Close
Faqja 9 prej 29 FillimFillim ... 789101119 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 81 deri 90 prej 289
  1. #81
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,410
    Postimet në Bllog
    22
    Protesta ka shënuar 3 të vdekur, një në koma dhe 81 të plagosur


    Anilejda Shëmbitraku

    Tre viktima dhe 81 të plagosur është bilanci i demonstratës së opozitës, e cila degjeneroi në përleshje mes civilëve dhe forcave të policisë. Këtë e ka konfirmuar shefi i Urgjencës së Spitalit Ushtarak, Sami Koceku. Ai ka theksuar se dy persona kanë mbërritur të pajetë në spital. Një nga viktimat është identifikuar si shtetasi Viver Veizi, 43 vjeç, nga Gjirokastra; viktima e dytë është Hekuran Deda nga Dibra dhe një tjetër person ende i paidentifikuar. Mjeku Koceku pohoi se viktimat janë qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël. Plagët janë marrë nga para trupit, kryesisht në gjoks. Një nga viktimat është qëlluar me plumb në kokë. Koceku ka theksuar se ka dhe persona të plagosur, dy prej të cilëve më rëndë, në gjendje kome, pasi janë goditur me gurë në kokë. Ajo që dje u nis si një “protestë paqësore” ka përfunduar në një “luftë” mes protestuesve dhe forcave të rendit që ishin në krye të detyrës.

    Ambulancat
    Gjatë gjithë protestës kanë qenë të pranishme ambulancat dhe mjekët e ndërhyrjes së shpejtë, të cilët që në konfrontimet e para mes forcave të rendit dhe protestuesve kanë mjekuar dhe shoqëruar persona të plagosur lehtë nga hedhjet e gurëve, shkopinjtë e gomës dhe nga gazi lotsjellës. Ky i fundit ka shkaktuar asfiksi dhe gjendje të fikëti te një numër shumë i madh protestuesish, të cilët nuk kanë qenë në gjendje ta vazhdonin më protestën dhe janë shoqëruar në qendrat spitalore.

    Masat
    Në shërbim 24-orësh, në gatishmëri, kanë qenë dje 3500 efektivë policie të komisariateve, por edhe të Policisë së Shtetit, të cilët, krahas menaxhimit të demonstratës, duhet të bënin dhe mbikëqyrjen e godinave të rëndësisë së lartë. Krahas tyre, në rrugët e kryeqytetit kanë qenë në mbështetje dhe efektivë të sektorëve të hetimit të krimeve të rënda, akteve terroriste dhe i tërë shërbimi rrugor, i cili ka qenë i përqendruar në piketat e nxehta të lëvizjes së demonstruesve. Për shkak të demonstratës janë bllokuar përkohësisht dhe një sërë rrugësh. Më konkretisht, dje kanë qenë të bllokuara bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Rruga e Durrësit, ajo e Kavajës dhe e Elbasanit. Krahas masave të marra, Policia e kryeqytetit ka bërë me dije se tubimi ka qenë i monitoruar dhe nëpërmjet kamerave të vëzhgimit.

    QSUT
    Në kirurgji 10 të plagosur


    Pranë Urgjencës së Kirurgjisë në QSUT kanë marrë mjekim rreth 8 policë dhe disa qytetarë, të cilët kanë qenë pjesë e demonstratës. Shefi i Urgjencës së Kirurgjisë, Ylli Ziçishti, deklaron se disa nga personat kanë marrë plagë më të rënda, por fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. “Kanë ardhur të plagosur me mjete të forta 27 policë dhe një drejtues i tyre. Janë në gjendje të mirë. Do të mjekohen dhe do të shkojnë në shtëpi, përveç një polici që ka dëmtuar klavikulën e majtë dhe mund të ketë fraktura në kokë. Një demonstrues është qëlluar me plumb sepse ka një vrimë hyrje-dalje, ka frakturë të parakrahut dhe është dërguar në kirurgji. Kemi rezerva gjaku, megjithatë i kemi thënë farmacisë të rrijë në gatishmëri”, - ka theksuar Ziçishti.

    SPITALI USHTARAK
    Shkak i vdekjeve kanë qenë armët e zjarrit


    Shefi i Urgjencës së Spitalit Ushtarak ka deklaruar se fillimisht kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak dy persona pa jetë, të identifikuar si Viver Veizi, 43 vjeç, nga Gjirokastra, dhe viktima e dytë, Hekuran Deda, nga Dibra. Personi i tretë që humbi jetën në spital është ende i paidentifikuar. Sipas burimeve spitalore, ai është qëlluar me snajper. Ndërkohë që numri i të plagosurve është disa dhjetëra persona. Në gjendje më të rëndë ndodhen 22 persona me trauma të ndryshme në trup. Ndërkohë që burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme konfirmuan se nga përdorimi i gurëve dhe sendeve të forta janë plagosur 10 efektiva të policisë, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë të plagosur.
    Pesë prokurorë të Tiranës kanë nisur hetimet e tyre dhe fillimisht kanë marrë në pyetje të gjithë të shoqëruarit në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Prokurorët nuk kanë bërë të ditur ende asgjë zyrtarisht, ndërkohë që nga ekzaminimi i parë mjekësor del se dy prej të vdekurve janë qëlluar me armë të kalibrit të vogël, pistoletë, ndërsa një prej tyre ka marrë plagë me armë zjarri në kokë. Gjithçka do të zbardhet pasi të kryhet edhe autopsia e viktimave.

