Kozmologia shqiptare Laura Mersini Houghton, rrëfehet për BBC
Një shqiptare në hapësirë
Nazim Rashidi
Ajo është kosmologe, një profesion tejet i rrallë në të gjithë botën, ndërkohë është e vetmja shqiptare me një profesion të tillë dhe një nga femrat e pakta që merren me këtë shkencë. Laura Mersini Houghton jeton në SHBA dhe në komunitetin botërorë të shkencëtarëve është e njohur për teoritë e saj për kozmosin dhe krijimin e gjithësisë, ka marrë vlerësime ndërkombëtare, por në Shqipëri thuajse nuk është fare e njohur.
Laura si do ta prezantoje veten?
Unë punoj si profesore asistente në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Fusha ime e specializimit është fizika teorike dhe kozmologjia. Studimet e para i bëra në Shqipëri, ndërsa master, doktoraturë dhe post doktoraturë në Amerikë.
Profesioni juaj është kozmologe. Çfarë nënkupton ky term?
Në këtë moment, përfshin shumicën e fizikës teorike. Ka të bëjë me studimin e universit në tërësi dhe me historinë e universit që nga koha e Big Bang, si filloi universi dhe deri në universin e kohës së tanishme.
Keni kryer studimet në Shqipëri për fizikë. Përse vendosët të merreshit me kozmosin?
Kjo fushë është shumë interesante për çdo student që bën doktoraturën në fizikë. Është shumë e vështirë dhe kjo është një nga arsyet përse jo shumë vetë punojnë në këtë fushë. Pra, intriga ishte aty dhe unë vendosa ta vazhdoj deri në fund këtë kuriozitet.
Në Shqipëri nuk ju njohin shumë njerëz...
Ndoshta, ngaqë u bënë vite që kam ikur dhe pjesërisht dhe për fajin tim që nuk kam mbajtur lidhje me profesorët dhe kolegët e mi në Shqipëri.
Megjithatë ju jeni e njohur në qarqet shkencore ndërkombëtare dhe një nga arsyet është sfida ndaj teorisë së Ainshtanjit. A mund ta shpjegoni këtë?
Në këtë moment nga avancimi teknologjik ne kemi shumë të dhëna astro-fizike të cilat ndikojnë se universi mbizotërohet nga një energji që quhet Dark Energy e cila është 70% e energjisë totale të universit dhe është shumë e vështirë për t’u shpjeguar me teorinë e Ajnshtajnit, prandaj shumica e fizikantëve teoricienë mundohen që të gjejnë ose një teori më të përgjithshme e cila do ta kishte si pjesë të sajën teorinë e Ajnshtajnit, ose një teori tjetër shumë më ndryshe se teoria e Ajnshtajnit. Por në radhë të parë, janë të dhënat astrofizike të cilët detyruan fizikantët teorikë që ta pranojnë mundësinë që ndoshta ne na duhet diçka më shumë sesa teoria e Ajnshtajnit.
Ishte kjo teori që ju bëri të fitoni kredibilitet në qarqet shkencore botërore?
Patjetër. Kjo siç e përmenda më parë është një fushë shumë e vështirë dhe të bësh një teori nuk është e mjaftueshme për të fituar kredibilitet, sepse duke qenë një problem shumë intrigues për anën psikologjike, shumë nga kokat më të mira të botës janë marrë me këtë problem dhe secili ka teorinë e vet që mundohet ta shpjegojë. Asnjeri nga ne nuk ka patur sukses të plotë deri tani, megjithatë kur ne arrijmë të bëjmë një parashikim i cili përputhet me të dhënat astrofizike me ato ç’ka vrojtojmë në qiell, atëhere kjo i jep teorisë kredibilitet. Fusha ku unë kam punuar, qoftë për “Dark Energy” këtë energji misterioze që mbizotëron në akselerimin e universit, qoftë edhe fillimi i universit dhe i Big Bang-ut. Në të dyja këto teori unë jam munduar që të bëj dhe parashikime të cilat mund të testohen me të dhënat astrofizike dhe ka qenë kjo përputhje e cila fitoi kredibilitet në komunitetin e fizikës.
Cila është teoria për të cilën keni fituar respekt ose mbase ka patur dhe reagim pasi ju e keni publikuar?
Teoria e fundit që kam punuar vitin e kaluar është teoria e “Fillimit të Universit” dhe kjo hyn më tepër në një fushë që ka filluar të zhvillohet kohët e fundit që quhet “String Cosmology”. “String theory” është në këtë moment kandidati kryesor për të qenë teoria themelore e gravitetit kuantik, por një nga problemet me këtë teori është që parashikon me biliona dhe biliona universe që duken njëlloj si universi ynë.
Sa të vegjël jemi ne Laura si kozmos apo universi jonë sa i vogël është?
Shumë pa rëndësi.
Çfarë shikon ti kur shikon yjet, qiellin?
Përsosmërinë e natyrës dhe intrigat.
Si të bën të ndjehesh?
Si një foshnje me kuriozitet të pastër për natyrën, sepse sado që të studiojmë dhe akumulojmë, ajo e cila dimë është një përqindje jashtë mase e vogël në krahasim me misteret që mbeten akoma për t’u zbuluar. Ky lloj kurioziteti, me këtë pastërti është gjëja më e bukur për ta kaluar jetën.
Ti studion kozmosin, ndërkohë nuk je astronaute për të udhëtuar në kozmos. Do kishe dashur të shikoje se çfarë është përtej yjeve?
Jo aq shumë, sepse kur mendon në shkallë kozmologjike përtej yjeve, nuk është shumë larg. Distancat në shkallë galaksike janë shumë të vogla në krahasim me distancën e universit dhe distanca e universit nuk dihet se sa është, sepse vetë termi univers përdoret në dy kuptime. Një është universi i dukshëm i cili përcaktohet nga rrezja e Hapel që është emëruar pas shkenctarit Hapel që ishte i pari që zbuloi zgjerimin e universit. Kjo rreze është 1027 centimetra që është diçka që mendja njerëzore arrin ta kuptojë. Por kjo pjesë e universit është një pjesë shumë e vogël në krahasim me universin e vërtetë. Problemi është që rrezja Hapel përcakton një kufi në të cilin ne arrijmë të shikojmë, pra me sinjalë drite nuk arrijmë të shikojmë përtej kësaj rreze dhe nuk arrijmë të shohim se çfarë ka.
Besoni atëhere që ka planete të tjerë?
Nuk ka asnjë arsye përse të mos ketë asnjë gjë speciale për universin tonë.
Domethënë ka dhe marsianë dhe jashtëtokësorë?
Nga ana matematikore me probabilitet është pothuajse 100%.
Sa kohë do t’i duhet njerëzve për t’i verifikuar këto fenomene?
Për mbitokësorët unë s’e di. Në të njëjtën mënyrë si ana matematikore thotë që nuk është asgjë e veçantë për universin tonë dhe mund të ketë dhe universe të tjerë, e njëjta gjë dhe për njerëzit. Për teorinë nëse ka diçka tjetër përtej universit, kjo do arrihet brenda një kohe shumë të shkurtër 4-5 vjet, sepse në këtë moment janë dy ose tri eksperimente shumë të rëndësishme që po ndërtohen, një në Fërmilev dhe një në Kaliforni të cilat do arrijnë të shikojnë kaq larg nëpërmjet një efekti që quhet efekti “Landsore gravitacional”.
Ky efekt është i thjeshtë për t’u kuptuar me teorinë e Ajnshtajnit sepse sikurse ne e dimë që çdo trup ka gravitet, në të njëjtën mënyrë dhe një grup galaktikash kanë fushën e vet gravitacionale dhe e ka aq shumë të fuqishme sa kur një sinjal drite kalon nëpër këtë grupim galaktikash, fillon të devijohet. Është si puna e lenteve, por për shkak të fushës gravitacionale. Duke parë këto devijime, ne do shikojmë deri ku ka strukturë dhe të shikojmë rrezen Hapel.
Krijoni Kontakt