Përgatiti:
Aulona kadillari
Etleva delia
Aurora allushaj
Gazetat dhe televizionet shqiptare mbyten çdo ditë nga lajmet e policisë për arrestime të shumë personave të inkriminuar. Por, këto lajme janë aq "soft" sa nganjëherë na duket sikur i arrestuari është paraqitur vetë në komisariat, mundësisht ka shtrirë dhe duart për t'i shtrënguar prangat dhe po vetë i është drejtuar qelisë. Por, nëse hulumtojnë vetëm pak, rezulton se policisë shqiptare i është dashur orë të tëra kohë, djersë, profesionalizëm, pse jo të derdhë edhe gjak për të arrestuar dhe kapur ushtrinë e keqbërësve. Gazeta "Tirana Observer" boton sot 100 operacionet më të bujshme në vend, që janë cilësuar edhe si më të suksesshmet gjithashtu. Që nga arrestimi i vëllezërve Çuko në Libofshë të Fierit, në vitin 1992, të akuzuar për vrasjen e një familje të tërë. Në arrestimin e Nehat Kullës, në vitin 1996, për vrasjen e dy policëve. Në arrestimin bosëve të firmave piramidale pas vitit 1997. Në operacionin ndër më të famshmit, atë të arrestimit dhe dëbimit për në Egjipt të dy personave të akuzuar për terrorizëm. Një operacion që u realizua në bashkëpunim me forcat e speciale amerikane "Delta" dhe agjentë të CIA-s. Por, edhe operacione që pas vitit 2000 nisën të kodohen me emra. Fjala vjen ai i "Kokainës", "Puna" që lidhej me kapjen dhe sekuestrimin e gomoneve, duke ndërprerë për herë të parë trafikun e klandestinëve. Por edhe shumë të tjera, si "Catch", "Kanun", "Jugu", "Pengmarrja". Duke mos lënë pas arrestimin e anëtarit të organizatës kriminale italiane “Sacra Corona Unita”. Një reliev ngjarjesh dhe operacionesh kur me dhjetëra e qindra policë kanë treguar aftësitë e tyre fizike, por duke vënë në punë edhe intelektin për të eliminuar dhe kapur ata që kanë qenë në kërkim.
100 Operacionet
23 qershor 1992, arrestimi i vëllezërve Çuka
Një operacion i policisë së Fierit kap 24 orë pas vrasjes së një familjeje në Libofsh dy vëllezër. Ky operacion për vrasjen e një familjeje me pesë anëtarë, ku mes tyre edhe një foshnje, ka bërë identifikimin e autorëve dhe më pas arrestimin e vëllezërve Josif Çuka dhe Didbardh Çuka. Më pas, për një javë drejtësia shqiptare zhvilloi gjyqin dhe dënoi me vdekje dy vëllezërit. Ata u ekzekutuan 20 ditë pas krimit, duke u varur në litar.
1996, operacioni për biznesmenin
Vritet me snajper në qendër të Tiranës biznesmeni Shpëtim Çashku. Sipas Policisë së Shtetit, mësohet se pronari i diskos hyri në një bankë ku mori peng 5 punonjës. Më pas, nën kërcënimin e armës ai u kërkoi atyre shumën e parave, të cilat ai i kishte shpenzuar në fushatën e Partisë Demokratike. Por një alarm i punonjësve të bankës ka mbledhur rreth godinës forca të shumta policie. Sipas të njëjtave burime, mësohet se biznesmeni teksa po dilte është qëlluar me snajper.
3 qershor 1996, arrestohet Nehat Kulla
Arrestohet në Tiranë Nehat Kulla. I quajtur ndryshe “Gjeneral”, ai është vënë në prangat e policisë pasi akuzohet vrasjen e dy punonjësve të policisë. Sipas burimeve nga policia, për arrestimin e tij ka dhënë ndihmë edhe shpërblimi i vendosur nga Ministria e Brendshme me 500 mijë lekë të rinj.
16 janar 1997, arrestohet Maksude Kadëna
Arrestohet nga policia ish-bosja e fondacionin me emrin “Sudja”. Sipas prokurorisë, numri i kreditorëve të firmës piramidale ishte 13 mijë. Ndërkohë, gjykata e ka dënuar me 5 vjet heqje lire dhe pasi ka kryer dënimin në burg është liruar në dhjetor 1999. Aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë.
16 gusht 1997, operacioni RENEA në Vlorë
Operacionet e forcave speciale në qytetin e Vlorës kanë arritur që të grumbullojnë 7 mitraloza të rëndë 12,7 mm, si dhe një numër të madh armësh të tjera të rënda dhe municion. Në lagjen “Çole” forcat speciale RENEA dhe të policisë kanë ndaluar 20 persona, midis të cilëve 4 pjesëtarë të grupit të Zani Çaushit, 2 nga të cilët vëllezërit e tij.
Janar 1998, operacioni i shpëtimit të kinezit
Disa persona kishin marrë peng kinezin Çu, i cili ndodhej me banim në Tiranë. Prej disa ditësh me radhë policia ka hetuar për këtë ngjarje dhe për këtë është ngritur një grup i posaçëm pune nga uniformat blu. Një operacion i suksesshëm i policisë së kryeqytetit ka bërë të munduar që shumë shpejt të lirojnë pengun, të cilin e kishin futur në një bodrum.
28 prill 1998, arrestohet Vehbi Alimuçaj
Ish-kreu i kompanisë “Vefa Holding” arrestohet nga policia në vilën e tij në “Kinostudio” në Tiranë. Vehbi Alimuça akuzohet për veprën penale të vjedhjes përmes mashtrimit në përpjesëtime të mëdha. Gjykata e dënoi më vonë ish-bosin e firmës piramidale “VEFA” me 20 vjet burg. Sipas prokurorisë, ai i ka një borxh kreditorëve prej 30 miliardë lekësh. Aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit.
25 qershor 1998, arrestimi i islamikëve
Policia dhe SHIK arreston pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë Muhamed Fondën, të cilin miqtë e thërrisnin Abdu Mahmud. Në të vërtetë, ai quhej Ahmet Ibrahim Assyed Al Nagar, i dënuar në mungesë në Egjipt në pjesëmarrje në tentativën për vrasje të kryeministrit të Egjiptit, Adef Sedki. Njihej si padron i celulës shqiptare të Xhihadit, që do të thotë "Lufta e Shenjtë". E kishte përgjuar CIA teksa komunikonte me "kolegë" në Milano të Italisë. Policia arreston në Elbasan Moget Moustafa, nëpunës në fondacionin humanitar islamik "Al-Haramain".
2 KORRIK 1998, arrestimi i FBI-së
Forcat speciale të FBI-së hyjnë të armatosur në godinë, rrëmbejnë Fondën dhe Moustafanë dhe me një avion special në Rinas i dërgojnë si pako postare në Egjipt. Sipas shpjegimeve të Ministrisë së Rendit, ndaj tyre ishte firmosur shpallja persona “non grata”. Pas një mbledhjeje maratonë mes policisë, prokurorisë dhe përfaqësuesve amerikanë, kjo ishte cilësuar si zgjidhja më e mirë dhe e shpejtë.
16 KORRIK 1998, rrëmbimi i Muhamed Hasan Mahmud
Forcat speciale të FBI-së rrëmbejnë Muhamed Hasan Mahmud, 32 vjeç, nga Kajro. Ai punonte si drejtor i fondacionit, ishte martuar me një shqiptare dhe kishte dy fëmijë. Inxhinieri i punëve publike kishte ardhur në Tiranë në vitin 1992. Pas 14 muajsh u martua me një 16-vjeçare shqiptare. Ishte dërguar nga një fondacion saudit, i cili e kishte rekrutuar direkt në Kajro. Në vitin 1994 bëhet drejtor i fondacionit "Rilindja e Trashëgimisë Islame", të cilin CIA e cilëson të lidhur me Ossama Bin Ladenin.