    3
    është numri i të vdekurve dje në protestën e opozitës

    47
    është numri i të plagosurve dje në protestën e opozitës

    3500
    ishte numri i forcave të rendit në gatishmëri për ruajtjen e qetësisë publike

    100
    është numri i efektivave të policisë, të cilët janë deklaruar të plagosur nga Spitali Ushtarak


    Protesta

    1. Pankarta me parulla për largimin e qeverisë.
    2. Vënie zjarri të automjeteve dhe pemëve para Kryeministrisë.
    3. Përleshje mes forcave të rendit dhe protestuesve.
    4. Përdorimi i gazit lotsjellës dhe plumbave plastikë.

    Albania

  2. #82
    Maska e *Babygirl*
    Anëtarësuar
    06-07-2006
    Vendndodhja
    Local Disk :D
    Postime
    910
    Rama: Demonstratat do të vijojnë, pa dhunë

    Kryetari i PS-së, Edi Rama ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për të vazhduar demonstratat e saj në mënyrë paqësore dhe pa dhunë. Ai ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit që të zbatojë urdhër-arrestimet e gjashtë punonjësve të Gardës së Republikës, që sipas Ramës, enden ende të lirë, duke përbërë rrezikshmëri shoqërore.

    “Apeli im për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit është që të jetë drejtor i përgjithshëm i kësja policie dhe jo një tjetër ekzekutor i një pushteti që ka humbur çdo legjimitet. Ai nuk mund të mbajë në tryezë urdhër-ndalimet për njerëzit që kanë marrë jetë njerëzish”, është shprehur Rama.

    “Apeli im për miqtë ndërkombëtarë është të shohin drejt e në sy të vërtetën që është me e qartë falë kurajos dhe mundësive për të transmetuar prova të manipulueshme të atyre gazetarëve që sot janë edhe ata në një kacafytje për lirinë apo humbjen e saj me një pushtet që duhet të largohet, në mënyrë që Shqipëria të futet në normalitet dhe shqiptarëve t’u jepet e drejta e mohuar për të zgjedhur qeverinë e tyre me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Rama.

    “As e kemi humbur dhe as do ta humbim këtë fill duke shkuar përpara me forcën e arsyes dhe refuzuar të biem pre e tundimit për të përdorur arsyen e forcës. Dje u provokuam barbarisht nga një polici shteti e keqpërdorur e cila ndërhyn me bomba e blinda ujëhedhës, mbi protestuesit. Do të vazhdojmë në rrugën tonë, nuk do të ndalemi në demonstrimet tona, sepse është një udhëkryq ku ndalen dy botë, ajo e lakuriqit të natës dhe ajo e dritës së të vërtetës. Do të vazhdojmë pa dhunë, paqësisht, urtësisht, me fuqinë e pandalshme të rezistencës së popullit. Ata në pushtet janë partia, ne në rrugë jemi populli”, përfundoi fjalën e tij Rama.
    Mos jeto pa buzëqeshur...sepse dikush në këtë botë jeton nga buzëqeshja jote ...!

  3. #83
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,410
    Postimet në Bllog
    22
    Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha


    Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, bashkëkombës të mi, kudo që jeni,

    Dje, Edvin Kristaq Rama, pasi dështoi me puçin e tij të paralajmëruar për të marrë pushtetin me forcë, me banditë, bashibozukë, trafikantë, delinkuentë, u paraqit gjer në orën një të natës disa herë në mediat e vendit, duke u përpjekur të lajë duart me krimin e tij të shëmtuar, përpjekjen për të marrë kryeministrinë, përpjekje në të cilën humbën jetën 3 qytetarë dhe u plagosën 27 anëtarë të forcave të rendit, ndër të cilët edhe në gjendje shumë të rëndë.

    Unë jam sot këtu, për t’i thënë Edvin Kristaq Ramës, Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushit, autorë të vërtetë të krimit të shëmtuar të djeshëm se akti juaj antikushtetues ka vetën emrin tuaj dhe për këtë ju do të përballeni me të gjitha pasojat e tij.

    Edvin Kristaq Rama, skenari puçist i djeshëm, sulmi për të pushtuar kryeministrinë u projektua, u organizua, u drejtua dhe u pagua vetëm nga ti dhe dy lejtnantët e tu, ish ministra të diktaturës Ruci dhe Gjinushi.

    Je ti, zoti Rama, që je vërsulur i tërbuar pas karriges së pushtetit, për të pushtuar kryeministrinë dhe ke drejtuar dje të gjithë sulmin nga lokalet e Fidelit karshi godinës së kryeministrisë.

    Je ti, zoti Rama, drejtues i dhunës antikushtetuese që dhjetë ditë më parë me çakallin tënd të Sigurimit të Shtetit montove videon për të implikuar dhe akuzuar kryeministrin e vendit.

    Je ti, Edvin Kristaq Rama, që drejtove dje të gjithë sulmin kundër kryeministrisë, që, edhe pasi media që ti e ke shndërruar në hanxhar tëndin politik u detyrua të transmetojë pjesën e montuar dhe faktoi se video ishte e falsifikuar për kryeministrin, u the shqiptarëve që kjo video nuk është e montuar, thirre Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, zgjodhe ditën e Leninit, datën 21 janar, për të thirrur demonstratën në Tiranë.

    Je ti, Edvin Kristaq Rama dhe ministrat e diktaturës hoxhiste Ruçi dhe Gjinushi që do të drejtoje nga lokalet e Fidelit, karshi zyrës sime puçin e marrjes së pushtetit me dhunë dhe që me përfaqësuesin tënd, kryetarin e degës së Partisë Socialiste për Tiranën kërkove leje në Policinë e Shtetit për zhvillimin e demonstratës më datën 21 janar.

    Je ti, Edvin Kristaq Rama që urdhëroje dhunën për pushtimin e kryeministrisë nga lokalet e Fidelit, që u deklarove shqiptarëve se ju po thërrisni demonstratën, por nuk do të kontrollonit popullin dhe dje u tregua se nuk ishte populli, por ishin bandat tuaja të paguara.

    Je ti, Edvin Kristaq Rama, dy ministrat e tu të diktaturës Ruci dhe Gjinushi dhe deputetët e tu që rekrutuan me pagesë falangat e krimit të organizuar, kriminelë, trafikantë banditë, që, siç është dëshmuar nga vetë ata në deklaratat e tyre, ju pagove jo vetëm biletën e udhëtimit, por edhe 20 deri në 30 mijë lekë (të reja) secilit, për dhunën që duhet të ushtronin ndaj kryeministrisë.

    Je ti, zoti Edvin Kristaq Rama që projektin e puçit tënd të marrjes së pushtetit me dhunë e shtrive në parlament, me autorin e masakrës së Shkodrës, ish ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit dhe bastardë të tjerë të bllokut që kërcënuan me të gjitha format në seancën e fundit, kryeministrin e vendit. Je ti që nga strokulla jote ju dërgoje deputeteve të tu në parlament mesazhe dhe i urdhëroje e i nxisje për sulme fizike kundër kryeministrit.

    Je ti, Edvin Kristaq Rama që me ish ministrat e diktaturës Ruçi e Gjinushi shpalle se do të përmbysnit me dhunë rendin kushtetues. Ndërsa dje, dy lejtnantët e tu, njëri do të deklaronte se sikur edhe 13 mijë të vrarë të kemi ia vlen, kurse tjetri, pasi do ta përzinte nga spitali motra e njërës prej viktimave e do t’i thoshte largohu kriminel se më vrave vëllain, do kishte fytyrë të dilte para gazetarëve e të deklaronte se Shqipërisë i duhen dëshmorë e martirë të rinj, duke shprehur kështu gëzimin e papërmbajtur për jetët e humbura.

    Puçin e sulmin për të marrë pushtetin me dhunë e organizove ti dhe vetëm ti. Pasi dështove, tani del çdo orë në media për të larë duart me krimin e shëmtuar. Ti harron se çdo shqiptar ka lexuar në fytyrën tënde, fytyrën e ministrave të diktaturës Ruçi dhe Gjinushi, veprën terroriste antikushtetuese.

    Të dashur qytetare e qytetarë të Shqipërisë, bashkëkombës të mi, kudo që jeni,

    Dje, ju përjetuat një ngjarje shumë tronditëse. Banda kriminale, trafikantë, bashibozukë të paguar sulmuan me gurë, hunj, armë, eksploziv, shishe molotov kryeministrinë e vendit, rendin kushtetues të Shqipërisë. Dje, ju patë bijtë tuaj me uniformë të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, që paguhen për të mbrojtur rendin dhe qetësinë, jetën, punën, veprimtarinë e institucionet tuaja, të sulmohen me gur e hunj, por edhe plumba e shishe molotov, vetëm e vetëm se ata bënin detyrën, kurse Edvin Kristaq Rama, ministrat e diktaturës hoxhiste Ruçi e Gjinushi, bllokmenët e rinj duhet të merrnin patjetër me dhunë kryeministrinë e vendit.

    Unë kam marrë dje dhe sot me mijëra mesazhe solidarizuese nga mbarë Shqipëria, nga demokratë, por, në të vërtetë, edhe nga socialistë nga mbarë vendi. Dua t’ju lexoj këtu vetëm mesazhin e një qytetari të paparti. Ky është një mesazh i datës 21 janar, ora 19.13 minuta: Si qytetar i paparti me lot e dhimbje të thellë përjetova atë që ndodhi dje ndaj forcave të policisë, sa më provokohej edhe mua në shtëpi, që po humbisja durimin. Përshëndes ata policë heroikë dhe drejtuesit e tyre, ju përshëndes ju që ditët të kalonit atë provokim. Përshëndetje. Besnik, nuk po e the mbiemrin.

    Ndaj ne të gjithë, të dashur qytetare e qytetarë, bashkëkombës të mi, le të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë ndaj Policisë së Shtetit, trupave të Gardës së Republikës e gjithë atyre që me guxim, trimëri e heroizëm mbrojtën dje ligjin, liritë tuaja, rendin kushtetues demokratik e dëshmuan se aventurierë, trafikantë, banda e banditë kurrë nuk mund të dalin mbi ligjin në këtë vend anëtar të NATO-s.

    Unë dua t’i siguroj ata, si dhe çdo punonjës në detyrë të këtij vendi se në çdo përballje me krimin, me bandat e zbatimin e ligjit do të kenë në anën e tyre, në mbështetje të plotë kryeministrin, qeverinë dhe qytetarët e vendit të tyre.

    Unë sërish kam një mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët me braktisjen e thirrjes së puçistëve luajtën rol kryesor në mbrojtjen e vlerave qytetare, në dështimin e puçit të Edvin Kristaq Ramës e dy ministrave të tjerë të diktaturës. Por jam këtu gjithashtu për të shprehur vlerësimin tim edhe për ata mijëra protestues paqësorë që erdhën në thirrjen e partisë së tyre për të protestuar para kryeministrisë së vendit, por, sapo kuptuan se ishin ftuar për mish për top, se ishin ftuar për dhunë e puç, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe qëndruan indiferentë në distancë pa asnjë implikim me dhunën e terrorin e grupeve kriminale. Gjej rastin të garantoj çdo qytetar të këtij vendi se unë përulem me nderimin më të madh para lirive dhe të drejtave të tyre themelore, të cilat nuk do të mund të cenohen kurrë në këtë vend të lirë, demokratik, anëtar të NATO-s, të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore, kudo dhe sa herë që ata të duan dhe kam pasur rastin ta faktoj në mënyrën më të plotë. Me dhjetëra herë kanë ardhur para zyrave të mia, kanë vendosur çadra, për javë të tëra kanë bllokuar bulevardin, kanë protestuar paqësisht dhe unë jam përulur e kam respektuar vendimin e tyre. Liria dhe vetëm liria është pasioni im kryesor.

    Do t’u them dy fjalë mercenarëve, kriminelëve, banditëve që sulmuan dje kryeministrinë me të gjitha mjetet, gurë, shkopinj, armë, bomba molotov dhe që u bënë shkak i 3 viktimave në ato përleshje – mos u bëni, të mjerë, mish për top i një njeriu dhe një grushti të vogël njerëzish që ju duan vetëm si mercenarë për karrigen e tyre.

    Ju garantoj se për çdo shkelje dhe dhunim ligji, do të merrni pa asnjë diskutim, përgjigjen dhe ndëshkimin më të merituar. Mos harroni se nuk ka forcë në botë sot që të pushtojë institucione demokratike të Shqipërisë, anëtare e NATO-s. Një armik i jashtëm nuk mund ta bëj kurrë këtë pa u përballuar me të gjithë fuqinë ushtarake të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Aleancës më të fuqishme të të gjitha kohërave. Puçistë dhe banditë të brendshëm nuk do të mund ta bëjnë kurrë këtë pa u përballur me të gjithë forcën e ligjit, deri në asgjësimin e plotë të mundësisë së tyre për të sulmuar institucionet demokratike të qytetarëve të lirë shqiptarë.

    U bëj thirrje familjeve të këtyre elementëve që të ushtrojnë të gjithë ndikimin mbi ta, sepse unë kurrë nuk jam për ndëshkime në rrugë. Unë jam për ndëshkime ligjore në procese të drejta gjyqësore, por në qoftë se na imponojnë në flagrancë forca e ligjit do të bjerë mbi ta me të gjithë potencialin e saj.

    Dy fjalë për Edvin Kristaq Ramën. Në qoftë se mendon se me banda, banditë dhe me trafikantë do të mund të bëhesh faktor dhe do të faktorizohesh, të garantoj se do të trajtohesh njëlloj si ata dhe se nuk do mundesh kurrë të pushtosh as edhe institucionet më të parëndësishme të këtij vendi. Ato do t’i mbrojnë të gjitha forcat e rendit, do t’i mbrojnë qindra dhe mijëra burra e gra të betuar për detyrë, të betuar për flamur. Mjeran, mos guxo! Faktor nuk do të mund të bëhesh kurrë. Përkundrazi, do shkosh drejt atij fundi që meriton – defaktorizimit total. Ka institucione, ka Parlament dhe keni të gjithë hapësirat.

    Duke e mbyllur këtë deklaratë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, që të bashkohemi në Tiranë ditën e mërkurë në një manifestim të fuqishëm paqësor kundër dhunës dhe për paqen. Të japim mesazhin që pret nga ne bota e qytetëruar, në mënyrë që efektet e shëmtuara të akteve të djeshme të fshihen mundësisht sa më shpejt nga memoria. Me aktet e tij Edvin Kristaq Rama që del çdo orë dhe lexon të njëjtin tekst, ndihet i lehtësuar sepse, edhe në rast se dështoi për të marrë karrigen, mendon se me dëmtimin e imazhit të Shqipërisë ia doli që të dekurajojë turizmin masiv që do të vërshojë gjatë këtij viti në Shqipëri. Ai mendon se ia doli të dekurajojë investimet e mëdha që po ndodhin dhe do të ndodhin. Po le t’ia lëmë atij të gjitha këto ëndrra dhe projekte të kobshme në kokën e tij të sëmurë. Ne të vazhdojmë të bashkohemi në një miting të madh, nga mbarë Shqipëria, ditën e mërkurë. Për orën dhe sheshin do të njoftohet shumë shpejt.

    Pyetje: Zoti Kryeministër, ju e cilësoni dhe e quani akt puçist atë që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme para selisë kryeministrisë, të ideuar nga treshja Rama - Ruçi - Gjinushi. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste në orët e para të mëngjesit të sotëm ka bërë një deklaratë, ku ju akuzon ju dhe ministrin e Brendshëm, duke u bazuar në disa filmime që janë publikuar dhe transmetuar në media të ndryshme, sipas të cilit plumbat kanë dalë nga zyrat e kryeministrisë, nga ku humbën dhe jetën 3 qytetarë. Njëherazi i kërkon organit të akuzës së nisë në mënyrë të menjëhershme hetimet në fjalë, duke marrë si provë ato pamje.

    Kryeministri Berisha: Më lejoni të ripërsëris ato çka theksova dje. Në këtë territor, në këto zyra, në këtë institucion kushtetues veprojnë ligje, rregullore, të detyrueshme për secilin që punon në të. Këto ligje dhe rregullore janë transparente. I kam dëgjuar dje të thonë se ishin nga snajper. Më vonë thanë nga zyrat. Unë do ju them këtu se zyrat e kryeministrisë kanë pasur dje të gjithë efektivin e vetë në detyrë, por kanë pasur në detyrë edhe të gjithë burrat e gratë që punojnë në kryeministri, të cilët kurrë nuk do t’u lëshojnë bandave, puçistëve dhe banditëve me forcë zyrat dhe karriget e tyre, do t’i mbrojnë ato në mënyrën më shembullore. Për çdo territor këtu ka një rregullore. Një rregullore është për bulevardin, sepse aty janë dy ndërtesat kryesore të shtetit, parlamenti, kryeministria dhe presidenca në tutje. Ka një rregullore për gardhin. Ka një rregullore për brenda gardhit. Pastaj ka një rregullore për atë që mund të prek çdo metër katror të territorit brenda gardhit. Institucioni nuk dhunohet, institucioni nuk cenohet. Ata, të cilat mendojnë se do të mund të dhunojnë këto ligje dhe rregulla, absolutisht, do të përballen me të gjithë pasojat e tyre. Pra, duke theksuar këtë, rregulloret janë rregullore dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha palët. Asnjë njeri nuk ka mbi ligjin në këtë vend. Puçi avancoi me futjen brenda në territor të banditëve dhe puçistëve. Kurrë nuk do mund të kalonin. Dhe u them që kurrë të mos e mendojnë se mund ta kalojnë. Ajo është zonë e pakalueshme dhe nuk ka forcë që mund ta kalojë. As forcë e jashtme, për arsyet që thashë dhe as e brendshme, për arsyet që shpjegova. Çdo sulm do të hase në përgjigjet ligjore.

    Pyetje: Zoti Berisha, lidhur me manifestimin, a mos vallë po i trembni sërish qytetarët me manifestimin që do të bëhet të mërkurën, të paralajmëruar prej jush?

    Kryeministri Berisha: Asnjë qytetar nuk trembet dhe ju do të shihni që rrugët e sheshet e Tiranës nuk do t’i zënë dot. Do të vijnë aq shumë për të protestuar kundër dhunës. Së dyti, në mënyrën më absolute do të jetë manifestimi më dinjitoz, më paqësor që vendi ka njohur. Askush nuk drejtohet kundër askujt, përveçse kundër dhunës. Dhunë e cila vret interesat e çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Unë nuk ftova vetëm demokratë, thashë qytetarë të të gjitha bindjeve, sepse para së gjithash jemi shqiptarë. Dhuna është banditeske. Vlerat janë shqiptare.

    Pyetje: Besoj ose pata kështu përshtypjen nga kjo që ju thatë tani, ishte një tërheqje nga deklarata e juaj e djeshme se ata nuk janë vrarë nga policët. Dhe kur do të dalë ekspertiza ligjore?

    Kryeministri Berisha: Unë dje kam thënë që të dhënat e para faktojnë që janë qëlluar nga afër. Së dyti, nuk ka asnjë ndryshim. Informatat e para janë ato që kam thënë dje, por kam thënë edhe se Prokuroria e shtetit duhet të zbardhë të gjitha rrethanat, nga kanë dalë, nga kanë ardhur, kush ka qëlluar e të gjitha me radhë. Unë shoh një media që po me një tjetër çakall të Sigurimit bën po atë që bëri çakalli i Ramës me videon tjetër dhe përpiqet të bëjë dhe gjykatësin, dhe prokurorin dhe të gjitha. Kjo është zgjedhja e tij. Ne kemi ekspertë të plotë për të gjitha këto fusha dhe Prokuroria do të qartësojë, do të nxjerrë përgjegjësitë se ku qëndrojnë. Por kjo është njëra anë. Ana tjetër është vendosmëria absolute për të mbrojtur çdo metër katror të atij territori që nuk mund të dhunohet. Këtu nuk ndryshon asgjë! Ka rregullore për çdo sipërfaqe.

    Kryeministria
    22/01/2011
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 22-01-2011 më 11:15

  4. #84
    Perjashtuar Maska e morrison
    Anëtarësuar
    16-01-2007
    Vendndodhja
    Me kembe ne toke!
    Postime
    822

    Konventat ndërkombëtare e kanë ndaluar përdorimin e armëve të zjarrit në raste të til

    Ish- zv/ komandanti i Gardës:
    Konventat ndërkombëtare e kanë ndaluar përdorimin e armëve të zjarrit në raste të tilla si dhe përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave plastikë

    TIRANE- Ish- zv/Komandanti i Gardës së Repulikës, dhe ish- Zv/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Arjan Rugji, i cilësoi veprimet e djeshme të Policisë dhe të Gardës së Republikës, tejet flagrante si përdorimin e gazit lostsjellës dhe të plumbave plastikë nga policia. "Përdorimi gazit lostsjellës dhe i plumbave plastikë është e ndaluar nga të gjitha konventat ndërkombëtare në të cilat aderon edhe Shqipëria prej vitesh",- thotë Rugji.


    Z. Rugji ju si ish- drejtues i Gardës së Republikës dhe Policisë si i cilësoni veprimet e djeshme të efektivëve të tyre ?


    Mendoj se përdorimi i armëve të zjarrit ndaj turmave është një veprim flagrant dhe tejkalim i të gjitha kompetencave që ka Garda e Republikës në misionin e saj. Në asnjë rast armët e zjarrit s'mund të përdoren ndaj protestuesve. Mund të them se është kaluar kompetenca e Gardës së Republikës në veprimet e saj, apo e Policisë, për të qëlluar mbi turmat, pasi në të kishte gra.


    Si duhet të veprojë Policia dhe Garda në rastet kur provokohet nga turma nëse mund të ndodhë një gjë e tillë ?


    Shikoni eksperiencat e viteve 2001, 2002, 2003 etj ne i kemi të freskëta. Çdo pasdite në këtë periudhë simpatizantë të Partisë Demokratike apo protestues grumbulloheshin përballë selisë së qeverisë për të protestuar. Në fakt nuk ishin protesta por ishin sulme me bomba molotov me sende të forta dhe me çdo gjë tjetër kundër Policisë dhe Gardës. Në asnjë rast policia nuk ka reaguar me plumba plastikë, me gaz lotsjellës dhe aq më pak me armë zjarrri. Kjo është e patolerueshme për Gardën e Republikës.


    Edhe nëse protestuesit ndodh që mund të sulmojnë selinë e qeverisë apo tentojnë të hyjnë në të ?


    Kjo është përgjegjësi totale e Policisë për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën. Policia nuk duhej të lejonte që situata të shkonte në një moment të tillë. Pra ajo nuk duhej të përdorte gazin lotsjellës, plumbat plastikë dhe aq më pak armët e zjarrit më vonë. Po të shikoni veprimet e policisë ajo ishte dje në panik dhe veprimet e saj ishin të paorganizuara.


    Po ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e protestuesve ?


    Ishte si një veprim ndaj njerëzve të pambrojtur kur turma e madhe e protestuesve ishte larguar. Ata u lëshuan si hienat mbi pretë e tyre duke shoqëruar mbase njerëzit më të pafajshëm. Veprime të tilla janë veprime të njerëzve që sulmojnë në momentet më të dobëta njerëz që mbase mund të mos kenë pasur fare rol në protestë.


    Në një moment, policia mësyu në dy kullat përballë kryeministrisë duke shoqëruar qindra vetë që ndodheshin në kafet aty pranë. Si e cilësoni një veprim të tillë mbi pronën private ?
    Policia në asnjë rast nuk ka mision të hyjë në një pronë private dhe të sulmojë aty.
    Cenimi i pronës private pa pasur figurën e krimit është veprim që nuk mund të kryhet, pasi në rast se policia nuk mund të arrestojë edhe një kriminel në një pronë private, kur në të ka njerëz. Më parë komunikohet me të zotët e shtëpisë dhe më pas ndërhyhet.

    Shekulli.

  5. #85
    Perjashtuar Maska e morrison
    Anëtarësuar
    16-01-2007
    Vendndodhja
    Me kembe ne toke!
    Postime
    822

    Policia dhune ndaj gazetareve

    Një gazetar është plagosur në dorë me armë zjarri disa të tjerë janë rrahur barbarisht nga policia

    Terrori i djeshëm në rrugët e Tiranës nuk ka kursyer as gazetarët. Dhuna e policisë ndaj punonjësve fillon nga goditjet me shkopinj gome dhe shkelma deri tek armët e zjarrit. Gazetarët nuk i ka mbrojtur ndaj dhunës shtazarake të forcave të policisë as dokumentet e identifikimit si dhe statusi i informuesit të publikut.


    Ened Janina redaktor i sektorit të Politikës dhe Ekonomisë në gazetën "Shekulli" është qëlluar në mënyrë kafshërore nga policët të cilët pas shpërndarjes së turmës filluan të godasin personat që lëviznin të vetëm në rrugë.


    Pasi i janë afruar policët ka kërkuar të mbrohet duke nxjerrë dokumentin e identifikimit shoqëruar edhe me togfjalëshin: "Jam gazetar, mos më godisni", por përveç goditjeve me shkopinj gome dhe qytë automatiku ka marrë këtë përgjigje nga policët: "Me plasi k... që je gazetar". Me situatë edhe më të rendë është përballur edhe gazetari i televizionit "ABC News", Fatos Mahmutaj, duke raportuar drejtpërdrejt nga sheshi duke u plagosur me plumb në dorë.


    Burime nga prokuroria shprehen se pasi ka shpuar tejpërtej dorën e gazetarit, plumbi ka ndaluar në kokën e njërit prej protestuesve duke i shkaktuar atij vdekjen. Me shkopinj gome dhe shkelma është rrahur edhe një kolegu i tij, pjesë e stafit teknik të televizionit "ABC News".
    Plagë ka marrë edhe gazetari i televizionit "Ora News" gjatë raportimit të drejtpërdrejtë që po bënte nga sheshi.


    Pasi kanë shpërndarë turmën, policët janë hedhur në "sulm" ndaj qytetarëve dhe gazetarëve duke goditur në nofull gazetarin Elton Dono, gjë e cila i ka kushtuar dy të qepura. Nga ana tjetër, fotografi Feliks Bilani, është goditur në kokë me gurë nga turma. Ai gjithashtu raporton goditjen me gurë edhe të reporterit dhe kameramanit të Agjencisë Reuters.

    Shekulli.

  6. #86
    Perjashtuar Maska e morrison
    Anëtarësuar
    16-01-2007
    Vendndodhja
    Me kembe ne toke!
    Postime
    822

    Rama: Nuk ndalemi, demonstruesit europianë nuk qëllohen me armë

    Kreu socialist Edi Rama I bëri thirrje Drejtorit të Policisë së Shtetit që të zbatojë urdhërin e dhënë nga Prokuroria,, për arrestimin e gjashtë drejtuesve të Gardës dhe jo urdhërin e një ekzekutori, dhe urdhërat e një pushteti që ka humbur çdo legjitmitet.


    Në një konferencë për shtyp kreu socialist akuzoi pushtetin si vrasës të demonstruesve.
    "Nuk do të lodhem së përsërituri, për shqiptarët e ndërkombëtaret, se demonstruesit e botës ku duam të integrohemi, nuk qëllohen me plumba"- tha Rama


    Sipas Ramës, Saliu lajmëroi antimitungun për të protestuar kundër dhunës, por kundër cilës dhunë do të protestojë ai, tha Rama, kundër dhunës së Gardës apo ministrit të tij.
    "Do të vazhdojmë rrugën tonë, nuk zbrapsemi, sepse ky është një udhëkryq ku ndahen dy botë. Ne do vazhdojmë demonstratat, tona pa dhunë paqësisht, me fuqinë e pandalshme të rezistencës qytetare."-tha ai.

    Shekulli.

  7. #87
    SHBA: Dialog politik, jo dhunë

    22/01/2011 14:25

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit të tyre në Tiranë, i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare që të distancohet nga dhuna dhe të angazhohet për kompromis.
    Në një konferencë për shtyp, ambasadori Alexander Arvizu ka deklaruar se dhuna nuk i zgjidh problemet të cilat ka Shqipëria, mes të cilëve spikat ai i korrupsionit.

    “Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhej parandaluar. Ajo nuk duhet të ndodhë përsëri. Disa e kanë përshkruar si protestën kundër korrupsionit. Askush nuk e vë në dyshim që korrupsioni është real në Shqipëri. Duhet bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që Shqipëria të arrijë ambicjet e saj. Por dhuna nuk do ta zgjidhë problemin”, ka pohuar Arvizu.

    Ai i ka bërë thirrje klasës politike që problemet t’i zgjidhë me kompromis, duke theksuar se SHBA vazhdimisht ia kanë kërkuar një gjë të tillë Shqipërisë.

    “Në këtë moment Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike dhe ne iu kemi bërë thirrje vazhdimisht liderëve politikë që të bëjnë kompromis. Por kur njëra palë apo tjetra këmbëngul në qëndrime ekstreme, ateherë më vjen keq por ky nuk është kompromis”, ka nënvizuar Arvizu.

    Më tej, duke iu referuar tre vrasjeve të ndodhura në demonstratë, diplomati amerikan ka bërë thirrje që të mos dilet në përfundime të shpejta dhe që t’i lihet koha e duhur prokurorisë për të hetuar.

    top-channel

  8. #88
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,410
    Postimet në Bllog
    22
    Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Kryeministrit, znj. Erla Mëhilli


    Jam këtu për t’ju informuar se me propozim të Kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpërblejë të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të cilët morën pjesë në mbrojtje të institucioneve të vendit, me 1 pagë suplementare dhe punonjësit e plagosur të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës me 4 paga suplementare.

    Jam, gjithashtu, këtu për të dënuar gjuhën e përdorur sot nga organizatori i skenarit të dhunës e vrasjeve, i cili me një gjuhë të denjë vetëm për ata që ushtruan dje dhunën dhe që ishin paguar për të ushtruar dhunë, ofendoi forcat e rendit, që me heroizëm, trimëri dhe vetëmohim i treguan vendit dhe mbarë botës forcën e ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor.

    Kryeministria
    22/01/2011

  9. #89
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,410
    Postimet në Bllog
    22
    Rama: Sot ditë zie. Nga nesër, protesta pa dhunë kundër Berishës

    Deklarata
    Lideri i opozitës: Kemi prova se viktimat janë qëlluar nga strukturat e pushtetit


    Kryetari i PS-së, Edi Rama, në daljen e fundit publike mbrëmjen e djeshme akuzoi Kryeministrin Sali Berisha për masakrën e ndodhur gjatë demonstratës, dha verdiktin e opozitës së bashkuar se dita e sotme do të jetë ditë zie dhe se në ditët në vazhdim do të vijojnë protesta të fuqishme pa armë dhe dhunë kundër pushtetit të Sali Berishës. Pas akuzave të përcjella nga Kryeministria në adresë të tij, Edi Rama bëri me dije nga selia rozë se “mirëpres padinë penale, por i bëj thirrje Presidentit dhe Prokurores së Përgjithshme që të garantohen provat dhe të mos vonohen në hetime për gjëra që populli i ka parë dhe dëgjuar e të mos varrosen. Mungesa e drejtësisë është ajo që na ka sjellë këtu në këtë ditë”. Kreu i opozitës bëri me dije se beteja e së majtës do të vazhdojë pa dhunë, pa armë dhe pa skenarë si ky i sotmi, që shkaktoi vdekjen e tre personave të pafajshëm. “Shqipëria është atdheu ynë dhe në këtë atdhe ne pranojmë të bashkëjetojmë me këdo, por refuzojmë të trajtohemi si një popull që nuk ka liri dhe të drejta. Jo për ta marrë pushtetin me dhunë, por mos të lejojmë që dhuna e pushtetit ta zhysë vendin gjithnjë e më keq”, deklaroi kreu i PS-së. “Saliu, siç e ka në kulturën e tij, u shfaq para popullit si një gangster, jo si Kryeministër, si mafioz, puçist, si një përfaqësues i pushtetit të grabitur. Ai shpifi duke më akuzuar mua për krimin e tij të sotëm. Ai shpifi duke shkelur të vdekurit, ku tregoi diçka të pandodhur në Spitalin Ushtarak. Askush s’më tha mua dhe kolegëve të mi fjalët që shqiptoi goja e tij. Ai po e zhyt Shqipërinë në një batak dhe në një llum. Ai shpifi duke më akuzuar mua se po rrija në kullat e Fidelit për të vënë në jetë skenarin ogurzi”, tha Rama. Kreu i opozitës sqaroi se ishte në rrugë dhe u ndal pranë urës së bulevardit, për shkak të sulmit barbar ku demonstruesit u kthyen mbrapsht nga policia me bomba e me gaz lotsjellës dhe makina me ujë. “Ne disponojmë provat. Ato kamerat e vendosura nga Luli i Saliut do të ndihmojnë për të kuptuar çka ndodhur. Shqipëria nesër e ka ditë zie, por pasi të nderojmë të vrarët, e siguroj Saliun se do na ketë përballë me gjithë përgjegjësitë historike dhe qytetare”, tha Rama. Ai shtoi se “unë dhunën e kam njohur në trupin tim falë dorës gangstere të Saliut më 1997-n, por se ka as në gjakun dhe as në mendjen time për Shqipërinë europiane”. Kryetari i opozitës bëri me dije dje se “unë e neveris këtë regjim maskarenjsh dhe e dua vendin më shumë se veten time. Kjo betejë s’do ndalet, jo me dhunë, por me shpirtin e pastër”.
    Vizita në spital

    “Jam pa fjalë përpara një prove me jetë të humbura, përpara një Shqipërie që është marrë peng”. Këto janë fjalët e para të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i sapodalë nga Spitali Ushtarak. Në 18.30, lideri i opozitës theksoi se “jemi përpara një kusarie që kërkoi të dëshmonte që është gati edhe të vrasë vetëm për të qëndruar në këmbë”. Duke komentuar se Shqipëria është vend i NATO-s dhe njerëzish plot energji, ëndrra, shpresa, dhunti dhe forcë që kërkojnë Europën këtu. “Sot më shumë se kurrë janë në të drejtën e Zotit, në të drejtën që u jep Kushtetuta dhe ligjet e shkruara dhe të pazbatuara të Shqipërisë që të ndihen në një udhëkryq dramatik”, tha Rama. “Nuk ka asnjë gjasë që ta nënshtrojë këtë popull dhe njerëzit. Duke uruar këtë, i lutem Zotit që t’i ndriçojë rrugën e arsyes njeriut që mori përsipër një përgjegjësi kolosale me qeverinë e tij, që të provokojnë deri në fund njerëz që erdhën për të demonstruar me pankarta në duar”, deklaroi kreu i PS-së.

    Shqip
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 22-01-2011 më 11:46

  10. #90
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    06-11-2009
    Postime
    323
    TVKLAN opinion, 21 janar 2011

    DEMOSTRATA NE SHESH

    http://www.tvklan.tv/emisioni.php?id=2683#

Faqja 9 prej 29 FillimFillim ... 789101119 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •