1991, Kostallari (red.) 1991, Plasari 1994b, Fortino 1995, dhe Sh. Osmani 1996.

    30 Disa autorë pëlqejnë ta datojnë vitin e lindjes 1625, por megjithatë viti 1630 ka më shumë të ngjarë.

    31 kr. Bellini 1938.
    __________________________________________________ _________________


    cila urdhëroi që dorëshkrimi paraprakisht të përkthehej(32), pa dyshim për të lehtësuar punën e censorit. Titulli i plotë i variantit të botuar është:

    "Cvnevs prophetarvm de Christo salvatore mvndi et eivs evangelica veritate, italice et epirotice contexta, et in duas partes diuisa a Petro Bogdano Macedone, Sacr. Congr. de Prop. Fide alvmno, Philosophiae & Sacrae Theologiae Doctore, olim Episcopo Scodrensi & Administratore Antibarensi, nunc vero Archiepiscopo Scvporvm ac totivs regni Serviae Administratore"

    (Çeta e profetëve të Krishtit, shpëtimtar i botës dhe i fjalës së tij të vërtetë, botuar në gjuhët italiane e epirote dhe ndarë në dy pjesë nga Pjetër Bogdani i Maqedonisë, student i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fides, doktor në filozofi e teologji të shenjtë, ish-peshkop i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, kurse tani kryepeshkop i Shkupit dhe Administrator i mbarë Mbretërisë së Serbisë).

    Cuneus prophetarum u shtyp me alfabetin latin sikundër përdorej në botimet italisht, duke shtuar po ato shkronja cirilike që patën përdorur Pjetër Budi e Frang Bardhi, veprat e të cilëve duket se Bogdani i ka njohur. Dihet se gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, Bogdani ka kërkuar libra shqip nga shtypshkronja e kolegjit: "pesë kopje të Doktrinës së Krishterë dhe pesë fjalorë shqip", me siguri vepra të Budit e të Bardhit. Në një raport dërguar Propaganda Fides më 1665, ai gjithashtu përmend një 'Evangelii in Albanese' (Ungjij në shqip)(33), për të cilët kishte dëgjuar, dhe ka të ngjarë të jetë Meshari i Buzukut i vitit 1555.

    Cuneus prophetarum u botua në dy shtylla përkrah njëra-tjetrës në çdo faqe, njëra shqip e tjetra italisht, në dy vëllime, secili prej tyre kishte katër pjesë (scala). Vëllimi i parë, i cili në fillim ka disa përkushtime e panegjirika të shkruara latinisht, shqip, serbisht dhe italisht, dhe përfshin dy vjersha shqip tetëvargëshe, njëra nga kushëriri i tij Lukë Bogdani (Luca Bogdani) dhe tjetra nga Lukë Suma (Luca Summa), trajton kryesisht tema nga Dhjata e Vjetër: i) Si e krijoi Zoti njeriun, ii) Profetët dhe rrëfimet e tyre për ardhjen e Mesisë, iii) Jeta e profetëve dhe profecitë e tyre, iv) Jeta e dhjetë Sibilave. Vëllimi i dytë, i titulluar De vita Jesu Christi salvatoris mundi (Mbi jetën e Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës), i kushtohet kryesisht Dhjatës së Re: i) Jeta e Jezu Krishtit, ii) Mrekullitë e Jezu Krishtit, iii) Vuajtjet dhe vdekja e Jezu Krishtit, iv) Ringjallja dhe ardhja e dytë e Krishtit. Kjo pjesë përfshin një përkthim nga Libri i Danielit, 9, 24-26, në tetë gjuhë: latine, greke, armene, siriake, hebraike, arabe, italiane dhe shqipe, dhe pasohet nga një krye mbi jetën e Antikrishtit, me tregues italisht dhe shqip dhe me një shtojcë trifaqesh mbi Antichità della Casa Bogdana (Lashtësia e Shtëpisë së Bogdanëve).

    Kjo vepër u rishtyp dy herë nën titullin "L'infallibile verità della cattolica fede", Venedik 1691 dhe 1702 (E vërteta e pagabueshme e besimit katolik)(34).

    Cuneus prophetarum merret si kryevepra e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare të plota letrare e artistike në gjuhën shqipe. Ajo përfshin një gamë të gjerë: filozofi, teologji, shkencë (me trajtime në gjeografi, astronomi, fizikë e histori). Ndërsa me poezinë dhe prozën letrare të saj prek çështje të estetikës e të teorisë së letërsisë. Ajo është një

    __________________________________________________ _________________

    32 "Compositio de qua fit mentio, translatetur" (Shkrimi për të cilën është fjala, le të përkthehet). kr. Zamputi 1954, V. Kamsi 1962, Riza 1965a, Rugova 1982, f. 46.

    33 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.

    34 Cuneus prophetarum gjendet edhe në rishtypje që i është bërë në ditët tona, kr. Bogdani 1977 dhe 1989.
    __________________________________________________ _________________


    vepër humaniste e Epokës Baroke e ndikuar nga traditat filozofike të Platonit, Aristotelit, Shën Agustinit dhe Shën Thoma Akuinit. Qëllimi filozofik themelor i Bogdanit është njohja e Zotit, zbërthimi dhe shpjegimi i problemeve të qenies, çka ai e kryen me armët e arsyes e të mendjes. Edhe pse talenti i Bogdanit bie më shumë në sy në prozë, poezisë së tij të thjeshtë fetare nuk i mungon eleganca. Trungun e poezisë së tij e përbëjnë vjershat për dhjetë Sibilat (e Kumës, e Libisë, e Delfit, e Persisë, e Eritresë, e Samosit, e Kumanit, e Helespontit, e Frigjisë, e Tivolit), vjersha që përshkohen nga prirja e shija baroke për tema fetare dhe aludime klasike. Ja, për shembull, Sibila e Persisë:

    "Kumbon zani malsh e keletth ndë shkretëti,
    Xihariq me dhan'e u e të dërejtë,
    Shekullit me çelë, e fajevet për mengji,
    Pagëzimnë predikon mbë ketë jetë,
    Kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
    Ndë parrijsit vendtë gjanjë si do vetë,
    Tue trusun' kryetë asaj bishe,
    Mirë tu bam, e shpesh tu votë n'kishe."


    Nga të gjithë shkrimtarët e tjerë të hershëm shqiptarë Bogdanin e dallon shqipja e tij e veçantë. Ai kishte një interesim të vetëdijshëm për fjalët e vjetra të harruara si dhe një leksik shumë të pasur, të cilin e përdori me mjeshtëri për të shprehur nocione të reja abstrakte. Bogdani filozofon mbi skolasticizmin dhe teologjinë me siguri dhe zhdërvjelltësi, ndërkohë që paraardhësi Frang Bardhi, pesëdhjetë vjet para tij, kishte hasur vështirësi të dukshme për të shprehur nocione abstrakte të çdo lloji. Në veprën e Bogdanit ndeshemi për herë të parë me atë që mund të quhet gjuhë letrare. Kësisoj, ai e meriton të mbajë cilësimin e babait të prozës shqipe.

  6. #16
    4.6 Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë



    Vepra të tjera të letrave shqiptare janë të pakta e të rralla, larg njëra-tjetrës, si palma që shfaqen aty-këtu në horizontin e një shkretëtire letrare. Asnjëra syresh nuk ka ndonjë vlerë të veçantë letrare, edhe pse, në këtë periudhë, çfarëdo shkrimi në gjuhën shqipe mund të marrë rëndësi kulturore, gjuhësore e historike.
    Për qenien e një numri veprash në gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë dihet vetëm ngaqë përmenden ose prej autorëve të tyre ose nga studiues të mëvonshëm. Më sipër zumë në gojë, për shembull, dy përkthimet fetare që Frang Bardhi njofton se i ka bërë dhe gramatikën latinisht-shqip të Ndre Bogdanit, ungji i Pjetër Bogdanit.

    Një përkthim tjetër fetar në shqipe ishte ai i Neofit Rodinosë (Neofito Rodinò, 1576-1659), misionar qipriot. Rodinoja ka kaluar disa vjet në ngulimet arbëreshe në Italinë jugore, përfshirë Munxifs (ital. Mezzoiuso) në Sicili dhe Barill (ital. Barile) në Potenzë. Nga 1628 deri më 1643 ai jetoi dhe punoi në krahinën e Himarës në Shqipërinë jugore. Bashkë me studentin e tij Dhimitër Delvina (Demetrio Dervino), prift shqiptar, ai përktheu shqip një Doktrinë të Krishterë për përdorim fetar. Origjinali ndoshta ka qenë ai i Jakob Ledesmës(35), i përkthyer më

    __________________________________________________ _________________

    35 kr. Shuteriqi 1976, f. 74.
    __________________________________________________ _________________


    parë nga Lekë Matrënga. Në letrën dërguar Propaganda Fides më 28 gusht 1637, Rodinoja shkruante:

    "Tra alcuni scolari mei che tengo, vi è un sacerdote detto Demetrio, il quale possede elegantissimamente la lingua albanese per esser della nation, et è catholico vero; perciò mi sono posto a tradur la dottrina christiana, quella che è contenuta in soli duoi fogli, in questa lingua, la qual spero in Iesu Christo sarà di utilità apreso loro. Con altra occasione, e spero presto, la manderò, perchè ancora non è finita, pregando a Vostra Signoria Illustrissima la proponga alla Sagra Congregatione, acciò dii ordine che si stampi."

    (Ndër studentët e tjerë që kam është një prift me emrin Dhimitër, që e di gjuhën shqipe në mënyrë shumë të zhdërvjelltë, meqenëse është i atij kombi dhe katolik i vërtetë; për këtë arsye, i hyra përkthimit të Doktrinës së Krishterë, që jepet në këtë gjuhë vetëm në dy vëllime e që besoj në Jezu Krishtin se do t'u vlejë atyre. Do t'ua dërgoj më vonë, shpresoj së shpejti, meqë ende nuk e kam përfunduar, me lutje Shkëlqesive Tuaja që t'ia propozoni Kongregacionit të Shenjtë në mënyrë që të japin urdhrin për ta botuar.)(36)

    Por Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fides, si zakonisht, nuk ishte fort i interesuar për të pasur vepra fetare në gjuhën shqipe, iu përgjigj vetëm se Doktrina e Krishterë ishte përkthyer e botuar tashmë shqip, duke e pasur fjalën sigurisht për botimin e dytë të përkthimit të Pjetër Budit, dhe se nuk ishte nevoja t'i hynte mundimit për ta përkthyer përsëri. Kështu vepra e Neofit Rodinosë mbeti në dorëshkrim dhe humbi. Sikundër kemi vërejtur më sipër, mjaft nga të dhënat tona për Shqipërinë në këtë periudhë dalin prej letrave dhe raporteve dërguar Propaganda Fides nga misionarë dhe kishtarë vendës që shërbenin në Ballkan. Këto raporte shpesh përfshinin jo vetëm çështje të lidhura me kishën, por edhe të dhëna të rëndësishme për zhvillimet politike, si dhe për historinë, gjeografinë dhe zakonet e popullsisë fisnore vendëse.

    Në njërin nga këto raporte, me datën 14 shkurt 1633 dhe me titullin 'Trajtesë e shkurtër për kombin shqiptar e, në veçanti për banorët e malësisë së Dukagjinit', hasim një listë me tridhjetë e dy fjalë shqip(37), për të cilat autori i saj Pjetër Mazreku (Pietro Maserecco, vd. 1634), nga Prizreni, kryepeshkop i Tivarit, orvatet të japë etimologji dhe shpjegime. Shumë prej tyre të kujtojnë imagjinatën naive të Shën Isidorit të Seviljes njëmijë vjet para tij. Pjetër Mazrekut mund t'i njihet kësisoj merita e babait të studimeve etimologjike shqiptare.

    Në vitin 1638 u botua në shqipe një vjershë e Zhan Zhak Bushar-it (Jean Jacques Bouchard, 1606-1641?) në një libër me titull Monumentum romanum, Nicolao Claudio Fabricio Perescio, senatori Aquensi doctrinae virtutisque causa factum, Romë 1638, që përmbante tipa vjershash në shumë gjuhë asokohe ekzotike si, fjala vjen, gjuhët hindu dhe japoneze, kushtuar Nikola Klod Fabri de Peires (Nicolas Claude Fabri de Peiresc), mecenat frëng i arteve dhe shkencave nga Aix-en-Provence dhe mik i filozofit Pier Gasendi (Pierre Gassendi, 1592-1655) dhe i astronomit Galileo Galilei (1564-1642). Autori arbëresh i vjershës në shqip, Daniel Korteze (Daniel Cortese), pati lindur në Ungër (ital. Lungro) në Kalabri më 1617 dhe pati ndjekur studimet në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë nga viti 1631 deri më 1639, ashtu si dhe Lekë Matrënga një shekull para tij. Vjersha e tij me gjashtë vargje 'Carmen albaniense sev epiroticvm' (Këngë shqiptare apo epirote) është një panegjirikë e

    __________________________________________________ _________________

    36 kr. Karalevskij 1912, f. 196.

    37 kr. Roques 1932a, Zamputi 1964a, 1964b, L. Marlekaj 1995.
    __________________________________________________ _________________


    thjeshtë e pa ndonjë meritë të vërtetë letrare a gjuhësore(38).

    "Scerbese himiri hiscte na ringraziome
    Atà ce ben mirè ghidhue cusctii hisctè
    Zoti NICOLO ce beri mirè ghidhue
    Asctu vete iemi baiture na te
    Ringraiziome atà edhue na me
    Gliucha dhenè"


    (Është shërbim i mirë. Falënderojmë
    Ata që të gjithëve u bëjnë të mira. Kështu ishte
    Zoti Nikolla, i cili të gjithëve u bënte mirë.
    Prandaj vetë jemi të shtrënguar
    T'i falenderojmë edhe ne
    Në gjuhën tonë.)

    Duke gjykuar nga drejtshkrimi, ka të ngjarë që Daniel Korteze të jetë njohur me veprat e Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe Frang Bardhit, ndonëse jo doemos edhe me ato të Lekë Matrëngës. Vjersha e tij e vogël përbën dokumentin e tretë më të vjetër në dialektin tosk (pas Ungjillit të Pashkëve dhe Matrëngës) dhe të parin dokument nga Kalabria.

    Një tjetër Doktrinë e Krishterë, që ndoshta mbetet për t'u zbuluar, është ajo e Bernardit të Kuintianos (Bernardus a Quintiano apo Quinzano) ose të Veronës. Është një përkthim në gjuhën shqipe i së ashtuquajturës Doktrinë e Krishterë 'e vogël' e Shën Robert Belarminit (1542-1621), e përkthyer gjithashtu nga Pjetër Budi më 1618. Bernardi(39) ishte një prift françeskan dhe misionar që shërbeu në Shqipëri nga viti 1636 deri më 1649, ku thuhet se e mësoi mirë gjuhën. Doktrina e tij e Krishterë u botua vërtet në Venedik më 1675. Pjetër Bogdani e njihte këtë vepër dhe në një letër dërguar Propaganda Fides nga Shkodra më 3 janar 1676 njoftonte:

    "Gjatë kohës që kalova në Venedik verën e shkuar sigurova dhe me shpenzimet e mia rishtypa Doktrinën e Krishterë të vogël në gjuhën shqipe e në italishte të përkthyer me saktësi nga Reverendi At Bernardi i Veronës, dhe meqë i mora të gjitha kopjet me vete për t'ua shpërndarë klerikëve anembanë Shqipërisë, e gjykova të nevojshme t'i dërgoj një kopje Kongregacionit të Shenjtë nëqoftëse ata dëshirojnë ta ribotojnë në Propaganda Fide për t'u dhënë mundësi brezave të ardhshëm, ngaqë është mjaft e frytshme.(40)"

    Një vepër tjetër që me siguri do të ishte me interes për leksikografët, është një Dictionarium epiroticum, një fjalor shqip i hartuar para vitit 1678 nga një Leo i Çitadelës (Leo da Cittadella), një misionar italian që shërbeu në dioqezën e Shkodrës më 1671. Vdiq më 1678. Si e ku, mbetet e panjohur.

    __________________________________________________ _________________

    38 kr. Shuteriqi 1958, 1973, f. 72-73.

    39 kr. Roques 1936b, f. 33-34, Shuteriqi 1976, f. 79.

    40 kr. Arkivi i Propaganda Fides, S. R. C. Albania II, f. 137. Nëse Doktrina e Krishterë e Bernardit të Kuintianos ruhet ende në bibliotekën e Propaganda Fides, kjo është e vështirë të thuhet, përderisa ende nuk ka kurrfarë katalogu të hollësishëm të materialeve të këtij arkivi historik që mund të kenë vlera albanologjike. kr. Kowalsky & Metzler 1983.
    __________________________________________________ _________________


    Arkivi i Propaganda Fides përmban gjithashtu një letër të shkruar shqip, me datën 30 mars 1689(41). Ajo u drejtohet autoriteteve kishtare nga pleqësia e Gashit në Shqipërinë verilindore, për t'u tërhequr vëmendjen lidhur me gjendjen e tyre, sidomos për faktin se për katër vjet me radhë kishin pritur t'u vinin priftërinjtë e premtuar nga Kongregacioni i Shenjtë. Arsyeja e përfshirjes së tekstit shqip të letrës, të hartuar për ta së bashku me variantin italisht nga famullitari dalmat i Pultit Xhorxhio Toliç (Giorgio Tolich), ishte pa dyshim që të theksonin vështirësitë gjuhësore me të cilat po ballafaqohej kisha në Shqipëri. Kuptimplotë është fakti se Toliçi përdor drejtshkrimin e Budit dhe Bogdanit, tregues ky se veprat e këtyre dy shkrimtarëve njiheshin prej tij.

    Një vepër e shënuar e leksikografisë shqiptare, e hartuar para vitit 1694, është fjalori shqip-italisht, italisht-shqip(42) i murgut sicilian Nilo Katalano (Nilo Catalano, 1637-1694). Katalano ka lindur afër Mesinës në Sicili dhe ka shërbyer si misionar në krahinën e Himarës në bregdetin e Shqipërisë jugore, ashtu si dhe bashkatdhetari i tij Neofit Rodino. U emërua kryepeshkop i Durrësit dhe famullitar apostolik i Himarës më 1693 dhe vdiq një vit më pas më
    3 qershor. Dihet gjithashtu se u ka dhënë mësim të gjuhës shqipe arbëreshëve të Munxifsit (ital. Mezzoiuso). Dorëshkrimi i veprës së tij Vocabolario albanese-italiano et italiano-albanese (Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip) u bë i ditur nga Xhuzepe Krispi (Giuseppe Crispi, 1781-1859)(43) se ndodhej në Bibliotekën e Seminarit Shqiptar në Palermo më 1831. Më vonë ai ra në duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (Giuseppe Schirò senior, 1865-1927)(44), i cili thotë se fjalori është në dialektin verior gegë (që nuk flitet as në Sicili e as në Himarë) dhe shpreh pikëpamjen se për këtë arsye ai mund të jetë një kompilim i fjalorit të Frang Bardhit dhe i veprave të Pjetër Budit e të Pjetër Bogdanit(45). Fjalori shoqërohet me shënime gramatikore për gjuhën shqipe dhe me dy faqe me shkrim grek. Ai përmbante në fillim edhe një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të shkruara me alfabetin grek, përfshirë 'Këngën e Pal Golemit', që Skiroi e botoi më 1923(46). Nëse këto këngë janë ende në këtë dorëshkrim, ato do të përbënin përmbledhjen më të vjetër të këngëve popullore arbëreshe, duke ia kaluar me mbi dyzet vjet më herët përmbledhjes që mendohet se e ka bërë Nikollë Filja (Nicolo Figlia, 1682?-1769).

  7. #17
    4.7 Përfundime



    Të pesë shkrimtarët kryesorë shqiptarë të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe

    __________________________________________________ _________________
    41 kr. Bartl & Camaj 1967.

    42 kr. Roques 1932b, f. 35-36, Dh. Shuteriqi 1976, f. 88, 1995, Kastrati 1980, f. 4-6.

    43 kr. Crispi 1831.

    44 Shuteriqi 1976, f. 88, njofton se ky dorëshkrim ndodhet sot në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Por Gangale 1973 nuk e përmend fare në katalogun e tij të Koleksionit Shqiptar (Albansk Samling) të shënuar atje.

    45 kr. G. Schirò 1917-1918.

    46 kr. G. Schirò 1923, f. 22-25.
    __________________________________________________ _________________


    shtatëmbëdhjetë: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, formojnë bërthamën e letërsisë së hershme shqiptare. Ata i dhanë kësaj letërsie frymëmarrjen e parë të talentit krijues dhe farën e imët të zhdërvjelltësisë dhe nivelit artistik. Së bashku me një radhë autorësh dytësorë që u përmendën më sipër si dhe pa dyshim me të tjerë që u kanë humbur analeve të historisë së letërsisë, ata sollën në jetë një letërsi që u zhvillua vrullshëm, por që do të mbytej në djep, si të thuash, nga shtrëngesat e rrjedhës së historisë shqiptare. Ato që mund të kishin qenë rrënjë të forta të një letërsie kombëtare dinamike, si ato që u rritën në rajonet më fatlume të Evropës në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u këputën dhunshëm nga pushtimi turk dhe, si pasojë, nga dobësimi dhe rënia e mbrojtësit disi kontradiktor të Shqipërisë, kishës katolike.

    Pushtimi turk dhe kolonizimi i vendit, që kishte filluar që më 1385, e ndau Shqipërinë në tri sfera kulture, të gjitha në thelb të pavarura nga njëra-tjetra: kultura kozmopolite e Orientit islamik që përdorte në fillim turqishten, persishten dhe arabishten si mjete shprehjeje, trashëgimia e zgjatur bizantine e Ortodoksisë greke në Shqipërinë jugore dhe kultura në zgjim e arbëreshëve në Italinë e jugut, të ushqyer nga një klimë shoqërore, politike, ekonomike më e favorshme si edhe nga trualli intelektual i qytetërimit italian. Me pushtimin osman të Ballkanit, letërsia e hershme shqiptare menjëherë rrudhet e rrëgjohet dhe me aq mbyllet përfundimisht kreu i parë i shquar i historisë së kësaj letërsie. Deri para se të vinte lëvizja e Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, letërsia në Shqipëri nuk do të mund të rifitonte atë karakter jetësor që kishte pasur në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë. Letërsisë kombëtare do t'i duhej përsëri të fillonte nga e para.

  8. #18
    5. SHKËLQIMI I ORIENTIT.
    LETËRSIA MYSLIMANE E SHEKULLIT XVIII DHE FILLIMIT TË SHEKULLIT XIX





    5.1 Kushtet historike dhe kulturore



    Më 28 qershor 1389 turqit mundën koalicionin e forcave ballkanike nën udhëheqjen serbe në Fushë-Kosovë, dhe u bënë zotër të Ballkanit. Më 1393 turqit kishin pushtuar Shkodrën, ndonëse venedikasit do ta rimerrnin pas pak kohe bashkë me kështjellën madhështore të saj. Pushtimi i Shqipërisë vazhdoi edhe në vitet e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë. Kështjella malore e Krujës u mor më 1415, kurse qytetet po aq strategjike të Vlorës, Beratit dhe Kaninës
    në Shqipërinë e jugut ranë më 1417. Deri më 1431 turqit e kishin përfshirë Shqipërinë jugore brenda Perandorisë Osmane dhe kishin ngritur administratën e 'sanxhakut' me kryeqytet Gjirokastrën, të pushtuar më 1419. Shqipëria feudale e veriut mbeti në dorë të fiseve autonome, ndonëse tani nën suzerenitetin e Sulltanit.

    Pushtimi turk nuk u prit pa kundërshtime nga ana e shqiptarëve, sidomos në kohën e Gjergj Kastriotit, të njohur me emrin Skënderbej (1405-1468), princ dhe tani hero kombëtar. I dërguar nga i ati si peng te Sulltan Murati II (sundoi 1421-1451), djaloshi Kastriot u kthye në fenë islame dhe mori shkollim mysliman në Edrene (Adrianopol). Turqit e quajtën Iskander dhe i dhanë titullin bej, nga edhe vjen emri Skënderbej. Më 1443 Skënderbeu përfitoi nga shpartallimi i turqve në Nish nga ana e komandantit hungarez Janosh Huniadi (rreth 1385-1456) dhe braktisi ushtrinë osmane, u kthye në Shqipëri dhe ripërqafoi kristianizmin. Arritja e madhe e parë e tij qe bashkimi i fiseve feudale të përçara të Shqipërisë veriore në Lidhjen e Lezhës më 1444. Me anë të një dredhie ai mori kështjellën e Krujës dhe u shpall kryekomandant i një ushtrie shqiptare, e cila, ndonëse e pavarur, as mund të krahasohej me fuqinë kolosale ushtarake të turqve. Më 1453 vetë Konstantinopoja ra në duart e forcave të Sulltan Mehmetit II Ngadhënjimtarit (sundoi 1451-1481), duke i dhënë fund kësisoj Perandorisë Romake Bizantine njëmijëvjeçare të Lindjes. Por Shqipëria, ndonëse e braktisur në fatin e saj, nuk do të dorëzohej lehtë.

    Në vitet më pas, Skënderbeu zmbrapsi me sukses trembëdhjetë sulme osmane, përfshirë edhe tre rrethimet e mëdha të kështjellës së Krujës, të udhëhequra nga vetë sulltanët (Muradi II më 1450 dhe Mehmeti II më 1466 dhe 1467). Për qëndresën ndaj turqve ai gëzoi adhurimin e madh të botës kristiane dhe iu dha titulli 'Atleta Christi' nga papa Kalisti III (sundoi 1455-1458). Qëndresa shqiptare u mposht vetëm pas vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1468 në Lezhë. Më
    1478 kështjella e Krujës u mor përfundimisht nga forcat turke, më 1479 ra Shkodra dhe, më në fund, më 1501 ra Durrësi. Me fundin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë Perandoria Osmane ishte ngritur në zenitin e saj politik dhe Shqipëria do të nënshtrohej krejt gjatë katër shekujve të kolonizimit turk, i cili ia ndërroi rrënjësisht faqen vendit.

    Studiuesit e sotëm shqiptarë kanë prirjen t'i vështrojnë pasojat e këtyre shekujve të sundimit turk si tërësisht negative, me hordhi barbare aziatike që shkatërrojnë dhe plaçkisin një vend që, përndryshe do të kishte lulëzuar në djepin e qytetërimit evropian. Kjo pikëpamje mjaft e njëanshme vjen e përcaktohet në një shkallë të madhe nga përvoja e lëvizjes kombëtare shqiptare në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur Perandoria Osmane qe në një periudhë kalbëzimi të thellë. Edhe pse pushtimi turk i Shqipërisë u solli vuajtje të pafundshme banorëve të këtij vendi, ai solli edhe një kulturë të re e të përpunuar, e cila më vonë do të bëhej pjesë përbërëse e identitetit shqiptar.

    Islami, si një fé e re, kishte çarë midis veriut katolik dhe jugut ortodoks të Shqipërisë dhe, me kalimin e kohës, u bë besimi sundues i vendit. Ndonëse gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të sundimit turk ndër vetë shqiptarët kishte pak myslimanë, deri në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë llogaritet se pesëdhjetë përqind e popullsisë së Shqipërisë veriore ishin kthyer në fenë islame(1.) Katolicizmi romak dhe ortodoksizmi grek e serb në Shqipëri kishin qenë, në fund të fundit, mjete transmetimi kulturash të huaja, të vëna në lëvizje nga gjuhët e huaja. Ato ishin fe në të cilat shqiptarët, në krahasim me fqinjët serbë, bullgarë e grekë, kishin qenë konvertuar vetëm në mënyrë të sipërfaqshme. Kthimi masiv i popullsisë shqiptare në fenë islame bëhet edhe më i kuptueshëm po të kemi parasysh taksat e rënda (haraç) që iu vunë rajave, banorëve kristianë të Perandorisë.

    Hasan Kaleshi (1922-1976)(2) ka shprehur një mendim bindës kur ka thënë se pushtimi turk i Ballkanit e pati të paktën një rrjedhojë pozitive - i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi etnik prej sllavëve, ashtu si sikundër vërshimi sllav në Ballkan në shekullin e gjashtë i pati dhënë fund procesit të romanizimit që kishte kërcënuar me asimilim paraardhësit jo-latinishtfolës të shqiptarëve një mijë vjet më parë. Ndonëse të panjohur nga turqit si pakicë etnike (popullsia e Perandorisë Osmane ndahej sipas fesë e jo sipas kombësisë), shqiptarët ia dolën mbanë të mbijetonin si popull dhe, në thelb, të zgjeronin zonat e ngulimeve të tyre nën sundimin turk. Shkodra dhe qendrat e tjera qytetëse përgjatë bregdetit shqiptar u bënë për të parën herë qytete të vërteta shqiptare dhe me popullsi shqiptare.

    Perandoria Turke, me organizimin e saj qendror dhe bazën pushtetore të përqendruar në Stamboll, e la Shqipërinë në një amulli kulturore e politike, siç kishte qenë që në fillim, ndërsa kultura turke osmane, që do të arrinte kulmin gjatë Epokës së Tulipanit në shekullin e tetëmbëdhjetë, depërtoi thellë në mbarë vendin. Qytete jugore e qendrore të Shqipërisë si Berati dhe Elbasani me kalatë, xhamitë dhe medresetë e ndërtuara rishtas, u bënë qendra krahinore të dijes orientale dhe përjetuan vërtet njëfarë rilindje kulturore nën Islamin, ashtu si dhe Shkodra e Gjakova në veri. Poetë, artistë dhe dijetarë shëtitës filluan të gëzojnë përkrahjen e qeveritarëve dhe pashallarëve vendës ashtu si ndodhte në mbarë Azinë e Vogël.

    Sikundër autorët e parë të Shqipërisë kristiane kishin shkruar latinisht apo greqisht, ashtu edhe shkrimtarët e parë nga Shqipëria myslimane përdorën mjetet letrare të Perandorisë Osmane: turqishten(3) dhe persishten, bile shumë prej tyre me sukses të dukshëm.

  9. #19
    5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.



    Një nga më origjinalët ndër poetët e hershëm të Perandorisë Osmane ishte Mesihi i Prishtinës(4) (rreth 1470-1512) i njohur në turqishtë si PriÕtineli Mesihi. Mendohet se ka qenë

    __________________________________________________ _________________

    1 Për islamizimin e Shqipërisë, kr. Arnold 1896, Rossi 1942, Stadtmüller 1955,
    Skendi 1956b, dhe Bartl 1968.

    2 kr. Kaleshi 1975.

    3 Për historinë e letërsisë turke në Shqipëri, kr. Karateke 1995.

    4 kr. Gibb 1902, vëll. 2, f. 226-256, Bombaci 1969, f. 330-333, Morina 1987, dhe Kaleshi 1991, f. 22-24.
    __________________________________________________ _________________


    shqiptar nga Prishtina, edhe pse duhet të ketë banuar në Stamboll që në moshë të njomë e më pas. Mesihi nuk qe vetëm një poet jashtëzakonisht i talentuar, por edhe një mjeshtër me talent për kaligrafi, dhe pati postin e sekretarit të Kadim Ali Pashës gjatë sundimit të Bajazidit II (sundoi 1481-1512). Një Õehr o—lani (djalë qyteti) qefli, sikundër e cilëson biografi Ashik Çelebi, Mesihinë mund ta gjeje më lehtë nëpër parqe e bahçe dëfrimi me miqtë dhe dylberët e tij sesa në punë. Ndonëse mënyra hedonistike e jetesës do t'ia ketë penguar përparimin në karierë, ai krijoi atë që mund të quhet si ndër më të mirat poezi osmane të kohës së vet. Më e përmendura është Murabba'-i bahar(5) (Odë për pranverën) e cila, pas botimit në përkthim latinisht më 1774 nga orientalisti Sër Uilliam Xhounz (Sir William Jones, 1746-1794), do të bëhej poezia më e njohur turke në Evropë për një kohë të gjatë. Ajo fillon kështu:

    "Dinle bülbül kissasin kim geldi eyy~m-i bah~r
    Kurdi her bir b~—da heng~me heng~m-i bah~r

    Oldi s§m efs, ~n ana ezh~r-i b~d~m-i bah~r
    'Ays, ã nãs, et kim geçer kalmaz bu eyy~m-i bah~r"


    (Dëgjo bilbilin, ditët e pranverës kanë ardhur,
    Stina e pranverës i ka gjallëruar tërë kopshtet,

    Lulet e bajames lëshojnë rreze të argjendta,
    Pi dhe bëj qef, se ditët e pranverës të ikën e të lënë.)

    Më origjinale se 'Odë për pranverën' është poezia e Mesihisë Ôehr-engîz (Tmerri i qytetit), që pas pak kohe do të bëhej model i një gjinie letrare të re në poezinë osmane. Në 186 kupletet e tij ai i këndon bukurisë dhe nurit të dyzet e gjashtë djelmoshave të Edrenesë (Adrianopojës). Është kjo një kryevepër e poezisë turke të fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë që, me lojën e fjalëve dhe humorin therës, sjell një farë lehtësimi e shlodhjeje në mes të atij vërshimi të përgjithshëm të poezisë intelektualiste mistike. Mesihi pranon me humor se vjersha e tij është mëkatare, por edhe se ka besim që Zoti do ta falë: "Zemra ime bredharake është bërë aq shumë copash, saqë secila ka vajtur te njëra prej atyre bukurive."

    Një shkrimtar tjetër i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me prejardhje shqiptare ishte Jahja bej Dukagjini(6) (vd. 1575), i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Yahyâ bey ose TaÕlicali Yahyâ. Pinjoll i një fisi dukagjinas që banonte në alpet e zhveshura shqiptare në veri të lumit Drin, ai vetë doli nga krahina e Plevlës, tani në veri të Malit të Zi, dhe u dërgua në rini për të shërbyer si jeniçer. Ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë të shkolluar në shërbim të Perandorisë Osmane, nuk e kishte lënë në harresë prejardhjen e tij shqiptare. Në njërën nga vjershat e tij thotë:


    "Arnavud asli olub-dur aslim
    Qili—iyla dirilür heb neslim
    Nola ol .t~'ife-i š§r-efken
    Qilsa š~hin gibi .tašliqda vat.an
    Arnavud as. li olanda bu hüner
    Aña beñzer ki ola .tašda güher"


    __________________________________________________ _________________
    5 kr. Rossi 1954.

    6 kr. Gibb 1904, vëll. 3, f. 116-132, Bombaci 1969, f. 345-346, dhe Kaleshi 1991,
    f. 19-22.
    __________________________________________________ _________________


    (Raca shqiptare është raca ime, Mbarë populli im mban shpatën pranë, Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë Të ngrenë shtëpitë mes shkëmbinjve, Kjo është dhunti e racës shqiptare, Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.)

    Jahja beu ishte ushtar trim e njëkohësisht shkrimtar i guximshëm. Ai nuk kishte frikë t'i dilte kundër opinionit publik ose t'ua prishte qejfin nëpunësve të oborrit me vargun e tij shpesh me frymë polemike. Një herë, i akuzuar nga Veziri i Madh pse kishte guxuar të shkruante një elegji për vdekjen e princ Mustafait, i cili qe ekzekutuar në Konjë nga i ati, sulltan Sulejman Madhështori (sundoi 1520-1566) më 1533, Jahja beu iu përgjigj me zgjuarësi: "Ne e dënojmë me Padishahun, por e vajtojmë me popullin". E prapëseprapë, meqë kishte bërë shumë armiq, e pa më të arsyeshme të tërhiqej në çifligun e tij afër Zvornikut në Bosnjë, ku, plak i moshuar në të tetëdhjetat e me divanin e tij në dorë për ta përfunduar, vdiq më 1575 [983 A.H.]. Nga pesë mesnevî të tij më e njohura është Shâh u gedâ (Mbreti dhe lypësi), për të cilën na thotë se e ka mbaruar brenda jo më shumë se një jave. Kjo poemë e çmuar shumë, e shkruar me vargje të rregullta, idealizon dashurinë e pastër për një djalosh nga Stambolli me bukuri të rrallë (i dhënë si mbret meqë mbretëron mbi zemrën e tij) nga dashnori i tij i përunjur (i dhënë si lypës për shkak të lutjeve plot dëshirë e mall). Ai ishte edhe autori i një divani gazelesh të përmendur më sipër, që përgjithësisht mendohet se janë më pak origjinale. Një tjetër poet turk me emër ishte i vëllai i Jahja beut, Ahmed bej Dukagjini, i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Ahmed bey.


    Me prejardhje shqiptare duket se kanë qenë të paktën tre prozatorë turq të vjetër. Ata janë Ajazi (Ayâs), autor i fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i cili ka hartuar një kronikë të mbetur pa u botuar; Veziri i Madh Lutfi Pasha (vd. 1564), autor i një traktati për detyrat e shtetit; dhe Koçi Beu nga Korça, këshilltar i Sulltan Muradit IV (sundoi 1623-1640), traktati politik i të cilit për problemet shqetësuese të Perandorisë dhe rrugët për mënjanimin e tyre e bëri orientalistin e madh austriak Baron fon Hamer-Purgshtal (Baron von Hammer-Purgstall7 1774-1856) ta quante 'Monteskjë Osman'.

    Gjatë pesë shekujve të bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane, Shqipëria do të nxirrte shumë burra të tjerë të mëdhenj, ndikimi i të cilëve mbi kulturën turke kurrsesi nuk qe anësor. Ndër ta ka qenë teologu dhe dijetari Hoxha Hasan Tahsin (1812-1881), i pari rektor i Universitetit të Stambollit; leksikografi dhe enciklopedisti Sami bej Frashëri (1850-1904), i njohur në turqisht si Shemsedin Sami (Ôemseddin Sami); poeti mbarislamik Mehmet Akif (1873-1936) nga Peja, autor i himnit kombëtar turk të vitit 1921; dhe Riza Tevfik (1868-1949), një nga filozofët më të mëdhenj turq të kohës.