21 GUSHT 1998, arrestimi i 10 islamikëve
Arrestohen në Tiranë 10 islamikë terroristë. Mes tyre ishte një shumë i kërkuar. Të gjithë dyshoheshin se ishin pjesëtarë të një celule në Shqipëri. Por, policia e Tiranës nuk nxjerr asnjë komunikatë dhe njoftim lidhur me këtë operacion të fshehtë i bashkëpunuar me agjentë të CIA-s. Sipas të dhënave operative, në banesë iu gjetën armë dhe radio komunikimi. Zbulimi i këtij grupi është bërë nga një ish-ushtar amerikan në Vietnam, i cili kishte penetruar mes këtij grupi.
24 TETOR 1998, vrasja e arabo-egjiptiane
Vritet në një vilë pranë “Oxhakut” në Tiranë, Selam Muhamed Omar Al Said, 27 vjeç, një arabo-egjiptian, i kërkuar për 25 krime. Ai sapo kishte ardhur nga Italia dhe falë përgjimeve të telefonatave të bëra me gruan e tij, u bë edhe zbulimi. Ishte e njëjta shtëpi ku më parë kishte banuar Moustafa dhe Fonda. I martuar me një shqiptare ai kishte me të dy fëmijë. Një skuadër e RENEA-s shkon për ta arrestuar, por ai i përgjigjet me armë policisë. Nga plumbat plagoset komandanti i specialeve Artan Didi. U fsheh në lavatriçen që nga brenda ishte bosh, por ekzekutohet pikërisht aty.
8 JANAR 1999, arrestimi i presidentit të rojeve
Arrestohet Maks Çiçiku, 32 vjeç, jetim, presidenti i rojeve të firmës private "Sima Pol". Dyshohej se kishte përgjuar ambasadën amerikane dhe vetë ambasadoren Marisa Lino. Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën një aparat fotografik, një radio dhe një pistoletë neuroparalizuese. Pas një seance pyetjesh, lirohet. Ndërkohë “Gazeta Shqiptare" që e dha lajmin, kërcënohet. Çiçoku kishte studiuar për dy vjet në Arabi.
16 KORRIK 1999, dëbimi i islamikëve
Muhamed Nexhip Jasim dhe Abdyl Muhem Maem, vëllai i tij Osama Naem, si dhe 16 anëtarë të familjes dëbohen nga Shqipëria me një urdhër të dalë nga ministri i Rendit, Spartak Poçi. Në shkresë shkruhej që ata nuk duhet të pranohen më në Shqipëri, si persona që kanë dashur të hedhin në erë ambasadën amerikane. Pas tre ditësh i dërgojnë në Rinas dhe i përcjellin me avionin e linjës "Olimpik".
27 korrik 1999, arrestohet anëtari i mafies italiane
Arrestohet në Tiranë Xhuzepe Muolos, anëtari i organizatës kriminale “Sacra Coron Unita” në Itali. Forcat speciale të Ministrisë së Rendit i shtrënguan prangat në kyçe 48-vjeçarit, i cili mbante 15 akuza, mes të cilave edhe vrasje dhe shkatërrim kufomash. Për një kohë të gjatë ishte strehuar në Shqipëri dhe, përveç fshehjes, ishte kthyer në një ndërlidhës i organizatës mes Italisë dhe Shqipërisë. Ai kishte mundur të rekrutonte shqiptarë në klanin e tij, me të cilët kryesisht organizonte trafikun e drogës.
13 NENTOR 1999, dëbimi i Abdyl Latif
Dëbohet nga Shqipëria Abdyl Latif bashkë me familjen e tij. Forcat e policisë i shkojnë në shtëpi në lagjen “Tirana e Re” dhe e dërgojnë direkt në Rinas. I lindur në Pakistan dhe banues në Jordani, ai kishte 7 vjet që merrej me ndërtim dhe aktivitete të tjera në Tiranë. Por, sipas informacioneve të CIA-s, ai ishte një nga miqtë e Bin Ladenit në Shqipëri. Ndërkohë në media shkruhet se ai kishte lidhje me Sali Berishën dhe Skënder Gjinushin.
11 prill 2000, arrestohet Kejdi Kote
Një operacion i policisë arreston të akuzuarin për mashtrim, Kejdi Kote, teksa po ecte me biçikletë në Tiranë. Me këtë akuzë mbi supe Kote u parapërgatit për 8 muaj me radhë për të bërë “grabitje” me anë të falsifikimit në Bankën e Kursimeve. Pasi vdiq e ngjalli njerëz në gjykatë, ai arriti të merrte nga banka të gjitha të hollat e një biznesmeni nga Berati, rreth 250 milionë. Ai u dënua me 11 vjet e 5 muaj burg. Por paratë e vjedhura nuk janë gjetur kurrë nga hetuesit.
Nëntor 2000, arrestimi i italianit
Anëtar i "Sacra Corona Unita", Donato di Tano është arrestuar në lokalin “KIDI” në Durrës. Një operacioni i zhvilluar në një nga lokalet e plazhit këtij qyteti, përveç Di Tanos u arrestuan tre shtetas italianë dhe të tjerë shqiptarë, mes të cilëve dhe e fejuara shqiptare e tij. Sipas policisë së qytetit bregdetar, mësohet se italiani akuzohet për trafik lëndësh narkotike,
falsifikim dokumentesh dhe dëshmi të rreme.
2 shkurt 2001, operacioni “Kokaina”
Arrestohet në orët e vona të mbrëmjes Frederik Durda dhe Arben Bërballa. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se dy të arrestuarit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, që e kishin pikënisjen nga Kolumbia. Të dhënat e hetimit kishin mbërritur në Tiranë nga FBI dhe Prokuroria e Antimafies Italiane. Të dy bashkëpunëtorët janë dënuar nga gjykata dhe aktualisht vuajnë dënimin në burgun e Peqinit.
15 shkurt 2001, operacioni “Kokaina”
Arrestohet një nga pjesëtarët e dosjes “Kokaina”, Alfred Nanaj. Ky i fundit del para Gjykatës së Tiranës në 17 shkurt dhe më pas merr masën e sigurisë arrest në burg. Nanaj akuzohet për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. Ai akuzohej për lidhje të ngushta dhe bashkëpunim me Sokol Koçiun dhe grupin e parë të arrestuar.
15 mars 2001, arrestimi i Sokol Koçiut
Vihen në pranga pas një muaj kërkimi, Sokol Koçiu dhe Din Gjonaj. Të akuzuarit e tjerë të dosjes “Kokaina” si dhe pjesëtarët kryesorë të kësaj çështjeje, janë arrestuar pas anëtarëve të tjerë. Të dy akuzohen për të njëjtën akuzë, atë të trafikimit të lëndëve narkotike.
6 maj 2001, operacioni i RENEA-s arreston Jaho Mulosmanin
Një operacion i forcave speciale RENEA në Tropojë është finalizuar me sukses, me vënien në pranga të njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Azem Hajdarit, Jaho Mulosmani. Ai ishte duke shkuar në shtëpinë e vjehrrit kur një skuadër e repartit special e arreston. Menjëherë transferohet në Burgun 313 në Tiranë, me kapuç në kokë.
7 qershor 2002, operacioni i RENEA-s
Operacion i forcave të policisë së Komisariatit të Bajram Currit arreston një person të shpallur në kërkim për vrasje. Në bashkëpunim dhe me forcat speciale RENEA prangoset Sulejman Daçi. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye sepse ka qenë i person i shpallur në kërkim për vrasjen e Avni Buçpapajt dhe është dënuar nga gjykata me 18 vjet heqje lirie.
26 gusht 2002, arrestohet Rrapush Xhaferri
Ai ishte kreu i kompanisë “Xhaferri”. Sipas prokurorisë, numri i kreditorëve të mashtruar ishte 2 milionë, ndërsa borxhi, 16 miliardë. Ish-bosi i firmës piramidale është dënuar nga gjykata me 20 vjet burg. Por më 28 maj 2004 vdes në qeli nga një sëmundje. Ndërkohë, së bashku me të është arrestuar edhe djali i tij Asllani, i cili është lënë i lirë disa ditë më parë për shkak të amnistisë.
24 tetor 2002, operacioni “PUNA”
Operacioni i koduar “Puna” u shtri në det dhe në tokë, dhe kishte si qëllim sekuestrimin e mjeteve lundruese që shërbenin për trafikimin e qenieve njerëzore. Rezultatet e veprimit të kësaj Task–Force ishin kapja dhe sekuestrimi i 9 mjeteve lundruese që përdoreshin nga trafikantet për trafiqe të paligjshme. Janë sekuestruar e bllokuar 9 skafe e gomone, 3 punishte të prodhimit e riparimit të mjeteve lundruese, 6 pika të furnizimit me karburant. Janë arrestuar 12 pronarë skafesh e skafistë.
20 nëntor 2002, operacioni "Liqeni"
Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, fillon operacioni “Liqeni” për kapjen dhe bllokimin e makinave të trafikuar dhe goditjen e trafikantëve të tyre. Synimi i këtij operacioni është goditja e trafikut të makinave të reja, prodhim i viteve 1999-2002, që përdoren e tregtohen nga elementë trafikantë. Ky operacion bllokon automjete të vjedhura në të gjithë vendin, Tiranë, Berat, Vlorë, Korçë, etj.
Nëntor 2002, operacioni “PLOWSHARES”
Një bashkëpunim i policisë së Ballkanit ka bërë që operacioni i koduar “PLOWSHARES” kundër trafikut të armëve të lehta në rang ballkanik të drejtohet nga policia shqiptare. I organizuar nga qendra e SECI-t në Rumani ka bërë të mundur goditjen e trafikut të armëve dhe më pas edhe zbulimin e grupeve të ndryshme që merreshin me trafikimin e armëve.
2003, operacioni “Leda”
Për luftën kundër trafiqeve të paligjshme e krimit ekonomik Policia e Shtetit në bashkëpunim me homologet e vendit fqinjë zhvilloi operacionin ndërkombëtar i koduar “Leda”. Në këtë operacion, ku policisë shqiptare i ka ardhur në ndihmë dhe ajo e huaj, është bërë e mundur goditja e disa grupeve kriminale që merreshin me trafikimin e qenieve njerëzore.
2003, operacioni i RENEAS ????
Përfundon me sukses pas rreth 26 orësh operacioni forcave speciale të RENEA-s në policisë e Gjirokastrës. Negociata 20-orësh, djegia e shtëpisë 200-vjeçare, njeriu kyç në operacion dhe dorëzimi pa kushte në duart e policisë. 58-vjeçari Kujtim Duro, nga lagjja “Palorto” në Gjirokastër, ka hedhur poshtë armën e tij tip “Kallashnikov” dhe është dorëzuar në duart e policisë shqiptare pas rreth 26 orësh rezistencë.
2003, operacioni “CATCH”
Operacioni i koduar “CATCH” bllokon 21 makina luksoze në të gjithë vendin, që dyshohet se janë vjedhur. Sipas Ministrisë së Brendshme, 10 nga këto 21 automjete janë bllokuar nga policia e Tiranës dhe 4 të tjera nga ajo e Durrësit. Makinat ishin vjedhur në vendet e BE-së, në Itali, Gjermani dhe Greqi. Në qeli janë shoqëruar edhe drejtuesit e mjeteve.
11 janar 2003, të arrestuarit e tragjedisë së Karaburunit
Tragjedia në detin Jon, ku humbën jetën 21 persona, arreston 5 veta dhe 7 të tjerë janë në kërkim. Sipas hetimeve të prokurorisë, është bërë e mundur të zbulohen se rrjeti i trafikantëve përbëhej nga 12 persona, ku nga këta janë arrestuar Artur Rrokaj, Albert Alliu, Gjergji Robaj, kryeinspektor Vladimir Kordhishta dhe Sami Hyka.
11 mars 2003, arrestohet Leonard Prifti për vrasjen e Klenti Banos
Ka tentuar të kalojë kufirin e Rinasit, por një operacion i policisë ka barë të mundur arrestimin e Leonard Priftit. Ai akuzohet për ngjarjen e ndodhur më 14 prill të vitit 2000, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Klenti Bano, në Lushnjë. Gjashtë plumba në trup dhe një trëndafil te koka ishin “gjurmët” e para që gjeti policia e Lushnjës në vendngjarje. Por në korrik të 2005-s, Leonard Prifti qëllohet për vdekje në mes të Lushnjës.
30 mars 2003, arrestimi i grekëve
Zyra Kundër Trafiqeve në policinë e Durrësit ndaloi ekuipazhin e anijes greke “Anastasios II”. Emmanouel Georgios, oficer i Parë i anijes, Gerasimos Rouvas, kyemekanik i anijes, Gerasimos Koutras, mekanik i anijes, Robbani Golam nostrom i anijes, Sameri Afeisah marinar i anijes dhe Mohammed Onfisa, marinar i anijes, janë arrestuar pasi kanë trafikuar me këtë anije 5 shtetas pakistanez nga Kroacia për në portin e Durrësit, të cilët më pas janë kapur.
Korrik 2003, operacioni “Road Show”
Në goditjen e trafikut të armëve të lehta në rang ballkanik, organizuar nga qendra e SECI-t në Rumani, ka marrë pjesë edhe Shqipëria. Operacioni rajonal ishte koduar “Road Show”. Sipas policisë, ky operacion zbuloi trafikun e mjeteve motorike të vjedhura, bllokimin e aktivitetit të trafikantëve gjatë kufijve dhe përfshirjen e tyre në procese ligjore.
23 gusht 2003, operacioni “Gjuetia e Çakenjve”
Operacioni i koduar “Gjuetia e Çakenjve” kishte për qëllim identifikimin e kapjen e makinave të vjedhura brenda e jashtë vendit. Gjatë këtij operacioni janë bllokuar 439 mjeteve dhe është bërë verifikimi prej Interpolit i 256 mjeteve. Nga verifikimet e bëra kanë rezultuar 64 automjete të vjedhura, gjithashtu kanë bërë kallëzim edhe në prokurori për drejtuesit e automjeteve.
27 shtator 2003, arrestohet i kërkuari Rasim Robaj
Arrestohet Rasim Robaj, i shpallur në kërkim nga policia. Uniformat blu të Shkodrës në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, organizuan operacioni për kapjen e personit shumë të kërkuar për vrasje, Rasim Robaj. Ky i fundit është dënuar me 13 vjet heqje lirie, pasi në vitin 1993, në qendër të qytetit të Koplikut ka vrarë në krye të detyrës shefin e policisë rrugore të Komisariatit Malësi e Madhe, Isa Tahiri.
18 tetor 2003, arrestohet Florian Stafa e Besnik Keta
Një operacion i policisë së Tiranës, i ndarë në dy pjesë, ka arritur të arrestojë 5 vjet pas ekzekutimit të Taulant Muçës, dy të dyshuarit për vrasje. Sipas policisë, autorët e vrasjes së vëllait të Gaz Muçës, e kryer kjo më 31 korrik të vitit 1998, u zbuluan nga gjurmët e gishtave.
26 nëntor 2003, arrestohet Lavdërim Tufa
Ora 13:00, në një nga rrugët kryesore të Tiranës policia ndalon Lavdërim Tufën, 25 vjeç, banues në Lundër. Ai ishte shpallur person në kërkim, i akuzuar për vjedhje makine në Berat. Por duket se kjo akuzë ka qenë vetëm një idicie për të vazhduar hetimet e për të zbuluar prova që e akuzojnë si bashkëpunëtor në vrasjen e Fatmir Ramës. Për këtë vepër penale është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm.
Janar 2004, operacioni “Rrjeta e Hekurt”
Operacioni i koduar “Rrjeta e Hekurt” ka shtënë në “rrjetë” me dhjetëra skafe. Shumë të tjera u bllokuan. Aksioni që filloi dhe që zgjati disa muaj bllokoi skafet në të gjithë zonën. U bllokuan shumë hotele, motele, uzina ku riparoheshin skafet e peshkarexhat, prona e pasuri të patundshme të të gjithë të penalizuarve për shkak të tragjedisë së 9 janarit.
2 shkurt 2004 zbulohen arsenal armesh
Një operacion i policisë së Shkodrës zbulon arsenal armësh në fshatin Grudë Fushë në Malësinë e Madhe, arrestohen Sokol Preçi dhe Viktor Preçi. Nga kontrolli i ushtruar nga forcat e policisë, në banesën e tyre janë sekuestruar mbi 300 kilogramë lëndë eksplozive, tritol, e ndarë në 9 arka me nga 136 kallëpe tritoli të masës 200 gramë secila, si dhe në një thes me rreth 3 arka me lëndë eksplozive tritol, një snajper, një pushkë, 6 pistoleta, një shirit mitralozi, etj.
28 maj 2004, operacioni “Mirazh 2003”
Fillon operacioni i koduar "Mirazh 2003", i cili në fokus kishte
parandalimin dhe luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.
Nga puna e mirëorganizuar e policisë u evidentuan 60 femra të trafikuara. Operacioni i cili u bë në qarkun e Lezhës evidentoi 17 procedime penale nga femra të trafikuara dhe u identifikuan edhe 19 autorë, nga të cilët 2 të ndaluar, 7 të shpallur në kërkim dhe 10 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë.
3 qershor 2004, operacioni “Masazh 2004”
Operacioni kombëtar i Policisë së Shtetit, i koduar me emrin “Masazh 2004”, godet trafikun e klandestinëve. Në Skrapar prangoset Vojo Vuthi, pasi ka ndihmuar për të kaluar kufirin shqiptaro-grek masazhatorët P.S. dhe P.D, kundrejt pagesës prej 20 mijë euro. Në Gjirokastër arrestohet Zonja Njazi, pasi ishte dënuar me 8 vjet burg për ushtrim pa leje të profesionit të masazhatores në lokale, në bashkëpunim dhe duke jetuar pa kurorë me qytetarin kanadez Merrhak Gashi, i cili u kap në rrugën Kukës-Morinë.
24 qershor 2004, operacioni “Kompas”
Në pesë qytete të vendit, efektivat e policisë ekzekutuan gjashtë urdhra-arresti të firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Më shumë se 22 persona u shoqëruan për verifikime në polici. I akuzuari kryesor i organizatës kriminale, sipas prokurorisë, ishte Arjan Selimi. Grupi përbëhej nga Arjan Selimi, Mehmet Fejzullai, Blenard Fejzullai, Fatmir Kuçi, Dritan Kuçi, Arjan Xhemali, Kujtim Popoçi dhe Petraq Avrami.
23 nëntor 2004, operacioni “Kanun”
Operacioni i policisë së Durrësit arreston Arben Plakun, Arjan Kapo, Rudin Çallikut, Leonard Kolgjin. Të arrestuarit akuzohen për krijim organizate kriminale, vrasje, trafikim armësh, shfrytëzim prostitucioni. Madje gjykata e qytetit bregdetar ka dhënë dënimin për katër të arrestuarit, ku për secilin ka dhënë dënimin me nga 25 vjet heqje lirie.
3 dhjetor 2004, arrestohet Astrit Muldaka
Arrestohet në Durrës sapo ka mbërritur në Shqipëri dëshmitari kryesor i vrasjes së deputetit Azem Hajdari. I pajisur me një pasaportë me emrin Fatmir Zaimi nga Gjirokastra, atij i janë vendosur byzylykët e policisë në momentin që ka pranuar që është Astrit Muldaka. Ky i fundit akuzohet për falsifikim të dokumenteve.
13 dhjetor 2004, kapja e raketave tokë-ajër
Policia shqiptare në bashkëpunim me policinë e Malit të Zi godasin trafikun e armëve, arrestohen katër persona. Si rezultat i punës së bërë është arritur të kapen pjesëtarët e këtij grupi kriminal, Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Armir Troshani dhe Mentor Cani. Këta të fundit u kapën duke udhëtuar në aksin rrugor Rinas–Vorë dhe si rrjedhojë u bllokuan dhe 3 raketat tokë–ajër, të cilat transportoheshin nga ky grup kriminal. Raketat e bllokuara janë të markës “Strela 2M” e vinin nga Mali i Zi.
8 qershor 2005, operacioni "Vesta 2000"
Arrestohet Besnik Çoba, i akuzuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, që merrej me trafik të lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali, si dhe kryente vjedhje me armë. Operacioni për kapjen e Çobës është koduar ”Vesta 2000”. Sipas policisë, nga ky operacion është vënë në pranga e Emiljano Reçi dhe Artur Ceka, të cilët edhe këta janë anëtarë të këtij grupi të strukturuar dhe mbi të cilët rëndojnë të njëjtat akuza.
12 gusht 2005, arrestohet pronari i anijes “Eni”
Arrestohet në Durrës pas pesë muajsh kërkim, pronari i anijes “Eni”, Fatmir Zotaj. Akuza që rëndon mbi këtë të fundit është kontrabandë cigaresh. E për të mbajtur në “këmbë” këtë akuzë, janë cigaret e gjetura në magazinat e tij në Shkozet të Durrësit, të cilat kishin kaluar pa paguar doganën.
13 gusht 2005, arrestimi i grabitësit të Bankës Amerikane
Kujtim Vokshi u ndalua në një aksion të RENEA-s dhe policisë së Tiranës, në orët e para të mëngjesit. Vokshit, të cilit iu kap sasia prej rreth 20 mijë dollarësh, është arrestuar rreth orës 2:30 në banesën e tij në qytetin e Durrësit, pasi akuzohet se është një nga bashkëpunëtorët e vjedhjes së Bankës Amerikane në kryeqytet. Për këtë grabitje është shpallur në kërkim edhe Musli Mehmetaj.
9 shtator 2005, arrestimi i Leonard Kokës
Leonard Koka, i njohur si një nga biznesmenët më të mëdhenj në qytetin-port, Durrës, njëkohësisht vëllai i kryetarit të bashkisë së këtij qyteti, Lefter Koka, u arrestua me akuzën e kontrabandës së cigareve. Gjatë një operacioni të filluar në orët e para të mëngjesit, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është vënë në pranga 35-vjeçari Koka.
6 tetor 2005, operacioni i RENEA-s arreston Durdën
Një operacion i policisë së Tiranës dhe RENEA-s ka arrestuar brenda 24 orëve nga arratisja nga materniteti “Koço Gliozheni” Frederik Durdën. Ky i fundit ishte strehuar në një banesë në lagjen “Ali Demi”. RENEA është futur menjëherë në këtë banesë dhe i ka bërë thirrje të dorëzohej, pasi ai ishte futur poshtë krevatit. Ndërkohë Durda është dorëzuar dhe ka kërkuar të mos qëllojnë pasi ishte i paarmatosur.
12 tetor 2005, arrestohet Bashkim Kulla
Arrestohet vëllai i Nehat Kullës, Bashkimi. Ky i fundit dyshohet si autor i vrasjes së Learton Vathit, komisionari i Partisë Republikane në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Vathi u vra pranë shkollës "Hasan Prishtina" në Tiranë, gjatë procesit zgjedhor ku ishte aktivizuar. I kërkuari Bashkim Kulla u gjend i fshehur në banesën e tij, në rrugën "Myslym Keta", afër ish-Uzinës së Artilerisë. Kullës iu gjet një arsenal i tërë armatimi luftarak, profesional.
31 tetor 2005, arrestohen vëllezërit Rexha
Arrestohen dy të dyshuar të vrasjes së Behar Kastratit, ish- kryetar i Partisë Demokratike në Has. Policia pohon se disponon prova të forta që vërtetojnë se vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexhaj, lindur në Has dhe banues në fshatin Katund i Ri, në Durrës, kanë rrëmbyer dhe më pas vrarë Kastratin. Mjeku ishte rrëmbyer më 7 korrik 2005 dhe është gjetur i vrarë poshtë një ure në lumin Drin, në 28 gusht 2005.
16 nëntor 2005, arrestohet Nehat Kulla
Një operacion i mirëorganizuar i forcave speciale RENEA, në bashkëpunim me policinë e Tiranës kanë bërë të mundur arrestimin e Nehat Kullës, ose të quajtur ndryshe “Gjeneral”. Një rrethim i shtëpisë së tij në fshatin Tufinë të kryeqytetit ka bërë të mundur arrestimin e Kullës, i cili akuzohet për vrasje. Gjithashtu bashkë me të u kap e djali i tij, Roberti, i cili më pas u la i lirë.
7 dhjetor 2005, operacioni “Blow”
Një operacion i policisë së Tiranës, i koduar “Blow”, zbulon një rrjet të trafikut të armëve duke bllokuar 70 pistoleta të tipit “Blow”. Ky operacion ka vënë në pranga shtatë persona. Nga hetimet paraprake rezulton se, armët e kapura mund të kenë ardhur nga Mali i Zi, që është edhe vendi i origjinës së pistoletave. Madje dyshohet se do të përdoreshin në vendin tonë.
13 dhjetor 2005, operacioni “Harem 2005”
Operacioni "Harem 2005" përfundoi me arrestimin e 7 personave në Tiranë për veprat penale të trafikut të prostitucionit. Por gjithashtu ky operacion është shtrirë edhe përtej kufirit shqiptar, ku në Itali janë bërë edhe disa arrestime të tjera. Sipas prokurorisë, anëtarët e këtij grupi kriminal akuzohen për shfrytëzim prostitucioni dhe se këtë aktivitet e ushtronin në Itali.
24 dhjetor 2005, operacioni “Merimanga”
Operacioni “Merimanga”, i cili është zhvilluar në Tiranë në fundvitin e 2005-s, ka vënë në pranga dy anëtarët e një grupi kriminal. Këta të fundit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike. Kjo e fundit, sipas burimeve nga Policia e Shtetit, dyshohet se e kalonte kufirin shqiptar duke shkuar në Itali pa përjashtuar edhe Greqinë.
24 dhjetor 2005, operacioni “Bobi”
Operacioni “Bobi”, i cili është vënë në praktikë nga uniformat blu të qytetit të Vlorës, ka vënë në pranga katër anëtarët e një grupi kriminal. Këta të fundit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike. Ndërkohë, në të njëjtën kohë me këtë operacion është zhvilluar edhe operacioni “Merimanga” në Tiranë.
24 dhjetor 2005, operacioni “Buna”
Drejtoria e Luftës Kundër Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë finalizuar me sukses operacionin “Buna” në Shkodër, kundër një grupi të strukturuar në trafikun e drogës. Nga ky operacion janë sekuestruar rreth 1 ton bimë narkotike kanabis sativa dhe 15 kg farë e kësaj bime, si dhe janë shoqëruar Alfred Ulaj, Nikë Gjelaj, Martin Pëllumbaj, Lec Brrakaj.
9 janar 2006, operacioni “Jugu”
Një operacion i mirëorganizuar i policisë së vendeve fqinje shkatërron një zinxhir të organizuar për transferimin e njerëzve nga Shqipëria në Greqi nëpërmjet Maqedonisë. I koduar "Jugu" operacioni përfshiu forcat policore nga të tre vendet dhe rezultoi në 17 arrestime. Personat e kapur qenë pronarë kamionësh dhe makinash, pajisur me depozita të posaçme për fshehjen e emigrantëve ekonomikë. Emigrantët paguanin midis 1,000 dhe 1,500 euro për transferimin.
18 janar 2006, operacioni "Start 2006"
Aksioni është zhvilluar nga strukturat kundër krimit të organizuar në zonën e “Tiranës së Re” në kryeqytet, ku arrestojnë shoferin e degës lokale të OSBE-së, Edmond Deçollari, Bujar Rramushin dhe Hysen Zaimin, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Në operacionin e koduar “Start 2006” policia e kryeqytetit sekuestroi 6.7 kilogramë heroinë.
18 janar 2006, arrestohet anëtari i “Bandës së Lushnjës”
Arrestohet në Durrës Afrim Hoxha, i akuzuar për vrasje. Sipas policisë, njeri prej lidhjeve më të afërta të Aldo Bares. Hoxha, i lindur dhe banues në Lushnjë, u vu në pranga në një lokal në periferi të Durrësit. Sipas Policisë së Shtetit, i arrestuari akuzohet për një sërë akuzash në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të kësaj bande, tashmë të arrestuar.
19 janar 2006, arrestimi i biznesmenit Rasim Shira
Pronari i një firme me aktivitet të gjerë në tregtinë e konfeksioneve u arrestua në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Rasim Shaqir Shira, 51 vjeç, është vënë në pranga në zyrat e hetuesve, pasi Krimet e Rënda kanë ngritur ndaj tij akuzën e drejtimit të një grupi kriminal shqiptaro-turk. Biznesmeni është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda e aktualisht ndodhet në burg.
Janar 2006, operacioni “Trageti”
Përfundojnë në pranga dy kosovarë sepse po tentonin të trafikonin një vajzë nga Berati, nëpërmjet portit të Durrësit. Operacioni "Trageti" goditi trafikun shqiptar të prostitucionit, me destinacion Francën. Policia e këtij qyteti pohoi se, rrjeti nuk merrej vetëm me trafikimin e femrave, por edhe me falsifikimin e vulave, stampave, formularëve dhe me kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Policia arreston kosovarin Milaim Gashi.
3 shkurt 2006, arrestohet Luan Biberaj
Arrestohet në Tropojë nga një operacion i RENEA-s Luan Biberaj, pasi ishte shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë me 9 vjet heqje lirie për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Biberaj ishte dënuar në mungesë dhe me 4 vjet heqje lirie për krijim të turmave të armatosura.
12 shkurt 2006, arrestimi i Emiliano Shullazit
Një operacioni policisë së Tiranës në bashkëpunim me forcat RENEA kanë bërë të mundur arrestimin e Emiliano Shullazit. Së bashku me të është vënë në pranga edhe e dashura e tij, Elona Fuga, gjithashtu edhe shokët e tij, Gilmando Dani dhe Dritan Hate. Ndërkohë, pas hetimeve Elona Fuga lihet e lirë për shkak të mungesës së provave. Pas saj edhe Dritan Hate, pasi këtij të fundit i kishte mbaruar afati i paraburgimit. Ndërsa, Shullazi ndodhet ende në paraburgim.
13 shkurt 2006, operacioni “Pengamarrja”
Operacioni është zhvilluar nga forcat speciale RENEA, policia e Mirditës dhe uniforma blu të Tiranës, në dalje të qytetit të Rrëshenit. Dy vëllezërit Ramiz dhe Rifat Onuzi, të armatosur, morën peng një autobus me pasagjerë. Pengmarrja e autobusit përfundoi me një bilanc tragjik, pasi 2 persona gjetën vdekjen, njëri efektiv policie dhe 5 persona të tjerë u plagosën. Ndërkaq pengmarrja e autobusit zgjati rreth 3 orë.
15 shkurt 2006, arrestohet drejtoresha e Postës Shqiptare
Arrestohet në Tiranë Luiza Hoxha, akuzohet për shpërdorim detyre. Lindur në Vlorë dhe banuese në kryeqytet, ish-deputetja e PS-së, akuzohet se kur kryente detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Postave Shqiptare, ka lidhur kontratë abuzive me një subjekt, objekt i së cilës ishte realizimi i shitjeve të një sasie të konsiderueshme pullash dhe blloqe pullash, duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Më pas ajo u la e lirë nga Gjykata e Tiranës.
17 shkurt 2006, operacioni “Go West”
Operacionin “Go West” ka vënë në pranga 16 anëtarët e grupit kriminal, i cili trafikonte qenie njerërëzore nga Rinasi për në shtetet e tjera. 10 pjesëtarët e parë të kësaj të fundit janë vënë në pranga në një operacion të zhvilluar në Tiranë, ndërsa 6 të tjerë janë arrestuar muaj më vonë. Janë 29 shtete të huaja ku vepronte ky grup kriminal, si SHBA, Itali, Greqi, Norvegji, Suedi, Austri, Britani e Madhe dhe Irlandë e Veriut etj.
19 shkurt 2006, operacioni “Rrethim i Vështirë”
Drejtoria e policisë së Kukësit në bashkëpunim me repartin 712 të
FNSH-së, pas një operacioni të koduar “Rrethim i Vështirë”, arrestojnë dy shumë të kërkuar për vrasje. Ali Rrushi, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Shefki Rrushi, i dënuar me 25 vjet heqje lirie, gjatë trazirave të marsit të 1997-s ka kryer veprën penale të vrasjes.
22 shkurt 2006, arrestohet Ylli Kelmendi
Arrestohet në Tiranë Ylli Kelmendi, në kërkim për veprat penale të kanosjes për vrasje, shkatërrimit të pronës dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas policisë, akuzohet se më datë 18 shkurt 2006 ka kanosur seriozisht për vrasje me armë zjarri Sh.Z, të cilit i ka dëmtuar dhe automjetin tip “Benz”. Tani Ylli Kelmendi ndodhet në Burgun 313 në Tiranë.
23 shkurt 2006, arrestimi i bosit të firmës “Kamberi”
Arrestohet bosi i firmës piramidale "Kamberi". Ferdinand Kamberi, ishte dënuar në mungesë me 18 vjet heqje lirie, për veprën penale të mashtrimit në vlera të mëdha. Strehohej në Durrës, Plazh, dhe u prangos nëntë vjet pas kërkimeve intensive policore. Ka mashtruar 14.955 kreditorë dhe ka një borxh prej 6. 373.166.862 lekë ose rreth 64.610.369 USD.
26 shkurt 2006, operacioni “Avion Ekspres”
Një pako postare, e mbushur me 2.1 kg kokainë është lejuar të kalojë pa problem aeroportin e Rinasit. Fill pas kësaj, një operacion i koduar “Avion Ekspres” përfundoi me bllokimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e një punonjësi policie, vëllait të tij dhe një tregtareje nga Tirana. Arrestimi Violeta Shabanaj, Armand Kuliçit dhe Astrit Kuliçit, me detyrë punonjës policie, është bërë falë një bashkëpunimi të FBI-së me autoritet e drejtësisë shqiptare.
10 mars 2006, operacioni “Ujëvara”
Operacionit “Ujëvara”, pranga tre korrierëve të drogës. Nikoll Kolmarku, Orgest Kordha dhe Sokol Pareshi janë arrestuar nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, sepse transportonin drogë në zona të ndryshme të Tiranës. Në orët e mesditës tre “trafikantëve” ju kapën e 2 kilogramë e 111 gr. heroinë.
24 mars 2006, arrestimet e “Bandës së Lushnjës”
Arrestohen tre anëtarë të “Bandës së Lushnjës”. Eduard Hysen Demiri, 45 vjeç, Qemal Hamdi Ymeri, vjeç 30, lindur në Tetovë e banues në Lushnjë dhe Luan Avduli, 35 vjeç, banues në Shijak. Të tre akuzohen si pjesëmarrës në bandën kriminale të drejtuar nga Aldo Bare dhe kryerjen e veprimeve kriminale si anëtarë të kësaj bande. Gjithashtu arrestohet edhe një anëtar tjetër i kësaj bande, Rexhep Gina.
28 mars 2006, operacioni "Mbikalimi"
Operacioni "Mbikalimi" në Fier e Durrës sekuestrohen mbi 3 kilogramë heroinë dhe arrestohen 4 persona, mes tyre edhe një italian. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se droga iu gjet të arrestuarve Eduard Hoxha, Nuri Çela, Arben Berberi dhe Prospero Xhuzepe Mileone. Të gjithë janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.
3 prill 2006, operacioni "Deti i Pastër"
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bën të ditur se, si rezultat i operacionit të koduar “Deti i Pastër”, i zhvilluar në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, ka kontrolluar rreth 163 ambiente, 137 automjete, 82 hotele dhe motele, 42 anije dhe 33 varka peshkimi. Nga kontrollet u bë bllokimi i 54 mjeteve lundruese, tre automjeteve, si dhe i dy motoçikleta të dyshuara të vjedhura.
8 prill 2006, operacioni “Era e Jugut”
Operacioni i koduar “Era e jugut” zbulon një grup kriminal, i cili shpërndante lëndë narkotike. Një punë e mirëorganizuar e policisë së kryeqytetit arreston Alban Çunaj, Eduard Haskën, Fatjon Minxhën, Dorian Haskën dhe Kudret Hirin. Gjithashtu uniformat blu të Tiranës kanë bërë edhe sekuestrimin e 97 kilogramë bimë narkotike, të destinuar për trafik në Malin e Zi.
13 prill 2006, operacioni “Ledi V”
Operacioni i koduar “Ledi V” arreston Mentor Camin, Virson Rushitin, Veli Elezin, Vojsava Metën dhe Agim Korën, ndërkaq ka vendosur nën sekuestro edhe 18.5 kilogramë drogë. Kjo e fundit, sipas burimeve nga policia e Tiranës, kishte si destinacion tregun vendas, duke mos përjashtuar shpërndarjen në doza në shkollat e mesme të kryeqytetit.
27 prill 2006, arrestohet Gëzim Salillari
Arrestohet Gëzim Salillari, i njohur edhe si Gëzimi i “Kashtës”, pronar i një lokali luksoz në stabilimentin e vilave në plazhin e Durrësit. Në këtë operacion u prangosen edhe Artur Kozma Vaqo, i njohur si Tur Labi dhe i maskuar nën një identitet të rremë si Bujar Bitri dhe Ilir Bajram Sukaj. Të tre këta janë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Momentalisht Gëzim Salillari është lënë i lirë nga gjykata për mungesë provash.
30 prill 2006, arrestohet Akil Cemi për vrasje me pagesë
Operacioni i suksesshëm i policisë në Shkodër arreston të dyshuarin si vrasës me pagesë, Akil Cemi dhe shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Sapo kanë marrë telefonatën, blutë e Shkodrës kanë organizuar një operacion blic dhe kanë arritur të identifikojnë makinën e dyshimtë me të cilën kishte udhëtuar Cemi, të ndalur në rrëzë të një trotuari në lagjen "Xhabije", jo shumë larg vendit të quajtur “Pesëkatëshi me urë”.
1 maj 2006, operacioni "Rruga e lagur"
Policia kapi rreth 320 kilogramë marijuanë si pjesë e një operacioni të koduar "Rruga e lagur". Zyrtarët e policisë pohojnë se droga u gjet në makinat në rrugën Vlorë-Fier, duke bërë të mundur edhe arrestimin e tre personave. Sipas policisë, të arrestuarit dyshohen se kanë bashkëpunim edhe me persona nga vendet fqinjë, ku trafikonin edhe drogën.
6 maj 2006, arrestohet Aleksandër Kuqo
Arrestohet në Berat Aleksandër Kuqo, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Milano, Itali. Kuqo ishte vendosur të mbyllej në spitalin psikiatrik në Vlorë për mjekim të detyruar. Ai ishte dënuar në Milano për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe trafikim të femrave për prostitucion të kryer në bashkëpunim. Tani ai ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë, ku edhe po kurohet.
9 maj 2006, operacioni “Hija e Bardhë”
Arrestohet shoferi i Kuvendit të Shqipërisë, Avdi Leka, banues në Tiranë, sapo ishte takuar me mikun e tij Ervin Pashaj, kur një grup personash i kërkuan të kontrollonin makinën. Operacioni u zhvillua në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ku u kapën 887 gramë kokainë, një pistoletë model 54 dhe 38 copë fishekë. Policia arreston Lekën dhe mikun e tij Pashajn.
17 maj 2006, arrestohet anglezi
Ndalohet anglezi David Braun, i dyshuar për veprën penale të marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur. Braun ishte me detyrë administrator i fondacionit "Fëmijët e tij" në Tiranë. Ai dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale në mënyrë të përsëritur me disa fëmijë të mitur që jetonin në këtë fondacion. Nga hetimet rezulton se, këtë vepër penale e kanë konsumuar edhe dy anglezë dhe një grek, të cilët kanë punuar me parë në këtë fondacion.
18 maj 2006, operacioni "Perëndimi"
Operacioni "Perëndimi" vë në pranga të shumëkërkuarin Albert Ulliri, autor i dy vrasjeve. Sipas policisë, i riu nga Kruja më 15 janar 2000 në fshatin Nikël të këtij qyteti ka vrarë me armë zjarri Gani Hakën e Ajet Shimën. Për këtë vepër penale gjykata e ka dënuar me 12 vjet heqje lirie. Më pas i arrestuari është shoqëruar në qelitë e burgut ku do të vuajë dënimin.
23 maj 2006, operacioni “Poter Al”
Operacioni "Poter-Al" vuri në pranga shtatë persona për trafik të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ilir Koçiaj, Geront Tola alias Geront Dedja, Zamir Vadardha, Leonard Çobaj, Bledi Balliu, Aleksandër Koliçi alias Aleksandër Gremi dhe Ervin Tavanxhi, u prangosën në qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Akuzohen se kanë trafikuar droga të forta në Itali dhe Holandë.
30 maj 2006, operacioni “Malësori”
Operacioni i Antidrogës së Tiranës, i koduar “Malësori”, ka arrestuar një grup kriminal, i cili ushtronte aktivitetin e trafikut të drogës. Në pranga janë vënë dy pjesëtarët e saj. Kjo organizatë kryente trafikimin ndërkombëtar të heroinës nga Turqia nëpërmjet Bullgarisë në Shqipëri dhe pastaj eksportimin e saj drejt Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë.
1 qershor 2006, arrestohet Demir Lika
Arrestohet në Golem të Kavajës, kryetari i kësaj komune, Demir Lika dhe bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në veprimtarinë kriminale të korrupsionit, pasiv të funksionarëve të zgjedhurve vendorë. Gjatë arrestimit Likës iu sekuestruan 13 750 euro, 11 000 USD dhe 10 milionë lekë. Gjykata e Tiranës e ka dënuar ish-kryekomunarin me 6 vjet burg dhe 2 milionë lekë gjobë.
1 qershor 2006, arrestohet Arben Golemi
Arrestohet në Tiranë Arben Golemi, ish-drejtor i Politikave të Turizmit në Ministrinë e Turizmit, akuzuar për veprën penale të korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë. Cilësohet si bashkëpunëtor i Demir Likës. Sipas policisë, kanë përfituar në mënyrë të parregullt për dhënie tokash dhe leje ndërtimi për shkak të funksionit të tyre si funksionarë shtetërorë dhe të zgjedhur vendorë.
2 qershor 2006, arrestimi i drejtorit të Tatim-Taksave
Arrestohet Edison Frakulla, drejtor i degës së Tatim-Taksave në rrethin Vlorës. Akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas policisë së Vlorës, pas një hetimi disa javor, u vërtetua se në mënyrë të përsëritur kërkonte dhe merrte 10 për qind të shumës së detyrimit për TVSH-në e rimbursueshme, përfitim ky i parregullt që lidhet me detyrën dhe funksionin e tij.
2 korrik 2006, operacioni "Rexhina"
E duket se ky ka qenë starti i operacioneve që do të bëjnë të mundur identifikimin e personave që merren me trafikimin e mjeteve motorike. Një operacion i koduar “Rexhina”, që mban emrin e një automjeti, i drejtuar nga specialistë të Antikrimit të Organizuar të Tiranës ka bërë të mundur sekuestrimin e mjeteve motorike të trafikuara.
2 korrik 2006, operacioni “Kthesa e fundit”
Një operacion i policisë së Tiranës arreston tre persona me shtetësi maqedonase. Në pranga kanë përfunduar Rexhep Osmani, 28 vjeç, banues në Tetovë, Besir Zilfiu, 31 vjeç, banues në Tetovë dhe Kapllan Shehu, 38 vjeç, banues në Shtiqen Kukës. Sipas burimeve, ky i fundit ishte me detyrë punonjës policie i Repartit Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Laç. Ndërkohë policia ka sekuestruar edhe 4 kilogramë e 722 gramë drogë.
5 korrik 2006, operacioni "Perëndimi i kaltër"
Policia sekuestron 1 kilogramë heroinë në një nga lokalet e kryeqytetit. Gjatë një operacioni të koduar "Perëndimi i kaltër", policia e Tiranës veç sekuestrimit të sasisë së lëndës narkotike ka vënë nën pranga edhe dy poseduesit e saj. Albert Xharahu dhe Klodi Vangjo, të dy nga kryeqyteti, u arrestuan në flagrancë nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se sasia e drogës ishte e destinuar për t’u tregtuar në tregun e Shqipërisë së Mesme.
31 korrik 2006, operacioni “Karaburuni”
Një operacion i mirëorganizuar i policisë ka çuar në pranga dy persona dhe ka bërë që të sekuestrohen 580 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa i presuar. Operacioni u ekzekutua nga efektiva të Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pranë Drejtorisë së Policisë në Vlorë, përfaqësues të sektorit të Ministrisë së Brendshme dhe repartit “Delta Force” në Vlorë. Burimet nga policia bënë të ditur se, droga kishte destinacion Italinë.
27 gusht 2006, operacioni "Rruga e shtruar"
Vetëm nga emri duket që do të zbulojë personat që trafikojnë mjetet motorike. Operacioni i koduar “Rruga e Shtruar”, i drejtuar nga Antikrimi i Organizuar, për goditjen e trafikantëve të mjeteve motorike ka bërë të mundur zbulimin e një rrjeti të trafikimit të mjeteve motorike si dhe identifikimin e peronave që merreshin me të.
30 gusht 2006, arrestohet topografi Xhemal Haxhaj
Operacioni për goditjen e korrupsionit në Bashkinë Kamzë, ku u arrestua punonjësi i këtij institucioni, Xhemal Haxhi. Ky i fundit akuzohet për veprën penale të korrupsionit, pasi përfitonte padrejtësisht shpërblime për kryerjen e procedurave të legalizimeve. Policia e Tiranës pas ankesave nga qytetarët ka bërë të mundur prangosjen e tij.
17 shtator 2006, operacioni "Kështjella"
Një operacion i mirëorganizuar i policisë së Tiranës ka bërë të mundur goditjen e rrjetit të trafikantëve të mjeteve motorike. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se, nga operacioni i koduar “Kështjella” është bërë identifikimi i personave që vidhnin automjete e më pas bënin të mundur trafikimin e pjesëve të tyre si brenda e jashtë vendit.
8 tetor 2006, operacioni “Kokrra e Ullirit”
Policia e Tiranës godet një rrjet të trafikut të armëve me Greqinë. Gjashtë persona, mes të cilëve edhe porositësi grek, përfundojnë në pranga. Operacioni i koduar “Kokrra e ullirit” është finalizuar në orët e para të mëngjesit me bllokimin e makinës me targa të huaja që po transportonte armë në drejtim të Selanikut. Përveç automatikëve kallashnikovë, policia ka bllokuar edhe një sasi prej 10 mijë eurosh, të cilat mendohet se do të shërbenin për pagesën e armëve dhe municioneve.
2 tetor 2006, operacioni te "Komuna e Parisit"
Arrestohet në afërsi të lagjes “Komuna e Parisit” në Tiranë, Agim Hoxha, bashkë me të dashurën Marsida Selita dhe tre persona të tjerë. Hoxha në bashkëpunim edhe me personat e tjerë të arrestuar akuzohen për shitje të lëndëve narkotike nëpër gjimnazet e kryeqytetit. Policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së drogës.
31 tetor 2006, arrestohet Arben Mërtiri
I akuzuar për vrasjen e studentes Esmeralda Laho, te Shkolla e Baletit në Tiranë, është arrestuar në Fushë-Krujë Arben Mërtiri. Sipas policisë së kryeqytetit, mësohet se si rezultat i një operacioni të drejtuar nga vetë drejtori i policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, është bërë prangosja në një shtëpi e 24-vjeçarit të akuzuar për vrasje.
2 nëntor 2006, operacioni "POLDOTA"
Policia e Shkodrës, e cila bashkëpunoi me Policinë Tatimore, pohojnë se operacioni “Poldota” ka bllokuar artikujt kontrabandë si cigare, flori, celularë etj. Të njëjtat burime pohojnë se aksioni për bllokimin e subjekteve tregtare me dokumentacion të parregullt u krye nga sektori i krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me Tatimoren.
3 nëntor 2006, arrestohet konsulli Niko Dhima
Drejtoria e Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës arreston konsullin e legalizimeve pranë Ministrisë së Jashtme dhe katër persona të tjerë. Policia e kryeqytetit ka prangosur Niko Dhimën, me detyrë Konsull në Sektorin e Legalizimeve të Drejtorisë Konsullore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maxhit Alibalin, me punë shofer në Drejtorinë e Legalizimeve në Shkodër dhe sekserët Faik Ymeri, Shpëtim Peza dhe Alban Dodaj.
10 nëntor 2006, operacioni "Gozhda"
Policia e Shtetit bën të ditur se, një operacion i koduar “Gozhda”, me shtrirje në qytetet Elbasan, Pogradec, Korçë dhe Vlorë, u kurorëzua me ndalimin e 6 personave. Këta të fundit akuzohen për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim. Arrestohen Luan Vejkollari, Urim Gjata, Aleksandër Çela, Edison Kume, Nikolla Shkullaku, të katërt nga Pogradeci dhe Bujar Xhafaj.
24 nëntor 2006, arrestimi i falsifikatorëve
Një operacion i Antikrimit Ekonomiko-Financiar dhe Antikrimit të Organizuar është finalizuar me arrestimin e dy personave, pjesë e një rrjeti falsifikatorësh. Përveç arrestimit të Avni Fortuzit dhe Shpëtim Picarit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një sërë dokumentesh të falsifikuara.
1 dhjetor 2006, arrestohet pedagogia Violeta Hysenbegasi
Përfundon në pranga në Tiranë bashkë me bashkëshortin e saj, Gazmir Hysenbegasin dhe studentin, Ilir Poloska, pedagogia e Infermierisë, Violeta Hysenbegasi. Ndërkohë, pas hetimeve të prokurorisë ajo u la e lirë nga gjykata 40 ditë më pas. Arsyeja ishte mungesë provash. Ndërsa bashkëshorti i saj qëndron ende në qeli.
Janar 2007, operacioni "Profesori"
Lulëzim Sinani, 73 vjeç, ish-pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamzë, i njohur edhe si Lul profesori, u arrestua në kushtet e flagrancës teksa ishte duke u dorëzuar dy klientëve dëftesa të shkollës së mesme të falsifikuara. Operacioni për arrestimin e tij ishte koduar me emrin "Profesori". Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë shprehur se aktiviteti i Sinanit vëzhgohej prej dy muajsh nga agjentët e Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Pastrimit të Parave.
14 janar 2007, sekuestrohet gomonia
Sekuestrohet një gomone dhe 221 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa e presuar, arrestohen dy persona. Nga një operacion i Antidrogës në Vlorë në bashkëpunim me repartin “Delta Force” ka bërë të mundur sekuestrimi i një gomoneje me gjatësi 5.5 metra, i një sasie prej rreth 221 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa e presuar, si dhe arrestimi i Toni Kushit e Petraq Lalaj.
18 janar 2007, operacioni “Piramida”
Denoncimi i disa prej “viktimave” të juristes në doganën e Tiranës, Edlira Spahija dhe Malo Qokut, u ka dhënë shkas agjentëve të Antikrimit të Organizuar që të nisin hetimet. Operacioni i policisë “Piramida” ka vënë në pranga 34-vjeçaren Spahija dhe 57-vjeçarin Malo Qoku, me akuzën “vjedhje me anë të mashtrimit”.
25 janar 2007, operacioni “Stop”
Operacioni policor i koduar “Stop” ka vënë në pranga dy të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. Fidai Muhaj, 43 vjeç dhe Hajrie Cepi, 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, u arrestuan tek hotel “Kodra” në afërsi të kompanisë “Deka” në autostradë. Dy të prangosuri akuzohen se kanë shfrytëzuar në rrethana rënduese për prostitucion dy 20-vjeçare.
27 janar 2007, operacioni “Start 2007”
Drejtoria e Policisë së Durrësit përfundon me sukses operacionin "Start 2007", në sajë të të cilit u bë i mundur sekuestrimi i 17 kilogramë heroine. Madje është bërë i mundur edhe arrestimi i Shpëtim Hushit, emigrant në Itali, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sasia e lëndës narkotike ishte fshehur në serbatorin e makinës me të cilën Hushi tentoi të largohej me tragetin e linjës Durrës-Bari në drejtim të Italisë.
29 janar 2007, operacioni “Larg shkollave”
Ky operacion kundra shpërndarjes së drogës në shkolla, pranë gjimnazit “Ismail Qemali” vë në pranga Elvis Shehaj dhe Hasan Demiri. Këta të fundit janë kapur në flagrancë me një sasi bime prej 1 kilogramë e 550 gramë marijuanë. Shehaj u kap në momentin kur po hynte në banesën e Demirit, me sasinë e bimës narkotike të cilën më pas e shpërndanin në gjimnazet e kryeqytetit.
31 janar 2007, arrestohen dy zyrtarë të Hipotekës
Sektori i Luftës kundër Krimit të Organizuar në policinë e Vlorës në bashkëpunim me prokurorinë, nisur dhe nga denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë bërë të mundur arrestimin e David Tushaj, i cili më parë kryente detyrën e kryeregjistruesit të pronave në zyrën e Hipotekës Vlorë dhe Halit Rama, ish-punonjës i kësaj hipoteke. Të dy të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar në vijimësi dokumentet hipotekore të dhjetëra personave.
3 shkurt 2007, operacioni “Gabimi i Fundit”
Operacioni i koduar me emrin "Gabimi i fundit” vë në pranga Shpëtim Ahmetajt, i cili akuzohet për falsifikim të dokumenteve. Sipas burime të policisë, aktiviteti i tij kriminal ka vazhduar për shumë vite, në një kohë që vetëm një muaj më parë agjentët e Antikrimit Ekonomik ranë në gjurmët e tyre, duke shkatërruar një tjetër bazë të falsifikimit të dokumenteve.
08 mars 2007, zbulohet laboratori i drogës
Zbulohet një laborator droge në Tiranë, sekuestrohen rreth 28 kilogramë lëndë narkotike, arrestohen në flagrancë Adhurim Nela dhe Kujtim Karamuça. Seksioni i Luftës Kundër Drogës, nën moton “Droga vret”, ka marrë të gjitha masat policore për goditjen e bazave të trafikut e shpërndarjes së lëndëve narkotike duke bërë të mundur zbulimin e një rrjeti të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, që kishte si pikënisje Maqedoninë dhe me destinacion Italinë.
14 mars 2007, operacioni “Pastrimi”
Operacioni “Pastrimi” sekuestrohen 103 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, arrestohet në flagrancë punonjësi i policisë Elidon Feimi. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Antikrimin e Fierit kanë realizuar me sukses operacionin e koduar “Pastrimi”. Në sajë të këtij operacioni u bë e mundur kapja në flagrancë me rreth 103 kilogramë drogë dhe u arrestua punonjësi i policisë pranë repartit “Delta Forcë” në Vlorë.
Tirana Observer
Krijoni Kontakt