Kryeministri Thaçi: Abetarja e Përbashkët - një hap drejt integrimit kulturor të shqiptarëve, sipas modelit të kombeve të përparuara
Prizren, 17 maj 2012
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në promovimin e Abetares së Përbashkët Kosovë-Shqipëri
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha,
Të nderuar ambasadorë të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës në Prishtinë dhe Tiranë,
Të nderuar ministra të arsimit dhe ministra tjerë;
Të nderuar deputetë dhe bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë
Të nderuar baca Adem dhe baca Rifat
I nderuari kryetar i komunës së Prizrenit, dhe kryetarë tjerë të komunave të Kosovës dhe Shqipërisë
Të nderuar bashkatdhetarë të viseve shqiptare
Zonja dhe zotërinj
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’iu uroj këtë ditë të madhe për shqiptarët kudo. Urime të gjithëve.
Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar.
Sot po prezantojmë për herë të parë Abetaren e përbashkët shqiptare, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar, kjo është e arritur historike.
Është Abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Janë katër autorë, dy zonja dhe dy zotërinj. Urime!.
Jo rastësisht jemi mbledhur sot në Prizren, ku çdo shqiptar do të dëshironte të ishte.
Por, shpirtërisht sot të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi, diasporë, janë me ne, janë në Prizren, janë me Abetaren e përbashkët.
Jemi mbledhur në qytetin historik, kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në qytetin në mes të kryeqyteteve politike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës, në qytetin e mesazhit historik dhe të drejtë, të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, në Kosovën evropiane.
Sot, në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, institucionet më të larta shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë po promovojnë tekstin më të rëndësishëm, librin bazë të kulturës dhe të arsimit shqip, ABETAREN E PËRBASHKËT për shkollat shqipe.
Kjo është fitore e kombit shqiptare.
Është fitore e dy shteteve tona.
Kjo është fitore për të gjithë shqiptarët.
Këtë të arritur mund ta bëjë vetëm një popull i lirë, i civilizuar dhe sovran.
Më shumë se një shekull e gjysmë, 168 vjet më parë kur shqiptarët ende nuk e kishin bërë atdheun e tyre, patriotë e mendimtarë të shquar gjendeshin para sfidave dhe dilemave të mëdha.
Ata duhej të vinin themelet dhe drejtimet e Rilindjes sonë Kombëtare, duke e orientuar lëvizjen për pavarësi në binarët e kulturës evropiane perëndimore.
Çdo veprim i tyre ishte nismëtar dhe njëkohësisht historik.
Një popull me trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të pasur po përpunonte institucionet e para mbi vlerat e civilizimit perëndimor, nga i cili, në mënyrë të dhunshme, ishte ndarë me shekuj.
Themelimi i klubeve kulturore, botimi i revistave shqipe, botimi i librave, mbledhja e pasurisë folklorike, deri tek krijimi organizatës politike ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishin në thelb një qëllim - rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e Shqipërisë së Pavarur.
Zonja dhe zotërinj,
Në themelet e Rilindjes sonë Kombëtare qëndron denjësisht pikërisht autori i Abetares së parë shqipe, të vitit 1844, dhe autor i traktatit politik të Enciklikës, i flijuari për kauzën kombëtare, patrioti Naum Veqilhraxhi.
Sot, kur fëmijëve dhe pedagogëve tanë u jepet në dorë Abetarja e Përbashkët, nuk ka se si të mos iu drejtohemi me fjalë falënderimi rilindësit Naum Veqilharxhi dhe gjithë pasuseve tjerë për abetaret shqipe: Konstandin Kristoforidhit, Jani Vretos, Sami Frashërit, Parasqevi Qiriazit, Luigj Gurakuqit, Jani Mingës, Simon Shuteriqit, Mati Logorecit, Aleksandër Xhuvanit dhe shumë autorëve të sotëm.
Fati i librit dhe i shkollës shqipe ishte identik me fatin e vet popullit shqiptar.
Por pikërisht në libra, në shkolla u lind, u rrit dhe u jetësua ëndrra e lirisë.
Nga kjo lëvizje kombëtare Shqipëria u bë shtet i pavarur më 1912.
Pas 100 vjetësh sot shteti shqiptar është shtet demokratik, modern, anëtar i NATO-s dhe me perspektivë të qartë euroatlantike.
Zonja dhe zotërinj
Sot, kur festojmë Ditën e Abetares së Përbashkët, Kosova ka hyrë në 13 vjetorin e lirisë dhe në vitin e pestë të Pavarësisë.
Prapa nesh është një e kaluar e rëndë, e hidhur por e shkuar njëherë e përgjithmonë.
Një e kaluar që nuk do të përsëritet asnjëherë në asnjë formë.
As të ndarjes në kufij me tela xhemborë, as me ndalim të librit shqip, segregacion, vrasje, burgosje dhe censurim të kulturës kombëtare.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione të konsoliduara demokratike të dala nga vullneti i qytetarëve të saj.
Dhe pikërisht sot ky vullnet shpreh më së miri në promovimin e Abetares së Përbashkët.
Kjo abetare është shprehje e shkallës së lirisë dhe demokracisë që është krijuar dhe po zhvillohet në hapësirën shqiptare të shekullit njëzet e një.
Kjo Abetare është pasqyrim i frymës evropiane të hapësirës kulturore shqiptare.
Pa imponime ideologjike, pa diktat dhe forma tjera jashtëinstitucioanle, kjo Abetare e Përbashkët është shprehje e ndërgjegjes dhe emancipimit të kombit tonë.
Është Abetare e lirisë, Abetare e demokracisë, Abetare e Kosovës evropiane, Abetare e Shqipërisë evropiane.
Zonja dhe zotërinj,
Nuk dyshoj aspak në punën profesionale, në ekspertizën e grupeve punuese dhe në frymën e lartë emancipuese dhe kulturore të Abetares së Përbashkët.
Kjo abetare sintetizon përvojat më të mira didaktike dhe programore për ta formësuar si është më së miri botën psikologjike të fëmijëve që në hapat e parë të mësimit dhe shkrimit të gjuhës amtare.
Përmes këtij libri bazë nxënësit do të mësojnë 36 shkronjat e arta të gjuhës shqipe, që të lidhura me njëra- tjetrën prodhojnë fjalë e mendime që do të jenë në shërbim të vlerave njerëzore, të kulturës, të shkencës, të teknologjisë dhe diturisë së përgjithshme.
Është një fakt i mirënjohur botërisht se elita kulturore kombëtare që nga thellësitë e shekujve është shquar me kultivimin e vlerave të humanizmit.
Besoj se edhe sot e tutje do të vazhdohet tradita e mirë që respekton diversitetin kulturor, respektimin e dallimeve kombëtare, religjioze, duke i konsideruar të gjitha këto si pasuri të mjedisit ku jetojmë.
Besoj që kjo Abetare e Përbashkët është një hap drejt integrimit kulturor të shqiptarëve sipas modelit të kombeve të përparuara.
Shfrytëzoj rastin për të përgëzuar punën e ekipeve të Tiranës dhe të Prishtinës, si dhe ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunimin dhe bashkëkoordinimin gjatë hartimit të Abetares së Përbashkët.
Nxënësve, mësuesve, pedagogëve dhe prindërve u shpreh urimet më të mira, duke konsideruar se ata tashmë në duart e tyre kanë një libër me vlera të qëndrueshme, që lexohet me të njëjtën dashuri dhe pasion si në Gjirokastër ashtu edhe në Besianë, si në Mitrovicë e Vlorë ashtu dhe në Korçë, si në Shkodër, ashtu edhe në Shkup, Tetovë, Prizren, Ulqin, Preshevë dhe diasporë.
Të nderuar të pranishëm
Sot kemi një ngjarje historike, pra, prezantimin e përbashkët të Abetares së Përbashkët të shqiptarëve. E kjo e arritur është rezultat i përpjekjeve tona shekullore , por kryekëput falë lirisë dhe pavarësisë që e fituam, dhe këmbëngulësisë së fuqishme të shtetit shqiptar, dhe natyrisht një mbështetje unike e të gjithë shqiptarëve.
Urime Abetarja e Përbashkët!
Krijoni Kontakt