SHBA PËRSHËNDET ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT NISHANI
Ora 21:53 Kreu i prezencës së SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pavarësisht se nuk ka qënë prezent në sallën e Kuvendit, kur Bujar Nishani u zgjodh me 73 vota pro dhe një kundër, President i Republikës së Shqipërisë, e ka uruar këtë të fundit duke i shprehur gjtihë mbështetjen e SHBA si dhe duke e vlerësuar për punën që ka bërë ndër vite.
'Ambasada e SHBA i përcjell urime të ngrohta Z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë. Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Z. Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë', thuhet ne njoftimin per media te ambasadës amerikane.
'Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese Z. Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara. Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike',- vijon njoftimi.
SEQUI: PRESIDENTI TË PËRFËQËSOJË UNITETIN E POPULLIT
Ora 20:00 Kreu i Prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi nëpërmjet një njoftimi për mediat, uroi Bujar Nishanin për zgjedhin e tij si President i Republikës së Shqipërisë.
“Dëshiroj t'i uroj z. Nishani suksese si President, post i cili përfaqëson unitetin e popullit”, shprehet z. Sequi.
“Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shprehet Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori, Ettore Sequi.
BalkanWeb
Krijoni Kontakt