    Ndërkaq, për fat të mirë, në shekullin e tetëmbëdhjetë, energjitë krijuese të shqiptarëve osmanë filluan të rrjedhin edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës së tyre kombëtare.

  10. #20
    5.3 Letërsia e bejtexhinjve



    Kalimi nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja te shqipja si mjet i shprehjes letrare

    __________________________________________________ _______________
    7 kr. Hammer-Purgstall 1836-1838.
    __________________________________________________ _______________


    përfundoi në një shembull të asaj që njihet si letërsi Alhamiado, term spanjisht (aljamiado) ky që shënon një letërsi vendëse të shkruar me shkronja arabe e të ndikuar fuqishëm nga kultura islame. Letërsitë Alhamiado lindën kryesisht në Spanjë dhe Portugali gjatë periudhës maore si dhe në Bosnjë e në Shqipëri gjatë sundimit turk. Orvatjet e para në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë nga shkrimtarë shqiptarë të formuar në një kulturë islamike për t'u shprehur jo në gjuhët e Orientit, por në gjuhën e vet vendëse, ishin aq vendimtare dhe të rëndësishme sa edhe ç'kish qenë kalimi nga latinishtja në shqipe për krijimin e letërsisë së hershme shqiptare (në shekullin e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë).

    Letërsia e bejtexhinjve(8), sikundër quhet kjo periudhë e shkrimeve shqiptare, përbëhet kryesisht nga poezi në shkrim arab. Tashmë sistemi i shkrimit arab u ishte përshtatur nevojave të turqishtes osmane(9) dhe po merrte trajtë për t'iu përshtatur sistemit fonetik më të përpunuar të shqipes, ose më saktë, dialekteve të shqipes në fjalë. Doli po aq i pakënaqshëm për shqipen sa edhe për turqishten pati dalë. Por oriental nuk qe vetëm shkrimi. Gjuha e bejtexhinjve ishte një shqipe aq shumë e ngarkuar me fjalë turqishte, arabishte e persishte, saqë shqiptarët sot e kanë shumë të vështirë ta lexojnë pa fjalor. Për më tepër ka të ngjarë që lexuesit e turqishtes klasike
    që nuk dinë shqip, t'i kuptojnë më shumë e më mirë ato tekste sesa lexuesit e shqipes që nuk dinë ndonjë gjuhë orientale. Shtresimi i fjalorit të huaj që depërtoi në gjuhën shqipe të kësaj periudhe u përdor, së pari, për të shprehur tiparet e një feje të re dhe të një kulture të re, të cilat në fillim qenë krejt të panjohura e të huaja për shqiptarët. Së dyti, po me aq rëndësi të paktën
    për krijimtarinë poetike, përdorimi i fjalorit tradicional arabisht dhe persisht lehtësoi shumë vargun me rimë dhe metrikë klasike, siç kishte ndodhur me poezinë turke osmane.

    Poezia e bejtexhinjve u ndikua fort nga modelet letrare turke, persiane e arabe, që ishin në modë aso kohe në Stamboll e në Lindje të Mesme. Në shqipe do të haset shumica e zhanreve dhe formave zotëruese në vargun turk e persian. Në vjersha të veçanta apo në divane(10) gjejmë: murabba', vjershë në strofa katërvargjesh; ilahi (arab. ilâhî), himne fetare; kaside (arab. qasîde), ode më të gjata panegjirike të pëlqyera më fort nga arabët; dhe gazele (arab. ghazal), vjersha më të shkurtra, shpesh lirika dashurie, të pëlqyera më fort ndër turqit e persianët. Sistemi metrik qe kryesisht silabik ndonëse pati aty këtu orvatje për të futur metrat sasiorë(11). Përmbajtja qe shpesh fetare, ose intime meditative ose haptazi didaktike-moralizuese, për përhapjen e besimit. Karakteri kryesisht meditativ i kësaj poezie e merrte frymëzimin nga rrymat e Islamit: nga spiritualiteti autoritar Sunit deri te sferat e thella mistike të Sufizmit Shiit e më pas, deri te meditimet më liberale, ndonëse po aq mistike, të panteizmit bektashian. Kemi edhe poezi laike: lirika dashurie, vjersha kushtuar natyrës dhe poezi historike e filozofike në të cilat ndeshemi me meditime herë-herë ironike mbi të përpjetat e të tatëpjetat e qenies në një botë që është ekzotike si për vetë lexuesin e sotëm shqiptar po ashtu edhe për atë perëndimor.

    __________________________________________________ _______________

    8 Bejtexhi: term për poet popullor në traditën myslimane, nga turqishtja beyit, d.m.th. kuplet. Terma të tjera për këta rapsodë shëtitës ishin ashik, dhe në turqisht saz Õairleri
    'poetë muzikorë'. Për burime të përgjithshme mbi këtë letërsi, kr. Kaleshi 1956, 1958, 1966-67, 1975, 1991, Myderrizi 1955c, 1959, 1965, Shuteriqi 1976, Salihu 1987, dhe Pirraku 1988.

    9 Turqishtja shkruhej me alfabet arab deri më 1928.

    10 Divani është një përmbledhje poezish orientale me një renditje të veçantë. Zakonisht nis me një lutje Allahut, vazhdon me vargje për dashurinë dhe kënaqësitë tokësore ose për çështje të fesë e të filozofisë, dhe mbyllet me ode panegjirike për Sulltanin ose sundimtarët e padronët vendorë.

    11 kr. Rossi 1946, f. 243.
    __________________________________________________ _______________

    Letërsia e bejtexhinjve ka mbetur në dorëshkrime, që tani kanë humbur ose, në rastin më të mirë, nuk ka qenë e mundur të gjenden deri më sot. Një numër i paktë kopjesh të vona të dorëshkrimeve (për fat të keq, jo origjinalet) ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, por pjesa më e madhe e materialeve në dorëshkrim të ardhura deri në ditët tona ndodhen ende në duar privatësh, sidomos në ish-Jugosllavi. Nga dorëshkrimet e ruajtura është botuar fare pak. Për këtë arsye, shkrimet e bejtexhinjve përbëjnë një nga kapitujt më pak të njohur të letërsisë shqiptare.

