OVL: “Vetëvendosje”, me elemente pro sllave
Publikuar: Sot, më 21 dhjetor 2010
Prishtinë, 21 dhjetor - I pari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK), Muharrem Xhemajli, të martën, gjatë një konference për medie, i është kundërpërgjigjur veprimeve të Lëvizjes “Vetëvendosje”. Ai ka thënë se veprimet e tyre argumentojnë ekzistencën e elementeve pro sllave edhe në politikën e Kosovës, raporton “Zëri”.
“Ne shfaqim pakënaqësinë me reagimet cinike të një subjekti politik vendas, reagim i cili argumenton ekzistencën e elementeve pro sllave edhe në politikën në Kosovë, që deri dje kundërshtuan në emër të nacionalizmit çdo të arritur të Kosovës pas luftës çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka zhvilluar luftë të pastër e çlirimtare, në aleancë më NATO-n dhe në përputhje me të gjitha rregullat ndërkombëtare të luftës. Si ushtri u njoh ndërkombëtarisht dhe kishte përkrahje shumë të madhe nga popujt liridashës të botës”, ka thënë Xhemajli.
Gjatë kësaj konference, Xhemajli shfaqi qëndrimet e Organizatës së Veteranëve të Luftës edhe në lidhje me raportin e Dick Martyt. Ai tha se raporti i Martyt është një spektakël medial, ndërsa kanë paralajmëruar se do të nënshkruajnë një peticion mbarëkombëtar, përmes të cilit do t’i drejtohen Asamblesë së Këshillit të Evropës që në janar mos të miratohet raporti i Martyt.
Krijoni Kontakt