
Postuar më parë nga
juelda
Berisha në Nju Jork: Shqipëria është një Norvegji e rajonit
Që jemi si Zvicra me det, këtë e dinim. Që kemi ekonominë e fortë si Gjermania, edhe këtë e dinim. Por tani kryeministri ka zbuluar se jemi si Norvegjia e rajonit. Duke folur në Nju Jork në Samitin e Liderëve të Ballkanit, me temë “Një vizion për një të ardhme të përbashkët”, ku merrnin pjesë gjithashtu Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, Kryeministri i Malit të Zi Igor Luksic, Berisha tha se aseti më i madh në Shqipëri është rinia.
“Shqipëria është një Norvegji e vogël në rajon. Është një vend plot me ujëra. Një vend që do të ndërtojë më shumë se 450 hidrocentrale. Shqipëria mund të bëhet një eksportues shumë i rëndësishëm i energjisë së blertë në rajon dhe po bëhët një i tillë.
Vendi ka një potencial shumë të madh turistik për t’u zhvilluar. Më lejoni t’ju përmbledh shkurtimisht. Në vitin 2004, vendi im priti gjithsej 350 mijë turistë dhe vizitorë. Në vitin 2010, ky numër shkoi në 3.5 milion. I kthehem edhe një herë fjalës së mikut tim, se këto janë vetëm hapat e para, sepse 90 përqind e bregdetit tonë po pret për investitorë për t’u zhvilluar.
Aseti më i madh i vendit im është rinia. Absolutisht, rinia që me energjinë, me vizionin dhe imagjinatën e saj, do ta bëjë vendin shqiponjën e Europës. Faleminderit për vëmendjen tuaj,” tha Berisha.
Kryeministri tha se nëse nuk ka demokraci nëse nuk ka liri ekonomike.
“Një takim i tillë i madh shpresoj që së shpejti do të zërë vend tek të gjithë ju, në secilin prej vendeve tanë, si lajmëtar i të ardhmes së madhe të rajonit. Por vetë fakti që ju keni theksuar tregjet, bizneset, si bërthamën e organizatës suaj, është gjithashtu shumë frymëzues. Nuk ka demokraci funksionale pa një ekonomi tregu funksionale. Prandaj këtu, në këtë vend të madh, flasin për demokracinë e bazuar në treg. Në këtë aspekt, ka një potencial të jashtëzakonshëm të organizatave tuaja që mund të bëhen promotor shumë të rëndësishëm për të tërhequr bizneset e këtij vendi, për rajonin e Ballkanit dhe vendet e tij. Ne po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën, për të krijuar klimën më miqësore, mjedisin më të mirë për bizneset dhe tregtinë. Fakti është që rajoni tani ka një dinamizëm të madh në shkëmbime, investime. Do t’ju jap dy shembuj. Në një hark të shkurtër kohor, prej vitit 2005 deri në vitin 2010, investimet turke në Shqipëri janë rritur katër herë. Në takimet e shpeshta me Kryeministrin Erdogan ne kemi planifikuar të mbështesim biznesin dhe bashkëpunimin e biznesit. Katër vjet më parë, Kryeministri Erdogan më propozoi marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe unë rashë dakord me të. Në vendin tim, disa njerëz më thonin se do të përballesha me vështirësi të mëdha me këtë marrëveshje. Unë u thashë jo, padyshim do ta ratifikojmë dhe ndodhi që e ratifikuam përpara parlamentit turk. Cilat ishin rezultatet? Absolutisht, një histori e qartë kristal win-win. Investime nga vende të tjera ballkanike po vijnë,” tha Berisha.
Krijoni Kontakt