24 orë nga afati, koalicionet pa surpriza, PS nuk fut aleatët në listën e saj
Fejzi Braushi
Kur kanë mbetur pak më shumë se 24 orë nga skadimi i afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve, asnjëri nga dy kampetkryesore politike nuk ka mundur të mbyllë negociatat dhe të dorëzojë listën e plotë të aleatëve të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo për shkak se një pjesë e mirë e partive politike që hyjnë në radhën e forcave politike që kanë një peshë të konsiderueshme në elektorat, si PSD, PDS, PBDNJ, AK apo edhe FRD, vazhdojnë të bëjnë rezistencë dhe kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme nga marrëveshjet që kërkojnë të nënshkruajnë si me PS-në, ashtu edhe me PD-në. Në të djathtë gjërat duken pak më të qarta, për shkak se tashmë PDIU ka vendosur të bëhet pjesë e koalicionit të kryesuar nga PD, dhe ajo që pritet të zbardhet tashmë është pozicionimi i FRD-së së drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi. Ndërkohë që në të majtë gjërat janë më të komplikuara dhe kjo sepse liderët e këtyre forcave këmbëngulin që në rastin më të keq të bëhen pjesë e listave të Partisë Socialiste, dhe në rastin më të mirë të marrin disa vende të caktuara në këto lista. Por ajo që mësohet nga selia rozë është fakti se kjo forcë politike ka vendosur tashmë në mënyrë përfundimtare që të mos përfshijë asnjë emër nga partitë aleate në listat e saj të kandidatëve për deputetë. Burime pranë kësaj force kanë konfirmuar se ky vendim vlen për të gjitha partitë aleate, përfshirë këtu dhe LSI-në. Sa i përket kësaj të fundit, ishte vetë kreu i saj, Ilir Meta, që bëri të ditur për mediat se forca që ai drejton nuk do ketë emra në listat e PS. Ndaj duket se PS ka arritur ta përdorë këtë fakt edhe në negociatat që ka patur me partitë e tjera për t’iu bërë të qartë atyre standardin e vendosur në këtë drejtim. Kështu, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se PS i ka mbyllur derën çdo pretendimi të kreut të PSD-së për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS-së, si kompensim për votat që kjo forcë politike i jep koalicionit opozitar në të gjithë vendin. E njëjta situatë paraqitet edhe me PDS-në e Paskal Milos, i cili megjithëse jo publikisht, duket se ka patur të njëjtin pretendim. Megjithatë, PDS për këtë çështje ka mbledhur dje kryesinë dhe burime pranë saj bënë të ditur se është pranuar oferta e PS për aleancë paraelektorale, por ende nuk bëhen të ditura detaje të saj, ndërkohë që sot ose nesër pritet të firmoset dhe marrëveshja. Situata duket më e vështirë me Aleancën Kuqezi, të drejtuar nga Kreshnik Spahiu, pasi negociatat me të kanë enë të vështira. Dhe kjo për shkak të kërkesave të tij të larta për t’u përfaqësuar me më shumë se 1 kandidat në listat e PS-së. Megjithatë, kur kanë mbetur dhe pak orë nga skadimi i afatit ligjor, AK-së i mbetet për të vendosur ose të pranojë ofertën e PS-së për të bashkëpunuar pa kushte, ose të dalë në një koalicion me FRD-në e Bamir Topit. Megjithatë, nga PS kanë bërë të ditur dje se kjo forcë politike, pavarësisht pretendimeve, është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje me PS-në. Situata mbetet turbullt edhe sa i përket PBDNJ-së, megjithëse kjo e fundit iu bind PS-së dhe tërhoqi dje anëtarin e saj në KQZ, Jani Jani. Një veprim ky që tregon se kjo forcë duket se po mbyll marrëveshjen me PS-në, për sa kohë vendosi që të sakrifikojë anëtarin e saj për kauzën e PS-së me këtë institucion. E duke përjashtuar PBDNJ-në, e cila e ka të sigurt pjesëmarrjen e saj në parlamentin e ardhshëm duke marrë vetë 1 deputet të sigurt në Vlorë, për forcat e tjera ajo çka mund t’u ketë ofruar PS si kompensim është bashkëpunimi në qeverisjen e ardhshme, pa përjashtuar përfshirjen në qeveri, por kjo gjithmonë në varësi të numrit të votave që ato do të arrijnë të marrin në rang vendi.
MAPO
Krijoni Kontakt