    Vjersha më e vjetër shqiptare në shkrim arab është një lutje humoristike për kafenë, që mban datën 1725 [1137 A.H.], dhe është shkruar nga një i quajtur Muçi Zade, djali i Muçit, për të cilin dihet se ka qenë plak kur e ka shkruar. Refreni i saj, Imzot, mos na lerë pa kahve, pa dyshim që u prek telat e zemrës shumë terjaqinve të kafesë. E zbuluar në një dorëshkrim nga Korça që tani ruhet në Tiranë, kjo vjershë përbëhet nga shtatëmbëdhjetë strofa katërshe me rimë AAAB. Është krijimi letrar më i vjetër në dialektin toskë e i shkruar brenda në Shqipëri, që njihet deri më sot.

    Poeti i parë i madh ndër bejtexhinjtë është Nezim Frakulla(12) (rreth 1680-1760), i njohur edhe me emrat Nezim Berati apo Nezim Ibrahimi. Ai ka lindur në fshatin Frakull afër Fierit dhe jetoi një pjesë të madhe të jetës në Berat, qendër e lulëzuar e kulturës islame të kohës. Nezimi kreu studime në Stamboll, ku edhe shkroi për herë të parë poezi në turqishte, persishte dhe ndoshta arabishte, ndër to dy divane. Aty nga viti 1731 u kthye në Berat, ku dihet se hyri në një rivalitet letrar me vjershëtorë të tjerë të kohës, sidomos me Mulla Aliun, myftiun e Beratit. Midis viteve 1731 e 1735 ai krijoi një divan dhe poezi të llojeve të tjera në shqipe, si dhe një fjalor shqip-turqisht në vargje. Divanin origjinal nuk e kemi të plotë, por nga ai kemi kopje të rreth 110 vjershave. Disa nga vargjet e tij janë kompozuar, dhe nëpër shekuj disa këngë kanë ardhur gojë më gojë deri në ditët tona. Nezim Frakulla e thotë vetë se ishte i pari që shkroi një divan në gjuhën shqipe:

    "Divan kush pat folturë shqip? Ajan e bëri Nezimi,
    Bejan kush pat folturë shqip? Insan e bëri Nezimi.

    Ky lisan qe bërë harab
    Në gussa me shumë hixhab Shahid mjaft është ky kitab Handan e bëri Nezimi.
    "

    Me poezitë e Nezim Frakullës u njoh albanologu gjerman Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869), i cili botoi tetë vjersha(13) të tij më 1854. Emri i Nezim Frakullës u përfshi edhe në antologjinë e parë me vlerë të letërsisë shqiptare(14) më 1941, redaktuar nga Namik Ressuli (1908-1985) etj., i cili i kishte të vetat gjashtëdhjetë e dy fletë dorëshkrimi të divanit.
    Në divanin e Frakullës përfshihen vargje me një gamë të gjerë, nga panegjirikët për

    __________________________________________________ _________________

    12 kr. Rossi 1946 dhe Myderrizi 1954.

    13 kr. Hahn 1854, vëll. 2, f. 142-146.

    14 Shkrimtarët shqiptarë. Pjesa I (1462-1878). Botim i Ministris s'Arsimit. Mbledhë e punue nën kujdesin e Ernest Koliqit, nga Namik Ressuli. Tiranë 1941, f. 107-109.
    __________________________________________________ _________________

    pashallarët vendorë dhe fushatat ushtarake deri te odet për miq e zotërinj padronë, vjersha për ndarjen dhe mallin për miqtë e dylberët, përshkrime të natyrës në pranverë, vargje fetare e, sidomos, lirika dashurie. Figurat e gazeleve të fundit, disa prej të cilave i kushtohen të nipit, janë ato të poezisë arabe, persiane e turke me shumë nga temat, metaforat dhe aludimet e tyre: dashuria si sëmundje që e bën poetin të lëngojë, dylberi shpirtkazmë me vështrimin që ta bën zemrën plagë, ose shërbëtori me një bukuri që e bën të zotin t'i përunjet në gjunjë.

    "Më ke rop e të kam xhan. Shpirti im ashtu më rrush;
    No më vra no më ban derman, Merr e sgjith cin të dush.
    Qaj e qaj e po pëlcas,
    Se mu ka mërzit dynjaja, Ne vetvetën dua t'a vras, Të shtëpoj nga sëvdaja.
    Mbi gjith' këto hallë që kemi Dylberat' me goj' s'na flasin; Na qolet' e tynë jemi,
    Makar le t'na vrasin."


    Nezim Frakulla pati mbështetjen dhe mbrojtjen e Sulejman pashë Elbasanit dhe Ismail pashë Velabishtit, ky i fundit edhe vetë poet. Diku aty pas vitit 1747, pasi qe kthyer në Stamboll për të kërkuar punë, e dërguan në Hotin të Besarabisë (sot në Ukrainë), ka të ngjarë në internim. Atje ai hartoi disa kaside, njëra prej të cilave i këndon fermanit që i jepte leje për t'u kthyer në atdhe, kurse një tjetër e hartoi gjatë rrugës për në Berat duke kaluar nga Shkupi dhe Elbasani. Për mbërritjen në këtë të fundit, ku edhe vargjet e tij do të vazhdonin të kishin popullaritet për shumë kohë më pas, Frakulla thërret:

    "Në Elbasan hym me gzim
    Posi sheqer o Nezim."


    Për shkak të ndonjë intrige me karakter politik ose të polemikave letrare, shpesh të acaruara, ku mori pjesë, Nezimi e ndjeu veten keq dhe iku nga Berati për të jetuar disa vjet në Elbasan. Me sa duket, pas kthimit tjetër në Berat, ka qenë i burgosur. Sidoqoftë, në moshë të thyer, vdiq nga kolera në burg, në Stamboll më 1760 [1173 A.H.].
    Nezimi e quante veten jo vetëm si të parin poet që shkruante në gjuhën shqipe, por edhe mbahej si Sadiu dhe Hafizi i kohës së tij. Kasidetë e tij në shqipe, thotë ai, krahasohen me ato të Urfiut në persishte dhe Nefiut në turqishte. Për shumë specialistë krahasime të tilla janë të tepruara. Ndërkohë që Nezim Frakulla ishte pa dyshim njeri me iniciativë e talent, vargu i tij kurrsesi nuk arrin nivelin e përsosmërisë letrare të klasikëve persianë; nga ana tjetër, as përzierja e rëndë e shqipes, turqishtes dhe persishtes që ai përdori, nuk e ngriti deri në atë shkallë sa t'u afrohej atyre. Ndihmesa e tij qe se hodhi themelet për një traditë të re letrare në Shqipëri, traditë që do të zgjaste dy shekuj me radhë.

Faqja 2 prej 12 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare
    Nga Eni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2002, 14:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •