
Postuar më parë nga
RaPSouL
Me anë të një shkrese të datës 26 shkurt 2008, përcjellë përmes një korrieri të panjohur, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA) Ardian Marashi, ka njoftuar ak. Jorgo Bulon, profesor, doktor i shkencave, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, se "lirohet nga kjo detyrë dhe kalon si punonjës kërkimor-shkencor në departamentin e letërsisë".
Por, më datë 29 shkurt 2008, vetëm tri ditë më pas, pa mbaruar afati prej 72 orësh për ankimim, titullari i QSA-së urdhëron degën e financave dhe atë të personelit edhe për daljen në pension të akademikut Jorgo Bulo, duke filluar nga data 1 mars 2008. Në fakt, përveç studiuesit të njohur, autorit të monografisë dhe botuesit të veprës së plotë të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri. Prof Jorgo Bulo, janë hequr nga puna deri tani, me të njëjtin stil, edhe prof. Emil Lafe, mbrojtësi më i flaktë i standardit për gjuhën e njësuar shqipe, si edhe prof. Myzafer Korkuti. Të tre këta personalitete të kulturës sonë kombëtare, të cilët kanë një jetë të tërë të përkushtuar ndaj albanologjisë, me kontribute themelore, janë flakur nga puna pa asnjë etikë dhe mirënjohje, me një shkresë të thatë përcjellë nga një shofer i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Por, mbi të gjitha, duke iu referuar rastit të akademikut Jorgo Bulos, rezulton se vendimi i largimit nga Instituti, është i paligjshëm. Në Ligjin nr. 9853, datë 26.12.2007 "Për disa shtesa në ligjin nr. 9655, datë 11.12.2006 për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë", neni 6/1 thuhet shprehimisht se "statusi i anëtarit të rregullt të ASH, i atij të asociiuar dhe i çdo funksioni tjetër drejtues përfundon kur ai mbush moshën 75 vjeç, kur jep dorëheqjen, kur zgjidhjet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese, kur deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë, kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, kur shkarkohet me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të asamblesë të ASH për akte e sjellje që cenojnë rëndë figurën e anëtarit të Akademisë ose ndërron jetë".
Asnjë rrethanë ligjore e parashikuar në ligjin e hartuar nga shumica në qeverisje, nga po ajo shumicë që ka emëruar z. Ardian Marashi në detyrën e drejtorit të QSA, nuk është e vlefshme për të formalizuar e justifikuar urdhrin e tij.
Largimet e para nga puna të albanologëve shqiptarë nisin kështu, duke dëshmuar njëkohësisht se e ashtuquajtura reformë në albanologji nuk paska qenë veçse një "fshesë partiake" për të larguar kundërshtarët e kësaj sjelljeje politike dhe shtetërore. Në mjediset shkencore tashmë e dinë pse "reforma" nisi me largimet e profesorëve Bulo, Korkuti dhe Lafe.
Shqip
Krijoni Kontakt