Miting për “Vorioepirin”, shoqata në mes të Athinës
Partia Çame denoncon: Greqia po nxit simbolet e “Vorioepirit”
Tjetër provokim antishqiptar në Athinë.
Partia për Drejtësi dhe Unitet denoncoi dje lejimin e manifestimeve me simbole të vorioepirit nga autoritetet e Greqisë.
“Fotografitë skandaloze irredentiste gjatë festës së "Pavarësisë së Vorio Epirit" të bëra në Athinë nga disa shoqata "vorioepirotase" më 17 shkurt, janë skandaloze dhe të dënueshme, për më tepër kur këto akte irredentiste kanë marrë edhe lejen e autoriteteve shtetërore greke”, thuhet në një deklaratë të PDU.
Manifestimi
Fotografitë, të siguruara vetëm dje nga ky aktivitet i muajit shkurt, tregojnë se parullat e ushtarëve grekë nuk ishin e vetmja shenjë antishqiptare gjatë këtyre kohëve.
Përfaqësues të këtyre shoqatave “performojnë“ në rrugët e Athinës me flamuj të Vorio Epirit, madje në njërën prej tyre lexohet greqisht "Epirin e veriut , nuk e shes dhe nuk harroj”. Teza e Vorio Epirit, një tezë antishqiptare vazhdon të mbahet e ndezur nga qarqe ekstremiste greke por që fatkeqësisht shpesh i bashkohen edhe përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri. Fotot i përkasin një parade festive në Greqi të zhvilluar në 17 shkurt. Madje edhe kjo ditë ka një simbolikë shumë negative pasi njihet në Greqi si dita e “Pavarësisë së Vorio Epirit“ .
Në fotografitë që u shfaqën fillimisht në disa media të Greqisë, dallohet qartë parakalimi i një organizate të quajtur “Rinia Vorioepirotase”, së bashku me “Lidhjen Panhelenike të Çështjes Vorioepirotase”, të cilat mbajnë flamuj të “Shtetit Autonom të Vorioepirit” të shpallur pas pushtimit grek të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe që për këto organizata janë flamujt e “shtetit të vorioepirit”.
Duket se përmasat e skandalit bëhen më të rënda pasi një aktivitet i tillë në zemër të Greqisë zhvillohet me lejen e autoriteteve greke dhe konkretisht të autoriteteve policore.
Reagimi
PDU thekson se këto akte të dënueshme që nxisin irredentizmin dhe flasin për etnitete që nuk ekzistojnë, të cilat madje i trajtojnë edhe si “shtete” nuk i shërbejnë marrëdhënieve mes dy shteteve e as mes dy kombeve.
“Partia Drejtësi dhe Unitet i dënon ashpër këto lloj aktesh dhe kërkon nga qeveria shqiptare një reagim të menjëhershëm kundër irredentizmit të shfaqur me lejen e autoriteteve zyrtare greke”, përfundon deklarata.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2010
Krijoni Kontakt