Prishtina dhe Beogradi shkëmbejnë “ambasadorët”
Prishtinë, (Kosovapress) 17 Qershor 2013 08:13
Prishtina dhe Beogradi shkëmbejnë sot oficerët ndërlidhës. Lulzim Peci do të bëhet zyrtari i parë i shtetit të Kosovës që do të fillojë punën në kryeqytetin serb. Homolog i tij në Prishtinë do të jetë, Dejan Paviqeviq.
Hapja e misioneve të posaçme diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në vendet gjegjëse është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura.
Ajo është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur ngjarje të madhe për të gjithë rajonin shkëmbimin e zyrtarëve ndë rlidhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai ka thënë se ky akt është rezultat konkret i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Hoxhajt, ky veprim është dëshmia më e madhe se Serbia po e pranon realitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, shkruan Epoka e re.
Hoxhaj ka vlerësuar se vendosja e misioneve diplomatike në Prishtinë dhe në Beograd është një element kyq në drejtim t në normalizimit ndërmjet dy vendeve. /RTK/
Krijoni Kontakt