
Postuar më parë nga
Pika-Kufi.1-31
NJË DITË HERO, PO DITËN TJETËR...?
18 Janar 2012 13:36, Nga Bekim Çollaku
Bëhet fjalë për të njëjtët policë që më 25 korrik 2011 i rikthyen nën kontroll kufijtë e shtetit tonë dhe për këtë punë shembullore ne i shpallëm heronj. Tani, unë pyes inspiruesit e protestës se si ka mundësi që heronjtë e shtetit brenda natës të ndryshojnë dhe tani të klasifikohen si “dhunues” të qytetarëve, që ata i mbrojnë me jetën e tyre?
Tani tensionet politike janë ulur, rrugët janë pastruar nga gurët e shumtë dhe të rëndë, tymi i gazit lotsjellës është shpërndarë në hapësirën e pafund ajrore. Ato rrugë dhe udhëkryqe që të shtunën e kaluar tërhoqën gjithë vëmendjen e opinionit publik (vendor dhe ndërkombëtar) tashmë janë rikthyer në rrjedhën e zakonshme. Por, pyetja e pashmangshme është se a do të vazhdojnë të mbesin të tilla këto rrugë edhe të dielën e ardhshme apo përsëri do ripërsëritet ajo çfarë ndodhi të shtunën e kaluar?
Dhe tani ta analizojmë se kush, si dhe në çfarë mënyre do të përcaktojë një gjë të tillë. S’do shumë mend, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund të vendosë për një gjë të tillë, sepse e drejta për të protestuar është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare. Për më tepër, Qeveria e Republikës së Kosovës është thellësisht e interesuar që qytetarët e vendit tonë, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat të shprehin lirshëm dhe pa frikë, kurdoherë, përgjithmonë dëshirat e tyre, brengat e tyre, synimet e tyre për një jetë më të mirë dhe dinjitoze. Fundja, liria e jonë ka kuptim vetëm nëse këto të drejta themelore respektohen në tërësi. Dhe kjo është ajo çfarë na udhëheq në punën tonë, kjo është ajo çfarë po bëjmë e do të bëjmë në vazhdimësi kudo që të shërbejmë.
Atëherë, kujt i mbetet të vendosë se a do të kthehen ato rrugë dhe udhëkryqe në arena të tilla neveritëse sikur të dielën e kaluar? Sigurisht, përgjigja më e thjeshtë është që një gjë e tillë të bëhet nga projektuesit e këtij skenari. Dhe mund të bëhet fare lehtë nëse në mendjen e tyre mbizotëron logjika e arsyes që përmes mënyrës institucionale të adresojnë kërkesat e tyre politike. Dhe, ndoshta, do të mund ta bënin një gjë të tillë. Ndoshta do të duhej patjetër ta bënin një gjë të tillë që të japin shembullin konkret se respektojnë institucionet që fundja ata vetë përfaqësojnë. Pretendimi i tyre se qeveria nuk po zbaton një vendim të Parlamentit të Kosovës mund të adresohet në mënyrë institucionale, pa pasur nevojë të rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, qofshin ata pjesëtarë të Policisë së Kosovës apo protestues. Një gjë e tillë mund të adresohet fare lehtë në seancën e radhës të Parlamentit të Kosovës që do të mbahet këtë javë. Kështu, në njërën anë kemi Qeverinë, e cila thotë se vendimi i Parlamentit është duke u respektuar, ndërsa në anën tjetër një forcë politike parlamentare pretendon të kundërtën. Sepse për ta sqaruar këtë dilemë nuk besoj që ka nevojë të shkohet këtu e në Merdarë apo tek Dheu i Bardhë. Dhe kjo duhet të ndodhë pikërisht në Parlament, për shumë arsye. Parlamenti është institucioni i vetëm përfaqësues i qytetareve, është organi kompetent për të nxjerrë ligje dhe vendime të cilat i zbaton Qeveria. Për më tepër, kushtet për punë janë më të mira, stimulimi financiar është adekuat dhe qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në pika kufitare, por mund të ndjekin nga shtëpitë e tyre të qetë trajtimin e kësaj problematike.
Ata që konsiderojnë se Qeveria nuk po zbaton vendimin për reciprocitet, kanë shumë mundësi legale që të ndërmarrin veprime legjitime të përcaktuara me Kushtetutë. Për t’iu lehtësuar pak punët e tyre të lodhshme po përmend vetëm dy opsione: nën një, deputetët që mendojnë se Qeveria nuk po respekton vendimin për “masa reciproke, ekonomike, tregtare, politike etj” mund të kërkojnë mocionin e mosbesimit për këtë Qeveri dhe kështu i japin fund kësaj dileme; dhe e dyta, që është shumë racionale dhe adekuate në këtë situatë të krijuar, është themelimi i një komisioni parlamentar me mandat strikt për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi të Parlamentit. Për ta bërë edhe më kredil këtë komision parlamentar, në krye të tij patjetër duhet të emërohet vetë lideri i grupit parlamentar që mendon se ekzistenca e vetë shtetit dhe qenies tonë njerëzore varet nga zbatimi i këtij vendimi. Konsideroj se këto dy opsione janë shumë më të pranueshme për qytetarët e vendit krahasuar me vendimin e udhëheqësve të protestës për të marrë në duar të tyre pushtetin ekzekutiv për zbatimin e një vendimi që ka dalë pikërisht nga Parlamenti.
Për fat të keq, druaj se ata nuk do të bëjnë një gjë të tillë, për shumë arsye. Një nga ato që konsiderohet si më e rrezikshmja është perceptimi i gabuar se rritja e presionit politik kundër Qeverisë, duke organizuar protesta (paqësore ose të dhunshme) me synimin për të prishur rëndin publik, që rrjedhimisht në mënyrë të pashmangshme nënkupton intervenimin e policisë për zbatimin e ligjit. Ky është një skenar i rrezikshëm i cili është zgjedhur për të realizuar objektivat politike të marrjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme nga ky ‘grusht’ i vogël njerëzish. Dhe krejt kjo po mundohet të bëhet në emër të interesit nacional. Por këtë interes nacional fatkeqësisht kanë drejtë ta përcaktojnë vetëm ky grusht njerëzish. Kjo nuk është e drejtë. Ku mbesim ne të tjerët dhe çfarë jemi ne?
Se mos jemi ne nga ata që nuk ia duam të mirën vendit tonë? Ndoshta ata mendojnë se pushteti na i ka verbuar sytë dhe na ka tjetërsuar. Kështu mendojnë ata, dhe me propagandën e tyre provojnë që Qeverinë demokratike të Republikës së Kosovës ta paraqesin si qeveri diktatoriale. Shajnë dhe etiketojnë me qindra e mijëra qytetarë të këtij vendi që ditë dhe natë, përkujdesën që themelet e pavarësisë së shtetit tonë të mos lëkundën nga lëkundjet dhe shkarjet e çastit që ndodhin në mendjen e këtij grushti të vogël njerëzish. Fyejnë dhe shfryhen me mllef mbi Policinë e Kosovës e cila bëri punën e vet ashtu siç ia ka përcaktuar Parlamenti i Kosovës. I fyejnë pa të drejtë dhe tash duan t’i linçojnë publikisht vetëm e vetëm se ata vepruan në zbatim të ligjit të shtunën e kaluar, ashtu siç vepruan të hënën e 25 korrikut të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për të njëjtit policë që me 25 korrik 2011 i rikthyen nën kontroll kufijtë e shtetit tonë, dhe për këtë punë shembullore ne i shpallëm heronj. Tani, unë pyes inspiruesit e protestës se si ka mundësi që heronjtë e shtetit brenda natës të ndryshojnë dhe tani të klasifikohen si “dhunues” të qytetarëve, që ata i mbrojnë me jetën e tyre?
Në fund, dua të besoj se deputetët tanë ( e sidomos ata deputetë që janë duke organizuar protestat) të cilët i kemi zgjedhur për të përfaqësuar interesat tona në Parlamentin e Kosovës, do të bëjnë punë e tyre, do të trajtojnë me maturi politike të gjitha çështjet që e mundojnë shoqërinë tonë. Ata duhet të ofrojnë zgjidhje aty brenda në sallën e ngrohtë dhe jo në rrugët dhe udhëkryqet e janarit të ftohtë. Kjo duhet të jetë pritja legjitime e qytetarëve të vendit tonë, dhe jo ankthi se çfarë do të ndodhë të dielën e ardhshme.
Autori është:
Këshilltar i Lartë Politik i Kryeministrit të Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.
Krijoni Kontakt