Erdogan nderohet me ‘Doctor Honoris Causa’
Publikuar: E enjte 4 Nëntore 2010
Universiteti i Prishtinës nderoi kryeministrin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan me titullin “Doctor Honoris Cause”, si shenjë mirënjohje për angazhimin e tij rreth Kosovës. Ceremonia u zhvillua në sallën e Fakultetit Filologjik të këtij Universiteti, në të cilën merrnin pjesë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, diplomatë dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Rektori Mujë Rugova ia ka dorëzuar Erdoganit këtë mirënjohje, ndërsa e ka quajtur atë njeri të paqes që për shumë vite kontribuoi për lirinë e Kosovës dhe mandej edhe për njohjen e pavarësisë dhe zhvillimin e vendit tonë. “Ky çmim ka krenarinë dhe simbolikën e veçantë, sepse nderojmë njeriun e paqes, i cili me vullnetin dhe përkushtimin e madh kontribuoi në çlirimin, ngritjen dhe afirmimin e shtetit të Kosovës. Për shumë vite me radhë shteti turk ishte dhe mbetet njëri nga shtetet më të pranishme dhe më mbështetës së çështjes së Kosovës, si në ndërhyrjen e trupave të NATO-s për t’i ndaluar dhunën, gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë, ashtu edhe për njohjen, zhvillimin dhe përparimi e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës”, ka thënë Rugova. Për personalitetin e kryeministrit turk ka folur edhe ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, i cili e ka quajtur ditë të veçantë për Kosovën që ka mundësi të nderojë një mik të madh të Kosovës.
Erdogan, kryeministri i parë turk që viziton Kosovën pas shpalljes se pavarësisë, tha se është i nderuar me këtë mirënjohje nga populli i Kosovës, që për të nënkupton vazhdimin e mbështetjes për shtetin e Kosovës në të gjitha fushat. Dje në mbrëmje, kryeministri turk u shpall edhe ”Qytetar nderi” i Prizrenit gjatë vizitës që bëri në këtë qytet ku ndodhen dhjetëra xhami të restauruara me financimet turke. “Në Kosovë ka rreth 150 xhami që tregojnë të kaluarën tonë të përbashkët. Këto xhami simbolizojnë vëllazërinë mes Kosovës dhe Turqisë”-tha Erdogan dhe falenderoi autoritetet kosovare që kujdesen për trashëgiminë e tyre të përbashkët. Kryeministri i Truqisë, ndërkohë do të vizitojë Tyrben e Sulltan Muratit në Mazgit, afër Obiliqit.
Krijoni Kontakt