panorama
-
Requiem. Vdiq një plazh në Vlorë
Opinione Enjte, Gusht 9th, 2012
PROF.AS.DR.ROMEO HANXHARI
Në Vlorë vdiq një plazh. Ishte me rërë, ishte i ri. Dhe ashtu quhej, “Plazhi i ri”. E mbuluan me baltë. E mbuluan me dhé. E varrosën. Filluan t’i hedhin dhé që një javë më parë. Ia hodhën dheun me kamionë, me dhjetëra kamionë. I hodhën aq shumë dhé, saqë deti u bë baltë dhe llohë në qindra metra tej bregut, e dukej sikur qante me lot inati për plazhin që ai vetë kish krijuar me shekuj dhe që njerëzit e atij qyteti po ia vrisnin brenda ditës. Ja, kështu me vajtim kisha bërë ndër mend të shkruaja para një jave kur kalova buzë ishplazhit dhe pashë detin e nxirosur nën pushtetin e ruspave që i hidhnin baltë. Pastaj ndërrova mendje. “S’ka kuptim të vajtosh një gjë që bëhet në sy të të gjithëve dhe në mes të ditës”, thashë. Dhe këtë ia thashë edhe një mikut tim hotelier vlonjat që më vinte në sedër me: “Hë, ku jeni ju ambientalistët?!”. E i thashë: “Or mik, ambientalistët nuk janë as Polici, as Prokurori, as Bashki, dhe është turp të denoncoj unë në gazetë një gjë që ndodh këtu përpara syve tuaj në mes të ditës e për ditë të tëra”. “E martë është, mesi i ditës është, mesi i Vlorës është, – i thashë, – dhe nëse nuk reagoni ju qytetarët e Vlorës tani në këtë moment, prit atëherë të shohësh se si do të reagojë menjëherë shteti për këtë masakër”. “Shteti pra, shteti, d.m.th. Prokuroria, Bashkia, Policia Ndërtimore, Policia Bashkiake, e ku di unë ç’janë pa përjashtim”. Dhe kështu që pritëm, dhe as ai kish ndër mend të reagonte, e as unë u nguta të shkarravis këto radhë. Prit e prit, por hiç. Ajo që u pa ishte që shteti nuk reagoi as atë minutë, as atë orë, as atë ditë, as të nesërmen e asaj dite, e as të pasnesër- men, por vetëm pas plot një jave. Pra, për një javë të tërë kamionët hodhën dhera dhe mbushën detin pa u shqetësuar fare. Vetëm pas një jave shteti hapi një cep syri dhe e lëshoi një çerek pasthirrme si kalamà, sa për të larë duart si Pilati e për t’u dhënë alibinë autorëve. Pra, me sa duket, shteti i ka dhënë karar muhabetit dhe e ka gjetur justifikimin: jam me pushime tani, por lejet i kam dhënë kur kam qenë në punë. Ndaj, meqë shteti është me pushime dhe për t’i respektuar ata, unë vendosa ta bëj të shkurtër këtë shkrim, thjesht vetëm me disa pyetje: Cila kompani apo cili institucion guxon të hedhë kamionë me dhera në det në mes të ditës e në mes të Vlorës, duke varrosur një plazh që është pronë kombëtare e shqiptarëve dhe pra as i kompanisë, as i Bashkisë dhe as i Prokurorisë?! Pastaj, nëse këta guxojnë të hedhin dhera, cili nga administrata lokale që ka në kontroll territorin bregdetar të Vlorës guxon të mos reagojë, por mbyll të dy sytë e të dy veshët?! Dhe pastaj, nëse këta nuk reagojnë duke provuar kështu direkt që janë pjesë e shkeljes, cili institucion e bir institucioni ka guxuar të japë leje për të varrosur një plazh publik, pa pyetur më parë publikun apo aktorët e interesit, përfshirë dhe shoqatat mjedisore?! Dhe nëse dikush guxon të belbëzojë që “ai plazh ishte i ndotur” le të vijë të përballet e t’ia përplasim në fytyrë se si pastrohet një plazh pa qenë nevoja të varroset nën dhé e nën beton. Dhe në fund, nëse të gjithë të mësipërmit kanë guxuar të veprojnë në krim apo të mos frenojnë krimin, kush nga Prokuroria guxon të mos hapë çështje penale?! Dhe si rrjedhim i kësaj të fundit, nëse Prokuroria guxon të tolerojë një krim mjedisor të këtij niveli maksimal arrogance, siç e ka toleruar në fakt deri tani, cili nga ne të gjithë guxon të mos mendojë që në Vlorë, në këtë rast, janë bërë bashkë të gjithë?! Të gjithë bashkë. Për të vrarë një plazh e për ta bërë shesh për dyqane e qoftené…
*Kryetar i “Shoqatës për politika të reja të mjedisit – ANEP”
--
Krijoni Kontakt