Ka veç një mënyrë për të mposhtur pesë shqisat e tua dhe kjo është përmes kthimit së brendshmi. Ose ta themi ndryshe, e vetmja mënyrë për të mposhtur pesë shqisat e tua është duke kthyer shpirtin tënd krejtësisht së brendshmi drejt frymës tënde, për të përjetuar aty një Perëndi të pranishëm. Shpirti yt duhet ta kthejë gjithë vëmendjen dhe energjinë e tij së brendshmi e jo së jashtmi! Së brendshmi tek Krishti, jo së jashtmi tek shqisat. Kur shpirti yt kthehet së brendshmi, ai veçohet nga shqisat e tua të jashtme; dhe pasi pesë shqisat e tua veçohen nga shpirti yt, atyre nuk u kushtohet më vëmendje. Burimi i tyre është ndërprerë.
Ato bëhen të pafuqishme.
Tani le të ndjekim rrugën e shpirtit. Tanimë, shpirti yt ka mësuar të kthehet së brendshmi dhe t'i afrohet pranisë së Perëndisë. Shpirti veçohet gjithmonë e m shumë nga uni. Ti mund të përjetosh një tërheqje të fuqishme së brendshmi - për të kërkuar Perëndinë në frymën tënde - dhe zbulon se njeriu i jashtëm bëhet shum i dobët. (Disa madje mund të alivanosen.)
Përkujdesja jote kryesore pra, është për praninë e Jezu Krishtit. Preokupimi yt kryesor duhet të jetë të mbështeturit vazhdimisht në Perëndinë që është brenda teje. Atëhere, pa e vrarë mendjen veçanërisht për vetmohimin ose mënjanimin e çështjeve të mishit, Perëndia do të t bëjë të përjetosh një nënshtrim të natyrshëm të mishit! Të jesh i sigurtë për këtë: i krishteri që e ka braktisur vetveten besimplotë në Zotin, shumë shpejt do të zbulojë se ai mbështetet në një Perëndi i cili nuk do të pushojë derisa të ketë nënshtruar gjithçka! Zoti yt do të zhdukë gjithçka që duhet zhdukur në jetën tënde.
Ç'kërkohet prej teje atëhere? Ty të duhetë vetëm të jesh këmbëngulës në përkushtimin e gjithë vëmendjes tënde Perndisë. Ai do të bëjë gjithçka në mënyrë të përsosur. E vërteta është se jo çdokush është i aftë për një vetmohim të rreptë të jashtëm, por gjithkush është i aftë për t'u kthyer së brendshmi dhe për të braktisur vetveten tërësisht në Perëndinë.
Është e vërtetë se ato që sheh dhe dëgjon e furnizojnë vazhdimisht imagjinatën tënde të ngarkuar me subjekte t reja. Ato bëjnë që mendimet e tua të hidhen vazhdimisht nga një ide në tjetrën. Prandaj, ka vend edhe për disiplinë në lidhje me çka dëgjon e sheh. Por ji i qetë; Perëndia do të të mësojë gjithçka mbi këtë. Ti duhet vetëm të ndjekësh Frymën e Tij.
Do të kesh dy avantazhe të mëdha nëse vepron sipas mënyrës që kam përshkruar në këtë kapitull. Para së gjithash, duke u larguar nga objektet e jashtme, ti do të afrohesh vazhdimisht pranë Perëndisë.
Sa më afër Perëndisë vjen, aq më shumë merr natyrën e Tij.
Sa më shumë merr nga natyra e Tij, aq më shumë merr nga fuqia e Tij.
Së dyti, sa më shumë i afrohesh Zotit, aq më shumë i largohesh mëkatit. Kështu pra, thjesht duke u kthyer së brendshmi drejt frymës tënde, ti fillon të përftosh zakonin e të qenit afër Zotit dhe larg gjithçkaje tjetër.
Krijoni Kontakt