Artistëve u kthehet dinjiteti
E enjte 2 Qershor 2011, 13:56
Të gjithë punëtorët e institucioneve të kulturës, krijuesit, performuesit kulturorë e punëtorët profesionistë të trashëgimisë, tash e tutje, do të kenë të zgjidhur çështjen e statusit të tyre juridik dhe material. Nga dita e djeshme ata nuk do të jenë më punëtorë të përkohshëm të këtyre institucioneve dhe nuk do të marrin rroga sa për të thënë, por njerëz të rëndësishëm për zhvillimet kulturore dhe që do të paguhen për kontributin e tyre. Kështu u ka premtuar kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, punëtorëve të institucioneve kulturore në koktejin e organizuar me rastin e nënshkrimit të rregullores nga ana e Qeverisë, me të cilën legalizohet statusi juridik dhe material për qindra punëtorë të institucioneve kulturore, të cilët deri më tani kishin vetëm kontrata mbi vepër. Në fjalimin e tij para qindra punëtorëve, kryeministri Thaçi tha se Qeveria nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë përkushtimin e saj për përmirësimin e kushteve për krijuesit dhe performuesit artistikë dhe trashëgiminë kulturore. “Ishte një obligim dhe mision të cilit së bashku po ia dalim mbanë”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se kultura dhe trashëgimia kulturore janë nevojë e të gjithë qytetarëve të profesioneve të ndryshme. Kurse ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se do të punojë edhe në thellimin e reformave në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, të cilat mund të na afrojnë edhe më pranë me shoqërinë bashkëkohore evropiane.“MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë përkushtimin ndaj komunitetit artistik për ta avancuar më tej pozitën e krijuesve kulturorë si dhe të trashëgimisë kulturore”, ka pohuar Krasniqi. Ndërsa drejtues të institucioneve dhe punëtorë kulturorë janë shprehur të kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të cilin, sipas tyre, ka vite që e presin. Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë dhe Operës së Kosovës, është shprehur se ky vendim është frytdhënës për institucionet kulturore dhe shumë i pritur, pasi, sipas tij, me këtë vendim artistëve kosovarë u kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur. Ndërsa, sa i përket Filarmonisë pritet të shihet se si do të shkojnë punët, meqë pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë të angazhuar edhe në arsimin kosovare. ‘Kjo është një çështje që duhet të diskutohet dhe të shohim se si do të ndikojë për institucionin që unë e drejtoj vendimi i Qeverisë”, është shprehur Jashari. Aktorja Shirine Morina, një nga doajenët e Teatrit Kombëtar, është shprehur se vendimi i djeshëm i Qeverisë dhe angazhimi i ministrit Krasniqi në këtë drejtim janë për t’u përshëndetur dhe se me këtë artistëve kosovarë u kthehet dinjiteti skajshmërisht i nëpërkëmbur. “Ishalla këtë herë e kanë me të vërtetë, se mjaft kanë vuajtur artistët gjatë këtyre dekadave të fundit”, ka thënë ajo, kurse aktori Ismet Azemi vendimin e Qeverisë e ka quajtur si mjaft pozitiv për gjithë kulturën kosovare dhe në veçanti për TKK-në. Pasi, siç është shprehur ai, me formimin ansamblit rezident ë tij TKK-ja nuk do të ketë nevojë të vrapojë pas njerëzve jashtë tij.
I. V.
Krijoni Kontakt