Agjencia Lajmeve SOT
Presidenca në duart e Berishës, guri i fundit i themelit të shtetit shqiptar, dhe guri i parë i themelit të shtetit tribal
Situata aktuale politike është shndërruar në një arenë lufte midis shtetit ligjor dhe qeveritarëve vrasës, që kanë pushtuar një pjesë të këtij shteti, qeverinë shqiptare. 21 Janari shënon pikënisjen e shndërrimit të qeverisjes shqiptare në një bajrak të zaptuar përfundimisht nga pushteti tribal i Sali Berishës. Vrasjet e 21 Janarit shënuan pikën kulmore të degradimit të këtij pushteti, por dhe pikën ndarëse të qeverisjes Berisha me qytetarët e tij. Nga ky moment, kjo qeveri mbylli fazën e saj qeverisëse duke u kthyer në një zombie që raskapit fatin e një kombi të tërë. Në një moment që shqiptarët ishin pajtuar me fatin e tyre, me qeverisjen brutale të Sali Berishës, pikërisht një vit më pas kjo qeverisje merr grushtin demaskues përpara qytetarëve të saj dhe vetë ndërkombëtarëve skeptikë.
Dosja e plotë e zbërthyer nga FBI, zbardhi të vërtetën lakuriqe të vrasësve dhe të urdhëruesve. Katër të rënët e 21 Janarit u vranë nga qeveria shqiptare me dorën e Prendit, apo gardistëve të tjerë, por me urdhër të eprorëve direkt të tij. Sali Berisha dhe Lulzim Basha, janë dy shefat që deri dje mohonin vrasjet duke e kanalizuar procesin e hetimit në skutat ku dëshironte Sali Berisha, në skutat e një lufte politike, tipike të një mendje diabolike të ardhur nga radhët e strukturave sektare dhe puniste te shtetit monist. Këta njerëz u munduan të inkriminonin gjithë strukturën që do merrej me zbardhjen e krimit të ndodhur në kullën qeveritare, duke sajuar puçe imagjinare me çadra pistoletë, thika me helm e gjithfarë marrëzish aluçinante që mund të prodhojë mendja e sëmurë e njeriut të inamoruar çmendurisht me pushtetin.
Qëndrimi dyzues i amerikanëve, në rastin konkret i ambasadorit Arvizu, i cili e titulloi “burrë shteti”, i kreshpëroi gjembat dhe i dha shpresë kryeministrit Berisha që të avanconte më tej në akuzat e tij për prokuroren e Përgjithshme dhe presidentin Topi, duke i quajtur lavire dhe horr bulevardi, me pretendimin; akuzë të drejtpërdrejtë si organizatorët e puçit. Sot pas një viti, qëndrimi i ambasadorit amerikan erdhi radikalisht i ndryshuar. Ai i kërkoi hapur Berishës të mos pengonte hetimet e 21 Janarit, duke treguar se shteti amerikan ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këtë hetim të kësaj ngjarje kriminale të kryer nga banda qeverisëse. Kryeministri Berisha nisi të përpëlitej në presën amerikane, duke sulmuar direkt sërish kryeprokuroren dhe presidentin, si dhe duke i kërcënuar me arrest në momentin që do largoheshin nga posti.
Megjithë qëndresën “heroike” të tij në momentin fillestar, kryeministri ynë i nderuar e mbylli misionin e tij kërcënues, duke e shitur heroin e tij Prendi, të cilin e hodhi në kthetrat e dënimit me burgim të përjetshëm. Nga këtu, qeveria Berisha është në fazën e degradimit dhe duket qartë se faktori ndërkombëtar ka kuptuar se shteti shqiptar ndodhet në një krizë thuajse të barabartë me atë të vitit 1997. Amerikanët, të cilët nuk e pranuan despotizmin e Sali Berishës në fund të vitit 1996 dhe dhanë ndihmesën e tyre për largimin e tij në mars të vitit 1997, po paguajnë kostot e rehabilitimit të tij në vitin 2005.
