Tiranë, një person i pajetë në rrugë, ambulanca mbërrin vetëm pas 1 ore
TIRANË- Një person i pajetë ka qëndruar për rreth 1 orë në rrugë. Ngjarja ka ndodhur sot në kryeqytet, në rrugën “Irfan Tomini”, teksa as policia as ambulanca nuk kanë shkuar për ta ndihmuar.
Kalimtarë të rastit, të shokuar nga ngjarja njoftuan TV News 24 për të rrëfyer se një person i pajetë ka qëndruar për rreth një orë në rrugë.
News 24 u njoftua në orën 8:27 minuta nga kalimtarë të rastit, se një person 40-45 vjec, gjendej i shtrirë në tokë, në rrugën "Irfan Tomini". Dikush ishte kujdesur për ta mbuluar me çarçaf, por ambulanca dhe policia mbërriti vetëm pas një ore.
Policia njoftoi më pas se, personi që humbi jetën është identifikuar si Kujtim Kuliqaj, 44 vjeç. Paraprakisht dyshohet se ai ka pësuar një infarkt, por pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të vërtetuar shkaqet e vdekjes.
Po ashtu, Policia e Tiranës ka reaguar pas këtij lajmi duke njoftuar se efektivë të komisariatit numër 2 kanë mbërritur në vendngjarje menjëherë pas telefonatës. Sipas policisë, qëndrimi për afro një orë i trupit të pajetë në rrugë ka ndodhur për shkak të procedurave të kryera nga Instituti i Mjekësisë ligjore për të përcaktuar dhe shkakun e vdekjes.
(m.a/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt