Tiranë- Berisha dhe qeveria e tij nuk kanë realizuar asnjë prej premtimeve të bëra. Në 28 muaj qeverisje, bilanci zero është mëse i dukshëm edhe në ato sektorë që u cilësuan si prioritarë, ndërsa kryeministrit nuk i mbetet gjë tjetër vecse të vazhdojë të premtojë akoma. Të njëjtat premtime që nuk realizoi në gjithë këto muaj që ka qenë në drejtimin e vendit. Por tashmë shqiptarët e dinë se këto nuk janë vecse mashtrime dhe demagogji të turpshme. Berisha nuk ka bërë asgjë. Pjesa më e madhe e këtyre premtimeve ose vazhdojnë të mbeten vetëm teori, fjalime dhe asgjë tjetër, ose janë fshirë nga lista e prioriteteve që në fillimet e punës së qeverisë. Tani ka ardhur koha që Berisha të marrë dënimin për mashtrimin 28 mujor të një qeverie të krizës, të territ dhe progresit, të cilën shqiptarët nuk e meritojnë.
Kthim dhe kompensim i pronave në kufijtë maksimalë
Kryeministri Berisha ka harxhuar më shumë se 50 % të mandatit të tij por ky premtim nuk është mbajtur. Në emër të maxhorancës, Kryeministri ka premtuar heqjen e "kufizimeve diskriminuese", kryesisht në sasinë e kthimit apo të kompensimit të pronave. Por në ligjin nr. 9853 datë 17.7.2006 "Për pronat ..." kjo gjë nuk pasqyrohet. Qeveria vetëm sa ndryshoi shifrat në ligjin e mëparshëm. Në të, prona kufizohej të kthehej apo kompesohej deri në 60 ha. Ndryshimi i Kryeministrit e çoi këtë shifër në 100 ha, kur angazhimi programor i votuar në Parlament ishte heqja fare e kufizimit. Asgjë tjetër, praktikisht nuk ka ndryshuar në ligjin e miratuar nga maxhoranca gjatë vitit 2007.
"Siguria rrugore do të trajtohet gjithashtu me përparësi"
Në fakt, ky është angazhimi më dramatik i programit të Qeverisë. Përmbushja e tij është çështja më e verifikueshme. Vetëm me dy shifra. Gjatë vitit 2007, në Shqipëri, në aksidente rrugore kanë vdekur më shumë se 500 shtetas. Ndërkohë janë plagosur në aksidente edhe 500 shtetas të tjerë. Vetëm në ditët e para të janarit 2008 vdiqën me dhjetëra të tjerë në aksidente rrugore.
"Në katër vjet shtrimi dhe asfaltimi i 4 mijë kilometrave rrugë rurale"
Mbajtja e këtij premtimi përkthehej me 1000 kilometra rrugë rurale të ndërtuara çdo vit. Kur është ndarë edhe buxheti i vitit 2008, kushdo mund të konstatojë faktin se ky premtim, realizimi i tij nuk ka lidhje me qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha. Asnjëherë. Kur ka kaluar 50 % e mandatit, qeveria nuk është në gjendje të tregojë më shumë se 30 - 40 kilometra rrugë rurale të asfaltuara.
Brenda 2006, ujë 24 orë për qytetet turistike
Në vend që të përmirësohej, situata u përkeqësua. Nuk mungoi vetëm uji. Por, edhe energjia. 24 orë furnizim me ujë jo vetëm që nuk u realizua si premtim por nuk garantohet as në verën e vitit 2008. Qeveria nuk ka në buxhet para për të mbuluar me shërbim furnizimi 24 orë me ujë zonat turistike.
"Mazhoranca e re dhe qeveria e saj shpallin katër vitet e ardhshme si vitet e luftës kundër errësirës dhe pasigurisë energjitike"
Qeveria nuk ia doli të na japë qoftë edhe një ditë 24 orë energji elektrike në familje apo në biznese. Qeveria nuk ka krijuar, në fakt nuk ka nisur të krijojë një burim të ri energjie apo të garantojë burime të mjaftueshme energjie. Çmimet e energjisë që vjen në Shqipëri janë vetëm në rritje. Përkundër ç'premtoi, Qeveria dërgoi në çdo familje gjatë vitit 2006 një çmim të ri, të rritur, të energjisë elektrike. Qeveria vazhdon të blejë si pasojë e aferave korruptive energji shumë të shtrenjtë.
"Rritje 50% për pagat e mësuesve"
Për vitin 2006, qeveria rriti pagat e mësuesve 15 % në muajin prill dhe 10 % të tjera në muajin korrik. Pra, po të bësh llogari, mësuesit nuk morën 25 % rritje page për gjatë gjithë vitit. Ata për tre muaj, janar, shkurt, mars, 25 % e vitit kalendarik, morën pagën që kanë pasur. Për 3 muaj të tjerë, 25 % e pjesës tjetër të vitit kalendarik ata morën 15 % rritje page dhe për 6 muajt e mbetur, ata morën dhe 10 % rritje page shtesë, pra 25 % rritje page. Por, vetëm për këto gjashtë muaj.
"Do të sigurohet kompjuterizimi dhe lidhja në internet në çdo shkollë e klasë si dhe mësimi masiv i gjuhës angleze"
Për gjithë vitin 2008, Qeveria e Kryeministrit Berisha nuk ka një projekt të shkruar e të maturuar financiarisht për përmbushjen e këtij angazhimi programor. Deri në fund të vitit 2007 janë vetëm disa dhjetra shkollat që kanë akses në internet. Shkollat, jo klasat siç premton Qeveria. Janë vetëm disa dhjetra shkolla nga mbi 4 mijë që janë në total në Shqipëri. Shumica nuk ka akses në internet. Mbi të gjitha, shumica nuk kanë thuajse gjatë gjithë vitit arsimor energji elektrike. Kjo vlen shumë.
"Karburanti për konsum bujqësor do të sigurohet me nje çmim prej jo më shumë se 40 lekë për litër për të gjithë fermerët shqiptarë"
Programi i nisur nga qeveria socialiste për të përmbushur këtë angazhim nuk ekziston më. Qeveria e Kryeministrit Berisha jo vetëm e atakoi fort, por, që në tremujorin e parë të vitit 2006 ajo e fshiu totalisht skemën e naftës për bujqësinë me 40 lekë për litër. Mbi të gjitha edhe për vititn 2007 kjo skemë subvencioni nuk do të ekzistojë. Qeveria nuk ka para në Buxhetin e vitit 2008 për të përmbushur këtë angazhim programor. Madje jo vetëm për bujqësinë por edhe për peshkimin ku kjo skemë ishte konsoliduar.
"Rritja e pagave dhe pensioneve do të jetë një prioritet i politikave buxhetore të mazhorancës së re dhe qeverisë së saj. Pensionet do të dyfishohen brenda periudhës 4 vjeçare ndërsa do të vazhdojë ngushtimi i diferencës së pensioneve të qytetit me ato të fshatit"
Në fund të vitit 2006 Qeveria mori një vendim për të rritur deri në 10 mijë lekë në muaj të ardhurat minimale të pensionistëve të qytetit dhe 5 mijë lekë në muaj, të pensionistëve të fshatit. Para 3 korrikut 2005, të ardhurat minimale të pensionistit të qytetit ishin 8340 lekë në muaj. Duke mos u ndalur në premtimet elektorale, Qeveria ka të miratuar në programin e saj, se do të dyfishojë pensionet e qytetit dhe do të rrisë edhe më shumë ato të fshatit. Por, pasi ka kaluar gati 40 % të mandatit Qeveria nuk arriti të rrisë më shumë se 20 % pensionet. Në Korrik të vitit 2006, Qeveria, me rritjen 5 % ka bërë rritjen më të ulët të pensioneve të qytetit që nga viti 1991. Ndërkohë, prej korrikut 2006 jetesa e pensionistëve është shtrenjtuar me 340 lekë me vendosjen e tarifës për recetë. Pra me 440 lekësh në muaj. Ky 440 lekë në muaj është më i madh se rritja 5 % e datës 1 korrik. Kështu, në gusht 2006, të paktën gjysma e pensionistëve të qytetit merrnin realisht më pak se në maj 2006.
Qeveria shprehet se rritjet e ndryshme që prekin pensionet kanë një vlerë mujore 600 milionë lekë. Aritmikisht mund të jetë kështu, por të paktën 5 muajt e fundit të vitit 2006, Qeveria tregoi se është e paaftë të mbajë detyrimin për të paguar ritmikisht këto pensione. Ndërkohë, do të duhet që në vitin 2007, Qeveria të shpenzojë mbi 5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2006. Së pari, këto lekë nuk janë në buxhetin e miratur të vitit 2007. Së dyti, kjo është më e rëndë, nuk mbetet asnjë lek për të bërë rritje të tjera të pensioneve deri në fund të vitit 2007. Pra edhe kur të ketë konsumuar 60 % të mandatit, pensionet e gjysmës së pensionistëve të qytetit do të jenë rritur jo më shumë se 20 % që prej korrikut të vitit 2005, ndërsa ato të gjysmës tjetër, vetëm 5 %, duke mos ruajtur as vlerën e tyre reale. Për pensionet e fshatit ia vlen të thuash se me rritjen prej 20 % që Qeveria bëri në korrik 2006 e që është vetëm 700 lekë në muaj, qeveria vetëm sapo ka mbuluar shpenzimet e shtrenjtimit të jetesës që llogaritet në 400 lekë.
"4000 apartamente për të pastrehët"
Sipas këtij angazhimi programor do të duhet që qeveria të ndërtojë 1000 apartamente banimi çdo vit. Por, u provua gjatë vitit 2006, Qeveria nuk ia doli të ndërtojë as 25 % të apartamenteve të planifikuara për çdo vit. Jo më t'i ketë ndarë ato. Për fat të keq edhe për vitin 2007, fundi i të cilit shënon edhe konsumimin e 60 % të mandatit të Qeverisë Berisha, qeveria ka planifikuar fonde për të ndërtuar vetëm 224 apartamente të reja. Pra, gjithsej, në dy vite, Qeveria nuk shënon dot as 450 apartamente të ndërtuara. Kur duhet të ndërtonte 2000 të tillë.
Gazeta "Zeri i Popullit"
Krijoni Kontakt