Riciklimi i Berishës në pushtet, dihet më së miri se erdhi si rezultat i presionit të ndërkombëtarëve për të ricikluar PD në pushtet, pasi po vihej në dyshim ekzistenca e opozitës shqiptare. E majta shqiptare vazhdon të ngelet sot e kësaj dite në mazhorancë absolute, por humbja e vitit 2005 erdhi si rezultat i presionit ndërkombëtar ndaj Fatos Nanos. Ky i fundit i dhuroi pushtetin Sali Berishës, duke fragmentarizuar të majtën nëpërmjet largimit të Ilir Metës, i cili me 9 përqindshin e tij, krijoi çarje në të majtën shqiptare. Pavarësisht votave të Ilir Metës, PS mbeti sërish dominante në këto zgjedhje dhe pushteti ju dhurua Sali Berishës nëpërmjet vendimeve që mori Kolegji Zgjedhor duke ju hequr disa mandate koalicionit të majtë pas urdhrit të Fatos Nanos. Nga ky moment Sali Berisha mori në dorë një pushtet të shitur nga kryetari i PS, si rezultat i presionit amerikan që ju bë këtij të fundit.
Amerikanët sollën në pushtet Sali Berishën, për të realizuar rrugën e Kombit, rrugë e cila sabotohej pambarimisht nga lobi grek, të cilëve Fatos Nano dhe vetë të majtët i bindeshin për gjithçka. Ekipi socialist nuk kishte fuqi për ta mbyllur ndërtimin e kësaj rruge dhe amerikanëve i duhej një si Sali Berisha që ta përfundonte me çdo lloj kostoje pa përfillur ligjet. Me mbylljen e mandatit të parë, Sali Berishës, ju dha sërish shansi për të mbajtur edhe një mandat të dytë, po nga amerikanët. Rezultati i ngushtë i PD me PS dhe koalicioni me LSI, ishte qartë formulë që u miratua nga amerikanët, të cilët i njohën zgjedhjet dhe i dhanë certifikatën e legjitimitetit qeverisjes dhe koalicionit të ri të Sali Berishës. Nga ky moment Sali Berisha planifikonte marrjen e bashkisë së Tiranës dhe mandatin e tretë, duke prishur skemën e miratuar nga ata që e sollën në pushtet. Për ti dhënë mundësinë Sali Berishës që të lëshonte butë poltronin qeverisës, ju dha edhe Bashkia e Tiranës, po me bekimin amerikan, me qëllimin e vetëm të largimit pa traumë nga qeverisja dhe lëshimin e postit Lulzim Bashës si rasat i prodhuar në laboratorët e familjes së tij. Në fakt, në momentin aktual, duket qartë që Sali Berisha nuk ndan të njëjtin mendim me ata që e sollën në pushtet. Ai planifikon një mandat të tretë, duke kërkuar me çdo kusht instalimin e klikës së tij në pushtet. Megjithëse qeveria e tij sot, është shndërruar në kadavër, ku ekonomia ka marrë rrokopujën dhe shteti është inekzistent, kapua i mazhorancës është i vendosur të çojë deri në fund qëllimin e tij për të qenë sa më i pushtetshëm edhe për katër vite të tjera. Institucionet e pavarura janë shuar dhe kryeministri pret momentin që të përvetësojë edhe postin e Presidentit të Republikës për të instaluar një neodiktaturë Saliste.
Berisha do të zvarritet deri në korrik të këtij viti për të realizuar shtënien në dorë të të gjitha institucioneve që derivojnë nga dora e presidentit të Republikës. KLD, Gjykata e Lartë, KLSH, Prokuroria e Përgjithshme, SHISH dhe shumë institucione të tjera do të vihen nën thundrën e Sali Berishës dhe nga ky moment nuk ka pengesë tjetër për ta penguar që të instalojë regjimin e tij në vitin 2013, ku pa dyshim do t’i fitojë pa problem zgjedhjet politike. Në kontekstin aktual politik, angazhimi amerikan për të zbardhur vrasjet e 21 Janarit, pritet si një shpresë për shqiptarët, për të vënë me shpatulla pas murit këtë kryeministër të implikuar në vrasjet e 21 Janarit, në deformimin e zgjedhjeve, si dhe parapërgatitjen e një kasaphane të re elektorale. Ata që e sollën Sali Berishën në pushtet në vitin 2005, nëse nuk e kanë seriozisht hetimin ndaj vrasjeve të 21 Janarit dhe do lejojnë Berishën të rrëzojë hallkat e fundit të institucioneve të pavarura me shtënien në dorë të Presidencës, do shohin se viti 1997 do jetë një buqetë me lule përpara asaj që po përgatit Sali Berisha.
Krijoni Kontakt