MORINE- Ne piken e kalimit kufitar te Shqiperise me Kosoven, ne Morine mesohet se autobuset me aktiviste te nisur nga Tirana dhe qytete te tjera nuk po lejohen te kalojne kufirin.
Raportohet se autoritetet kufitare te Kosoves po zvarrisin qellimisht procedurat e kalimit te shqiptareve.
EULEX dhe forcat policore të kosovës ushtrojnë dhunë fizike ndaj aktivistëve të vetwvendosjes. Arrestohen tre aktivistë nga Tirana.
Nga dogana e Morinit, bëhet e ditur se pas dy orë e gjysëm pritjeje policia e Kosovës në bashkëpunim me forcat e EULEX kanë zbritur të gjithë aktivistët e “Vetëvendosjes” nga autobusët dhe kanë nisur kontrollin e mjeteve dhe personave.
Asnjë arsye nuk është dhënë për mbajtjen aq gjatë në doganë të autobusëve, ndërkohë që bëhet e ditur se në Morinë nuk ka patur as radhë dhe as probleme në sistemet kompjuterike të kontrollit.
TIRANE - “Sot, Serbia nuk kalon” – është ky slogani i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, që sot pritet të zbatohet në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me shtetin serb, përkatësisht në Merdare dhe në Dheun e Bardhë. Pavarësisht kritikave të ashpra dhe thirrjeve për të mos e zhvilluar aksionin në pikat kufitare, lëvizja "Vetëvendosje” do të organizojë rreth orës 13:00 protestën e paralajmeruar në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Aktivistët nga Tirana bllokohen në Vermicë
Ora: 13:28- Aktivistët e nisur nga Tirana në mbështetje të aksionit të lëvizjes Vetëvendosje vijojnë të jenë të bllokuar në Vermicë, pasi autoritetet kufitare nuk kanë lejuar kalimin e autobusëve të tyre.
Në një lidhje telefonike në NEWS24 aktivisti Gentian Sala bëri të ditur se ata po pesin prej dy orësh për të kaluar kufirin, por autoritetet kanë ngritur dyshime rreth dokumentacionit të autobusëve me të cilët udhëtonin. Sipas Salës, rreth 100 aktivistët e nisur nga Tirana janë bllokuar në tokën neutrale, në Vermicë, pasi nuk lejohen të vijojnë as udhëtimi në këmbë.
Ata shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të presin derisa të lejohet kalimi i tyre drejt pikë kufitare të Merdarës, ku do t’i bashkohen mbështetësve të Vetëvendosjes.
Forca të shumta police në Merdarë, postbllok te Dheu i Bardhë
Ora: 12:35 -Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë vendosur në pikën kufitare në Merdarë. Në këtë pikë vërehen edhe automjete të blinduara të PK-së, si dhe automjete tjera, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it. Ndërkaq, siç raporton gazeta “Zërit”, mësohet se edhe gjatë rrugës Prishtinë-Merdarë, ka numër të shtuar të forcave policore ndërsa numri më i madh i tyre është i përqendruar në hyrje të qytetit të Podujevës.Policia po kontrollon pothuajse të gjitha automjetet që mësyjnë kufirin.
Ndërkohë në hyrje të pikës kufitare drejt Serbisë, Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka ngritur një postbllok.Dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë stacionuar në udhëkryqin Kamenicë-Dheu i Bardhë, ku po kontrollojnë të gjitha lëvizjet e automjeteve, ndërsa pak minuta më parë kanë ndalur një autobus me aktivistë të Vetëvendosjes, të cilin nuk e kanë lënë që të shkojë te pika kufitare.
Morinë, vonohen autobusët me aktivistë shqiptarë
Ora 12:10- Aktivistët shqiptarë që janë drejtuar drejt Kosovës, në mbështetje të protestës së paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë të presin prej rreth një ore në pikën kufitare të Morinës. Aktivistët pretendojnë se autoritetet kufitare po vonojnë qëllimisht procedurat për të mos lejuar mbërritjen e tyre në kohë në protestën e orës 13:00.
Sipas aktivistëve, të gjitha makinat e tjera kanë mbaruar procedurat në një kohë të shkurtër dhe kanë kaluar kufirin, përveç dy autobusëve me mbështetës shqiptare të Vetëvendosje-s, të cilëve u është kërkuar të ribëjnë listën e pjesëmarësve.
“Në fillim na thanë që nuk punon sistemi, tani na kërkojnë të ribëjmë listën e pjesëmarrësve. Makinat e tjera po kalojnë drejt Kosovës,vetëm 2 autobusët nuk lejohen të kalojnë. Ka 1 orë që nuk po verifikohet asgjë.” - shprehen aktivistët.
Nisën drejt Kosovës aktivistë nga Tirana
Ora: 08:00- Dy autobusë nga Tirana janë nisur sot drejt Kosovës rreth orës 7:00 të mëngjesit nga stadiumi ’Qemal Stafa’. Rreth 100 mbështetës të "Vetëvendosje”-s do t’i bashkohen protestës së sotme në pikat kufitare me Serbinë. Dy autobusët e nisur nga Tirana kanë një flamur kombëtar në pjesën ballore të tyre.
Ndërkohë, organizatorët nga Shqipëria thonë se qytetarë të tjerë nga qytetet, Durrës, Vlorë dhe Shkodër janë nisur drejt Kosovës me automjetet e tyre private.
Ditë më parë, në rrjetin social Facebook kreu i "Vetëvendosje”-s Albin Kurti bëri thirrje për pjesëmarrje në këtë aksion.
Policia e Kosovës merr masa
Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së “Vetëvendosje”-s , për këtë arsye ka hartuar edhe urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.
Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit, pastaj shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.
Policia bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim të rrugëve si dhe asnjë qasje të protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimin e tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosje”-s.
Policia sqaron se nëse është e nevojshme do t’i ndalojë të gjithë qytetarët që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre do të cënojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike.
Albin Kuti: Pse duhet të protestojmë
Sipas Albin Kurtit organizimi i protestave pikërisht në pikat kufitare është i domosdoshëm thjesht për ta bllokuar Serbinë. “Protesta jonë është paqësore kundër shtetit të Serbisë dhe jo kundër qytetarëve serbë në Kosovë, që janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Kjo protestë nuk i bllokon qytetarët, nuk e pengon lirinë e lëvizjes së qytetarëve në qarkullimin e lirë, por pengon hyrjen e Serbisë në Kosovë. Edhe ne jemi për integrimin evropian, por duhet të kemi parasysh se marrëdhëniet midis shteteve sipas vlerave, kritereve, standarteve evropiane kanë të bëjë me njohjen reciproke midis shteteve. E në rastin tonë Serbia deklarohet se Kosovën nuk do ta njohë kurrë”,- thotë Kurti
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt